8.4 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Një kurë për veset

Më të lexuarat

Një kurë për veset

Është më se e vërtetë se kurimi i veseve është nga çështjet më të vështira me të cilat përballet njeriu. Për arsye se kjo përpjekje realizohet në një teren shumë të vështirë, vetja e njeriut apo thënë ndryshe zhvillohet përbrenda njeriut. Për këtë profeti i Islamit, Muhamedi (a.s) e ka trajtuar përpjekjen me veten apo luftën me të si luftën më të madhe.
Sakaq Islami si fe hyjnore, e shikon rënien pre ndaj veseve, ndër to edhe alkoolin, si pasojë e thyerjes së brendshme, si pasojë e zhvillimit jo të duhur të kësaj dialektike të vazhdueshme të njeriut me veten e tij.
Duke pasur parasysh se njeriu vazhdimisht, e veçanërisht në kohën tonë, ka qenë dhe është i rrethuar nga joshje të shumta dhe të ndryshme të cilat në shumë raste shndërrohen në vese, natyrshëm njeriut i lind nevoja për ato mekanizma që i mundësojnë imunitet të vazhdueshëm ndaj tyre.
1-  Pozita e njeriut dhe objektivi i ekzistencës së tij.
Perceptimi i diçkaje është bazë e ndërtimit të marrëdhënieve me të. Niveli në të cilin e ngre feja hyjnore njeriun e bën atë ta shikojë veten e tij shumë lart mbi nivelin e konsumuesit të mirëfilltë.
Njeriu në qendër të vëmendjes hyjnore
Që në versetet e para kuranore, Zoti i gjithësisë e prezanton Veten si Krijues përmes njeriut pavarësisht se Ai është Krijuesi i qiejve dhe tokës, Krijuesi i gjithçkaje.
“ Lexo me emrin e Zotit tënd Krijues, i cili krijoi njeriun prej një pike gjaku të ngjizur” Alak 1-2
Njeriu qëndron në krye të axhendës hyjnore dhe vazhdimisht në qendër të vëmendjes së Tij. “ Nëse robërit e Mi të pyesin për Mua thuaju se Unë jam shumë afër. I përgjigjem lutjes së robit Tim kur më lutet Mua. Prandaj le të më përgjigjen e le të më besojnë që të jenë të drejtuar” Bekare
“Ai Allahu është më afër njeriut se sa vet damari i qafës së tij” Kuran
“ Unë jam tek mendimi i robit Tim për Mua dhe Unë jam me të sa herë më përmend Mua. Nëse më përmend në veten e tij do ta përmend në veten Time. E nëse më përmend në një kuvend do ta përmend në një kuvend më të mirë. Nëse më afrohet një pëllëmbë do t’i afrohem një pashë. Nëse më afrohet një pashë do i afrohem një milje. Nëse do vijë drejt meje duke ecur do shkoj drejt tij duke vrapuar” Hadith kudsij
Pozita e njeriut tek engjëjt.
Njeriu gëzon pozitën më të lartë edhe tek krijesat më të pastra, tek engjëjt. “ Zoti yt u tha engjëjve: Unë do të krijoj një qenie, njeri, prej balte. E kur ta krijoj e t’i jap jetë prej jetës Sime përuluni para tij” Hixhr
Njeriu qendra e universit
Zoti e krijoi dhe e përsosi njeriun, dhe gjithësinë të plotësuar me të gjitha të mirat e krijoi për njeriun e në shërbim të tij. Kështu që njeriun e bëri qendrën e universit.
“A nuk e shikoni se Allahu ka nënshtruar për ju çka në qiell e çka në tokë dhe ju ka begatuar me mirësitë e Tij të dukshme e të padukshme” Lukman
Objektivi i ekzistencës së njeriut: Mëkëmbës i Zotit në tokë dhe adhurues  i Tij.
Nderi më i Madh që Zoti i bëri njeriut është roli që i ka dhënë, gjë që përbën edhe synimin e ekzistencës së tij në tokë, mëkëmbës i Zotit në tokë apo i autorizuari i Tij për ta organizuar jetën në të sipas udhëzimeve hyjnore e në këtë formë realizohet adhurimi i Zotit që shprehet përmes bindjes ndaj Tij dhe dashurisë për Të.
“ E kur Zoti yt u tha engjëjve Unë do të krijoj në tokë një mëkëmbës” Bekare
“ Nuk i kam krijuar xhindet dhe njerëzit vetëm se për të më adhuruar Mua” Fusilet
Natyra e dyfishtë e njeriut
Sekreti i këtij roli kaq të lartë të njeriut është natyra e dyfishtë e tij, tokësor dhe qiellor, trup dhe shpirt. Trup që i mundëson bashkëveprimin pozitiv me botën materiale dhe komponentët e saj, dhe shpirt që e tërheq lart drejt qiellit dhe i mundëson shikimin e joshjeve me syrin e superiorit që ose i kanalizon ashtu siç duhet në shërbim të objektivit të tij ose i braktis duke i injoruar me anë të pavarësisë së tij që ia mundëson njeriut kjo natyrë e dyfishtë dhe objektivi i tij.
Perceptimi i vetes në këtë formë, natyrshëm, do ta ndihmonte njeriun, madje do t’i mundësonte ngritjen dhe lartësimin mbi nivelin e joshjeve apo veseve të ndryshme duke konkluduar se kjo lloj gjendje nuk shkon dhe nuk përputhet me vlerën, pozitën, respektin dhe synimin e lartë që gëzon në tokë dhe në qiell.
2-  Dispozitat fetare, urdhëresat dhe ndalesat, janë në shërbim të interesave thelbësorë të njeriut të cilat përbëjnë objektivat bosht të së drejtës fetare.
Element tjetër që përbën imunitetin e njeriut ndaj veseve sipas këndvështrimit fetar konsiston se atributet që gëzon Zoti i gjithësisë, veçoritë e udhëzimeve hyjnore në përgjithësi dhe karakteristikat e dispozitave fetare në veçanti nxjerrin në pah se objektet që ka ndaluar Zoti i gjithësisë, nuk i ka ndaluar thjesht për të treguar sundimin e Tij absolut dhe as thjesht për të kërkuar bindjen absolute të krijesës së tij të mrekullueshme, njeriut. Por i ka ndaluar në bazë të parimit të dëmit dhe dobisë. Pra thënë thjesht: çdo gjë e dobishme është e lejuar dhe anasjelltas, si dhe çdo gjë e dëmshme është e ndaluar dhe anasjelltas.
Përforcimi i këtij parimi është një nga elementët përbërës të misionit të profetëve të përzgjedhur nga vet Zoti. “ Profeti (a.s) ka ardhur- ndër të tjera- t’ju lejoj të mirën e t’ju ndalojë të dëmshmen” Kuran
Lejimi dhe ndalimi ka si synim kryesor ruajtjen e interesave bazë të qenies njerëzore, jetën, mendjen, fenë, dinjitetin, pasurinë, të cilat përbëjnë ato që quhen “Objektivat e së drejtës islame”.
Në rastin konkret të alkoolit, dispozita fetare e ndalimit të tij ka si synim ruajtjen e të gjithë këtyre interesave në përgjithësi por të mendjes dhe jetës në veçanti.
Siç përfshin, në të njëjtën kohë edhe një dimension tjetër të rëndësishëm, atë të marrëdhënieve shoqërore.
“ Zoti i gjithësisë pohon në Kuran: “ Në të vërtetë, alkooli, bixhozi dhe llojet e ndryshme të fallit, janë pisllëk e prej punëve të djallit.  Përmes tyre djalli i mallkuar synon të fusë mes jush armiqësinë dhe urrejtjen dhe t’ju largojë nga përkujtimi i Zotit dhe nga lutja e Tij. A nuk po u largoheni këtyre gjërave” Kuran
 
3-  Feja e shikon parandalimin e alkoolit, para së gjithash, si fryt të gatishmërisë së brendshme të njeriut për t’u pozicionuar ndaj tij.
Parandalimin e alkoolit apo heqjen dorë prej tij feja e sheh, para së gjithash, si fryt të gatishmërisë së brendshme për t’u pozicionuar ashtu siç duhet ndaj këtij vesi. Pavarësisht se alkooli posedonte të njëjtat cilësi të dëmshme si para ndalimit edhe pas tij urdhri kuranor zbriti në fund të katër etapave përgatitore. Në etapën e parë Kurani përmend cilësinë e dehjes dhe të përfitimit material, në etapën e dytë vlerëson negativisht cilësinë e dehjes dhe pozitivisht cilësinë e përfitimit material duke theksuar se dëmi është më i madh se dobia, në etapën e tretë ndalon kryerjen e lutjes duke qenë të dehur dhe pas këtyre tre etapave kur aspekti shpirtëror i pasuesve të Kuranit ishte i gatshëm për të pranuar ndalimin e prerë zbret verseti kuranon i sipërpërmendur. “ Në të vërtetë, alkooli, bixhozi dhe llojet e ndryshme të fallit, janë pisllëk e prej punëve të djallit.  Përmes tyre djalli I mallkuar synon të fusë mes jush armiqësinë dhe urrejtjen dhe t’ju largojë nga përkujtimi i Zotit dhe nga lutja e Tij. A nuk po u largoheni këtyre gjërave” Kuran
Në këtë moment pasuesit e Kuranint sapo e dëgjuan urdhrin e ndalimit të prerë hoqën edhe gotat e alkoolit nga buzët e tyre dhe derdhën enët të mbushura me alkool.
4-  Roli I besimit transhendent dhe i adhurimeve në këtë parandalim.
Besimi dhe adhurimi, në këndvështrimin kuranor, është mekanizmi më efikas i brendshëm për parandalimin ose kurimin e vesit të alkoolit. Ky mekanizëm nuk është kufizues apo përjashtues. Përkundrazi, vesin feja e konsideron sëmundje dhe siç shprehet profeti Muhamed (a.s): “ Për çdo sëmundje Zoti ka zbritur ilaç, prandaj kurohuni”
Kur sjellim ndërmend besimin, si mekanizëm efikas për kurimin e vesit të alkoolit, feja ka parasysh besimin në Zotin e gjithësisë, në atributet dhe veçoritë e Tij të pafundme e të përkryera. Si pasojë urdhëresat dhe ndalesat e Tij, udhëzimet dhe mësimet e Tij janë fryt i dijes së Tij të pafundme e të përsosur, urtësisë së Tij, mençurisë së tij, drejtësisë dhe mëshirës së Tij. Ky Zot i Madhërishëm dhe i përkryer është Ai që na ka në vëmendjen dhe mbikëqyrjen e tij në çdo çast e moment, na shikon dhe mbikqyr kudo që jemi e në çdo situatë. Element tjetër i rëndësishëm i besimit është edhe ai i shpërblimit dhe ndëshkimit hyjnor në këtë botë dhe në tjetrën. Zoti i gjithësisë e vlerëson përpjekjen e robit të tij drejt kënaqësisë hyjnore përmes bindjes ndaj Zotit me anë të shpërblimit të Tij por njëkohësisht Zoti i gjithësisë do që krijesat e Tij humane të jenë korrekt me parimin e drejtësisë ndaj veteve të tyre dhe ndaj të tjerëve. Element tjetër i rëndësishëm i besimit është ai i besimit në botën transhendentale, në botën e përtejme, atje ku me dëshirën apo pa dëshirën e njeriut do vendoset drejtësia absolute hyjnore, moment në të cilin njeriu do japë llogari edhe për marrëdhëniet e tij me veten e tij. Profeti islam Muhamedi (a.s) thotë: “ Askush nuk do lëviz nga vendi I llogarisë ditën e gjykimit pa dhënë llogari për katër çështje: për jetën e tij, për rininë e tij, për dijen e tij dhe për pasurinë e tij, si e ka fituar dhe ku e ka shpenzuar”
Për sa i përket mekanizmit të adhurimit i cili shprehet me konkretisht përmes, faljes apo lutjes, agjërimit, zekatit apo lëmoshës, dhe përmes haxhit, fetarisht konsiderohen format më të përkryera për ruajtjen e njeriut nga veset apo dhe për ta shpëtuar nga kthetrat e tyre.
Natyrshëm, njeriut të sprovuar me këto vese i duhet forcë shpirtërore dhe vullnet për tu mbrojtur apo shkëputur prej prej tyre.
Në lidhje me faljen apo lutjen profeti islam Muhamedi (a.s) thotë: “ Momenti ku robi është më afër Zotit të tij është vënja e ballit në sexhde, pra në tokë. Prandaj në këtë moment shtoni lutjet tuaja se e keni të garantuar përgjigjen”
D.m.th në këtë moment njeriu ka mundësi me tepër se kudo tjetër të shkarkojë ngarkesën e tij të brendshme.
Kujtimi i herë pas hershëm i Zotit qetëson zemrat siç thotë Zoti i gjithësisë: “ Në të vërtetë me përmendjen dhe kujtimin e Zotit zemrat qetësohen” Kuran
Për agjërimin profeti (a.s) thotë: “ Agjërimi është mburojë” apo: “ Kush agjëron dhe nuk heq dorë prej fjalëve dhe veseve të liga le ta dijë se Zoti nuk ka nevojë për urinë dhe etjen e tij”
Ndryshe muaji i agjërimit, ramazani, është quajtur muaji i durimit dhe vullnetit.
Ndërsa për haxhin, pelegrinazhin, profeti islam thotë: “ Kush bën haxh duke u ruajtur nga fjalët dhe veset e liga kthehet nga pelegrinazhi si në atë ditë që e ka lindur nëna” pra i pastër nga gjynahet.
Burim tjetër force që ka të bëjë me dy elementët e mësipërm, besimin dhe adhurimin është besimi në faktin se Zoti  pranon pendimin e krijesës së tij humane kurdo që njeriu vendos të kthehet tek Zoti I Tij. Ky fakt lehtëson kompleksin e peshës së rëndë të fajit dhe në të njëjtën kohë hap dyer shprese të pafundme.
Profeti islam thotë: “ Zoti shtrin dorën e pendimit gjatë ditës që të pendohet mëkatari i natës dhe shtrin dorën e pendimit gjatë natës që të pendohet mëkatari i ditës”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit