13.8 C
Pristina
Friday, September 20, 2024

Im bir refuzon të shkojë në kopsht. Çfarë të bëj?

Më të lexuarat

Nga: ardhmeriaonline

Im bir refuzon të shkojë në kopsht. Çfarë të bëj?

Pyetje:”Im bir refuzon të shkojë në kopsht. Kanë kaluar katër muaj nga dita e parë që ka vajtur në kopsht dhe vazhdon të qajë çdo mëngjes kur e dërgoj atje.
Fillimisht, qëndroja bashkë me të në kopsht derisa u mësua, por më vonë filloi sërish i njëjti avaz. Nga kontaktet me edukatoret, më thonë se ai refuzon të ndërveprojë me shokët e tij, nuk luan me ta, duket sikur ka frikë dhe herë pas here i qëllon dhe u prish lodrat. Sakaq, me të rriturit komunikon duke shkaktuar zhurmë dhe duke bërtitur.
Unë jam e vetme në shtëpi, pasi burri punon larg dhe nuk kam askënd që të më ndihmojë. Shpesh herë ndihem e lodhur dhe e dëshpëruar, pasi nuk po e zgjidh dot një problem të tillë. Ndonjëherë kam frikë se mos jam unë shkaku i këtij kompleksi të fëmijës. Dua që fëmija im të jetë i lumtur dhe të mos ndihet i persekutuar. Kam menduar që ta heq nga kopshti, por sjelljet e tij të dhunshme mbeten sërish problem.”
 
Përgjigje:”Padyshim që refuzimi i fëmijëve për të vajtur në kopsht ose në shkollë në vitet e para është një ndër problemet më të përhapura. Ky problem bëhet më serioz për ata fëmijë të cilët nuk janë mësuar me vajtjen në kopsht apo çerdhe më parë, pra nuk kanë një përvojë të till
 
Përse e ka frikë fëmija të shkojë në kopsht:
Le të shohim brenda vetes tonë, ne të mëdhenjtë, çfarë na ndodh kur kalojmë nga një përvojë në një tjetër? Zakonisht ndjejmë që zemra na rreh më shpejt, kemi çrregullime të stomakut, na thahet goja, ndihemi të tensionuar, na kontraktohen muskujt etj… Pra, emocionet dhe shqetësimi janë gjëra të natyrshme për çdo njeri i cili përballet me një përvojë të re dhe të panjohur, e cila mund të fshehë të mirën dhe të ligën. Kjo ndodhka me të rriturin, i cili është kacafytur me kushedi sa përvoja të ndryshme në jetë. E ç’mund të themi për vogëlushët tanë të vegjël, të cilët nuk kanë as përvojën më të vogël në jetë. Gjëja më e madhe që mund të bëjnë, është të ushqehen vetë dhe të kryejnë nevojat fiziologjike, ndoshta dhe këto nuk e kryejnë siç duhet.
Imagjinojeni pak sa e frikshme është për fëmijën që të ndahet nga nëna e tij, e cila është burimi i qetësisë dhe sigurisë, për të qëndruar me disa njerëz të huaj, ku i duhet të përballet dhe me përgjegjësi. Atij i vijnë në mendje edhe pyetje të tilla si: A do ketë banje atje? A do ushqehem vallë siç dua unë? A do të fle nëse më vjen gjumë? A do të më ngacmojë dikush kur të jem larg mamit tim?
Kësaj i shtojmë dhe frikën e ndarjes, diçka normale për këtë moshë. Ai nuk ka frikë vetëm për veten, por edhe për njerëzit që i do, sidomos nënën; vallë a do i ndodhë diçka e keqe asaj, ndërkohë që ai është larg? Mos do të ndihet keq kur ta braktisë?
 
Kjo frikë e fëmijës thellohet më shumë kur e trajtojmë me agresivitet, gjë e cila e bën të dhunshëm dhe agresiv ndaj familjarëve. Ndjenja e agresivitetit ndërvepron me fantazinë e tij dhe ai imagjinon se ka fuqi të mbinatyrshme me të cilat do të ndëshkojë mamin. Kështu, ai vuan nga frika dhe fobi të ndryshme, të cilat ia bëjnë botën akoma më të mistershme.
Kjo i ndodh shumicës së fëmijëve, por disa prej tyre i shfaqin shenjat e frikës më shumë se bashkëmoshatarët e tyre. Përse ndodh kjo? Për disa faktorë, ku më të rëndësishmit janë:
1 – Struktura psikologjike e fëmijës
2 – Niveli i zgjuarsisë së fëmijës. Ai që gëzon zgjuarsi dhe intelekt të lartë, për shkak të fantazisë, mund të vuajë më shumë se kolegët e tij nga frika e ndarjes.
3 – Faktorët familjarë, si:
–      Konfliktet në familje. Në rastin e fëmijës tuaj, vë re se mosprezenca e babait të fëmijës në mënyrë të përsëritur, të streson për shkak të përgjegjësive dhe barrës që të bie mbi supe, gjë të cilën ti nuk ua fsheh dot fëmijëve. Stresi që përjeton nëna rrjedh tek fëmija në mënyrë të pavetëdijshme. Në fakt, stresi juaj është i prekshëm dhe duket sidomos tek frika se mos po shkatërroni personalitetin e fëmijës duke i shkaktuar komplekse. Nuk e kuptoj çfarë keni qëllim me këtë fjali. Mos doni të thoni se ushtroni dhunë mbi fëmijën dhe e trajtoni me ashpërsi? Apo doni të thoni se e teproni duke e llastuar?
–      Një faktor tjetër familjar të cilin duhet ta kesh parasysh, është xhelozia e fëmijës karshi vëllezërve dhe motrave. Mesa duket, ai ka një motër më të vogël, e cila qëndron me ty në shtëpi, kurse atij i duhet t’ju lërë të kënaqeni me njëri-tjetrin, për “të vuajtur” përballë përgjegjësive të reja në jetë.
4 – Llastimet dhe mbrojtja e tepruar shkaktojnë refuzimin për të vajtur në kopsht. Ato e thellojnë frikën nga fëmijët e tjerë. Në këtë rast, fëmija i refuzon përgjegjësitë dhe preferon të qëndrojë pranë burimit të mbrojtjes, e cila në këtë rast jeni ju.
5 – Ashpërsia dhe sjelljet agresive me fëmijën, ia thellojnë dhe rrënjosin frikën dhe stresin.
 
Po lidhur me frikën dhe refuzimin për të luajtur dhe për tu përzierë me shokët, çfarë mund të themi? Përse sillet agresivisht?
Të gjitha këto, në rastin e fëmijës tuaj, tregojnë se fëmija ndihet i dëshpëruar dhe me shpresa të humbura. Ai kërkon ta shprehë refuzimin e tij për gjithçka, por për shkak se nuk di si, e shpreh me agresivitet, sjellje e cila është primitive. Ajo përfaqëson një mekanizëm mbrojtës ndaj gjithçkaje që fëmija e percepton si sulm dhe agresivitet ndaj tij. Kështu, ai mendon se për të hequr qafe përgjegjësitë dhe privimin nga liria dhe vullneti i tij, të cilat i interpreton si agresion ndaj të drejtave, duhet të rebelohet.
 
Hapa motivues:
Kështu ne shohim që filluam ta kuptojmë më thellë fëmijën, si dhe motivet e tij të pafajshme. Prandaj lipset të qetësohemi dhe të reagojmë në mënyrë indirekte. Për këtë, lipset ta motivosh fëmijën të shkojë në kopsht duke ndjekur hapat e mëposhtme:
1 – Relaksohu dhe trajtoje fëmijën me qetësi.
2 – Diskuto me të rreth kopshtit si një eksperiencë e bukur. Thuaji:”Mashalla, tashmë je rritur pasi shkon në kopsht siç shkojnë fëmijët e rritur. Atje do të gjesh shokë që të duan, do të luash me ta, do të pikturoni dhe ngjyrosni, do të këndoni, lexoni dhe shkruani siç bëjnë të rriturit. Ti je i zgjuar dhe do i bësh të  gjitha këto.”
3 – Jepi zemër fëmijës dhe nxite të merret me aktivitete të larmishme në shkollë dhe kopsht, jo vetëm me detyrat akademike si shkrimi dhe leximi.
4 – Bisedo me të rreth detajeve të ditës, pasi të jetë kthyer. Bisedoni rreth shokëve të tij, edukatoreve, sa të mirë janë dhe sa e duan.
5 – Lëre të shohë teksa bisedon me mësuesen ose edukatoren e tij rreth tij. Fol për djalin tënd në mënyrë pozitive dhe kërkoji edukatores që të flasë për aspektet e tij pozitive, në praninë e tij. Mandej, të dy bashkë thoni fjalë vlerësuese dhe mos i kurseni lëvdatat.
6 – Hiq dorë nga rrahja dhe kritikat për mos vajtje në shkollë apo kopsht. Hiq dorë nga ashpërsia për ta bindur të shkojë.
7 – Mundësoja fëmijës të përzihet me sa më shumë fëmijë të moshës së tij, por edhe më të mëdhenj se ai, jashtë shkollës. Kështu, ai do të mësojë komunikimin me ta në një ambient të qetë larg presionit dhe detyrave të kopshtit.
8 – Vajtjen në shkollë, (pra gjatë rrugës) shoqëroja me gjëra që i pëlqejnë, si lëngje, ëmbëlsira etj…
9 – Shfrytëzo rastin për ta lëvduar fëmijën tënd për atë që bën dhe për aspektet pozitive. Kështu, do i forcosh besimin në vete, gjë e cila e redukton frikën dhe stresin si tek fëmijët ashtu dhe tek të rriturit.
Bëji të gjitha këto me qetësi dhe do të shohësh që fëmija do të përmirësohet ndjeshëm në dashtë Zoti. Ji e duruar. Sa më shumë të përpiqesh që fëmija ta ndjejë se jeni miq dhe shokë, aq më shumë do të përmirësohen sjelljet e tij. Zoti të dhashtë sukses.”
Psikologe: Nehla Nuredin
 
 

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit