-0.4 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Familja shqiptare në përballje me paradigmat e reja dhe besimi – Roald A. HYSA

Më të lexuarat

Shekulli i kaluar ka qenë një nga më të trazuarit për shkak të përplasjeve të forta ideologjike, që u pasqyruan edhe me tronditje të mëdha shpirtërore e historike. Mendimi botëror nga Lindja në Perëndim u përsoll rreth përplasjes së qytetërimeve dhe fundit të historisë e njeriut të fundit me Huntingtonin dhe Fukujamën. Paradigma të reja u diskutuan gjerësisht nga Gellneri me nacionalizmin e tij si dhe Klod Levi Shtros me tropikët e trishtë në antropologjinë kulturore dhe sociologjia e fesë u pasurua me botime të shumta, ku familja është një nga temat më të rrahura. Një nga autorët e mëdhenj botërorë që ka pasur ndikim të ndjeshëm në krijimin e një atmosfere opozitare mbi autoritetin prindëror është edhe i mirënjohuri Franc Kafka me Metamorfozën dhe Gregori Zamzan. E gjithë vepra e tij është një thyerje e tabuve të autoritetit prindëror dhe më e drejtpërdrejtë ndaj figurës së BABAIT. Ja se si i drejtohet atit të tij në një letër: “Ka shume gjasa qe edhe po te isha rritur plotesisht i cliruar nga ndikimi yt, per ty une kurre nuk do te isha ne lartesine e duhur. ”. ne të gjithë e dimë se çfarë ndodhi më pas në vitet 1960 me revolucionin seksual dhe çlirimin nga çdolloj autoriteti prindëror, shpirtëror, fetar etj. por pakkush e di që ka një letër postume të Herman Kafkës drejtuar birit të tij Francit ku shquhet qartë dialogu i munguar babë e bir.

Kjo është edhe metamorfoza e familjes në shoqërinë shqiptare, e cila nëse do të ketë mungesën e dialogut dhe të diskutimit me dashamirësi, do të mbetet në diskutimet postume, ku do të mbizotërojnë më pas modelet televizive të një teknologjie të avancuar por të pashpirt.

Mungesa e Besimit në shoqërinë shqiptare gjatë 45 viteve të komunizmit dhe 30 vite tashmë në tranzicion i ka hapur rrugën disa modeleve të reja jetese, të cilat më parë jo se nuk diheshin apo nuk njiheshin, porse tashmë po kërkojnë të fitojnë qytetarinë në shoqërinë shqiptare. Hapësira mediatike është e mbizotëruar nga këto lloj modelesh stereotipike për këtë hapësirë dhe që e ndikojnë publikun, duke i dobësuar lidhjet e brendshme familjare. E për këtë shohim si paradigëm burrin me shumë para, i cili ka një bashkëshorte, por gjithashtu edhe një të dashur, e anasjelltas imitohet edhe nga femrat ky lloj modeli. Shoqëria jonë tashmë është e hapur ndaj këtyre mënyrave jetese të reja.

Nga ana tjetër qysh në agun e kohës prindërit tonë Adami dhe Eva u lidhën me martesën e shenjtë dhe me bekimin e Zotit të Gjithësisë për të sjellë deri në ditët e sotme mesazhin hyjnor të dashurisë dhe të përkrijimit. Në librat e shenjtë familja nis me profetët e Zotit dhe vazhdon po me ata që janë zotërinjtë dhe shembullimi më i mirë i familjes dhe i përballjes me sprovat e kësaj bote të përkohshme deri sa të kalojmë këtë sprovë. Ne nuk mund të injorojmë për asnjë çast krizën e familjes, divorcet, abortin, dhunën në familje e shumë fenomene të tjera me të cilat na duhet të ballafaqohemi. Por besimi në Zot, dashuria duhet të jenë brenda dialogut tonë brenda në familje dhe të pranojmë ndihmën ndaj njëri-tjetrit si një bamirësi për të cilën neve kemi nevojë në shoqërinë tonë më shumë ndoshta edhe se sa për ushqimin e përditshëm që konsumojmë. Besimi në zot dhe në vlerat themelore të familjes është një bekim, i cili na çon në ruajtjen e familjes dhe të lirisë tonë.

Roald Hysa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit