Edhe 14 vjet pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe marrëveshjes me Serbinë për shuarjen e strukturave paralele, këto të fundit vazhdojnë të ekzistojnë dhe veprojnë në Kosovë që nga përfundimi i luftës, më 1999.
Qeveria e Serbisë, nga buxheti i saj për vitin 2022, ka ndarë 96.1 milionë euro për Kosovën.
Me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, Kosova dhe Serbia kanë nisur dialogun për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011 dhe një nga qëllimet e këtyre bisedimeve ka qenë pikërisht shuarja e strukturave paralele, gjegjësisht integrimi i tyre në sistemin e Kosovës.
Një marrëveshje për shuarjen e tyre është arritur në prill të vitit 2013, por zbatimi i saj i plotë në terren lë për të dëshiruar, pasi organet e përkohshme komunale, të financuara nga Beogradi, vazhdojnë të funksionojnë edhe sot e kësaj dite.
Ku shkojnë paratë e Serbisë?
Nga 96.1 milionë euro sa ka ndarë Qeveria e Serbisë për Kosovën këtë vit, pjesën më të madhe e merr Zyra për Kosovën e kësaj qeverie: 68.3 milionë euro.
Shumica e kësaj shume, 46 milionë euro, shkon për, siç thuhet, “përkrahjen e funksionimit të institucioneve dhe organizatave në Kosovë”, ndërsa 22.3 milionë euro shkojnë për “përkrahjen e përmirësimit të cilësisë së jetesës së serbëve dhe joshqiptarëve”.
Në kuadër të buxhetit të Ministrisë së Arsimit të Serbisë, për “mbështetje të punës së Universitetit të Prishtinës me seli të përkohshme në Mitrovicë”, Serbia ndan rreth 26.6 milionë euro.
Rreth 373,700 euro ndahen për “Rrethet Administrative në Kosovë, të krijuara me qëllim të kryerjes së detyrave të administratës shtetërore jashtë selisë së organeve të administratës shtetërore”.
Në kuadër të mjeteve të dedikuara për kabinetin e ministrit pa portofol për Inovacion dhe Zhvillim Teknologjik, rreth 237,000 euro shkojnë për planin “për mbështetje të përmirësimit të kapaciteteve inovative” në Kosovë.
Ministria e Kulturës dhe Informimit e Serbisë është thënë se do të ndajë 87,118 euro për “mbështetje për informimin e qytetarëve në gjuhën serbe” në Kosovë.
Drejtoria për Bashkëpunim me Kishat dhe Bashkësitë Fetare e Serbisë, ndërkaq, i jep 538,135 euro për “mbështetje për klerin dhe manastirin në Kosovë”.
Maliqi: Institucionet me uniforma dhe letra të Kosovës, por me direktiva të Beogradit
Njohësi i zhvillimeve politike në Kosovë, Agon Maliqi, njëherësh bashkëthemelues i blogut “Sbunker”, thotë se një pjesë e strukturave paralele të Serbisë janë integruar formalisht në sistemin e Kosovës, porse ato vazhdojnë të jenë problematike.
Sipas tij, këto struktura mund të ndahen në dy grupe: ato që operojnë në sistemin e shëndetësisë, arsimit dhe kulturës, në njërën anë, dhe ato të sigurisë dhe drejtësisë, në anën tjetër.
Të parat, thotë Maliqi, edhe pse e cenojnë rendin juridik, nuk kanë ndonjë efekt destabilizues. Për të dytat, ai thotë se disa janë integruar formalisht në sistemin e sigurisë dhe të drejtësisë në Kosovë, por besnikëria e tyre, sipas tij, ka vazhduar ndaj sistemit të Serbisë.
“Strukturat që kanë të bëjnë me sigurinë dhe rendin, padyshim që janë një element shumë i fortë i brishtësisë së shtetit dhe i mungesës së kontrollit efektiv mbi territorin. Pra, në njëfarë forme, ato e kanë ndaluar procesin e shtrirjes efektive të sovranitetit në të gjithë territorin dhe kjo vërehet, sidomos në momente kritike, kur duhet të bëhet ndonjë arrestim i ndonjë figure më të fuqishme”.
“Aty vërehet që këto institucione – një pjesë e tyre – mund të jenë me uniforma dhe me letra të Kosovës, por ato njëkohësisht paguhen dhe operojnë nën direktivat e politikës së Beogradit”, thotë Maliqi për Radion Evropa e Lirë.
Mijaçiq: Qeveria e Serbisë investon më së shumti para në Kosovë
Drejtori i Institutit për Zhvillim Ekonomik Territorial në Beograd (INTER), Dragisha Mijaçiq, konsideron se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të duhej të ishte mekanizmi që do t’i institucionalizonte kompetencat e institucioneve paralele serbe në Kosovë, në mënyrë që, siç thotë ai, të dihet saktësisht se si do të financohen dhe funksionojnë ato institucione.
Sipas tij, Asociacioni është mundësia e vetme për t’u integruar organet e përkohshme komunale serbe në sistemin e Kosovës.
“Qeveria e Republikës së Serbisë ka investuar 800 milionë euro në Kosovë, në vitet 2020 dhe 2021 – nga 400 milionë për secilin vit. Nuk ekziston askush tjetër që investon aq para në Kosovë sa Qeveria e Serbisë… Megjithatë, problem në të gjithë këtë është mostransparenca”.
“Që në ditët e para të Marrëveshjes së Brukselit [të vitit 2013, midis Kosovës dhe Serbisë], ekziston ideja që të gjitha paratë që Serbia ia jep komunitetit serb në Kosovë – e nesër edhe Asociacionit – të shkojnë në mënyrë transparente përmes Bankës Qendrore të Kosovës dhe Ministrisë së Financave, ashtu siç shkojnë edhe fondet tjera të donatorëve në Kosovë”, thotë Mijaçiq.
Për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshje në vitin 2013, por ajo nuk ka gjetur zbatim në terren.
Cilat fusha do të duhej t’i mbulonte Asociacioni?
Në Marrëveshjen e parë të Brukselit për parimet që rregullojnë marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të arritur më 2013, gjashtë pikat e para i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
Dy vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes së parë, Kosova dhe Serbia kanë nënshkruar edhe një marrëveshje për Asociacionin, e cila ka harmonizuar parimet e përgjithshme dhe elementet kyçe.
Si disa prej qëllimeve përmenden: forcimi i demokracisë lokale; mbikëqyrja e plotë e zhvillimit të ekonomisë lokale; mbikëqyrja e plotë në fushën e arsimit; mbikëqyrja e plotë në kujdesin shëndetësor parësor dhe dytësor, si dhe social; mbikëqyrja e plotë në koordinimin e planifikimit urban dhe rural; ofrimi i shërbimeve për anëtarët e tyre në përputhje me ligjet e Kosovës.
Problemi kryesor për themelimin e Asociacionit ka të bëjë me kompetencat e tij.
Në dhjetor të vitit 2015, Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet e Asociacionit nuk janë plotësisht në përputhje me frymën e Kushtetutës së Kosovës, duke iu referuar këtu nenit 3 për “barazinë para ligjit” dhe kapitujve “Të drejtat dhe liritë themelore” dhe “Të drejtat e komuniteteve dhe pjesëtarëve të tyre”.
Në atë vendim të Gjykatës Kushtetuese është përcaktuar, po ashtu, se Asociacioni do të themelohet ashtu siç e parasheh Marrëveshja e parë e Brukselit, e ratifikuar nga Kuvendi i Kosovës.
Qeveria e Kosovës pa përgjigje lidhur me strukturat paralele
Radio Evropa e Lirë i është drejtuar Qeverisë së Kosovës me pyetjet se sa e rrezikojnë strukturat paralele serbe integritetin e vendit, se a ka ndonjë plan Qeveria për shuarjen e këtyre strukturave dhe a e planifikon integrimin eventual të tyre në Asociacionin e komunave me shumicë serbe, në rast të formimit të tij. Por, deri në publikimin e këtij teksti, Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje.
Gjatë vizitës së fundit në Kosovë, i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajaçak, duke iu referuar mundësisë së formimit të Asociacionit, ka deklaruar në një konferencë për media, më 2 shkurt, se “askush nuk dëshiron Republikë Sërpska në Kosovë”, duke iu referuar kështu entitetit serb në Bosnje e Hercegovinë.
Në këtë kontekst, ai ka përmendur edhe strukturat paralele serbe në Kosovë.
“Nëse duam t’i japim fund ekzistencës së strukturave paralele [serbe në Kosovë], nëse duam transparencë në rrjedhat financiare, nëse duam rregulla të qarta në veri, këto mund të bëhen të gjitha brenda sistemit kushtetues dhe juridik të Kosovës”, ka thënë Lajçak.
Autoritetet e Kosovës refuzojnë ta zbatojnë Marrëveshjen për Asociacionin, sepse, siç thonë, ajo është e dëmshme dhe do të ndikojë keq në funksionalitetin e vendit. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se në Kosovë “nuk mund të ketë asociacion njëetinik”. Serbia, në anën tjetër, insiston që kjo marrëveshje të zbatohet ashtu siç është arritur pajtimi në Bruksel, më 2013.
“Asociacioni nuk është zgjidhje pa njohjen e ndërsjellë”
Analisti Agon Maliqi thotë se, tash për tash, nuk e sheh ndonjë rrugëdalje për shuarjen e strukturave dhe institucioneve paralele të Serbisë në Kosovë, pa përfshirë, siç thotë ai, ndonjë element të dhunës dhe të përdorimit të forcës.
Ai thotë se nuk ka parë ndonjë plan konkret të Qeverisë në drejtim të shuarjes së njëanshme të strukturave paralele.
“Çfarëdo lloj shkrirje formale e këtyre institucioneve, brenda çfarëdo lloj strukture, qoftë ai Asociacion [i komunave me shumicë serbe] apo çfarëdo tjetër, sërish do të jetë problematik, veçanërisht në kontekstin ku nuk ka një njohje të Kosovës nga Serbia. Pra, unë nuk e shoh të mundshme që të vazhdojnë të formalizohen strukturat joformale dhe njëkohësisht ato ta përdorin atë pozitë formale për ta sabotuar shtetësinë e Kosovës”.
“Nuk e shoh efektiv integrimin e tyre në kontekstin ku Serbia nuk na njeh. Kështu që, besoj që edhe ky proces i integrimit varet në fund prej marrëveshjes përfundimtare [ndërmjet Kosovës dhe Serbisë]”, vlerëson Maliqi.
“Kur nuk do të ketë zgjedhje, pritet të ketë marrëveshje”
Dragisha Mijaçiq, i cili më 3 shkurt ka qenë në takim me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, në Beograd, thotë se nuk mund të japë detaje nga ai takim, por shpreh besimin se dialogu në nivel të lartë politik do të intensifikohet pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 3 prillit në Serbi.
“Kemi një periudhë kur pritet stabiliteti i Qeverisë në Prishtinë dhe i asaj në Beograd. Nuk do të ketë më pas zgjedhje për një periudhë të caktuar. Në atë periudhë, kur nuk do të ketë zgjedhje, pritet një marrëveshje politike për normalizimin e marrëdhënieve”, thotë Mijaçiq.
Postet e dyfishta
Në krye të të ashtuquajturave organe të përkohshme vetëqeverisëse serbe shpeshherë janë njerëzit e njëjtë që drejtojnë edhe komunat sipas sistemit të Kosovës.
Për shembull, kryetari i Komunës së Leposaviqit, sipas sistemit të Kosovës dhe atij të Serbisë, është Zoran Todiq nga Lista Serbe, parti kjo kryesore e serbëve të Kosovës, e formuar në vitin 2013, me mbështetjen e Beogradit zyrtar dhe të presidentit aktual serb, Aleksandar Vuçiq.
Lista Serbe është në krye të të dhjetë komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe ka dhjetë vende të garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës.
Po ashtu, në Kosovë vazhdojnë të funksionojnë të ashtuquajturat “qarqe administrative” të Serbisë, të cilat veprojnë dhe mbulojnë një zonë të caktuar.
Për shembull, Qarku i Mitrovicës përfshin komunat e Mitrovicës, Leposaviqit, Zveçanit, Zubin Potokut, Skënderajt dhe Vushtrrisë.
Aktualisht, në krye të këtij qarku është Vuçina Jankoviq, ish-kryetar i Komunës së Zveçanit, sipas sistemit të Kosovës.
Ka po ashtu institucione arsimore dhe shëndetësore, të cilat nuk kanë pika kontakti me sistemin e Kosovës, gjegjësisht funksionojnë vetëm sipas sistemit serb./REL/