6.8 C
Pristina
Friday, January 10, 2025

Pavlefshmëria e dynjasë tek Allahu

Më të lexuarat

By: ardhmeriaonline

Xhabir ibnu Abdullahi (r.a) tregon, se profeti a.s po kalonte në treg e në krah të tij kishte njerëz. Duke ecur kaluan pranë një keci veshprerë të ngordhur. E mori e kapi prej veshësh pastaj tha:
“Kush e do këtë me një dinar?
Nuk e duam me asgjë, çfarë të bëjmë me të?- thanë shokët e tij
A dëshironi që të jetë i juaji?- pyeti përsëri profeti a.s
Betohemi në Allahun, se po të ishte gjallë, nuk do ta dëshironim, për shkak të mangësisë së veshëve të prerë e jo më ta dëshirojmë të ngordhur?- thanë shokët e tij
Profeti a.s tha: Betohem në Allahun, se jeta e kësaj bote është më e përbuzur tek Allahu se përbuzja që keni ju për këtë.”[1]
 
 
Dritë mbi kuptimin e hadithit:
 
Tregu është vendi, ku grumbullohen njerëzit dhe vendi i punës së tyre. Ai është i predispozuar, që në të të ketë gjëra të këqija, siç janë: mashtrimi, betimi i rrejshëm, përgojimi dhe shikimi i pjesëve të turpshme. Kjo ndodh, për shkak të kredhjes në kënaqësitë e kësaj bote dhe harresës së jetës së botës tjetër. Prandaj prej urtësisë së profetit a.s ishte, se i përkujtoi njerëzit me jetën e botës së tjetër, u qartësoi kotësinë dhe përbuzjen e Allahut ndaj jetës së kësaj bote. I mësoi ata, duke ju dhënë një shembull praktik: Jeta e kësaj bote nuk duhet të jetë synimi i myslimanit, që të rendë e të ketë tendencë drejt saj. Ajo është një mjet, për të qenë i devotshëm në përkushtimin ndaj Allahut dhe përgatitjen me furnizim për botën tjetër.
 Ajo që e tërheq më tepër vëmendjen e njerëzve në treg, kur ata janë në kulmin e punës në shit-blerje, është që t’u drejtohesh me fjalë, që përkojnë me gjendjen e tyre. Për këtë arsye profeti a.s. i pyeti duke thënë: “Kush e do këtë me një dinar? Me këtë ai sikur dëshiron t’u paraqesë shitjen e kecit të ngordhur, gjë që i motivoi të përqëndroheshin. Por ata të habitur iu përgjigjën: “Nuk e duam me asgjë”,  sepse ai tashmë nuk kishte asnjë dobi ashtu i ngordhur, ngaqë ishte i papastër dhe nuk hahej. Profeti a.s. i pyeti për herë të dytë: “A dëshironi që të jetë i juaji? (falas pa pagesë). Por përsëri përgjigja e tyre ishte si e para, që nuk tregonte aspak interes për të, sepse edhe nëse do të ishte gjallë nuk do ta dëshironte askush, për shkak të mangësisë e jo më ta dëshironin të ngordhur.
Në këtë çast vjen mësimi i urtë profetik me një stil të mrekullueshëm, duke ju sqaruar poshtërimin e jetës së kësaj bote tek Allahu, se ajo është më poshtë dhe ka vlerë më të pakët se ky kec i ngordhur. Allahu i Lartësuar thotë: “O ju njerëz, premtimi i Allahut është i vërtetë. Prandaj mos t’ju mashtrojë jeta e kësaj bote e mos t’ju mashtrojë mashtruesi (shejtani)”. Sure El Fatir:5
      
Përfitimet e nxjerra nga hadithi:
 
1- Parapëlqehet që ftuesi gjatë ftesës të përdorë të gjitha mënyrat, që tërheqin vëmendjen e njerëzve. Prej këtyre metodave janë: dhënia e shembujve nga realiteti i tyre i përditshëm, përfitimi nga ndodhi dhe ngjarje dhe vizita e njerëzve në vendet e tyre të punës, që t’u kujtojë Allahun.
2- Vlera e ulët që ka dynjaja tek Allahu. Nëse Allahu i dhuron dikujt nga kënaqësitë e dynjasë, kjo nuk është dëshmi, që tregon për mirësi dhe nderim ndaj të tjerëve.
3- Muslimani nuk duhet që t’i japë rëndësi çështjeve të jetës së kësaj bote, duke neglizhuar përkushtimin ndaj Allahut. Përfundimi i dynjasë është zhdukja e saj.
[1] Transmeton imam Muslimi: 2957

Rating: 5.0 of 5. 1 vote(s).

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit