Kjo është Ëmbla Ademi, e cila nuk po mund ta vazhdojë mësimin në një klasë me shokët e shoqet e saj.
Jo se nuk dëshiron, por prindërit e nxënësve tjerë nuk duan që ajo të jetë në të njëjtën klasë me fëmijët e tyre. Kjo vetëm se Ëmbla është pak më e veçantë se të tjerët, ka një kromozom më shumë, është me Sindromin Down.
Edhe përkundër përpjekjeve të prindërve të saj që ta vazhdojë mësimin me moshatarët, Ëmbla përfundoi e vetme në një klasë të veçantë, kjo për shkak të ultimatumit që prindërit e nxënësve të tjerë i vunë drejtorisë së shkollës.
Babai i Ëmblës, Ilir Ademi, rrëfen ajo që nga shtatori ka pasur asistent arsimor, por shpesh i është dashur t’i ndërrojë klasat dhe mësueset, që është mjaft e lodhshme për një fëmijë me nevoja të posaçme.
“Ka qenë tek salla e shfaqjeve, ka qenë vetëm me asistenten. Prindërit kanë mbajtur mbledhje, ku ka qenë edhe shoqja ime prezente dhe nuk ishte e pajtimit që ajo të mësojë disa orë atje, vet me asistenten dhe vetëm në orët e shkathtësive të shkojë tek klasa ku janë moshatarët e vet. Edhe plus asaj, të ndërrojë tri klasa, çdo dy javë të ndërrojë nga një mësuese. Ajo nuk është normale për fëmijë që nuk kanë probleme e lëre më për vajzën time e cila është me Sindromën Down. Kështu që ne si prindër insistojmë që ajo të jetë tek klasa e moshatarëve të vet dhe të integrohet me ta”, tha Ademi.
Drejtori i Shkollës Fillore “Bashkimi”, Ziadin Nuredini, e pohoi se Ëmbla me moshatarët mëson vetëm disa nga orët mësimore, ashtu siç janë dakorduar edhe me prindërit e fëmijëve të tjerë.
“Pas takimit që e patëm me prindërit të cilët e bojkotonin, ne ramë dakord me të gjithë prindërit, me prindërit e Ëmblës, përgjegjësen e arsimit dhe ne si institucion, ramë dakord që ta ndjekë mësimin, jo të gjitha orët por si fillim t’i ndjekë orët të cilat ajo mundet t’i ndjekë, bashkë me shokët e klasës, orën e edukatës fizike, muzikën dhe orën e arsimit figurativ në prezencë të shokëve. Kurse orët e tjera t’i ndjekë me asistenten të cilën e ka”, njofton Nuredini.
Por mësimi në klasa të veçanta nuk është aspak ide e mirë për drejtorin e Shoqatës për persona me nevoja të posaçme “Bashkërisht Mundemi”, Shpend Salija. Tregon se këta fëmijë kanë të drejtë të mësojnë dhe integrohen me moshatarët.
“U shqetësova tej mase, nga rasti, nga krimi, mund të konsiderohet krim sepse i merret e drejta e shkollimit dhe është njësoj sikur t’i merret e drejta e jetës. Kjo është e paraparë edhe me ligj, duhet të sanksionohen njerëzit të cilët e ndërpresin të drejtën e shkollimit të një fëmije. Shkollat janë institucione edukativo-arsimore dhe jo për të realizuar dëshirat e prindërve sepse ka ligj për mënyrën se si funksionon shkolla. Plus ka ligj për mësim inkluziv, i cili parasheh që çdo fëmijë të ketë të drejtën e shkollimit”, vlerëson Salija.
Mbetet për t’u parë nëse Ëmbla do të mund të vazhdojë shkollimin bashkë me shokët e shoqet e klasës. Babai i saj thotë se do të vazhdojë të kërkojë të drejtën për vajzën e tij dhe pret që institucionet të veprojnë për këto raste. Apeloi që institucionet, shoqëria dhe prindërit të sensibilizohen dhe këta fëmijë t’i pranojnë në mesin e tyre ashtu siç janë!
/aktuale