Bëhet e ditur se mes viteve 2017-2019, grupeve islamofobike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) u janë dhënë rreth 106 milionë dollarë.
Në raportin “Islamofobia në rrjedhën kryesore” të publikuar nga Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike (CAIR), është përpiluar ndihma financiare për grupet antimyslimane në vend.
“Nga 50 bamirësitë dhe fondacionet më të mëdha islamofobike të shqyrtuara, 35 transferuan 105 milionë e 865 mijë e 763 dollarë për 26 grupe antimyslimane mes viteve 2017-2019”, thuhet në raport.
Huzaifa Shahbaz, Koordinatore Kombëtare e Studimit dhe Mbrojtjes Ligjore e Këshillit për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike, tha se raporti vë në pah se nuk është sekret se rrjeti i islamofobisë që përhap dezinformata rreth myslimanëve dhe Islamit në Shtetet e Bashkuara është i financuar mirë dhe funksionon në mënyrë aktive.
Në mesin e donatorëve përfshihen emra të mëdhenj si “Fidelity” dhe “Schwab”, si dhe fondet bamirëse të bazuara në besim si “Fondi i Komunitetit Hebre” dhe “Fondacioni Kombëtar i Ndihmës së Krishterë”.
Gjithashtu u shpërndanë informacione mbi fondacionet private familjare si “Adelson Family Foundation”, i cili kontribuon me miliona dollarë për të mbështetur aktivitetet antimyslimane.
Grupet e urrejtjes antimyslimane të përfshira në raport janë Qendra Amerikane për Ligjin dhe Drejtësinë (ACLJ), Instituti Gatestone, Qendra për Politikat e Sigurisë, Forumi i Lindjes së Mesme, Instituti i Kërkimeve të Medias në Lindjen e Mesme, Qendra e Lirisë David Horowitz, Projekti Clarion dhe Projekti i Studimit të Terrorizmit.
Raporti vuri në dukje se në 2019-2020, Këshilli për Marrëdhëniet Amerikano-Islamike mori më shumë se 6.000 ankesa islamofobike në të gjithë vendin, duke detajuar ngacmimin e studentëve myslimanë në shkolla, rreth 40 retorikë islamofobike të spikatura në politikën amerikane dhe sulme në rreth 16 xhami në të gjithë vendin.
CAIR zbulon mbështetjet financiare të fondeve të shquara amerikane për aktivitetet islamofobike
