0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Erdogani dhe gylenistët e KMSH-së – Justinan Topulli

Më të lexuarat

Më datën 17 Janar të këtij viti, pritet të vijë për vizitë në Shqipëri presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan. Ka shumë për të thënë për këtë vizitë, si dhe për marrëdhëniet dhe miqësinë shqiptaro-turke, përtej zhurmës dashakeqëse që stisin turkofobët dhe islamofobët, por si besimtar musliman dhe hoxhë, do të ndalem vetëm tek një problematikë, që na shqetëson neve si muslimanë në këtë vend, dhe që është marrëdhënia e shtetit turk me KMSH-në zyrtare, e uzurpuar tashmë në mënyrë ilegjitime nga gylenistët, për më se një dekadë.
Nga njoftimet e bëra nëpër rrjetet sociale mësohet se presidenti turk, ndër të tjera, do të marrë pjesë edhe në rihapjen simbolike zyrtare të xhamisë së Ethem Beut, pas restaurimit që iu bë asaj nga agjencia e shtetit turk “TIKA”. Pas një periudhe dy vjeçare pune, më në fund, kjo xhami iu dorëzua administrimit të KMSH-së zyrtare gyleniste. Tashmë presidenti turk do të vizitojë këtë xhami, por nuk dihet nëse pjesë e protokollit të pritjes, do të jenë edhe përfaqësuesit zyrtarë gylenistë të KMSH-së. Duket si e pamundur diçka e tillë, ndërkohë që ishte Presidenti Erdogan, ai që i shpërfilli ata publikisht, edhe në inaugurimin e fillimit të punimeve për xhaminë e madhe. Është një situatë krejt absurde në fakt, aspak normale dhe tejet e pakëndshme, por e kuptueshme për kushtet ku jemi. Nga njëra anë, zyrtarët gylenistë të KMSH-së, edhe pse në mënyrë të padrejtë, mbartin tagrin e përfaqësimit zyrtar të KMSH-së dhe ndjejnë se duhet të përfillen si përfaqësues të këtij institucioni, por në anën tjetër, përfaqësuesi më i lartë i shtetit turk nuk mund të pranojë të takohet me ithtarët e një grupimi, të cilin e ka shpallur zyrtarisht si organizatë terroriste dhe ka prerë çdo marrëdhënie me të!
Sigurisht, që një zgjidhje teknike duhet të jetë menduar për këtë rast, për të mos i përballur mes tyre palët, por kur mendon se në pritje të inaugurimit dhe dorëzimit është edhe xhamia e madhe e Tiranës, e investuar nga shteti dhe populli turk, situata bëhet akoma më e rëndë dhe e vështirë. Në bindjen e shumë njerëzve është pikërisht kjo situatë e paprecedentë që vazhdon të shtyjë pa një fund të qartë, mbylljen e punimeve për xhaminë e madhe, e cila tashmë duhet të ishte inauguruar me kohë.
Është tanimë e ditur se shteti turk kërkon largimin e gylenistëve nga drejtimi i KMSH-së, por duket se rruga që ka ndjekur apo po ndjek, është vetëm ajo politike, përmes ndikimit të qeverisë shqiptare, e cila nga ana e saj duket krejt e paaftë, ose aspak e interesuar për këtë kërkesë turke (ose ndoshta sabotohet nga ndërmjetës që luajnë me dy porta). Sigurisht, që kjo kërkesë duket si ndërhyrje e padrejtë në punët e brendshme të një shteti, madje për një institucion të ndarë nga shteti, mirëpo duke ditur se ku jetojmë dhe duke kuptuar interesat e shteteve të fuqishme, me të cilat na lidhin interesa të shumta, kërkesa të tilla duken të kuptueshme, dhe rasti i konfliktit brenda PD-së, është shembulli më i qartë aktual, se si një shtet i fuqishëm i imponohet, jo më shtetit, por edhe një partie politike.
Në fakt, kërkesa e shtetit turk legjitimohet zyrtarisht nga akuzat për terrorizëm dhe puç ushtarak, bërë në adresë të ndjekësve të Fetullah Gylenit, dhe rrezikut që sipas shtetit turk, ky grupim paraqet edhe për sigurinë e shtetit shqiptar. Por kjo kauzë, më se legjitime dhe e kuptueshme për shtetin turk, duket se nuk është aq e ndjeshme për shtetin shqiptar, ku sipas tij, gylenistët nuk përbëjnë në Shqipëri një faktor rreziku, të paktën për momentin, ndaj dhe në opinionin e përgjithshëm publik shqiptar, kjo kërkesë ose kalohet me indiferentizëm, ose jo rrallëherë shihet si tekë hakmarrëse e Turqisë ndaj gylenistëve, kudo që janë.
Por ndërkohë, ka vite që zëra nga bashkësia e besimtarëve muslimanë shqiptarë, që para se gylenistët të shpalleshin ithtarë të një organizate terroriste nga Turqia, janë ngritur në mënyrë publike dhe private, duke kërkuar gjithëpërfshirjen dhe vendosjen e dinjitetit dhe legjitimitetit të munguar të përfaqësimit në KMSH. Gylenistët e KMSH-së nga ana e tyre janë treguar gjithmonë shpërfillës ndaj këtyre kërkesave morale dhe legjitime, shpesh të bëra edhe në privat me sinqeritet dhe dashamirësi, ndërsa pas prishjes me shtetin turk, po këta zëra anatemohen pavërtetësisht, nga gylenistët e KMSH-së, si njerëz që paguhen për të përmbushur agjendën turke të luftës ndaj gylenistëve, duke dashur kështu të përbaltin një kauzë të drejtë dhe të vërtetë fetare dhe morale.
Për ne si muslimanë shqiptarë, nisur nga perspektiva jonë lokale, largimi i kryesisë gyleniste nga uzurpimi i KMSH-së e merr pikënisjen, edhe në kohë, pikësëpari nga ilegjitimiteti dhe mungesa e dinjitetit fetar dhe moral që ata kanë. Kjo ka qenë që herët kauza jonë dhe sigurisht, aktualisht edhe më e ndjeshme se çdo kauzë tjetër. Por kjo kauzë legjitime muslimane shqiptare dhe patriotike njëkohësisht, sigurisht që gjen pika takimi edhe me përpjekjet e shtetit turk për të luftuar një organizatë ekstra territoriale okulte, siç është kjo që ka ngritur Gyleni, ose ndryshe Mesia (apo Mehdiu) i vetëshpallur i Anadollit. Kështu që kërkesa e shtetit turk ndaj shtetit shqiptar dhe opinionit publik shqiptar, duhet të marrë parasysh edhe këtë kauzë dhe ndjeshmëri shqiptare. Kjo edhe për arsyen e qartë se kërkesa për largimin e gylenistëve nga ana e tyre, duhet të përçojë mesazhin jo të kërkesës për një KMSH vasale ndaj shtetit turk, por për një partner të pavarur dinjitar, që ruan marrëdhënie të mira me Turqinë dhe çdo vend tjetër musliman.
Nga ana tjetër, na takon ne si shqiptarë muslimanë, dhe në veçanti hoxhallarëve dhe intelektualëve besimtarë, të vrasim frikën dhe indiferencën dhe të ngremë zërin në opinionin publik, për të thënë të vërtetën, se ndryshimi që kërkojmë në KMSH është i domosdoshëm dhe ka të bëjë me legjitimitetin dhe dinjitetin e përfaqësimit të muslimanëve, si dhe garancinë për të mos lejuar më, që një institucion i tillë të kapet nga një grupim i vetëm, por të jetë gjithëpërfshirës dhe demokratik, siç parashikon në parim statuti i tij, si dhe të mos jetë bisht i organizatave të huaja me agjenda ndërkombëtare. Shteti turk, por edhe ai shqiptar në radhë të parë, mund dhe duhet të jenë mbështetës parimorë të të gjithë atyre shqiptarëve muslimanë praktikantë, e që janë shumica dërrmuese e tyre, që kërkojnë vendosjen e legjitimitetit, gjithëpërfshirjes dhe dinjitetit të munguar në krye të muslimanëve të Shqipërisë, ndërkohë që zemra dhe vala e ndryshimit duhet të vijë në radhë të parë, pikërisht nga elitat e muslimanëve që përmenda më sipër.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit