-0.3 C
Pristina
Wednesday, December 25, 2024

Në Maqedoninë e Veriut të dielën mbahen zgjedhje lokale

Më të lexuarat

Fushata zgjedhore, e cila përfundon të premten, është intensifikuar ditëve të fundit me akuza të ndërsjella mes partive politike

Në Maqedoninë e Veriut këtë të diele mbahet rrethi i parë i zgjedhjeve lokale në të cilat qytetarët e vendit do të zgjedhin udhëheqësit e 80 komunave dhe anëtarët e këshillave komunal, si dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit dhe anëtarët e këshillit të qytetit, raporton Anadolu Agency (AA).

Të drejtë vote në zgjedhjet lokale kanë 1.824.864 persona të cilët do të mund të zgjedhin midis 303 listave të kryetarëve të komunave dhe 567 listave të këshilltarëve. Në këto zgjedhje janë paraqitur një numër i madh i kandidatëve të pavarur për kryetar komune apo për anëtarë të këshillave komunal, të përkrahur nga shoqata të qytetarëve dhe organizata të shoqërisë civile.

Fushata zgjedhore, e cila përfundon të premten, është intensifikuar ditëve të fundit me akuza të ndërsjella mes partive politike.

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë (LSDM) e udhëhequr nga kryeministri Zoran Zaev, e cila në zgjedhjet e vitit 2017 fitoi në Shkup dhe në 56 komuna, kryesisht garon me kryetarët aktualë nën moton “Më e mira për komunën time”.

Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE-ja opozitare e cila në vitin 2017 fitoi 5 komuna, akuzon pushtetin për keq menaxhim dhe korrupsion, ndërsa kandidatët e saj i prezanton nën moton “Krijo të ardhme të re”.

Sa i përket kampit politik shqiptar, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), i cili fitoi 10 komuna në vitin 2017 dhe i cili është pjesë e koalicionit qeverisës, gjithashtu garon kryesisht me kryetarët aktualë të komunave, ndërsa kandidatët i prezanton me moton “Vepro drejtë, Voto blertë!”.

Aleanca për Shqiptarët, e cila në vitin 2017 fitoi në 3 komuna, kësaj radhe është në koalicion me partinë Alternativa. Nën moton “Pastër”, ky koalicion gjithashtu akuzon pushtetin për keq menaxhim dhe korrupsion.

Lëvizja BESA, e cila fitoi në një komunë në vitin 2017 dhe e cila është pjesë e shumicës parlamentare, kandidatët e saj i promovon nën moton “Me ka krejt”.

Specifikë e këtyre zgjedhjeve janë edhe dy koalicionet parazgjedhore ndëretnike: LSDM, BDI dhe BESA në njërën anë dhe VMRO-DPMNE, Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa nga ana tjetër.

Në këto zgjedhje marrin pjesë edhe tre parti politike turke në vend, respektivisht Partia Demokratike e Turqve (TDP), Partia e Lëvizjes së Turqve (THP) dhe Lëvizja e Unitetit Kombëtar Turk (TMBH), të cilët në disa komuna do të garojnë me kandidatët e tyre për kryetar dhe për këshillat komunal.

TDP-ja udhëheq fushatën zgjedhore me sloganin “Jemi gjithkund, jemi me ju”, THP-ja me sloganin “Për ju, një nga ju”, si dhe TMBH-ja me sloganin “24 orë në dispozicion për ju”.

Të shtunën, një ditë para zgjedhjeve, të drejtën e tyre për të votuar mund ta realizojnë personat në institucionet ndëshkuese-përmirësuese, personat e shpërngulur në brendësi si dhe personat e pamundur dhe të sëmurë.

Raundi i dytë i zgjedhjeve është caktuar dy javë më vonë, gjegjësisht më 31 tetor.

Në ndërkohë, Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) po vijon me përgatitjet për zgjedhjet, në të cilat për herë të parë do të përdoren pajisje për identifikimin e gjurmëve të gishtërinjve të votuesve.

Gjithashtu, KSHZ ka formuar borde speciale zgjedhore në komunat ku është raportuar një numër i madh i të infektuarve me koronavirusin e ri (COVID-19) ose i personave që janë në izolim, me qëllim të parandalimit të përhapjes së pandemisë gjatë procesit zgjedhor.

Këto janë zgjedhjet e shtata lokale në Maqedoninë e Veriut, ku zgjedhjet e para lokale u mbajtën në vitin 1990.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit