1.7 C
Pristina
Friday, November 22, 2024

Daveti i Pirros #FikhuiMediaveSociale | Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Kam dëgjuar etiketa të shumta, por kjo etiketë e vetme ma ndezi atë llambë të madhe në kokën time që më bëri të mendoj për një milion gjëra të ndryshme.

 

Fitorja e Pirros.[1]

Kjo është etiketa që u jepet fitoreve afatshkurtra që vijnë me koston e një humbjeje shumë më të madhe.

Është duke e fituar betejën, por duke e humbur luftën. Kështu thonë edhe kur operacioni është i suksesshëm, por pacienti vdes.

Çdo ditë ka një polemikë të re në qarqet muslimane të mediave sociale. Ndonjëherë ndodh të ringjallen debatet klasike të dijetarëve, ose të shkëputet ndonjë deklaratë e ndonjë studiuesi dhe ajo zbërthehet në detale. Polemika pasohet me meme, me video reagime dhe me podkaste në formë reagimesh. Më pas ato ushqehen me debate në WhatsApp dhe komente të gjata në Facebook. Disa njerëz marrin pjesë me postime pasive-agresive në Instagram duke lënë të kuptohet që po vazhdojnë të polemizojnë për polemikën në fjalë.

 

Në themel të gjithë kësaj qëndron në fakt një qëllim i sinqertë, Daveti.

Ekziston një shtysë për të përhapur të vërtetën, për të korrigjuar dezinformatat dhe për të parandaluar mundësinë që njerëzit të mashtrohen.

Kur reflektojmë për mënyrën më efektive ose më strategjike për ta bërë këtë, ne duhet të reflektojmë mbi udhëzimet tona. Shanset janë që ne nuk filluam të faleshim apo të praktikonim Islamin për shkak të një qëndrimi të nxehtë të stilit “gotcha” në mediat sociale. Kur është hera e fundit që një koment në Facebook nga dikush që nuk e njeh ua ndryshoi mendjen tuaj për një çështje të nxehtë? Me shumë mundësi, ndryshimi i pikëpamjeve tuaja për diçka erdhi pas leximit të thellë, të menduarit dhe bisedave kuptimplota me njerëzit që ju u besoni. Ndryshimi vjen me marrëdhëniet dhe punën.

Problemi me atë që shohim në mediat sociale mund të quhet Daveti i Pirros. Diskutimet që prodhojnë dobi afatshkurtra bashkë me humbje afatgjata.

Efektet e rendit të dytë janë ‘pasojat e pasojave’ të veprimeve tuaja. Nëse hani një tas të madh me akullore, efekti i rendit të parë është kënaqësia dhe stomaku plot. Efekti i rendit të dytë është shtimi në peshë dhe shëndeti i keq. Efektet e rendit të dytë janë shpesh të kundërtat e efekteve të rendit të parë.

Suksesi i vërtetë vjen kur efektet e rendit të dytë janë pozitive. Kjo do të thotë se pasojat e menjëhershme të një veprimi mund të mos jenë plotësisht pozitive. Ne e kuptojmë këtë qasje kur bëhet fjalë për gjëra të tilla si edukimi. Studioni fort tani, në mënyrë që të krijoni një karrierë të mirë më vonë.

 

Po Daveti?

Efektet e rendit të parë të davetit vijnë kryesisht në formën e validimit të mediave sociale – pëlqimet (like-t), retweet-at, shpërndarjet, komentet, fama dhe platforma. Platforma është kryesore këtu sepse është ajo që ka fasadën e përfitimit. Sa më shumë njerëz të arrijnë, aq më shumë davet mund të bëjmë. Numri i ndjekësve përkthehet në besueshmëri, dhe nga kjo vijnë ftesat, honoraret dhe kurset online.

Rritja e platformës është një efekt i rendit të parë. Kur dikush është i fokusuar në të, ai nxitet të grumbullojë më shumë “fitore” për të rritur këtë platformë. Dhe në epokën e mediave sociale, shprehja e vjetër “nëse rrjedh gjak, çon në fitore” nuk ka qenë kurrë më e vërtetë.

Mënyra më efikase për të rritur platformën tuaj (dhe kështu, aftësinë për të bërë davet në mendjen e një personi) është të bëni gjëra që tërheqin vëmendjen. Kjo vjen me anë të përgënjeshtrimeve, debateve, qëndrimeve të nxehta, sulmeve personale, diskutimeve personale të stilit tabloid dhe thënieve të gjërave thjesht për vlerë shokuese.

Një efekt i rendit të dytë i këtij lloji të davetit është se i djeg njerëzit. Mbaj mend që pashë njerëz në fillim të viteve 2000 që angazhoheshin pikërisht në të njëjtin lloj kulture – përgënjeshtrime, debate dhe transmetime të çështjeve shkencore në forume publike. Shumë prej këtyre njerëzve humbën dëshirën për të mësuar dhe për të punuar në davet. Në disa raste, për fat të keq, ata e ndaluan fare praktikimin e rregullt të fesë.

Efekti tjetër i rendit të dytë është se ai do të minojë besueshmërinë e një personi. Mos harroni se pasojat e rendit të parë dhe të dytë janë shpesh të kundërta. Një person mund të ndërtojë besueshmëri dhe platformë në afat të shkurtër me të njëjtin lloj daveti që do ta dëmtojë atë në planin afatgjatë. Ndërsa njerëzit piqen në kuptimin e fesë, ata do ta kuptojnë se çfarë lloj njohurie përfitojnë vërtet. Dhe ata do të shohin se ata të kapur në “çështje ditore” nuk po jepnin njohuri që vërtet u sjellin dobi njerëzve në marrëdhëniet e tyre me Allahun. Kjo do t’i bëjë që ata t’i shikojnë këta thirrës-a me një ndjenjë të thellë keqardhjeje, madje edhe me zemërim se kanë humbur kohë duke konsumuar kaq shumë nga përmbajtja e tyre.

Në raste ekstreme, ky lloj daveti do të konsiderohet si performues – duke rritur kapitalin social të një personi në krahasim me nxitjen e vërtetë të një kauze. Pjesa më e madhe e diskursit rreth argumentimit të llojeve të ndryshme të “izmave” bie në këtë kategori. Kjo ngjall një nivel të thellë pakënaqësie.

 

Si duket daveti kur përqendrohet në efekte të rendit të dytë?

Është ndërtimi i ngadalshëm tullë për tullë i komunitetit, ndërtim që duket se nuk ka një fitim të menjëhershëm. Është sikur të kalosh kohë në një klasë duke dhënë mësim për vite dhe duke kultivuar studentët. Duket si hutbet efektive që sjellin ndryshime në rritje në baza javore, duke u komplikuar në rezultate më të mëdha vite më vonë. Është efekti pika-pikë i dhënies së një këshille komunitetit tuaj, çdo natë pas jacisë, duke e ditur se mund të duhen vite për të parë efektin. Do të thotë të investosh te njerëzit – të sakrifikosh kohën dhe përpjekjen tënde – në mënyrë që të ndihmosh dhe të shërbesh.

Daveti afatgjatë do të thotë të bësh gjërat jo magjepsëse, – të vizitosh dikë kur është i sëmurë, të ngushëllosh një familje për humbjen e një njeriu të dashur dhe të lësh një vakt kur e di se dikush ka një ditë të vështirë. Këto janë gjërat që nuk do të marrin kënaqësi të menjëhershme në formën e numrit të ndjekësve dhe metrikëve të tjerë të kotë, me të cilat në terme afatshkurtëra, apasionohemi.

Ndoshta më e vështira, do të thotë t’i shmangesh skenës së mediave sociale muslimane në favor të leximit të një libri ose kalimit të kohës në meditim për të formuluar dhe rafinuar më mirë mendimet përpara se ato të paraqiten në publik. Efekti i rendit të parë është se kjo nuk do të rrisë platformën tuaj, madje as do t’ju sjellë ndonjë lloj shpërblimi të menjëhershëm.

 

Efekti i rendit të dytë, megjithatë, është se ju mund të përmbushni në të vërtetë qëllimin e bërjes kuptimplotë të thirrjes, duke shtuar vlerën e vërtetë në jetët e të tjerëve dhe që të jeni një dritë përmes së cilës të tjerët afrohen më shumë me Allahun.

Përgjegjësia për këtë nuk bie vetëm mbi atë që e bën davetin, por edhe nga ne në anën tjetër. Ne nuk do ta ndryshojmë këtë derisa të stimulojmë dhe shpërblejmë më mirë llojin e duhur të davetit. Ndaloni së pëlqyeri, ndaloni së shpërndari dhe komentuari mbi gjërat që ndikojnë vetëm në afat të shkurtër. Kërkoni dhe përforconi davetin dhe edukimin në gjëra që janë të dobishme për një periudhë kohe më afatgjatë.

 

Omar Usman


[1] Fitorja e Pirros nënkupton sakrifica të rënda . Në betejën që u zhvillua më pas në Heraklea afër Tarentit (280 para ER.) Pirro i Epirit u ndesh me një ushtri Romake dy herë më të shumtë në numër se ushtria e tij dhe doli fitimtar. Mirëpo ai humbi aq shumë oficerë dhe ushtarë saqë thirri me zë: “Edhe një betejë tjetër si kjo dhe më duhet të kthehem vetëm në Epir “Prej këtej lindi edhe shprehja “Fitore si e Pirros”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit