Ministria e Brendshme e drejtuar nga Hamasi në Rripin e Gazës sot ka shënuar 13-vjetorin e ofensivës izraelite të vitit 2008 në territorin palestinez, raporton Anadolu Agency (AA).
Ministria organizoi një ceremoni për të shënuar përvjetorin, gjatë së cilës u vendos kurorë me lule në një memorial të ngritur në kujtim të të vrarëve gjatë sulmit izraelit.
Më shumë se 2.000 palestinezë humbën jetën në operacionin trejavor të Izraelit, duke përfshirë dhjetëra fëmijë dhe gra. Gjithsej 13 izraelitë humbën jetën gjithashtu në sulmet e fraksioneve të rezistencës palestineze.
Gati 200 palestinezë, kryesisht personel sigurie, u vranë në ditën e parë të ofensivës izraelite në enklavën bregdetare.
Nënsekretari i ministrisë Nasser Musleh tha se pushtimi izraelit dëshironte të thyente frontin e brendshëm të Gazës dhe të krijonte ndarje midis forcave të sigurisë.
“Do të vazhdojmë të ruajmë gjendjen e sigurisë dhe stabilitetit”, tha Musleh, duke u zotuar të “mos lejojmë askënd të ngatërrojë sigurinë e Gazës nën asnjë mbulesë dhe në asnjë formë”.
Ai përsëriti angazhimin e ministrisë për të mbrojtur rezistencën dhe për të ndjekur ata që bashkëpunojnë me Izraelin. /aa