Nga: ardhmerionline
Intervistë me ministrin e jashtëm turk, Ahmed Dautoglu (1)
Gjatë kësaj interviste, ministri i jashtëm turk, shpreh idetë dhe mendimet e tij lidhur me ndryshimet e fundit në Tunizi dhe Egjipt. Ai konsiderohet si projektuesi i politikës së jashtme turke, e cila është në majat e aktivitetit të saj kohët e fundit.
Gazetari:”Nën moton e të drejtave, shtetit demokratik dhe lirisë, populli tunizian u revoltua dhe e shembi regjimin e Bin Ali. Mandej u revoltua populli egjiptian dhe e largoi regjimin e Mubarakut dhe sipas pritshmërive këto revolta do të shtrihen dhe në shtete të tjera të rajonit. Ju si përfaqësues të politikës së jashtme të Turqisë dhe që pretendoni të keni një rol aktiv në rajon, si i gjykoni këto zhvillime të fundit?”
Dautoglu:”Para së gjithash, shpresoj dhe uroj që zhvillimet e fundit të jenë të begatshme për vëllezërit tanë në Tunizi dhe Egjipt. E vërteta është se këto zhvillime janë shumë të rëndësishme. Kohët e fundit kemi vënë re një ndikim të ndërsjellë të marrëdhënieve tona në Lindjen e Mesme. Me mundësitë që krijuan mjetet e reja të telekomunikacionit, filloi të shfaqej një vetëdije e re në këtë rajon, secili filloi të mendojë mbi çështjet që shqetësonin rajonin dhe shprehte mendimin e tij lidhur me to. Zhvillimet në një zonë të caktuar, kishin ndikim të shpejtë dhe të drejtpërdrejtë edhe në një zonë tjetër. Padyshim që kjo është diçka shumë pozitive, pasi na paraqet një vetëdije në zhvillim e sipër.
Pas përfundimit të Luftës së Ftohtë, për herë të parë kemi këto revolta popullore në rajon. Këto janë zhvillime të cilat do të reflektojnë pozitivisht në nivelin e vetëdijes dhe ndërgjegjësimit. Por, të mos harrojmë se ndryshimi duhet të vijë në rrugë paqësore dhe të mos prodhojë pasiguri dhe mungesë stabiliteti. Të dy popujt, si ai tunizian dhe egjiptian, manifestuan vetëdije dhe ndërgjegje të lartë, duke ndjekur rrugën e drejtë dhe paqësore, e cila pasqyronte dëshirën dhe vullnetin e tyre dhe i hapte rrugën ndryshimit. Ne besojmë se e kemi obligim tu ofrojmë ndihmën dhe përvojën tonë këtyre popujve që aspirojnë demokracinë, lirinë, pavarësinë politike, ekonomike dhe sociale. Ne si Turqi, do të qëndrojmë gjithmonë në krah të Tunizisë dhe Egjiptit, si dhe të gjithë vendeve të tjera të rajonit, duke punuar në shërbim të drejtave, lirive, mirëqenies dhe paqes së këtyre popujve.”
Gazetari:”Që në fillim, ju deklaruat se i përkrahni lëvizjet popullore në këto vende, gjë e cila shkaktoi një valë akuzash dhe kritikash, sidomos nga Egjipti, ku ju akuzoheshit se po ndërhyni në çështjet e brendshme të vendeve fqinje. Po ashtu, opozita turke u ka akuzuar në mënyrë të drejtpërdrejtë se po ndërhyni në çështje të brendshme të vendeve të tjera, sidomos pas deklaratave tuaja dhe të kryeministrit Erdogan. A është e vërtetë se keni ndërhyrë në çështjet e brendshme të vendeve fqinje?”
Dautoglu:”Çfarë do të thotë të ndërhysh në çështjet e brendshme të një vendi tjetër? Gjatë tetë viteve të qeverisjes tonë, kemi ndërtuar marrëdhënie konstruktive dhe të ndërsjella me të gjithë vendet, qeveritarët dhe popujt e tyre. Ne ua kemi deklaruar haptazi dhe qartë, se kurrë nuk kemi ndërhyrë dhe nuk do të ndërhyjmë në çështjet e brendshme të asnjë shteti, si dhe nuk do të përkrahim asnjë palë kundër tjetrës në cilin vend qoftë. Por ne themi se të gjithë kombet dhe etnitë që banojnë në këtë rajon, janë si banorët e një shtëpie të përbashkët. Ata i pret një e ardhme dhe histori e përbashkët. Prandaj, ne tregojmë interes dhe ndjekim me vëmendje ngjarjet që zhvillohen në rajonin tonë. Kur kthen kokën në historinë e marrëdhënieve Turko-Egjiptiane, gjen se kemi pasur fat të përbashkët. Ne besojmë se Egjipti, Turqia, Iraku dhe të gjithë shtetet e rajonit, do e përcaktojnë të ardhmen e tyre bashkë me ne. Prandaj ne jemi mësuar që ta themi haptazi mendimin tonë kur mendojmë se është i drejtë dhe që i shërben interesave dhe mirëqenies së këtyre vendeve. Deklaratat tona lidhur me zhvillimet e fundit, si ato të kryeministrit Erdogan dhe deklaratat e mia në më shumë se një vend, të gjitha bazoheshin në dëshirën për ta parë Egjiptin në pozita më të fuqishme. Një Egjipt më i fuqishëm, përbën shtyllën kurrizore të rajonit. Ne besojmë se Egjipti do të jetë më i fuqishëm pas zhvillimeve të fundit, nëse do të arrihet integrimi mes popullit dhe administratës shtetërore. Ne e kemi përjetuar vetë më parë këtë eksperiencë, pasi administrata jonë u integrua me popullin, gjë e cila na ndihmoi në realizimin e projekteve madhore.
Ne duam të kemi një Lindje të Mesme të re, me të gjithë vëllezërit tanë nga popujt e këtij rajoni. Një Lindje e Mesme e re, pasqyron vullnetin tonë të përbashkët, për një rajon ku mbizotëron paqja, stabiliteti dhe mirëqenia. Një rajon ku jetojnë të gjithë etnitë, kombet dhe racat, në harmoni dhe mirëkuptim. Diçka të tillë, ne e kemi thënë dhe përsëritur në të gjitha nivelet e përfaqësive. Këtë e ka theksuar presidenti Gyl gjatë vizitës në Tehran, ashtu siç e ka përsëritur disa herë kryeministri Erdogan. Ne ndajmë të njëjtën ëndërr dhe ambicie për të ardhmen.
Sinqerisht që nuk kemi ndërhyrë në çështjet e brendshme të asnjë shteti dhe nuk kemi mbështetur asnjë palë kundër një tjetre. As nuk kemi ndërhyrë dhe as nuk e kemi pasur ndërmend të ndërhyjmë, sepse i respektojmë çështjet e brendshme të çdo shteti. Ashtu siç theksojmë se çdo popull ka të drejtë të vendosë për të ardhmen e tij. Ne kemi qenë të hapur dhe i kemi ndarë idetë tona si me popujt ashtu dhe me qeveritë e vendeve të rajonit, gjë të cilën do të vazhdojmë ta bëjmë me të gjithë fuqitë rajonale.”
Gazetari:”Ju keni marrëdhënie të ngushta me homologët tuaj arabë, por edhe me disa nga liderët arabë. Kjo, falë politikës tuaj aktive në rajonin tonë. A i keni këshilluar vendimmarrësit arabë, që të bëjnë reforma në regjimet e tyre politike, si dhe ti japin popullatës civile më shumë liri dhe të drejta? A i keni këshilluar dhe si kanë reaguar?”
Dautoglu:”Takimet e mia janë zhvilluar në një atmosferë shumë miqësore dhe me një rreth të ngushtë. Prandaj nuk ia vlen të hyjmë në detaje. Megjithatë, mund të them që kemi ndërtuar marrëdhënie që fokusohen tek respekti i ndërsjellë me të gjithë palët. Mendimet dhe idetë tona progresive, ua kemi ofruar disa shteteve të rajonit. Ne si Turqi, i kemi hyrë kësaj linje, në një periudhë shumë delikate si në Liban ashtu dhe në Irak. Por kjo nuk ka qenë në interes të një pale dhe kundër një pale tjetër. Ne kemi ndërhyrë për ti normalizuar marrëdhëniet mes vëllezërve tanë dhe gjatë atyre bisedimeve sekrete, u kemi shprehur bindjet dhe idetë tona, pa asnjë rezervë. Me këtë rast, më vjen ndër mend një shembull konkret. Gjatë një krize politike në Irak, në vitin 2005, po përpiqeshim që ti bindim sunnitët që të marrin pjesë në zgjedhje. Gjatë bisedimeve, një nga pleqtë e fiseve irakiane, ndërhyri dhe tha për mua:”Ne duhet ta dëgjojmë vëllain tonë Ahmedin, pasi ai flet sikur të ishte nga Bagdadi.” Ky është parimi ynë. Ne donim që Bagdadi të kthehej sërish në qendër të civilizimit. Ashtu siç duam dhe urojmë që Kairo, të shndërrohet në qendër ku formësohen dhe marrin jetë ngjarje të rëndësishme në mbarë botën. Të njëjtën gjë kemi dashur dhe uruar edhe për Damaskun, Beirutin etj… Kur flisnim me vëllezërit tanë irakianë, bisedonim sikur të ishim ne vetë nga Bagdadi. Ne kërkojmë nga vëllezërit tanë irakianë të bisedojnë me ne, sikur të ishin nga Ankaraja, apo Stambolli. Në Siri, kemi zhvilluar bisedime në nivelet më të larta përfaqësuese, me qëllim që ky vend të arrijë nivelet më të larta të mirëqenies. E njëjta gjë ka ndodhur edhe me përfaqësuesit egjiptianë dhe do të vazhdojë me vendet e tjera, pa u ndjerë aspak në siklet gjatë bisedimeve tona të sinqerta. Ne besojmë se jemi një familje e madhe, ku pjesëtarët e saj kanë një komunikim transparent dhe të hapur me njëri-tjetrin. Por mes pjesëtarëve të kësaj familjeje mund të ndodhin edhe konflikte dhe fërkime. Në raste të tilla, ne duhet të jemi të përgatitur dhe të dimë si ti zgjidhim dhe ta bëjmë familjen të shohë nga e ardhmja me shpresë dhe siguri. Të gjithë ne jemi pjesëtarë të kësaj familjeje, e cila jeton në dhoma të ndryshme, por në një shtëpi të vetme. Ne jemi përgjegjës për rregullin e dhomës tonë, por edhe për rregullin e dhomave të vëllezërve tanë, gjë e cila ndikon në stabilitetin e të gjithë shtëpisë.”
Gazetari:”Regjimi egjiptian, i cili ka pasur marrëdhënie të mira me Izraelin dhe një marrëveshje paqeje me të, tashmë ka rënë. Mesa duket, do të marrë me vete edhe regjime të tjera të rajonit. Sipas mendimit tuaj, si do të ndikojë rënia e regjimit të Mubarakut, në ruajtjen e ekuilibrave në rajon? Në veçanti, si do të ndikojë në marrëdhëniet tuaja si Turqi me Izraelin? A ka shkaktuar panik në Izrael rënia e regjimit të Mubarakut dhe a do të orvatet Izraeli të afrohet më shumë me ju? Çfarë prisni të ndodhë më tej me ekuilibrat rajonalë?”
Dautoglu:”Ne kemi një bashkëpunim të ngushtë me Egjiptin dhe vende të tjera të rajonit. Pika më e rëndësishme, është rezultati i ndryshimeve në Egjipt. Nëse në Egjipt vendoset rendi dhe garantohet stabiliteti nga ushtria, instalohet një qeveri dhe regjim demokratik pas zgjedhjeve të lira dhe të pastra, padyshim që i gjithë rajoni do të influencohet pozitivisht nga këto ndryshime. Atëherë do të kemi një dritë shprese për stabilitet dhe paqe në rajon dhe ne si Turqi do të ndihemi të lumtur nëse realizohet kjo. Kjo do i rrisë shanset për bashkëpunim më të thellë mes vendeve tona. Është e natyrshme që ky transformim do të shkaktojë probleme dhe vështirësi në Izrael, sepse çdo qeveri që jep llogari para popullit dhe kërkon miratimin e tij për të fituar zgjedhjet, padyshim që nuk mund të bëjë lëshime në kurriz të tij. Ndryshimi pozitiv në botën arabe, do e detyrojë Izraelin ti bëjë mirë llogaritë, pasi çështja e Lindjes së Mesme nuk mund të mbetet peng i obsesioneve të sigurisë së Izraelit. Vetëm popujt e Lindjes së Mesme mund ta përcaktojnë linjën drejt të ardhmes së tyre. Izraeli duhet ta pranojë bashkëjetesën me të drejta të barabarta me të gjithë popujt dhe vendet e rajonit nëse kërkon të jetë pjesë e tij. As prej Izraelit dhe as prej asnjë shteti tjetër, nuk tolerohen shqetësimet dhe frikërat nga ndryshimet që pasqyrojnë vullnetin e popujve të këtij rajoni. Izraeli mburret me kapadaillëk se është shteti i vetëm demokratik përkrah Turqisë në rajon. Bazuar në këtë, askush nuk ka përse të pretendojë se demokracia është e dobishme për Izraelin dhe e dëmshme për Egjiptin. Populli egjiptian, është si çdo popull tjetër dinjitoz në botë, thjesht kërkon të jetojë me nder dhe ballin lart. Si të gjithë popujt e tjerë të lirë, ai kërkon të jetojë në mirëqenie dhe këto kërkesa i duhen plotësuar. Ne besojmë se populli egjiptian do të ndërtojë një Egjipt të fuqishëm, ashtu siç synon populli turk të ndërtojë një Turqi të fuqishme dhe me ndikim në rajon. Ne nuk na shkon mendja të rivalizojmë Egjiptin apo ndonjë tjetër shtet mik. Ne vetëm duam fqinjësi të mirë dhe të fuqishme, me qëllim që ta rindërtojmë rajonin. Një pushtet i bazuar në vullnetin e popullit në Egjipt, do të jetë miku më i mirë për Turqinë. Ne do ti qëndrojmë popullit egjiptian dhe qeverisë përkrah në çdo hap pa kursyer asgjë që na kërkohet në këtë periudhë tranzicioni të vështirë. Ne do i ofrojmë të gjithë eksperiencën tonë dhe mundësitë, me qëllim që përvoja e popullit egjiptian të jetë e suksesshme. Një Egjipt i fuqishëm, është kriteri më i rëndësishëm për garantimin e paqes në Lindje të Mesme. Vetëm kështu ky rajon mund të kthehet në qendrën e ekonomisë botërore. Ne duam një Egjipt të fuqishëm për një Lindje të Mesme të fuqishme. Ne kemi shumë besim në aftësitë , profesionalizmin dhe eksperiencën historike të popullit egjiptian. Shoqëria egjiptiane ka përjetuar gjatë historisë së saj, ndryshimet më rrënjësore në rajon. Kur hyn në çdo rrugë të Kairos, nuk mund të mos vëresh akumulimin historik që shtrihet në disa periudha kohore. Sa herë që vizitoj Egjiptin, të cilin e dua shumë, ndjej thellësinë historike dhe civilizuese. Dashuria dhe respekti për këtë vend, është shumë e madhe pasi kam kaluar një farë kohë gjatë studimeve akademike. Në Egjipt përmblidhet e gjithë historia njerëzore që nga prehistoria. Ne duam që Egjipti të ketë zë të fuqishëm në histori, ashtu siç ka shërbyer si shtylla kurrizore e saj për shekuj me radhë. Askush nuk ka përse të shqetësohet nga zëri i Egjiptit. Turqia ndihet e lumtur kur zëri i Egjipti ngrihet lart, pasi ne shpresojmë që të ecim përbri njëri-tjetrit drejt horizonteve të reja.”
vazhdon…
…
Rating: 5.0 of 5. 2 vote(s).
