-0.8 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Radikalizimi politik transnacional

Më të lexuarat

Nga: Fatos Tarifa

Radikalizimi politik transnacional

Ç’vjen pas Tunizisë, Algjerisë, Jordanisë, Jemenit dhe Egjiptit?
 Fatos Tarifa
Sot jetojmë në një botë politikisht më të populluar dhe më të ndërlidhur, në të cilën ndërthuren dhe përplasen interesat e rreth 200 shteteve nominalisht sovrane. Po kështu, graviteti demografik i planetit tonë është shmangur mjaft drejt Lindjes dhe Jugut. Për më tepër, popullsia e globit jo vetëm që po ndryshon disproporcionalisht në rajone dhe në kontinente të ndryshme të tij, por ajo po përjeton një zgjim politik, deri më sot të paparë në shtrirje dhe në intensitet, çka ka bërë dhe po bën të mundur që politika populiste ta transformojë politikën e pushtetit. Nevoja për t’iu përgjigjur një fenomeni të tillë masiv përbën një sfidë historike, përgjigjja ndaj së cilës do të përcaktojë në një masë të madhe drejtimin e zhvillimeve në shekullin e 21-të. Siç thekson me të drejtë Zbigniew Brzezinski, sfida globale më serioze në kohën tonë nuk është terrorizmi, por “tronditjet dhe destabiliteti në rritje që shkaktohen nga fenomeni i zgjimit politik në shkallë globale”. Ky zgjim, argumenton ai, është “masiv nga pikëpamja sociale dhe radikalizues nga pikëpamja politike”.
Edhe pse shtrirja globale e zgjimit politik që vëmë re sot është një dukuri e re, vetë ky fenomen ka një histori të gjatë. Disa autorë janë të mendimit se një zgjim i tillë politik buron drejtpërsëdrejti nga tensionet e modernizimit. Lëvizjet që inspirojnë të tilla tensione adoptojnë atë çka sociologu i njohur Shmuel Eisenstadt e quan program “jakobin”, që e vë theksin në “aktivizmin social dhe kulturor”. Ishte Revolucioni Francez i 1789-s ai që gjeneroi një aktivizëm populist kontaminues, së pari në Francë, dhe pastaj në mbarë Europën. Intensiteti dhe shtrirja sociale e tij ishin pa precedent deri atëherë. Rritja e ndërgjegjes politike në radhët e masave, e stimuluar nga përhapja e arsimit dhe shpërthimi i aktivizmit dhe i radikalizmit provokuan jo vetëm borgjezinë e re dhe klasën e ulët të qytetarëve (sans culottes), por edhe fshatarësinë, klerin dhe aristokracinë. Mitologjia e Revolucionit Francez gdhendi në panteonin e vlerave politike parimet e famshme Liberté – Egalité – Fraternité, por realiteti i atij revolucioni, siç vë në dukje Brzezinski, ishte gjithashtu “ekzaltimi i orgjisë së terrorit, i tribunaleve revolucionare, i pasioneve nacionaliste dhe i luftës brutale të klasave, për të mos përmendur eksportimin e revolucionit në mbarë Europën përmes luftërave çlirimtare. Në të vërtetë, nocioni i terrorit, si një mjet i qëllimtë i intimidimit politik, e ka origjinën tek ai revolucion”.
Gjatë 222 vjetëve që kanë kaluar që nga ajo kohë, zgjimi politik është bërë një proces global. Europa më 1848 dhe, sidomos, lëvizjet nacionaliste në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, ishin pasqyrim pikërisht i pasioneve populiste të politikës së re dhe i pjesëmarrjes në rritje të masave. Në disa vende, ky kombinim rezultoi në një sistem besimi utopik, platforma të të cilit u bënë Revolucioni Bolshevik i 1917-ës, uzurpimi fashist i pushtetit në Itali më 1922, dhe ardhja e nazistëve në pushtet në Gjermani më 1933.
Zgjimi politik përfshiu gjithashtu Kinën dhe Meksikën, galvanizoi sentimentet antikolonialiste në Indi, ku taktika e rezistencës pasive i dha fund efektivisht sundimit kolonialist dhe, pas Luftës së Dytë Botërore, lëvizjet e fuqishme antikolonialiste në shoqëri të tjera joperëndimore u dhanë fund mbeturinave të perandorive të dikurshme europiane.
Në librin e tij Paradokset e Demokracisë Shmuel Eisenstadt argumenton se “dimensioni jakobin i modernitetit” nuk duhet kuptuar thjesht si një stad historikisht i kaluar i fenomenit të modernizimit Perëndimor të shoqërive joperëndimore, por si një komponent i vazhdueshëm i shoqërive dhe i politikës që modernizohen, apo i atyre moderne. Sot, popullsia e shumë prej vendeve në zhvillim është politikisht e acaruar, e indinjuar dhe aktive, e ndërgjegjësuar si rrallë herë më parë për padrejtësitë ekonomike dhe sociale dhe për mungesën e dinjitetit të vet politik dhe shoqëror.
Pothuajse në të gjitha vendet e Botës së Tretë, arsimi masiv ka hapur horizonte të reja konjitive, të panjohura deri disa dekada më parë, për shtresa të gjera të popullsisë. Në kohën tonë, me përjashtim të skajeve më të largëta të planetit, nuk gjen thuajse asnjë vend që të ketë mbetur i pandikuar nga dinamika e modernitetit pluralizues, që ka mundësuar përhapja masive e arsimit (sidomos e atij universitar) dhe teknologjitë e informacionit dhe të komunikimit të kësaj epoke globalizimi. Aksesi thuajse universal ndaj radios dhe televizionit dhe gjithnjë e më shumë Interneti, me shtrirjen dhe rolin e tij të jashtëzakonshëm në shoqërinë moderne, po krijon gjithnjë e më shumë një komunitet njerëzish që ndajnë mes tyre të njëjtat perceptime dhe besime dhe që mund të galvanizohen dhe të instrumentalizohen nga pasione politike demagogjike apo fetare. Këto energji transcedentojnë përtej kufijve kombëtarë duke sfiduar si shtete të veçanta, ashtu edhe hierarkinë globale ekzistuese, në krye të së cilës vazhdon të qëndrojë e parivalizuar Amerika.
Sot është e pamundur të flasim për të ardhmen e Kinës, të Indisë, të Pakistanit, të Iranit, të Meksikës, të Sudanit apo të Egjiptit pa marrë në konsideratë sjelljen e mundshme të popullsive të këtyre vendeve, aspiratat sociale dhe politike të të cilave frymëzohen dhe nxiten nga impulse që nuk kanë më origjinë ekskluzivisht lokale. Mjafton të vësh re ngjashmëritë politike të lëvizjeve protestuese vitet e fundit në Kirgizstan, në Bolivi, në Tailandë, dhe së fundi në Tunizi, në Algjeri, në Jordani dhe në Egjipt. Në mënyra dhe shkallë të ndryshme intensiteti, këta popuj nuk e duan më status quo-në dhe shumë prej tyre mund të mobilizohen lehtësisht, jo vetëm kundër regjimeve autoritariste në vendet e tyre, por edhe kundër Amerikës, të cilën edhe e kanë zili, por edhe e shohin si fuqinë kryesore që kërkon ruajtjen e status quo-së në plan global.
Veçanërisht e indinjuar dhe aktive është rinia e vendeve në zhvillim. Revolucioni demografik në këto vende është një bombë me sahat. Shtimi i shpejtë i popullsisë në moshën nën 25 vjeç po krijon një masë të madhe njerëzish në moshë të re, të irrituar dhe lehtësisht të mobilizueshëm. Ngjarjet në Tunizi në janar të këtij viti u konsideruan si një “revolucion i rinisë” (Youth Revolution). Shumë shpejt dy miliardë njerëz në moshë të re në mbarë globin do të jenë muslimanë. Mendjet e tyre stimulohen dhe frymëzohen nga tinguj dhe imazhe që vijnë nga larg dhe që e intensifikojnë pakënaqësinë e tyre ndaj gjendjes në të cilën ata jetojnë. Potenciali i tyre revolucionar ka të ngjarë të shpërthejë në radhët e mbi 140 milionë studentëve të përqendruar në universitetet dhe kolegjet e vendeve në zhvillim. Kjo shtresë e arsimuar do të rritet shumë numerikisht në dekadat që do të vijnë. Një studim i UNESKO-s, i kohëve të fundit, parashikon se gjatë 30 viteve të ardhshme numri i të rinjve që do të marrin një diplomë universitare në të gjithë botën do të jetë më i madh se numri i të gjithë njerëzve që kanë studiuar në të gjitha universitetet e botës deri më sot. Të ardhur kryesisht nga radhët e shtresave më të ulëta dhe të pasigurta të klasës së mesme, si edhe të indinjuar nga ndjenja dhe eksperienca të padrejtësive sociale, këta dhjetëra milionë studentë janë potencialisht revolucionarë, gjysmë të mobilizuar në kampuset univeristare, të lidhur mes tyre përmes Internetit dhe të parapozicionuar për një replay në një shkallë më të gjerë të asaj që kemi parë të ndodhë vite më parë në Meksiko, në Xhakarta, në Sheshin Tiananmen, në Teheran dhe së fundmi në Tunis, në Algjer dhe në Kajro. “Energjia fizike dhe frustrimi i tyre emocional”, shkruan Brzezinski, “thjesht presin të nxiten nga një kauzë, nga një besim apo nga një urrejtje”.
Ç’mund të thuhet për të ardhmen? Zgjimi politik i masave popullore është bërë një fenomen (a) gjeografikisht global, pa lënë asnjë kontinent apo rajon të botës politikisht pasiv; (b) shoqërisht gjithëpërfshirës, me përjashtim të komuniteteve fshatare më të skajshme; (c) demografikisht rinor dhe, për këtë arsye, më i mundshëm për t’u mobilizuar politikisht brenda një kohe të shkurtër; dhe (d) transnacional nga pikëpamja e origjinës dhe e frymëzimit të tij, për shkak të impaktit kumulativ të përhapjes së gjerë të arsimit dhe të mjeteve të informimit dhe të komunikimit masiv. Si rezultat i të gjithë këtyre faktorëve, sentimentet dhe pasionet politike populiste në kohën tonë mund të drejtohen madje edhe kundër një “objekti” të largët, pavarësisht mungesës së një doktrine unifikuese (si Marksizmi), duke qenë shpesh herë Amerika ajo që bëhet “fokusi konfliktual i admirimit personal, i zilisë shoqërore, i zemërimit politik dhe i urrejtjes fetare” (Brzezinski).
Ngjarjet e javëve të fundit në Tunizi, në Algjeri, në Jordani, në Egjipt dhe në Jemen nuk duhej të çudisnin askënd që ndjek sado pak me vëmendje zhvillimet ekonomike, sociale dhe politike në botën e sotme. Globi ynë është sot një vullkan në shpërthim. Popujt dhe veçanërisht rinia e arsimuar e vendeve arabe, në Magreb apo në Lindjen e Mesme, masat e gjera të rinisë në vendet e Azisë Qendrore dhe të Azisë Juglindore dhe, sidomos në Kinë, janë në kërkim të një alternative që do të mund t’u japë fund varfërisë, padrejtësive sociale, korrupsionit endemik të elitave autokratike në pushtet, kushteve politike e sociale që i mbajnë ata në margjinat e shoqërisë dhe aspiratat e tyre të paplotësuara. Prirja e zhvillimeve të sotme i ngjan ndoshta periudhës së revolucioneve antikolonialiste dhe, si e tillë, ajo ka një përmasë dhe një karakter global. Nuk duhet të çuditemi nëse në muajt dhe në vitet që do të vijnë do të shohim që protestat e popullit dhe të studentëve tunizianë kundër regjimit autoritarist 23-vjeçar të “Çausheskëve” të tyre (presidentit Ben Ali dhe gruas së tij Leila Trabelsi) dhe protestat e popullit dhe të studentëve egjiptianë kundër presidentit Hosni Mubarak (njeriu që ka sunduar Egjiptin për kohën më të gjatë – 30 vjet – pas Mehmet Ali Pashës, themeluesit të atij shteti), do të “përsëriten” në forma dhe intensitete të ndryshme në Burkina Faso, në Nigeri dhe në Kamerun, në Arabinë Saudite dhe në Iran, në Meinmar dhe në Kinë. Siç shkruante pak kohë më parë e përjavshmja amerikane Nesweek, “Nga Maroku në Egjipt në Jordani dhe më tej, përmes Internetit dhe telefonave celularë, lajmi u përhap në këto shoqëri, që kanë qenë të shtypura për një kohë të gjatë, në atë mënyrë që ndikoi rënia e Murit të Berlinit në shembjen e diktaturave të Perandorisë Sovjetike më 1989”. Asnjë regjim autokratik nuk është i imunizuar nga revolta e popullit dhe e rinisë së vendit të vet, që kërkojnë drejtësi sociale, dinjitet politik dhe kushte njerëzore jetese. /mapo.al/
 
 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit