Pyetja:
Nëse keni mundësi të na tregoni argumentin që përmendet në Kuran se askush nuk mund të dalë jashtë tokës pos vullnetit dhe dëshirës së Allahut!?
***
Përgjigja:
Me Emrin e Allahut, Mëshirëplotit e Mëshiruesit!
E dimë mirë se Krijuesi Absolut i tokës dhe qiejve është Allahu Fuqiplotë, dhe për këtë është argument vetë ekzistimi i këtyre të dyjave. Mirëpo, është e vërtetë se Allahu i Lartësuar e ka përmendur në Kuran një gjë tjetër që tërheq vëmendjen e çdo lexuesi mendjehollë. Është fjala për ajetin ku (i Gjithëmëshirshmi), ku Allahu i Lartësuar thotë:
“O ju xhinde dhe njerëz, nëse keni fuqi të përshkoni kufijtë e qiejve dhe të Tokës, atëherë përshkojini ato! Por nuk do të mund ta bëni këtë, përveçse me një fuqi të madhe (nga Allahu)!” (Rrahman: 3)
Allahu e ka përmendur këtë ajet pikërisht në suren Rrahman, emër ky i cili është një prej Emrave të Bukur të Allahut, e që në vete ngërthen mëshirën gjithëpërfshirëse me të cilën Allahu ka përfshirë çdo send. Allahu ka përmendur në këtë sure madhështinë e Tij dhe mirësitë e shumta e të panumërta me të cilat i ka furnizuar robërit e Vet, andaj për të qitur në shesh edhe më shumë madhështinë e Vet, Allahu i Lartësuar e ka bërë këtë duke ua kujtuar xhindeve dhe njerëzve se ata janë krijesa të dobëta, të cilat edhe po të dëshironin të largoheshin një çikë nga planeti i tyre në të cilin janë krijuar, nuk do ta mund ta bënin këtë përveçse me një forcë të madhe, forcë kjo për të cilën jemi dëshmitarë kur shohim se çfarë shpenzimesh marramendëse dhe çfarë preciziteti kërkohet për ndërtimin e një anije kozmike apo një stacioni atmosferik në formë rakete për t’u ngjitur në qiell; por, gjithmonë duke ua kujtuar atyre se kjo forcë e madhe e cila u ka mundësuar të ngjiten deri diku në qiell, është krejtësisht me vullnetin e Allahut Fuqiplotë, është Ai i cili i ka mësuar njerëzit se si të bëjnë një gjë të tillë, siç ka thënë në ajetin tjetër: “Ju s’mund të dëshironi diçka përveç nëse do Allahu, Zoti i botëve.” (Tekvir: 29)
Edhe pse shumica e njerëzve janë jo-falënderues për këtë. Po ashtu, Zoti ynë i Gjithëdijshëm në një ajet tjetër të Kuranit ka lajmëruar për përparimin e njerëzve dhe zhvillimin e tyre, mirëpo këtë gjë ia ka atribuuar Vetes së Tij, e jo njerëzve, të cilët pretendojnë se gjithë këtë civilizim dhe zhvillim e kanë arritur me forcat e veta. Jo, assesi! Allahu ka thënë: “(Ai ka krijuar) edhe kuajt, mushkat dhe gomerët, që ju t’i shaloni dhe t’i mbani për bukuri. E, Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini.” (Nahl: 8) Pra, Allahu i Lartësuar, pasi përmendi mjetet e transportit që përdoreshin asokohe, për t’ua bërë me dije njerëzve se Ai e di të padukshmen dhe të ardhmen, duke ia atribuuar Vetes çdo krijimtari dhe çdo inovacion që ndodh në tokë, i njoftoi ata se Ai në vazhdimësi është në krijim të gjërave të reja, duke e precizuar në këtë rast se në të ardhmen do të krijojë mjete të transportit të cilat ju (gjeneratat e para të muslimanëve që po e lexoni Kuranin) nuk i dini.
E lusim Allahun e Gjithëmëshirshëm – Rrahmanin – që të na shtojë falënderimin për mirësitë e Tij të shumta dhe të na shtojë diturinë e dobishme që na ofron tek Ai!
Allahu e di më së miri!
Hekuran Helshani