Alexander Schallenberg është betuar si kancelar i ri i Austrisë pas dorëheqjes së Sebastian Kurz mes pretendimeve për korrupsion.
Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, ish-ministri i Jashtëm u emërua zyrtarisht nga presidenti austriak Alexander Van der Bellen në Pallatin Hofburg në Vjenë të hënën.
Schallenberg, 52 vjeç, ka qenë ministër i jashtëm i Austrisë që nga viti 2019.
Duke folur të dielën në mbrëmje, Van der Bellen tha se puna e qeverisë do të vazhdonte pas dorëheqjes së Kurz.
“Kjo krizë qeveritare ka mbaruar… Dhe puna për vendin tonë mund të vazhdojë. Falënderoj Sebastian Kurz. Me lëvizjen e tij, ai e mbajti dëmin larg dhe dha një kontribut të rëndësishëm në integritetin e institucioneve tona”, ka thënë presidenti austriak.
Kurz dha dorëheqje të shtunën pasi prokurorët filluan hetimin e tij dhe anëtarëve të ekipit të ngushtë mbi pretendimet se paratë e qeverisë u përdorën midis 2016 dhe 2018 për të siguruar mbulim pozitiv në media. /Telegrafi/