Psikologjia e hoxhes, Hasan Tahsini

Më të lexuarat

Psikologjia e hoxhes, Hasan Tahsini

S’ka shumë kohë që lexuesi ka marrë në dorë një libër shumë të vlefshëm për fillimet e studimeve shkencore në lëmë të psikologjisë, dhe po kaq të vlefshëm për çfarëdo lloj lexuesi që kërkon të pasurojë kulturën e tij në lidhje me njohjen e personaliteteve të rilindjes sonë Kombëtare.
 
Psikologjia e Hasan Tahsinit, i ofrohet lexuesit me shumë kulturë e stil prej Prof. Dr Nuri Abdiut. E veçantë në llojin e saj, jo vetëm se nxjerr në dritë një vepër të panjohur të rilindasit të madh, por ia sjell atij në formë bindëse, shkencore e tepër korrekte nga ana gjuhësore.
 
Më bindës bëhet pohimi i mësipërm kur mëson se këtë vepër e ka sjellë në gjuhën shqipe përkthyesi i shquar Vexhi Buharaja, qysh në qershor të vitit 1979.
 
Veç kësaj, autori i studimit, në vijimësi të korrektesës së tij shkencore, krahas përkthimit në gjuhën shqipe ka sjellë edhe veprën origjinale, ashtu siç është botuar në Stamboll, më 1894, në gjuhën osmane.
 
Botuesi i saj, Nadiri Fevzi, ndihet i nderuar që i jepet mundësia të botojë një vepër të tillë të një shkencëtari të shquar të kohës së vet, gjë që nuk e fsheh në parathënien që shkroi vetë. 
 
Këtu po botoj veprën Psikologjia , d. m. th veprën plot vlera që ka shkruar mbi proçeset dhe gjendjet shpirtërore të njeriut , profesori i pashoq i filizave të letërsisë dhe të filozofisë që janë rritur në lulishten e kulturës , profesori i cili ka studiuar dhe ka hulumtuar veprat e vlefshme të dijetarëve të famshëm të Lindjes e të Perëndimit, të cilat mbushin bibliotekat, i ndjeri Hasan Tahsin efendi, i cili ka qenë njëri nga filozofët e shquar të shek të XIX( XII allaturka).
 
Këtë po e bëj që fletët si smeraldi të kësaj vepre të mos zhduken nga era e rrëmbyeshme e vjeshtës…..Gjer tani nuk qe botuar ndonjë vepër mbi shkencën e psikologjisë. Prandaj këtë boshllëk e plotësoi i ndjeri i sipërpërmendur……
 
Për të gjitha këto arsye, duke u rekomanduar këtë vepër të re , atyre që kanë pasion për shkencat e diturinë, i jap ngazëllimin e shpirtit të mësuesit tim të nderuar. Suksesi dhe mbarësia vjen nga zoti. Robi i përvuajtur Nadiri Fevzi.
 
Hasan Tahsini që na dhuron “smeraldë”
 
Po kush ishte Hasan Tahsini që na dhuron “smeraldë” me veprën e tij që është bërë objekt studimi i disa brezave të dijetarëve? Veç kësaj, ajo është bërë burim i pashtershëm pikëpamjesh të ndryshme shkencore, sociologjike, filozofike e psikologjike. Hasan Tahsini,( Hasan Osman Rushiti) lindi në fshatin Ninat të Konispolit më 7 prill të vitit 1811. Osman efendiu, i ati i Tahsinit, ishte njeri i arsimuar, me kulturë të gjerë , njohës i mirë i filozofisë dhe i letërsisë islame. Ai ishte një mësues i nderuar dhe i kërkuar. Mësimet e para të birit ia dha në medresenë më të mirë të zonës, në atë të fshatit Pandalejmon dhe më pas në medresenë e Mustafa Pashë Bushatlliut në Shkodër ( 1822- 1830 ). Shkollën qytetëse dhe atë fetare e vazhdoi në Janinë, dhe më pas, vazhdoi e përfundoi me sukses studimet në Medresen “ Fatih”, një ndër më të njohurat e Stambollit. Përveç vlerësimit “shkëlqyeshëm” që mori në këtë shkollë, atij iu atribua edhe epiteti “tahsin” prej dijetarit të njohur, mësuesit të tij, Mustafa efendi Vidini, që në gjuhën shqipe përkthehet , I nderuar, I fisnikëruar, etj. Pikërisht kjo fjalë u shdërrua në mbiemrin e tij.
 
Në vitin 1857, me dekret të Sulltanit, së bashku me disa dijetarë të tjerë të zotë të kohës së tij, dërgohet në Paris, në Universitetin prestigjoz të Sorbonës për të studiuar në fakultetin e shkencave të natyrës dhe më pas të shkencave shoqërore.
 
Sipas Dervish Himës , Hasan Tahsini “…për 16 vjet shërbeu si imam në ambasadën osmane në Paris.Gjatë kësaj kohe ai studioi me seriozitet të madh shkencat dhe filozofinë e Perëndimit.”
 
Hasan Tahsini dinte bashkë me shqipen 11 gjuhë. Tre gjuhë të lindjes: arabisht,persisht, osmanisht; greqishten e re, greqishten e vjetër e latinishten I përvetësoi në Sorbonë; frëngjishten e italishten dhe sipas të dhënave më të fundit, mendohet të ketë ditur dhe anglishten e gjermanishten. Dëshmia më e mirë për këtë janë veprat “ Shkrimet e Popujve” dhe Alfabeti origjinal i tij për gjuhën shqipe. 
 
Në vitin 1869 kthehet në Stamboll dhe u emërua rektor i Universitetit , inagurimi i të cilit u bë në fillim të vitit 1870. Por në fund të po këtij viti e shkarkojnë sepse ai paraqiti në Universitet disa kumtesa publike nga fushat e astronomisë e të filozofisë, në të cilat flitej mbi hapësirën e pafund të botës së madhe dhe mbi “botën e vogël “ siç quante veprimtarimë psikike të njeriut, gjë që shkaktoi reagime të ashpra tek krerët fetarë të Stambollit. Më vonë jep mësime në një shkollë private. Biografët pohojnë se shtëpia e tij në Stamboll u shndërrua në një universitet të mirëfilltë, ku zhvillonte leksione mbi shkencat e natyrës,psikologjinë, filozofinë, mbi historinë , letërsinë, etj. ( Sipas Sejdi Kondit, Ylli i çamërisë Hasan Tahsini Tiranë 1998.) 
 
Në historinë e kulturës shqiptare të Rilindjes sonë Kombëtare, Hasan Tahsini ka hyrë si një nga figurat më të shquara të shekullit të XIX, kurse në historinë e shkencës turke, si më i larti ndër të lartët dhe, në historinë e arsimit të lartë të Turqisë, si Rektori i parë i Universitetit të Stambollit, si ligjëruesi i parë në shkencat sociale e ato natyrore. 
 
Tahsini punoi për alfabetin shqip dhe donte ta kishte të ndryshëm nga alfabetet e gjuhëve të tjera për të treguar personalitetin e popullit të tij. Tahsini qe mësues i Abdylit, Naimit e Samiut, Vaso Pashës, Jani Vretos, Ismail Qemalit e Daniel Oparakut.
 
Ai ka qenë mësues shtëpie i historianit zyrtar të famshëm osman, Hajrullah Efendi, i ati i dramaturgut e poetit me famë osmane, Abdulhak Hamit. Në Enciklopedinë turke , Hasan Tahsini cilësohet si njeriu që futi dijet e reja të Perëndimit në Perandorinë Osmane, pra edhe në Ballkan e në Shqipëri. Ai ndërroi jetë më 4 korrik 1881. Trupi i tij u vendos në varrezat e lagjes Eren Qoj në Ysqydar, në të njëjtat varreza ku do të varroseshin edhe dhe tre vëllezrit Frashëri. ( Sipas Laurant Bicës, Revista Pedagogjike, nr 2 , fq 119, 1983 ) 
 
Autori ,Prof.Dr. Nuri Abdiu, me humanizmin që e karakterizon, krejt studimin e tij, një vend të posaçëm u ka rezervuar vlerësimeve të disa studiuesve, shqiptarë e të huaj, për personalitetin e Hasan Tahsinit. Po citojmë disa prej tyre: Sami Frashëri në veprën e tij Shqipëria ç’ka qenë, ç’është dhe ç’do të bëhet, duke folur për shqiptarët , për inteligjencën, mençurinë e veçoritë etnopsikologjiketë tyre , ndër të tjera ka shkruar: “ Prej këtij populli kanë dalë shumë dijetarë, shumica e tyre janë konsideruar se u takojnë popujve të tjerëqë flasin gjuhët në të cilat ata kanë mësuar e shkruar. Shumë shqiptarë, si ali Efendi gjakova e Hasan Tahsini …janë dalluar në mes të dijetarëve, për dijet dhe mendjemprehtësinë e tyre.”
 
Në artikullin e revistës Hafta ( Java) , kushtuar ish mësuesit të tij Hasan Tahsini, ka shkruar; “ nuk është një vlerësim i tepruar që të thuashse midis nesh ai ishte me të vërtetë një erudit, ishte më i larti ndër të lartët…” 
 
Jani Vretoja, duke folur për nevojën e hartimit dhe të përdorimit të një alfabeti të vetëm të përbashkët të gjuhës shqipe ëhtë shprehur se këtë nevojë e ndjenë në vitin 1867 njerëz të shquar të kombit tonë si Mustafa Pasha…..Sulejman Pasha e Seit Beu …Rustem Pasha…..Kristaq Efendiu..Pashko Vasa …si dhe ligjëruesi Hasan Tahsini prej Filati, njeri me kulturë arabe, persiane, turke dhe franceze dhe Konstadin Kristoforidhi..”
 
Sipas Dr . Ramiz Zeka, në librin e tij Hoxhë Hasan Tahsini – Reformator i madh islamik “ Hasan Tahsini ishte filozof , enciklopedist i madh i shekullit XIX dhe kishte një kulturë aq të gjerë , saqë studionte me kompetencë në fusha të ndryshme, që nga logaritmet e deri tek astronomia. Ai njihte thellë filozofinë e iluministëve francezë, zotëronte teorinë e Dekartit etj , prandaj Sami Frashëri, me të drejtë e quante Ibni Sina i shekullit të XIX” 
 
Turkologu i shquar rus i fundit të shekullit të XIX, V.D. Smirnov, që pati bërë një vizitë në Stamboll, më 1875, në njërën nga veprat e tij titulluar “ Oçerk istorii tureckoj literaturi” ( Vështrim i historisë së literaturës turke) botuar në Petrograd më 1891, ka shkruar dhe për dijetarin tonë. Ai e ka vlerësuar Tahsinin si shkencëtar të madh, madje duke e quajtur” Lomonosovi i Turqisë”, duke e krahasuar kështu me shkencëtarin enciklopedist rus me famë botërore, emrin e të cilit mban Universiteti Shtetëror i Moskës, i themeluar në vitin 1775.
 
Ende pa u shkarkuar nga posti i Rektorit të Universitetit të Stambollit, shteti francez i propozoi postin e Rektorit të Universitetit të Bordosë. Hasan Tahsini këtij propozimi i dha një përgjigje dinjitoze “ …Mua më ka dërguar për studime shteti osman dhe unë kam detyrime ndaj tij, prandaj do t’i shërbej atij deri në fund…”
 
Tahsini kaloi një pjesë të jetës në perëndimdhe e përfundoi të në lindje, në Stamboll. 
 
Ky botim ka shumë vlera, jo vetëm shkencore por edhe njohëse , e mbi të gjitha është modeli i studimit serioz, jovetëm nga prurjet , por edhe nga struktura e organizimit të tij, që i ngjan një arkitekture solide që koha nuk do ta vjetërojë. 
 
Pjesë e dobisë së këtij botimi bëhen edhe dy shkrimet shoqëruese; njëri në vend të parathënies,prej Prof. Dr. Vehbi Hotit,ndërsa tjetri një pasthënie elegante e Dr. Laurant Bica, një tahsinian pasionant.
 
Sipas të parit: “ Monografia përfaqëson një studim serioz, të thelluar e tërësortë Psikogjisë së Hasan Tahsinit dhe përbën një ndihmesë të shquar, vetiake të autorit në studimet tona historiko- psikologjike. Ajo mbart vlera të shumanshme……përbën një apel për intelektualët shqiptarë, për rininë tonë që të rendin pas dijes, pas shkencës, pas së vërtetës, me guxim e vetëmohim, për t’i vënë ato në shërbim të atdheut, të shoqërisë, synimeve e përpjekjevepër demokratizimin dhe europianizimin e Shqipërisë. “
 
Sipas Dr. Laurant Bicës, kjo vepër është shenjë e respektit të tij( Prof. Dr. Nuri Abdiut) për këtë figurë të ndritur të kombit tonë….Ashtu si etnografi Prof. Dr. Mark Tirta e konsideron Hasan Tahsinin si “ i pari që flet për mbledhjen e objekteveetnografike e krijimin e muzeut antropologjik ( etnografik) shqiptar” apo si “babain”e etnografisë shqiptare edhe Prof. Nuri Abdiu e vlerëson po lart Hasan Tahsinin me Psikologjinë e tij si personaliteti me të cilin ze fill psikologjia e historia e psikologjisë shqiptare, bashkë me të dhe historia e psikologjisë turkoane, në gjysmën e dytë të shekullit të XIX.
 
Me krenarinë dhe optimizmin që na mbush vepra e Hasan Tahsinit, do të preferoja ta mbyllja këtë shkrim me krahasimin e merituar që i është bërë prej studiuesve të tij: Hasan Tahsini është një Sokrat shqiptar. Në dallim nga Sokrati grek I lashtësisë, që nuk la asnjë vepër, Tahsini ynë na la disa vepra. Ai na la dy nxënës “të hajrit” Naim e Sami Frashërin, që nën shembullin e tij u bënë maja të Rilindjes Shqiptare dhe një Namik Qemal e të tjerë, që u bënë maja të Rilindjes Osmane.
 
Tema

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit