1.1 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Zgjimi i aftësive | Ekonomia Islame

Më të lexuarat

Zgjimi i aftësive fillimisht përbën vetëdijen, njohjen dhe perceptimin. Prandaj, fillo me njohjen dhe perceptimin, dhe mëso se kush je ti, pastaj pranoje veten ashtu siç je, sepse pranimi i vetvetes është pjesë e vetëvlerësimit… Duhet që ti patjetër ta pranosh vetveten.

Vetëvlerësimi përbëhet nga tri gjëra:

– Pranimi…Ta pranosh veten ashtu siç je. Vlerësimi… Ta vlerësosh veten, t’i vlerësosh përvojat, mendimet dhe eksperiencat e tua.

Ta duash vetveten… Përderisa ti e do Zotin, duhet ta duash dhuratën e Tij ashtu siç është, pra ta duash veten tënde ashtu siç je, ta pranosh vetveten… pamjen tënde… ngjyrën… gjatësinë… gjerësinë tënde… të pranosh babanë dhe nënën tënde, ta pranosh emrin tënd tërësisht ashtu siç është. Nëse ky pranim dhe vlerësim do të mungojë, atëherë do të kemi të bëjmë me dobësi të imazhit vetjak, dobësi në vetërealizim, dhe dobësi në vetëvlerësim.

Menjëherë pas vetëdijes dhe njohjes, duhet të vijë pranimi i vetvetes, dhe të kesh të qartë se ti je krijesa më e mirë te Zoti. Ti duhet të bësh ndarjen mes vetes tënde, dhe sjelljeve të tua. Duhet ta pranosh vetveten, jo për shkak të gjatësisë që ke, gjerësisë, apo i biri i kujt je, por për shkak se ti je krijesa më e mirë tek Zoti. Zoti i ka nënshtruar për ty qiejt dhe tokën, dhe gjithçka që gjendet mes tyre. Ndodh të gjesh një person të deformuar fizikisht, për shembull, por që është shumë inteligjent… ose ndoshta gjen një person invalid, por i cili ka arritur të kalojë kanalin e La Mansh me not, siç ishte Halid Hasan, dhe Mustafa Halil. Madje, kemi invaliden tjetër, Xhimala Bajdani, e cila mbështet financiarisht 1200 invalide si ajo.

Ky pranim i vetvetes, konsiderohet një faktor që të shtyn përpara, sepse kështu ti i largon komplekset psikologjike nga vetvetja. E nëse dikush të përqesh ngaqë je i gjatë, ose i shkurtër, ose i trashë, apo i hollë ose të përqesh për shkak të emrit tënd, apo të prindërve të tu, ose për shkak të familjes tënde, e të tjerë, asgjë nga këto nuk duhet të ndikojë në asnjë mënyrë tek ti, por duhet t’i thuash vetes: Do të ndryshoj atë që mund të ndryshohet, ndërsa çfarë nuk mund ta ndryshoj, do ta lë dhe do ta pranoj ashtu siç është.

Për këtë, kemi një shprehje shumë të bukur që thotë: “O Zot! Më ndihmo të ndryshoj çfarë mund ta ndryshoj, dhe ta pranoj çfarë nuk mund të ndryshoj, dhe më ndihmo të di ta bëj dallimin mes këtyre të dyjave.”

Unë kisha një shok, i cili kishte një zyrë avokatie në Montreal. Në këtë zyrë punonin 32 avokatë; pastaj sollën dhjetë sekretare, të cilave u sollën kompjuterët më modernë të mundshëm të kohës, kompjuterë të cilët kishin aftësitë më të mira. Pastaj, ato sekretare i trajnuan sesi t’i përdornin këta kompjuterë modernë, dhe trajnimi i tyre zgjati 6 muaj të plotë. Pas trajnimit, ato sekretare u kërkuan që të punonin në shumë fusha të biznesit, dhe që aty filluan të ngrihen në detyrë, duke filluar kështu ta lënë punën si sekretare njëra pas tjetrës, derisa të gjitha ato e lanë punën si sekretare. Më pas sollën sekretare të reja, por që nuk patën kohë t’i trajnonin siç duhet, kështu që ato e përdornin kompjuterin thjesht si makinë shkrimi. Ngaqë nuk e kishin edukimin e duhur, ato nuk arrinin ta kuptonin mundësitë e këtij aparati, prandaj e përdornin thjesht si makinë shkrimi.

Prej shumë vitesh, pata takuar një burrë i cili më tha: “O biri im! Ti na thua shumë gjëra, por kjo botë është vetëm një fjalë “Perceptimi!”.

Pas kësaj, unë bëra një kërkim rreth kësaj fjale, rreth fjalës “Perceptim”, kërkim i cili zgjati rreth tri vjet, dhe zbulova se me të vërtetë, pa perceptimin nuk mund të ndodhë asnjë ndryshim. Nëse ti nuk arrin ta perceptosh se ha shumë, ti do të vazhdosh të hash shumë; nëse nuk arrin ta perceptosh se nervozohesh shpejt, ti nuk do të ndryshosh; nëse nuk arrin ta perceptosh se ti nuk i përdor aftësitë e tua, ti nuk do t’i përdorësh me të vërtetë ato, dhe nëse nuk e koncepton se duhanpirja është e rrezikshme shëndetin tënd, ti nuk do të heqësh dorë prej saj. Perceptimi është gjithçka, prandaj unë zbulova një gjë shumë të rëndësishme, që thotë: Perceptimi është fillimi i ndryshimit, ndryshimi është fillimi i zhvillimit, dhe zhvillimi është fillimi i përparimit… i progresit. Pa perceptimin nuk do të ndodhë asnjë progres, dhe nëse ti nuk arrin t’i perceptosh aftësitë e tua, ti nuk do t’i përdorësh ato. Ti duhet pa tjetër ta perceptosh se Zoti të ka dhënë aftësi të pakufishme, që duhet t’i vësh në përdorim. Është e natyrshme që përpara nesh do të ketë sfida, sepse nga sfidat ne mësojmë dhe rritemi.

Madje, nëse njeriu e arrin suksesin me lehtësi dhe pa u përballur me sfida, në përgjithësi, ai bie në depresion. Këtë e kanë vërtetuar shkencëtarët në Universitetin e Harvardit, të cilët zbuluan se nëse njeriu e kalon të gjithë kohën vetëm me argëtime, ai patjetër do të bjerë në depresion.

Nëse kërkon një argument për këtë, shiko të pasurit e botës, ata të cilët nuk janë lodhur për ta mbledhur pasurinë që zotërojnë, dhe do të zbulosh se 92% e tyre vuajnë nga depresioni. Kjo sepse ata nuk kanë fituar asnjë eksperiencë apo përvojë, nuk kanë mësuar asgjë, dhe nuk janë lodhur aspak për ta fituar këtë pasuri. Siç thotë poeti arab, Mutenebi:

“Sipas përkushtimit fitohen lartësitë, dhe kush kërkon lartësitë kalon net pa gjumë, e kush i kërkon lartësitë pa u munduar, e humbet jetën nën hijen e së pamundurës.”

E kam fjalën për ata të pasur të cilët pasurinë e tyre e kanë të trashëguar nga nëna ose babai, dhe që nuk janë lodhur për ta fituar atë. Këta lloj të pasurish, nuk janë rrëzuar që të ngrihen pastaj edhe një herë tjetër, dhe si rrjedhojë, ata nuk e kanë arritjen personale e cila e forcon njeriun. Prandaj, përfundimi i pashmangshëm për këta, është prekja nga depresioni.

Nëse e humbet kohën dhe pret që fati të vijë tek ti në shtëpinë tënde, ta dish se ai nuk do vijë kurrë. Unë ta siguroj këtë! Për ata të cilët e kanë arritur vetë çdo gjë në jetë, ti mund të thuash se “Pse pikërisht ata njerëz paskan qenë me fat?”, dhe unë të them që “Ata janë me fat sepse kur rrëzohen, ata mund të ngrihen edhe njëherë tjetër, dhe Zoti thotë: “Ne nuk ia humbasin shpërblimin atij që bën punë të mirë”. Ata persona të suksesshëm e dinë mirë këtë gjë, dhe për këtë arsye mund të quhen me fat, sepse ata janë njerëz pozitivë. Përderisa ata janë pozitivë, fati tër hiqet prej tyre, dhe ata tërhiqen tek ai.

Prandaj, mendoni mirë, që ta gjeni të mirën!…

Zoti thotë: “Lexo!”… Kjo fjalë, është fjala e parë e ajetit të parë, të zbritur në Kuran, dhe është një urdhër i drejtpërdrejtë. Vallë, pse të ketë qenë pikërisht kjo fjalë, fjala e parë e zbritur nga Kurani? Sepse Zoti kërkon nga ti që ta vësh në përdorim aftësinë e mendjes tënde.

Fjala “Mendoni mirë!”, është një urdhër i drejtpërdrejtë, i vazhdueshëm në kohë, që nxit për të menduar mirë në vazhdimësi. Pra, mirësia është mjeti. Pastaj, cili është rezultati? Rezultati është …që ta gjeni.”… që do të thotë se kur mendon pozitivisht për diçka, ti do ta gjesh atë, dhe kjo veti është një nga ligjet e aktiviteteve të subkoshiencës, i cili thotë: “Çfarëdo që ti mendon, ai mendim zgjerohet dhe shpërndahet, pastaj edhe drejt teje vjen nga i njëjti lloj.”

Kur ti mendon me pozitivitet, pra mendon mirë, drejt teje do të vijnë nga i njëjti lloj. Shprehja “Mendoni mirë, që ta gjeni!” është një shprehje që hyn në Ligjin e Tërheqjes, në Ligjin e Kthimit, dhe në Ligjin e Aspekteve të Mendimeve. Zoti i bën këto ligje të tërhiqen drejt teje.

Zoti i thotë gjësë: “Bëhu!” dhe ajo bëhet. Pra ndaj, ti duhet t’i bindesh Zotit, të jesh i sinqertë me Të, ta duash, dhe të jesh besnik plotësisht ndaj Tij, e atëherë Zoti do të të japë ty gjithë çfarë ti e dëshiron. Duhet t’i afrohesh Zotit, t’i duash njerëzit, t’ua japësh atyre dorën e ndihmës, dhe nëpërmjet këtyre veprimeve, të afrohesh te Zoti jot, sepse Ai thotë që: “Ne nuk e humbasin shpërblimin e atij që bën mirë” dhe thotë: “Përgëzoji të duruarit!” Pra, të gjitha këto duhet t’i kesh parasysh!

Tani erdhi koha të thuash:

“O Zot! Unë e pranoj veten time kështu siç jam.”

Kur shikojmë tre vëllezërit Wright, që menduan të prodhonin një mjet fluturues, mrekullohemi. Ata patën thënë se “Do të vijë dita që ne do të mund të ndërtojmë mjetin fluturues”, në një kohë që s’kishte asnjë lloj mjeti që fluturon.

Ata filluan të punojnë për idenë e tyre inovative, dhe ndërsa përpiqeshin, shumë njerëz mendonin se këta ishin duke bërë diçka të paarritshme, dhe se këta ishin thjeshtë të çmendur.

Pas përpjekjeve të njëpasnjëshme, ata arritën vërtetë të krijonin aeroplanin e parë në botë, pavarësisht gjithë asaj që thuhej për ta.

Si rezultat i punës së tyre, i besimit të tyre në vetvete dhe i këmbënguljes në idenë e tyre, sot njerëzit qëndrojnë të rreshtuar duke pritur radhën për të udhëtuar me anë të atyre aeroplanëve që ata vëllezër patën shpikur dikur.

A nuk mendon tani se ka ardhur koha që t’i zgjosh aftësitë e tua, të përqendrohesh në qëllimin tënd, dhe t’ia japësh Zotit mendimin tënd?

Pra, gjëja e parë është “perceptimi”… t’i perceptosh aftësitë e tua të pakufishme. Më pas radhën e ka hapi tjetër, që është “ta pranosh vetveten tënde”, sado që njerëzit mund të të përqeshin. Kujtoji mirë këto fjalë dhe thuaji vetes tënde: “Ti je krijesa më e mirë te Zoti.”

Një proverb anglez thotë: “Goditja e cila nuk më vret, më forcon.”

Asnjë njeri në botë nuk mund të ndikojë tek ti pa lejen tënde, dhe s’ka njeri në botë që mund të të bëjë të marrësh një ndjesi, pa lejen tënde. Çdo faktor i jashtëm që ndikon tek ti, në fakt, ndikon vetëm prej lejes qe ti vetë ia jep. Je ti ai i cili mendon në atë mënyrë, dhe bën që ajo gjë të ndikojë tek ti, dhe je ti ai i cili ia vë dikujt ndjesitë e tua, dhe ia vë reagimin tënd. Shkëpute veten plotësisht nga bota e jashtme, pastaj eja mes nesh dhe lidhu me ne, duke qenë në formën më të përkryer! Nëse arrin ta bësh këtë, të jesh i sigurt se ai i cili tallej me ty, do të vij tek ti dhe do të të qëndrojë nga pas, derisa t’ia kryesh nevojën që ai ka. Ky është ligji që ekziston në Univers. Çdo person që ka aftësi dhe objektiva, vrapon për t’i realizuar ato.

Roger Banister, kur ishte student, ai i tha shokëve të tij: “A e dini se njeriu mund ta kalojë një milje në vetëm 4 minuta?” Ata shikuan njëri- tjetrin dhe filluan të tallen me të, duke i thënë: “As trupi i njeriut nuk është në gjendje ta kalojë me vrap një milje ne 4 minuta, dhe as truri i njeriut nuk është në gjendje ta perceptojë këtë.”

Por ai nuk e humbi kohën duke folur, por vazhdoi punën.

Ai i la fjalët për ata që nuk lëviznin, e la dështimin për dështakët, ndërsa vetë u vu në lëvizje, dhe vërtetë arriti ta kalonte me vrapim 1 milje në 4 minuta. Ata i thanë “Përsërite, përsërite!”, dhe ai e përsëriti 14 herë atë distancë vrapimi. Për shkak të aftësive të tij, ai e theu besimin e tyre, dhe në të njëjtin vit këtë rezultat e arritën edhe 16 persona të tjerë.

Ndërsa tani, 32 mijë studentë janë bërë mjeshtër në këtë gjë, dhe shkaku për këtë është se një person arriti ta merrte këtë vendim, e pranoi vetveten dhe aftësitë e tij të pakufizuara, dhe i vuri në punë ato. Nëse ky student do të kishte dëgjuar fjalët e njerëzve që i thoshin se kjo gjë nuk mund të arrihej, dhe se ishte e vështirë dhe e pamundur, dhe se ai nuk e kishte aftësinë për ta bërë atë gjë, ai sigurisht që nuk do të kishte mundur ta kalonte 1 milje në vetëm 4 minuta.

Duhet ta njohësh veten, t’i njohësh aftësitë e tua, dhe të mos ia vësh veshin askujt për çfarë thotë, sepse ti je më i fortë, më i largët për t’u arritur, dhe më i madh sesa e imagjinon. Duhet të fokusohesh tek aftësitë e tua të pakufishme, të mbështetësh te Zoti, dhe të jesh i bindur se Zoti nuk e humb shpërblimin e atij që punon mirë, dhe se “Zoti është me ata që durojnë!”

Pra, gjëja e parë është perceptimi, pastaj vjen pranimi i vetvetes, dhe më pas vjen “marrja e ve ndimit”.

Tani shkruaji me mua këto fjalë: “Vendosa t’i zbuloj aftësitë e mia, vendosa t’i vë në përdorim ato, vendosa të lë gjurmët e mia në këtë botë, sipas mënyrës sime dhe jo sipas mënyrës që më është diktuar që kur kam qenë i vogël… por vendos sipas mënyrës që unë dua… sipas mënyrës sime…”

Kur isha i vogël, më thoshin shpesh: “Mos u lodh kot, se nuk do kesh sukses.” Kurrë nuk dëgjoja të më thonin se ti do jesh kampion bote, apo drejtor i suksesshëm, apo se “Ti do të jesh një nga ligjëruesit më të rëndësishëm në botë, ose do të jesh një autor i njohur.” Të gjitha këto të vërteta ishin në botën e fshehtë. Zoti është Ai i cili e jep frymëzimin.

Besimin e fitojmë nga familja, nga të afërmit, nga bota e jashtme, si dhe nga shoqëria apo mediat, por duhet edhe që brenda teje të jetë një zë i cili të thotë: “Ti do të kesh sukses!”

Unë e ndieja që do të isha një drejtor i suksesshëm. Kur merresha me sport, e ndieja se do të isha kampion në ping-pong, pavarësisht se njerëzit talleshin me mua kur ua thoja mendimin tim rreth kësaj. Brenda meje ekzistonte një frymëzim nga Zoti që më thoshte se unë do të kisha sukses, dhe ky frymëzim është ai që të vë në lëvizje, madje bën që çdo gjë brenda teje të vihet në lëvizje.

Siç thotë poeti:

Ishte ëndërr, pastaj ide, pastaj mundësi,

pastaj u bë e vërtetë, jo imagjinatë.

Pra, ti në fillim ëndërron, pastaj fillon të mendosh për të, dhe ai mendim bëhet ide… derisa të bëhet pastaj mundësi, dhe ti e vë në veprim atë, dhe kështu bëhet realitet, jo imagjinatë.

Të gjitha shpikjet e realizuara, dikur në fillim kanë qenë një ëndërr, pastaj të zotët e atyre ëndrrave filluan të mendojnë rreth tyre, derisa kjo gjë u bë një e vërtetë e brendshme. Dhe kur kjo ëndërr u shikua si një e vërtetë e brendshme, dhe u pa e realizuar nga sytë e imagjinatës së atyre personave që e ushqyen atë, ata filluan të mendojnë për realizimin e atyre ëndrrave, filluan ta zhvillonin pamjen e tyre, derisa i vunë në zbatim ato. Dhe u bë e vërtetë dhe jo imagjinatë. Pikërisht ashtu siç ndodhi me tre vëllezërit që shpiken aeroplanin, dhe siç ndodhi me ata që shpikën raketat, dhe të gjitha mjetet elektronike, përfshirë edhe telefonat celularë që përdorim tani. Personi i cili shpiku stilolapsin, në fillim punonte në një nga zyrat e sigurimeve. Ndërsa po nënshkruante një kontratë me një klient, boja e shkrimit iu rrëzua mbi letër, dhe e çoi dëm letrën ku shkruhej marrëveshja. Ndërkohë gjendej një konkurrent i tij, i cili donte t’ia shiste të njëjtin produkt sigurimi këtij klienti. Ai shkoi të merrte një formular tjetër për ta nënshkruar kontratën, dhe kur u kthye, nuk e gjeti aty klientin, sepse ai ishte nervozuar dhe kishte shkuar tek konkurrenti tjetër. Ky mendoi rreth kësaj që ndodhi, dhe mendja i shkoi ta rregullonte këtë problem. Dhe rezultati ishte shpikja e një stilolapsi i cili nuk ishte nevoja të ngjyhej në bojë herë pas herë, por që e mbante bojën brenda tij, stilolapsi Montblanc.

Nëse kontrata do të ishte shkruar me atë klientin, dhe boja nuk do të ishte derdhur, ai person nuk do të kishte menduar për shpikjen e këtij stilolapsi.

Pra, gjëja më e parë është perceptimi i aftësive të tua të pakufishme, pastaj pranimi i vetvetes… më pas të marrësh vendimin për t’i përdorur aftësitë e tua dhe për t’i vënë në punë ato.

Nëse vendos të mësosh një gjuhë të huaj, atëherë bëj një kërkim rreth institucioneve ku mësohet ajo gjuhë, pastaj shko personalisht atje dhe pyet… Fol me ata, dhe prezanto mësimin e parë… dhe fillo..! Merre tani fjalorin, dhe mëso disa fjalë të reja çdo ditë! Ndize televizorin, dhe shiko programet e huaja që jepen aty!

Një shembull i gjallë i këmbënguljes për të mësuar, është dr. Zeki Osman, i cili arriti ta më sonte gjuhen angleze vetëm nëpërmjet radios. Ky person ndërkohë ishte i verbër dhe i çalë…

/ Dr. Ibrahim el-Fekij /

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit