8.6 C
Pristina
Friday, January 24, 2025

Vlerat e Egjiptit në historinë islame

Më të lexuarat

Nga: Dr Muhamed Amare

Vlerat e Egjiptit në historinë islame

Që kur depërtoi islami në Egjipt, ky vend përjetoi kohën e rilindjes dhe rigjallërimit, pas shtypjes greko romake e cila zgjati për dhjetë shekuj, që nga Aleksandri i madh në shekullin e katërt p.e.s, e deri tek Hirakliu në shekullin e shtatë të erës tonë.  Islami i ktheu jetën këtij vendi dhe e vendosi sërish në linjën e civilizimit, duke e vënë në krye të lidershipit të botës islame. Egjipti, nga ana e tij, i dha mendimit dhe civilizimit islam një shtysë dhe kontribut të vyer, duke e lidhur me të shkuarën e tij civilizuese të lashtë. Tashmë, ky vend posedonte lavdinë fetare dhe civilizuese.
Në këtë tokë, profetit Idris a.s iu besua misioni i monoteizmit (teuhidi), në këtë tokë ai u mësoi njerëzve shkencat e jetës dhe civilizimin. Në këtë tokë janë ngritur flamujt e teuhidit, që solli vula e profetëve, Muhamed mustafaja.
Për pozitën e rëndësishme që zë Egjipti në historinë dhe civilizimin islam, figurat më të rëndësishme historike, i kanë kushtuar vëmendje të madhe këtij vendi, duke sjellë për lexuesit vlerat e kësaj toke, vlera të cilat nuk gjenden në vende të tjera. Ndër këto historianë, mund të përmendim Makrizin dhe shumë të tjerë.
Vetë Kurani fisnik i ka kushtuar një hapësirë jo të vogël Egjiptit, në 25 ajete të ndryshme, ndër të cilat mund të citojmë:
“Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: “Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin!” (Junus, 87)
“Hyni në Egjipt! Me lejen e Allahut, ju do të jeni të sigurt prej çdo të keqeje”. (Jusuf, 99)
Një njeri nga Egjipti që e bleu, i tha gruas së vet: “Bëja të këndshëm qëndrimin këtu. Ndoshta do të na shërbejë ose do ta birësojmë!” (Jusuf, 21)
Dhe Faraoni i thërriste popullit të vet: “O populli im! Vallë, a nuk më përket mua sundimi i Egjiptit dhe i këtyre lumenjve që rrjedhin pranë meje? A nuk shihni?” (Zuhruf, 51)
Edhe para se të depërtojë islami në tokën egjiptiane, përgjigja e tyre për mesazhin që u dërgoi profeti Muhamed a.s nëpërmjet Hatib ibnu Ebi Beltea, ishte pozitive. Mes Hatib ibnu Ebi Belta dhe Mukaukisit, mbretit të Egjiptit, u zhvillua një bisedë, në të cilën u diskutuan parimet kryesore të Islamit, i cili e refuzon diktaturën faranike, i njeh profetët  dhe librat e shenjtë të parakaluar dhe që është në vetvete një përmbledhje e tyre, besimi në të cilin përbën një ngritje në shkallë tek besimi në Zotin një dhe të vetëm. I dërguari mysliman i sqaroi mbretit vendas se Islami nuk i mohon ligjet e profetëve të mëparshëm. Ai i tha:”Para teje, mbret i këtij vendi ka qenë dikush që pretendonte se ishte zoti sublim, atë e ndëshkoi Zoti dhe e  bëri mësim për të tjerët. Prandaj, le të shërbejë si mësim edhe për ty. Ti i beson një feje dhe nuk ke përse heq dorë prej saj, veççse nëse bëhet fjalë për një fe më të mirë, e cila është islami, fe të garantuar nga vetë Zoti. Sihariqi që solli Musai a.s për Isain a.s, ishte si sihariqi i Isait a.s për Muhamedin a.s. Ftesa që të bëjmë ne për të pranuar Kuranin, është e njëjtë me ftesën që u bëni ju hebrenjve për të përqafuar Ungjillin. Ne nuk po ta ndalojmë fenë e Jezusit, madje po të kërkojmë ta ndjekësh atë.”
Pikërisht për vlerat e këtij vendi, ishin edhe parashikimet e sakta të profetit islam, se banorët e tij do ta përqafojnë fenë islame. Për këtë, ai i porosiste dhe këshillonte myslimanët që ti trajtojnë me dinjitet egjiptianët, të cilët do të kenë kontribut të vyer në histori, duke u shndërruar në lidershipin e botës islame dhe mbrojtësit e saj.
Në një nga këto porosi profetike, Profeti a.s thotë:”Pas meje, ju do e merrni Egjiptin, prandaj dhe u këshilloj që të silleni mirë me koptët. Me ta keni lidhje krushqie dhe bese.”
Transmeton imam Muslimi, se Profeti a.s ka thënë:”Zoti do u mundësojë ta merrni Egjiptin, prandaj silluni mirë me banorët e tij, pasi janë në besën tuaj dhe me ta u bashkojnë lidhje miqësie.”
Nga toka e Egjiptit lindi Ismaili, djali i babait të profetëve, Ibrahimit a.s. Nga Egjipti është Maria kopte, e cila i lindi profetit Muhamed a.s djalin e tij, të cilit i vuri emrin e babait të profetëve, Ibrahim. Historianët myslimanë e theksojnë këtë fakt dhe thonë se myslimanët kanë lidhje krushqie me egjiptianët, nga nëna e tyre Maria, nëna e Ibrahimit, djalit të profetit Muhamed a.s. Gratë e Profetit a.s konsiderohen si nënat e besimtarëve, kështu i bie që koptët të jenë dajat e arabëve dhe myslimanëve. Gjithashtu, vetë arabët kanë prejardhje nga Egjipti për shkak të Haxheres, nënës së Ismailit a.s, i cili konsiderohet si babai i arabëve.
Profeti Muhamed a.s pati profetizuar se egjiptianët, përgjatë historisë së Islamit, do të përbëjnë forcën mbrojtëse të territoreve islame, përballë sulmeve dhe sfidave të shumta. Në një hadith, Profeti a.s thotë:”Nëse Zoti do ua mundësojë marrjen e Egjiptit, rekrutoni prej tyre shumë ushtarë, pasi ata janë ushtarët më të mirë mbi tokë.” Kur dëgjoi këto fjalë Ebu Bekri, pyeti me kureshtje:”E përse kjo o i dërguar i Zotit?” Profeti a.s u përgjigj:”Sepse qëndrojnë në vijë të frontit gjer Ditën e Kiametit.”
Vetë historia e vërtetoi këtë parashikim profetik. Ishin ushtarët që dolën nga Egjipti ata që i thyen kryqtarët dhe e ççliruan Kudsin (Jerusalemin) nga dhuna kryqtare. Ishin ushtarët që dolën nga Egjipti ata që thyen vrullin e mongolëve në Ajn Xhalut, vitin 1260, duke e shpëtuar civilizimin islam nga rrënimi total dhe duke ruajtur territoret islame. Ishin ushtarët që dolën nga Egjipti – në vitin 1504 – ata që luftuan pararojat ushtarake të kryqëzatave të reja në brigjet e Indisë myslimane. Ata u ndeshën me portugezët të cilët e kishin rrethuar botën islame, si parapërgatitje për t’iu hedhur në zemër më pas dhe për të pushtuar sërish Kudsin, Jerusalemin.
Egjipti dhe ushtarët e tij përfaqësojnë lidershipin e lëvizjeve për çlirim kombëtar në epokën moderne, si dhe forcën në frontin për çlirimin e Kudsit nga pushtuesi sionist.
Nëse myslimanët e morën Shamin, Irakun dhe Persinë brenda një viti, marrja e Egjiptit zgjati pesë vite, pasi bizantët e kishin shndërruar atë në kryeqytetin e tyre në lindje të mesme. Egjipti ishte shndërruar në kalanë e fundit të tyre për ta vazhduar kolonializmin e tyre të lindjes i cili kishte dhjetë shekuj që zgjaste. Vetë Herakliu qe shprehur:”Nëse bie Aleksandrie, bizantët e kanë të humbur pushtetin në këtë rajon.”
Në marrjen e Egjiptit, kanë marrë pjesë një sërë figurash të ndritura nga shokët e profetit Muhamed a.s, mbi njëqind syresh.
Në librat që flasin për vlerat e Egjiptit, përmendet dhe lutja e profetit Nuh a.s për këtë vend, i cili mori emrin e nipit të tij, pas tufanit përmbytës. Në këtë dua për nipin e tij, Nuhu a.s u lut:”O Zot, lejoje të banojë në këtë tokë të bekuar, tokë të sigurisë dhe mirëqenies për njerëzit. Lumi i kësaj toke është lumi më i mirë në botë, prandaj derdhi mirësitë e Tua mbi të!”
Amr ibnul As, e pati përshkruar këtë vend të sigurt, me fjalët:”Vilajeti i Egjiptit është përmbledhës dhe konsiderohet si kalifat më vete.”
Kurse djali i tij Abdullahu, i përshkruan banorët e Egjiptit me fjalët:”Janë njerëzit më bujarë, më tolerantët, më të mirët, më të afërmit me arabët e sidomos me kurejshët. Kush dëshiron të shohë Firdeusin, le të shohë Egjiptin kur lulëzon dhe gjelbërohet në pranverë, kur lulet mbushin pemët dhe zogjtë cicërojnë ngado.”
Sakaq, sahabi tjetër, Kab El-ahbar, thotë:”Unë e dua Egjiptin dhe i dua njerëzit e tij, sepse njerëzit e këtij vendi janë plot mirësi. Kush i dëshiron të ligën këtij vendi, Zoti e poshtëroftë!”
Kështu, shohim që Egjipti gëzon një status të privilegjuar në Kuran dhe në traditën profetike, gjë e cila çoi në konsiderimin e vlerave të tij, si një nga artet e tjera të historisë islame. /ardhmeriaonline/
 
Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit