Ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde ka mbështetur deklaratën e raportueses për Kosovën në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, e cila i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovë që të zbatoj aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese lidhur me objektet fetare.
Von Cramon ka thënë se kisha ortodokse serbe në Kosovë duhet të mbrohet dhe të gëzojë të drejta të plota.
E ambasadori gjerman Rohde ka rishpërndarë këtë deklaratë të Von Cramon, duke thënë se zbatimi arbitrar i shtetit të së drejtës nuk është rruga përpara.
“Plotësisht pajtohem: Zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese të Kosovës të vitit 2016 është shumë i vonuar siç ka kujtuar Gjykata së fundmi. Zbatimi arbitrar i shtetit të së drejtës nuk është rruga përpara”, ka shkruar ambasadori gjerman në Twitter.
Ndërkaq, edhe pse vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës janë përfundimtare dhe të detyrueshme për të gjitha palët, udhëheqja lokale në Deçan po refuzon që të zbatojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, sipas të cilit, 24 hektarë tokë i përkasin Manastirit të Deçanit.
Autoritetet e atjeshme lokale thonë se ajo pronë i takon ndërmarrjeve shoqërore “Apiko” dhe Iliria” dhe se asnjëherë nuk i ka takuar manastirit. /Telegrafi/