Në një intervistë me “Vecernji List” të Zagrebit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka shprehur “shqetësimin se Serbia po shpenzon aktualisht më shumë për ushtrinë se të gjithë të tjerët në Ballkanin Perëndimor së bashku”.
Ai ka akuzuar gjithashtu presidentin serb Aleksandar Vuçiq se dëshiron ta bëjë Kosovën një “shtet jofunksional”.
Madje, ai ka thënë se Serbia në Ballkanin Perëndimor po sillet si Federata Ruse dhe se po e bën “Republikën Srpska në BeH si Bjellorusinë” dhe “Malin e Zi si Ukrainën”, përcjell Telegrafi.
I pyetur se pse mendon se Vuçiq dëshiron të provokojë një konflikt ndërkombëtar dhe nëse e sheh atë si faktor për destabilizimin e Ballkanit, Kurti tha se Kosova nuk është problem, se Kosova ka një problem dhe se problemi i Kosovës është Serbia.
“Në Serbi nuk ka pluralizëm, ka një parti. Ajo parti është edhe shteti. Ai shtet është edhe kisha. Ajo kishë është edhe partia. Atje nuk ka pluralizëm, por pretendojnë demokraci me zgjedhje. Së fundmi Serbia ka rritur shumë shpenzimet ushtarake. Bosnja dhe Hercegovina, Mali i Zi, Shqipëria, Kosova dhe Maqedonia e Veriut së bashku nuk shpenzojnë aq sa Serbia e vetme. Nuk e bën për shkak të Hungarisë dhe Rumanisë dhe ky militarizimi i Serbisë është shumë shqetësues për ne…”, citohet të ketë thënë Kurti.
Ai deklaroi se ka vullnet dhe interes për një marrëveshje gjithëpërfshirëse për Kosovën, por se kjo varet nëse Serbia është e gatshme dhe se normalizimi i marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i tillë që varet shumë më tepër nga gatishmëria e Serbisë për të ndryshuar qasjen e saj.
Ndërsa i pyetur nëse do të pajtohej me shkëmbimin e territoreve, Kurti është përgjigjur negativisht dhe ka thënë se dëshiron që dialogu të zhvillohet për të drejtat dhe nevojat e qytetarëve dhe jo për shkëmbim territoresh.
“Është në natyrën e autokratëve të mendojnë se mund të shkëmbejnë territore sikur të ishin pronë e tyre. Nuk jemi në mesjetë, me monarkë që i konsiderojnë territoret e shtetit si vendin e babait apo monarkut, dhe populli si familje e atij që sundon… Unë mendoj se as serbët nuk e duan një gjë të tillë, atë e dëshiron vetëm presidenti i Serbisë. Tash, derisa unë jam në pushtet, ai nuk përmend shkëmbimin e territoreve, por ai dëshiron ‘boshnjakizimin’ e Kosovës në formën e një entiteti autonom serb brenda republikës sonë, për të na bërë shtet jofunksional dhe nuk e bëri. Dhe kjo nuk do të ndodhë”, ka thënë ndër tjerash Kurti. /Telegrafi/