1.4 C
Pristina
Friday, January 10, 2025

Vizita e një vëllai për hir të Allahut

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Ebu Hurejra transmeton se profeti a.s. ka thënë:
“Një njeri shkoi të vizitonte një vëllain e tij në një fshat tjetër. Allahu dërgoi një ëngjëll në rrugën nga do të kalonte. Kur ai kaloi pranë tij, ëngjëlli e pyeti: Ku po shkon?
Dua të shkoj të vizitoj një vëlla në këtë fshat-u përgjigj ai.
A ke ndonjë interes që po shkon?-vazhdoi ëngjëlli.
Jo-tha ai. Unë e dua atë për hir të Allahut, prandaj dua të shkoj ta vizitoj.
“Unë jam meleku i Allahut. Jam dërguar tek ti për të të komunikuar, që Allahu të do, ashtu si e do atë për hir të Tij – tha ëngjëlli”.[1]
      
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
 
Ky hadith sqaron qartë mirësinë dhe shpërblimin e madh, që kanë ata të cilët duhen mes tyre për hir të Allahut të Lartësuar. Gjithashtu flet qartë, se nëse vizita që i bën vëllai vëllait vetëm për hir të Allahut e jo për ndonjë interes të kësaj bote, sjell si rezultat dashurinë e Allahut.
Profeti a.s na ka lajmëruar, se ky njeri i cili mori udhën për të shkuar nga një fshat në tjetrin, duke përballuar vështirësitë e rrugës për të vizituar një vëlla, që e donte për hir të Allahut. Për këtë arsye e meritonte përgëzimin e dhënë nga engjëlli, që kur e pa e ndaloi dhe e pyeti për qëllimin e tij. Ai u përgjigj, duke i thënë se kishte për qëllim vizitën e një vëllai. Ëngjëlli e pyeti për herë të dytë mbi qëllimin e vizitës, nëse ai po shkonte për ndonjë interes të kësaj bote? I bindur plotësisht u përgjigj se qëllimi i vetëm i vizitës ishte për hir të Allahut, për të përforcuar lidhjet e dashurisë dhe kryerjen e të drejtës së vëllazërisë për hir të Allahut. Kështu që me këtë veprim ai fitoi këtë myzhde duke zbritur ëngjëlli që t’i komunikonte se Allahu e donte atë, për shkak të dashurisë që kishte për vëllain e tij, për atë dashuri të sinqertë për hir të Allahut.
Nuk ka lumturi më të madhe, se kur njeriu të fitojë dashurinë dhe kënaqësinë e Allahut e po ashtu të ngrihet në grada të larta në ahiret.
Imam Muslimi transmeton se Ebu Hurejra ka thënë: I dërguari i Allahut ka thënë: “Në ditën e gjykimit Allahu i Lartësuar do të thotë: Ku janë ata, të cilët duhen me njëri-tjetrin për Hijeshinë Time? Sot unë do t’i fus në hijen Time, ku nuk ka hije tjetër përveç hijes time”.
Imam Tirmidhiu transmeton se Ebu Hurejra ka thënë: I dërguari i Allahut ka thënë: “Kush viziton një të sëmurë, apo i bën një vizitë një vëllai për hir të Allahut, një thirrës thërret: Ke fituar mirësi, ecja të është shkruar sevap dhe në xhenet ke fituar një shtëpi”.
 Nuk ka dyshim, se takimi i dy vëllezërve, që duhen me njëri-tjetrin për hir të Allahut dhe këshillat, që i drejtojnë njëri-tjetrit, e shton besimin dhe i pastron shpirtrat. Ky takim nuk është i mjaftueshëm që të kryhet në vendin e punës, në rrugë apo në ndonjë vend tjetër, por duhet patjetër që të arrihet nëpërmjet vizitës, për t’u vërtetuar synimet madhështore, ku më të rëndësishmet janë:
1- Forcimi i lidhjes vëllazërore ndërmjet muslimanit dhe vëllait të tij, thjeshtësia ndërmjet tyre, mënjanimi i kopracisë dhe vështirësisë.
2- Nderimi dhe vlerësimi i lartë, që i bëhet pronarit të shtëpisë si dhe eliminimi i paragjykimive të ndarjes ndërmjet tyre.
3- Bashkëpunimi dhe këshilla në punë të mira.
4- Njohja e gjendjes së tij dhe dhënia e ndihmës, për të cilën ai ka nevojë.
Kështu pra mblidhen virtytet e mira, njeriu plotëson mangësitë e tij duke u shoqëruar me vëllezërit, sepse muslimani është pasqyra e vëllait të tij. Sa më shumë të shkëlqejë pasqyra, aq më i qartë bëhet shikimi dhe pasqyrimi i realitetit.
 
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
 
1-Grada e madhe që kanë ata, që e duan njëri – tjetrin për hir të Allahut.
2- Vizita e vëllait është prej punëve më të mira, nëse nuk bëhet për dëshira të vetes dhe interesa të kësaj bote.
3- Punët e mira, që bëhen për hir të Allahut, janë shkak i fitimit të dashurisë së Allahut. Baza e pranimit të punëve është sinqeriteti. Allahu i Lartësuar thotë: “Ata ishin të urdhëruar që ta adhuronin Allahun me sinqeritet të pastër”. Sure El Bejineh: 5
       4- Traditat e lejura shndërrohen në adhurim, nëse atyre i bashkangjitet nijeti i mirë.
[1] Transmeton imam Muslimi: 2567

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit