3.8 C
Pristina
Sunday, November 24, 2024

Larje hesapesh mes grupeve rivale, u prishën pazaret e trafikut të drogës

Më të lexuarat

Policia: Viktimat dhe autorët, të implikuar në trafik droge. Italiani dyshohet se është pjesë e Kamorrës
 
Nipërit – Dy nipërit e Mentor Lufit, Markeljan dhe Klevis Doçi, dyshohet gjithashtu se ishin pjesë mbështetëse e dajës së tyre, pra edhe ata të implikuar në trafik droge
 
Motivet e përplasjes me armë, sipas Policisë së Tiranës, mund të kenë lidhje me trafikun ndërkombëtar të drogës. Të gjithë personat e përfshirë në këtë ngjarje kanë qenë të evidentuar për precedentët penalë për sa u përket lëndëve narkotike. Njërit prej viktimave, 39-vjeçarit Mentor Lufi, i është bërë një atentat para pak muajsh, në një lokal në Tiranë. Para një muaji, Besnik Sulkut i kishin vrarë të vëllain në Holandë, ndërsa policia tha se shkak ishin pazaret e kokainës. Mendohet se kjo vrasje ndikoi për hakmarrje. Shoku i Mentor Lufit, Gerti Goxhaj, ishte arrestuar në vitin 2012 si pjesëtar i një organizate kriminale që kishte dërguar 320 kilogramë hashash në drejtim të Kosovës. Ndërkaq, shtetasi italian, Salvatore Letizia, njihej nga autoritetet ligjzbatuese si një anëtar i dyshuar i Kamorrës, grupit më famëkeq mafioz në Itali. Nga ana tjetër, Mentor Lufi dhe Gerti Goxhaj kishin në pronësi kompani kromi në Bulqizë. Më tej, policia thotë se Lufi kishte pasur konflikte në Holandë, teksa ishte edhe pronar i një lokali në rrugën “Jordan Misja”. Për shkak të atentatit të dështuar, ai kishte rritur masat e sigurisë, duke marrë rojë. Vetëm një muaj më parë, më 19 prill është vrarë në Rotterdam të Holandës një shtetas shqiptar. Bëhet fjalë për vrasjen e shqiptarit Ilirjan Sula, që përdorte disa identitete. Ai është vëllai i Besnik Sulkut. Shtetasit italian iu gjetën dy fotografi të Mentor Lufit dhe Gerti Goxhajt, çfarë ka bërë që policia të dyshojë se ndoshta Salvatore ishte paguar nga Sulku për atentatin.
 
 
Drogë drejt Kosovës
 
Marsin e vitit 2012, policia goditi grupin e trafikimit të drogës nga Shqipëria drejt Kosovës, ndërsa destinacioni ishte Ballkani verior. Agron Hyseni, një biznesmen nga Tirana, pronar i disa subjekteve tregtare dhe zyrash konsulence juridike, u vu në pranga, si organizator, financues dhe drejtues i rrjetit të trafikut të drogës nga Shqipëria drejt Kosovës. Shkëlqim Leka, 34 vjeç, nga Tirana, shofer i një kamioni “Volvo”, në të cilin u bllokua droga, u arrestua nga policia bashkë me Gerti Goxhajn, 29 vjeç, nipi i biznesmenit Hyseni. Po ashtu, policia arrestoi edhe Kujtim Lekën, 35 vjeç, Altin Imamin, 24 vjeç, dhe Erjon Hoxhën, 32 vjeç, të gjithë nga Tirana. Ata u kapën në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës në drejtim të Kosovës, në kamionin e tyre të markës “Volvo”, me targa TR 1784 P, i drejtuar nga Shkëlqim Leka. Policia tha se në total bllokoi 320 kilogramë marijuanë, katër automjete, një pistoletë Glock me disa fishekë që e kishte Gerti Goxhaj. Policia sekuestroi një kamion të markës “Volvo” me targë TR 1784 P, një veturë “Mercedez-Benz” ML e vitit 2011 me targa AA 252 CZ, një autoveturë “Mercedez-Benz” 220 me targa TR 4079 S dhe një “Mercedez-Benz” S 500 e vitit 2010 me targa AA 009 DC.
 
 
Trafiku ndërkombëtar
 
Referuar Policisë së Tiranës, këta persona ishin identifikuar për sa i përket implikimit në trafikun e drogës. Teksa rasti i Goxhajt është i dokumentuar, pasi ai është arrestuar si pjesë e grupit kriminal, pjesa tjetër mbetet në fazën e dyshimeve dhe hetimeve. Për shkak se dje Goxhaj ndodhej bashkë me mikun e tij, Mentor Lufi, dyshohet se të dy këta persona ishin pjesë e një rrjeti ndërkombëtar droge. Emri i kundërshtarit të tyre italian, Salvatore Letizia rezulton si i implikuar në trafikun e drogës. Nga një kërkim i thjeshtë në lajmet që mediat italiane kanë publikuar, me këtë emër rezulton një person nga Napoli, i lidhur me Kamorrën, një nga dy grupet më të fuqishme mafioze që merren me trafikun e drogës. Nga ana tjetër, italiani ishte bashkë me Besnik Sulkun kur të dy sulmuan Goxhajn dhe Lufin. Pra, kësisoj edhe Sulku është evidentuar nga policia si i implikuar në trafik droge. Ndërkaq, dy nipërit e Mentor Lufit, Markeljan dhe Klevis Doçi, dyshohet gjithashtu se ishin pjesë mbështetëse e dajës së tyre, pra edhe ata të implikuar në trafik droge. Policia ka dalë në dyshimet paraprake që flasin për larje hesapesh mes grupeve rivale, çka përkthehet në prishje pazaresh mes tyre. Një shumë parash e papaguar ose një sasi droge mendohet të jetë shkaku i përplasjes së egër, e cila solli tre të vdekur pasditen e djeshme në Tiranë.
 
 
Precedentët penalë 
 
Atentati i dështuar ndaj Lufit, përplasjet në Holandë e bizneset
 
Mentor Lufi, një nga viktimat e djeshme, rezulton si pronar i një kompanie kromi në Bulqizë. Ai e ka nisur aktivitetin në vitin 2010, teksa bashkadministrator ishte shtetasi me inicialet A. R. Më tej, Lufi është pronar i një biznesi bar-kafe në rrugën “Jordan Misja”, në Tiranë. Nga një kërkim në QKR, duket qartë se ky biznes është regjistruar në muajin shtator të vitit 2013. Burimet e policisë thanë se para disa kohësh Mentor Lufi ka pasur një përplasje për sa i përket biznesit të tij të kromit në Bulqizë. Por telashet më të mëdha Lufi i ka pasur në Holandë, ku policia thotë se kishte konflikte me disa shtetas shqiptarë. Kulmi i përplasjeve të 39-vjeçarit ishte shënuar në muajin shtator të vitit të kaluar, kur në lokal “Dante” në afërsi të stadiumit “Dinamo” atij i ishte organizuar një atentat. Persona të paidentifikuar qëlluan në drejtim të tij, pa mundur ta realizonin qëllimin. Policia nisi hetimet, por nuk arriti të identifikonte autorët apo të përcaktonte shkakun e atentatit. Prej asaj kohe, Mentor Lufi kishte marrë si roja dy nipërit e tij, Markelian dhe Klevis Doçi. Ai i merrte me vete nipërit kudo që shkonte dhe gjithnjë lëvizte i armatosur.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit