Nga: Dr Halid Tarauli
Israja dhe Miraxhi, sistem vlerash dhe moralesh
Këto ditë, vendet myslimane, e në veçanti ato arabe, po kalojnë një periudhë të veçantë dhe delikate, e cila ka të bëjë me ndërtimin e një të ardhmeje të re, në nivel kombëtar por dhe civilizues. Kësaj situate, herë pas here, i bashkëngjiten rreze drite dhe puhiza pranverore, me burim nga thellësitë e historisë. Ato u kujtojnë vitet e largëta, u kujtojnë se janë bij civilizimi, se nata sado të zgjasë dhe sado e errët të jetë, do të pasohet nga agimi dhe rrezet e diellit, se shkretëtira sado e pafund të na duket, pasohet nga bahçe dhe lumenj të rrjedhshëm.
Përvjetori i Israsë dhe Miraxhit, në këtë vit, e gjen umetin mysliman, në një proces të ngjashëm me atë të një lindjeje. Israja dhe Miraxhi u kujton atyre parimet e shëndosha mbi të cilat ngrihet civilizimi, u kujton lidhjet e tokës me qiellin, nwpwrmjet sistemit të vlerave dhe moraleve.
Marrëdhënia horizontale që ndërton Israja mes tokës dhe skajeve të saj, përforcon parimin e shtrirjes simbolike të mesazhit të mirësisë, komunikimit dhe paqes. Profeti Muhamed a.s nuk vajti në Kuds (Jerusalem) i shoqëruar nga engjëjt, për të mbjellë panik mes banorëve të këtij qyteti, për të derdhur gjakun e tyre dhe për ti detyruar të konvertohen në myslimanë.
Israja, udhëtimi i tij i kësaj nate, ishte një takim mes të gjithë profetëve, në prezencën e vulës dhe profetit të fundit. Ai ishte një takim mes liderëve të njëjtës fe. Ai ishte një sinjal simbolik i takimit të gjitha racave, kombeve dhe kulturave.
Israja ishte një sinjal i fillimit të ndërtimit të themeleve të kësaj feje, fesë së komunikimit, takimit dhe paqes. Ajo ishte një shtrirje e të njëjtit burim mirësie, nga i cili ishin vaditur popujt e mëparshëm pasi kishin adaptuar ligjërimin e profetëve dhe reformatorëve të tyre. Islami, nuk përcolli në tokën e bekuar të Palestinës mesazhin e armiqësisë, dhunës dhe zaptimit. Ai nuk u tha banorëve se kemi ardhur si popull pa tokë, në një tokë pa popull. Nuk u tha se u sollëm një profet tek një tokë pa profetë. Në fakt, islami i respektoi profetët e kaluar dhe e konsideron veten si një pjesë e strukturës kolektive, e cila është formuar dhe qëndisur përgjatë historisë dhe gjeografisë së popujve të mëparshëm dhe të atyre të mëvonshëm. Ai ishte model për ithtarët e tij, para se të jetë model për ithtarët e feve të tjera, ishte paqe për veten, para se të jetë për të tjerët.
Marrëdhënia vertikale që ndërton Miraxhi mes qiellit dhe tokës, i kujton umetit se mes krijesës dhe Krijuesit, ekziston një lidhje e fuqishme, e cila mbahet gjallë dhe ushqehet nëpërmjet pesë namazeve në ditë.
Kjo lidhje i kujton njeriut se shpëtimi i tij në tokë, është i varur nga raportet e tij të mira me qiellin dhe se ekzistenca e tij mbi tokë pa këtë udhëzim hyjnor, i shkakton shumë kokëçarje dhe disfata.
Ngjarja e Miraxhit konfirmoi një parim të ri për çfarëdo suksesi në këtë jetë, apo shpëtimi në jetën tjetër. Thënë ndryshe, me parametrat e sotëm, dëshmia civilizuese e njeriut konsiston tek umeti i tij, ajo e umetit konsiston tek individët e tij, tek vatani, qytetet, fshatrat dhe lagjet, të cilat nuk mund të jenë të shëndoshë, në proces ripërtëritje dhe kreativ, veçse duke iu përmbajtur dimensionit shpirtëror, moral dhe vleror, përgjatë gjithë linjës së civilizimit, progresit dhe qytetërimit, gjë e cila përfaqëson rrugën drejt Zotit.
Ky dimension shpirtëror, moral dhe vleror dhe kjo marrëdhënie kaq e ngushtë mes qiellit e tokës, përbën bazën e strukturës së shëndetshme të fenomenit human, me të gjithë dimensionet shpirtërore, kulturore, politike, sociale dhe ekonomike. Çdo ngrehinë dhe strukturë që nuk e merr parasysh këtë dimension, do të jetë e çalë në teori dhe dritëshkurtër në vizion, e për rrjedhojë sakate edhe në praktikë.
Dikur, i humbëm moralet dhe vlerat tona në politikë, e këputëm litarin shpirtëror që lidhte qiellin me tokën tonë, e injoruam një kapitull të tërë në Kuran, i cili mban emrin “Konsulta”, na dolën juristë që këndonin se konsulta nuk është e detyrueshme, këngë që vazhdojnë të këndohen sot e kësaj dite duke shpuar veshët tanë. Asokohe, u shndërruan në diktatorë pushtetarët tanë, injoruan të drejtat e popujve, madje i shtypën dhunshëm ata, umetit iu imponua një histori dhe gjeografi e ngushtë, iu imponua një interpretim as moral dhe as shpirtëror i konceptit të konsultimit. Pushtetarët tanë filluan të trashëgojnë pushtetin, siç trashëgonin shtëpinë dhe pronat e tyre.
Popujt mbyllën gojën dhe pwrulwn, sa nga frika dhe sa nga servilizmi. Mandej, kur u kujtuan, e kishin të pamundur ta drejtojnë shpinën, pas asaj kohe të gjatë përulje. Ishte, sikur të mos e kishin shijuar kurrë qëndrimin drejt. Lindën breza të tërë të përulur, me kurriz të thyer. Siç lindnin, ashtu rinoheshin, plakeshin, thinjeshin, vdisnin dhe hynin në varr, të përulur dhe të nënshtruar, pa e parë qiellin. Derisa më në fund, xhindi erdhi në vete, u zgjua nga koma edhe pse kishin kaluar shekuj.
Humbën moralet dhe vlerat, në shtëpi para se të humbin rrugëve. Gratë tona morën dozën më të rëndë të padrejtësisë dhe errësirës në mbarë historinë tonë. Një gjini e tërë u nxor në mënyrë të paturpshme nga historia dhe u kufizua vetëm në një metër katror vend, në atë gjeografi të trishtw dhe të errët. Gratë u rrethuan në qoshet e shtëpive, për të mos thënë dhomave. Gjysma e shoqërisë ishte e vdekur, kurse gjysma tjetër e paralizuar. I sëmuri dhe i ligshti, dëshironte të shërohej, edhe pse mbante damkën e një të vdekuri.
Miraxhi i qytetërimit, nuk do të jetë i saktë dhe i shëndoshë, nëse nuk mbështetet me këtë dimension shpirtëror, moral dhe vleror, në çdo lëvizje tonën, në çdo stacion që na ngre lart drejt lirisë, drejt Zotit.
Neve dhe fëmijët tanë nuk do e shijojnë as një thërrmijë civilizimin e pretenduar, ndërkohë që vrasjet, terrorizmi, dhuna dhe padrejtësia, tronditin themelet e shtëpisë. Nuk do ta kuptojmë dot mesazhin civilizues të Miraxhit, nëse nuk kuptojmë se ndërtimi i civilizimit nuk bëhet me kaos dhe urrejtje, as me duart të dyshimta të lyera me padrejtësi dhe gjak, as me duar që janë të lidhur me axhenda të liga, as me grupacione jetime që veten e shohin të shpëtuar, kurse gjithë të tjerët në zjarr!
Civilizimi është Isra, udhëtim, i këtij njeriu të humbur, zemërthyer dhe të dëshpëruar, drejt njeriut të ndershëm dhe reformator. Civilizimi është Miraxh, ngjitje drejt lartësisë, e këtij njeriu të shëndetshëm, i cili në konstruktin e tij mban elementët shpirtëror, materialë, vlerorë dhe moralë. Ky ishte njëri nga mesazhet e Israsë dhe Miraxhit, që i drejtohen njeriut individ, njeriut komunitet, komb dhe umet. Ky mesazh, mbetet mesazh i drejtësisë, lirisë, kreativitetit dhe mirësisë.
Përktheu: Elmaz Fida
…
