Sakrificat, vuajtjet dhe vetëflijimet për lirinë e vendit përcollën shqiptarët gjatë tërë historisë. Kontribut për kauzën, duke e pësuar edhe me një dramë të tërë vuajtjesh e maltretimesh, ka dhënë edhe Sylejman Bejta nga Smrekovnica e Komunës së Vushtrrisë. Vuajtjet e tij dëshmojnë profecitë shqiptare se bisha më e madhe është njeriu e edhe se njeriu është më i fortë edhe se guri.
Me profesion është inxhinier i diplomuar i Gjeologjisë. Aktualisht punon si zyrtar i lartë për monitorimin e hulumtimeve gjeologjike, në kuadër të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, MZHE. E, jeta e tij të ngjall trishtime.
Aktiviteti ilegal në APJ
Sylejman Bejta, në vitet ’80 të shekullit të kaluar – që të regjistrohej në fakultet – u detyrua ta kryente shërbimin ushtarak në ish-Armatën Popullore të Jugosllavisë. Këtu, i ushtar i ri, nis angazhimi i tij për çështjen kombëtare
“Në vitin 1983 nuk kemi mundur të shkojmë në fakultet pa e kryer shërbimin ushtarak. Ushtria ishte si kusht. Shërbimin e fillova në Titov Veles (në Maqedoni). Isha më i riu, sepse kam shkuar në një moshë të re në shkollë, pa i bërë shtatë vjeç – ashtu siç kërkohej dikur. Atje takova shqiptarë të moshës më të pjekur, që kishin kryer gjashtë muaj shërbim ushtarak (obuka). Ata më mbronin, sepse isha i ri, i padalë dhe shumë i lidhur për familjen. Më rrinin pranë aq shumë, sa që i konsideroja si prindër. Me kalimin e kohës ata e fituan besimin tek unë. Ndaj, zbuloja planin që ata kishin bërë”, ka thënë Bejta për Telegrafin.
Sipas tij, organizimet për të nisur luftën në Kosovë kundër sistemit jugosllav e serb ishin të kamotshme.
“Në atë kohë i vodhëm shtatë armë, në vitet 1983-1984, për t’i sjellë në Kosovë. Unë as që e dija se çka është lufta. Vetëm për hir të shoqërisë hyra në këtë aktivitet, pa asnjë ide, pa asnjë përgatitje”.
Shërbimi ushtarak dikur nuk ishte vetëm trajnues, por edhe maltretues. Madje, kishte raste që djemtë shqiptarë i kthenin me arkivole në shtëpitë e tyre, sidomos pas demonstratave të vitit 1981.
“Në shërbim ushtarak bëheshin hetimet nga më të ndryshmet. Ka qenë periudhë shumë e keqe. Shkonin të rinjtë për shërbim ushtarak dhe ktheheshin në arkivole. Disa, merrnim dënimin që quhej ‘pritvor’ d.m.th. burg brenda kazermës. Mua më mbajtën më shumë se 20 ditë, për shkak të moshës që kisha. Shërbimin e kreva pas gjashtë muajve”.
Kthimi në Kosovë Bejtën e gjeti më të vendosur që të studiojë, por edhe që të jetë në lidhje me patriotët e kohës. Në vitin 1989 ishte pjesëmarrës në grevën e minatorëve. Për këtë pjesëmarrje, atij ia marrin indeksin.
“Ishte kjo koha kur filluan t’i dëbojnë shqiptarët nga vendet e punës. Ne, si familje e madhe që ishim, filluam të merremi me punë të ndryshme – por të ndershme – për të mbijetuar”.
Bejta e kishte vëllain në UÇK, që në ditët e shfaqjes së kësaj strukture ushtarake në Drenicë.
Aktiviteti në UÇK dhe arrestimi
“Me UÇK-në isha i lidhur përmes tij. Pastaj UÇK-ja doli në Shalë, në vitin 1998. Aty isha i inkuadruar. Me 1 maj e kemi pasë aksionin e furnizimit të popullatës së Shalës me ushqime. Kemi arritur atje në orën tre të mëngjesit, në shkollën e Rashanit, ku ishte e vendosur edhe Komanda me komandantin Ajet Dedia (i cili ka vdekur) dhe Ali Jonuzi. Kontakti me ta ka qenë i vazhdueshëm. Ata e kanë ditur që unë i kam miqtë në Banjskë, Komuna e Vushtrisë. Më thanë që të shkoja – sepse kishin informacion që është rritur numri i forcave ushtarake e paramilitare serbe – për ta analizuar gjendjen meqë e njihja atë territor. Mëngjesin e 2 majit kam arritur në shtëpi, nga Rashani për në Smrekovnicë. Ishte rrezik i madh të qarkulloje nëpër fshatra, mbi të gjitha i armatosur. Sapo arrita, e mora shoqen me vete, që disi të maskohesha e mos të dyshojnë tek unë, por që të mendojnë se jam qytetar i rëndomtë që po mundohet të bëjë zgjidhje familjare. Shkuam në Banjskë. E morëm një thes misër, kinse ta bluajmë. Kur u kthyem në fshat, për një kohë të shkurtër u rrethuam – aq shumë sa që edhe po të kishim krahë të fluturonim, nuk do të mundnim të iknim nga aty”.
Edhe pse i armatosur, për të mos e rrezikuar popullatën, ai i fshehu armët dhe qëndroi me familje momentin e rrethimit.
“E kam pasë një skorpion – automatik i vogël – dhe disa bomba. Që mos ta pësojë popullata – meqë e dëbuan – i kam vendosur në pleme, me mendimin se do të digjet fshati e edhe armët. I kisha të veshura rrobat e zeza, të cilat i ka pasur Policia Ushtarake në Shalë (por, s’kam qenë polic ushtarak). Kanë hyrë nëpër oborre dhe më kanë zënë. Një polic me maskë, që fliste shqip, më ndau nga familja. Familjen e dërguan tek burgu i Smrekovnicës, në një lëndinë. Unë rrija aty: askush s’më fliste; s’më fyente e as nuk më torturonte. E krijova përshtypjen që këta duan t’ua jap një arsye për të më vrarë, p.sh. të tentoja që të ikja. Por, isha i pafuqishëm, ndërsa çfarëdo që të bëja, i vija në rrezik edhe shqiptarët tjerë”.
Nga ky moment filloi jeta e errët e Bejtës, ku pasuan vuajtjet, terrori dhe klithmat e panxjerra nga ana e këtij burri stoik.
Torturat mizore në Smrekovnicë – deri në humbje të vetëdijes
“Po atë ditë më futën në burgun e Smrekonicës. Deri më datë 16 maj kam parë gjithçka. Vetëm mua nuk më kanë bërë asgjë e arsyen nuk e di. 52 orë nuk na kanë dhënë as ujë e as bukë. Këtë e di, pasi shokët kanë pasur orë dore. Zërat e njerëzve dëgjoheshin kudo, duke i torturuar. Ishte tmerr. Këdo që e kapnin rrugës, e sillnin në burg. Ditën e 16 majit më kanë marrë në pyetje për herë të parë. Aty kanë filluar metodat torturuese për të më detyruar që të flisja; të pranoja gjërat që nuk i kam bërë; të flisja për njerëz të cilët nuk e dija se a janë në liri apo i kanë zënë. Ishte vështirë të gjendeshe në ato momente, sepse për shkak të torturave ke mundur edhe të gabosh. Kanë përdorur metodat nga më të ndryshmet. Tek unë kanë filluar me shkopinj druri (shkop i bejsbollit). Nëse unë i pranoja ato që më thoshin, ma bënin me dije se do të më lënin të lirë. Por, nuk zgjaste shumë ajo situatë, sepse ta humbnin vetëdijen e s’dije më çka është duke ndodhur: vetëm kur e shihje veten që të kanë hedh ujë dhe se janë munduar të të kthejnë prapë në vetëdije. Atë ditë më kanë kthyer në dhomën ku kam qenë”.
Pas dy dite sërish kanë filluar maltretimet, ku prezent ishte edhe një shqiptar.
“Më 18 maj prapë më kanë marrë. Aty ishte edhe Nexhmedin Ajeti i Mitrovicës. Gjatë torturave mendova që po më mbysin. Thosha me vete: i mbytur se i mbytur jam! Ndaj, nuk u frikësova. Njëherë më kujtohet se kur u bëra nervoz, më lidhën për këmbësh në të dy këmbët e karriges, e duart mbrapa. Më bënin tortura të ndryshme, por nuk pranoja asgjë. Njëri po ma ofron një cigare, me mendim që po ma jep me e pi. E vendosi ndër sqetulle deri sa u fik nga lëkura ime. U mundoja deri në maksimum të jem i fortë, madje nuk nxirrja zë. Nuk kishte njeri që të më bindte që nuk do të më mbysnin. Ata më akuzonin për pjesëmarrje në luftë. Çdo gjë e dinin. Ndaj, e pyesja veten: nga i kanë gjithë këto informacione që edhe me fotografi i dëshmonin? Të gjitha listat me emra ishin me shkrim origjinal shqip: kush çfarë ka bërë, çfarë aksionesh, çfarë kontributesh…!? Të gjithat i dinin me saktësi të madhe”!
Kur ka hyrë Nexhmedin Ajeti herën e dytë, i ka thënë gardianit: “Apo din me këndu”? Gardiani i thotë se jo! Në atë moment ia zgjidhin duart, por Bejta ishte i pafuqishëm t’i mbante si duhet, meqë i ishin ënjtur.
Cigarja në lëkurë, thika në trup, koka në ujë, litari në gjenitale
“Në këmbë s’kisha mundësi të qëndroja. Gjaku kishte filluar të më thahej në fytyrë. Nuk mundja t’i lëvizja sytë. Për një moment, personi me maskë e nxori një thikë nga sirtari dhe u mundua të më godasë në duar. E kam larguar dorën dhe më ka rënë në mes të gishtave. Aty mendova që përfundoi gjithçka me mua. Të paktën një shuplak doja t’ia jepja. U mundova t’ia kap thikën, duke e prerë një pjesë të lëkurës në dorë. Edhe ata e kuptuan çfarë po tentoja të bëja. Më kanë lidhur dhe ma kanë futur kokën në kovën me ujë. Nexhmedini herë hynte e herë dilte. Më afrohej nganjëherë tek veshi dhe më thoshte: ‘Unë ty po du me të ndihmu’! S’kisha fuqi të paktën ta pështyja njëherë”.
Në atë moment hyri dikush tjetër që Bejta s’e kishte parë kurrë. Ai e kishte një litar në duar, që e mbështillte në dorën e vet. E kapi karrigen ku ishte ulur dhe e ka tërhequr mbrapa – një metër larg nga tavolina.
“Aty ku isha unë ulur ka qenë një sirtar në tavolinë. E shihja që është duke e lidhur njërën pjesë të litarit në sirtar dhe pjesën tjetër të litarit në organet e mia gjenitale. Aq shumë më ka larguar saqë kur ta shtynin sirtarin të krijonin dhimbje të padurueshme. Nga dhimbjet e mëdha, e kam bërë një veprim: ‘Po, po, e nënshkruaj atë që ju po ma jepni ta nënshkruaj’. Nuk e di se çfarë kam nënshkruar. Por, e di që kur më kanë dërguar në një dhomë të vetmisë, e pash letrën ku shkruante: Pjesëtari i UÇK-së ka vepruar në këtë zonë, ka bashkëpunuar me këtë e atë dhe prokurori jep propozim që të dënohet sipas nenit 136.1 në bazë të ligjeve të Serbisë. Dorën në zemër, diku 70 për qind ishte realitet”.
Vuajtjet e tij nuk do të ndalojnë këtu. Transferimi i ri nënkuptonte vuajtje të reja për të.
“Atë natë nuk më dhanë ujë. Të nesërmen prapë kanë ardhur dhe më kanë marrë, duke më dërguar në një veturë të vogël. Aty ishin edhe gjashtë persona të tjerë. Më kanë dërguar në Burgun e Mitrovicës. Për data nuk jam i sigurt, sepse nuk kemi pasur mundësi t’i dinim ato”.
Burgu i Mitrovicës është në formë rrethore, i ndarë me një mur. Shqiptarët mbështeten me fytyrë nga muri. Prapa tyre ishte një mitraloz.
Në Mitrovicë: Në mendje i vrarë, në pritje të ekzekutimit fizik, duke lutur Zotin të të vriste
“Menduam që po na pushkatojnë, sepse komplet muri ishte me gjak. Edhe toka ku kemi shkelë ishte e gjakosur. Aty nisa të qesh. As vet nuk e di se si më erdhi ajo e qeshur. Njëri afër meje më tha ta kërkoja të paktën hallallin e familjes. I thash: ‘Familja le të shpëtojnë, se s’është me rëndësi hallalli im për ta’. Me ‘familje’ kam dashur ta simbolizojë komplet popullin shqiptar. E, nuk e di sa na kanë mbajtur në atë pozicion, por kur e kam dëgjuar një krismë, mendova që filluan të na vrasin. Me mendje isha i vrarë se i vrarë, ndaj nuk doja të na shohin se po frikësohemi. Në atë moment jam kthyer, por për çudi hasa tek një i uniformuar që e kishte një letër në dorë. Ai na thirri me emra. Ndodhi komplet një situatë ndryshe nga ajo që unë e mendova”.
Të parin e thërrasin Bejtën, duke vazhduar edhe me dy tjerë. Ata i marrin dhe i lidhin me zinxhirë – në këmbë e në duar. Askush nga shqiptarët e burgosur nuk dinin se çfarë po ndodhte.
“Kur më qitën jashtë burgut, aty ishte vetura e Policisë me paramilitarë. Pantallonat i kishin të përvjelta, sepse ka qenë muaji qershor (edhe pse datën prapë saktë nuk e di). Më kujtohet që njëri e mbante thikën në gojë, ndërsa të tjerët e kanë pasur nga një thikë në çizme. Më futën në veturë. Gjykata prej burgut i ka nja 500-600 metra distancë. Pa shkuar në gjysmë të rrugës, u lëshua alarmi i rrezikut. Ata ikën, nuk e di se ku, e unë mbeta në veturë. Ka ndodhur një gjuajte, afër diku. Për shkak të pluhurit që na mbuloi, aty iu luta Zotit të na mbyste, sepse çdo gjë arriti kulmin e saj. Vetullën e kam pasë të çarë deri në asht dhe s’më ndalonte gjaku së rrjedhuri. Më mbuloi gjaku. Gjithçka u bë e padurueshme. Nuk vonoi shumë kur erdhën policët. Më bënë një pyetje ironike: ‘Ne të lamë që t’i të ikësh, a akoma je këtu a’? Por, edhe me më lanë me ikë, edhe sikur të isha i sigurt, unë s’kisha fuqi të ikja”.
Gjykimi i inskenuar dhe serbja që reagoi ndaj tmerrit që sheh
Gjykimi, sipas tij, ishte një skenë loje ku secili e kishte rolin e tij. Aktakuza iu dha aty për aty me dënimin prej 11 vjetëve burg.
“Prej momentit që hyra në derë të gjykatës, askush me dorë nuk më ka prekur. E shikuan që nuk mundesha të ecja. Dikush më ndihmoi, por nuk e di kush. Aty ka qenë daktilografja. Kanë qenë edhe dy meshkuj tjerë. Ajo femra serbe, kur e ka parë gjendjen time, e shtyu me forcë makinën e shkrimit, duke thënë: ‘Kjo është marria më e madhe që mund ta bëj dikush në botë. Asnjë shkronjë nuk e shkruj për këtë njeri’. Ajo doli jashtë. Një person u paraqit kinse është avokati im, e tjetri u paraqiste që është gjykatësi, prokurori etj. Vërshuan me pyetje. Aty qëllimisht kam thënë, gjatë gjithë kohës: ‘Po, e kam bërë, e kam bërë, e kam bërë’. Por, ua thash edhe këtë: ‘Ka gjëra që i kam pranuar dhe s’i kam bërë, por për shkak të torturave dhe gjendjes psikike që e kam pasë, pa vetëdije, i kam pranuar’. Ata e kanë ngritur aktakuzën aty për aty”.
Bejta dërgohet Burgun e Mitrovicës. Aty kishte shumë të moshuar, por edhe të mitur.
“Aty ka qenë tmerri më i madh i mundshëm që kam mundur ta shoh. Aty kam qëndruar më shumë se një muaj. Po mos t’i kisha përjetuar vet këto gjëra, nuk kisha besuar që njeriu-njeriut mund t’ia bëj një gjë të tillë”.
Pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës, më 10 qershor 1999, Bejtën dhe shumë të tjerë i priti transferimi i radhës – këtë herë për në Serbi.
“Ditën kur është bërë Marrëveshja e Kumanovës, në mbrëmje kanë filluar gjuajtjet nga të gjitha anët. Për çudi, aty ku ishim ne nuk erdhi askush. Të gjitha dhomat e tjera u ndjenin duke u hapur. Dëgjoje bërtitma të njerëzve, nga më të ndryshmet. Krismat zgjatën shumë, deri në mëngjes. Të nesërmen herët filluan t’i hapin të gjitha dyert dhe njerëzit i nxorën të gjithë përjashta. Fati i mirë i joni, në raste të këqija, ishte se nuk kishin mjaftueshëm njerëz që të na sakatonin të gjithëve. Por, fati im i keq ishte se dola i fundit nga Burgu i Mitrovicës. Atëherë më janë gjuajtur shtatë a tetë veta. Normalisht, s’dija nga kush të mbrohem”.
I sakatuar e i alivanosur në autobus, i etur e duke pirë urinë… drejtë torturave të reja
Në Burgun e Mitrovicës Bejta kishte dhembje të mëdha. Brinjët i kishte të thyera, e këtë nuk e dinte derisa është liruar. Pasi e rrahën gardianët, në dalje të burgut, i alivanosur futet në autobus për Serbi.
“Isha i shtrirë në autobus. Ata me siguri kanë menduar që kam vdekur. Krejt njerëzit ishin të lidhur nga këmbët e nga duart me litarë; të gjithë ishin të lënduar e të sakatuar. Ua kishin dhënë nga një shishe për t’i kryer nevojat fiziologjike. Aty ku isha unë, me kokë tek këmbët e të burgosurve, ishte një shishe e mbushur. Mendova që është ujë. Isha i vetmi që nuk kam qenë i lidhur, ndaj e zgjata dorën për ta pirë. i burgosuri që ishte afër meje më shkeli dorën, se s’ka guxuar të flas e të më thotë të mos e pija se është urinë. E kam pirë një pjesë. Po, urinë, por në atë gjendje më kthjelli për pak. Prapë nuk e di se çka ka ndodhur, sepse sërish më humbi vetëdija”.
Kur arrijnë në Zabelë, në Burgun e Pozharevcit, në të dyja anët kishte kordonë të policëve. Ai që mund të kalonte shpëtonte më lehtë, e ai që rrëzohej e pësonte më keq.
“Nuk kam mundur të qëndroja shumë nga dajaku. Në gjysmë të kordonit me kapi një serb dhe më nxori nga aty. Në Burgun e Pozharevcit është pavijoni numër shtatë. Aty ka vetëm qelia. Në oborrin e këtij pavijoni ishte gjithçka e zezë. Madje, i kam parë edhe dy lepuj të zinj. Nuk mund ta përshkruaj se çka ka ndodhur, çfarë tmerri. Na kanë marrë duke nga na tërhequr zvarrë për të na dërguar nëpër dhoma”.
Në Burgun e Pozharevcit, edhe pse gjendje jashtëzakonisht të keqe, Bejta krijoi lidhje të veçanta me të burgosurit e tjerë shqiptarë, sa që për të ata ishin pak t’i quash vëllezër.
“Kur kemi shkuar në dhomë. Aty ishim Nexhdet Syla, Sinan Bytyqi, Naim Balaj dhe Ali Beqiraj. Kur shkova aty, dhoma ishte 1.7 metra e gjerë e katër metra e gjatë. Kur i kam takuar shokët aty, kam marr vesh se çfarë ka ndodhur në Burgun e Dubravës”.
Në Pozharevc çdo ditë ka pasur maltretime, por jo si ato të mëparshmet në Kosovë.
Në Pozharevc vdesin disa të plagosur nga Masakra e Dubravës
“Kam informacione që atë natë, kur na kanë dërguar në Burgun e Pozharevcit, kanë vdekur dy të burgosur. Njëri ndër ta ishte edhe Bujar Hima i fshatit Skivjan, Komuna e Gjakovës. Bujari ishte plagosur në Burgun e Dubravës. Nga torturat e kordonit të Policisë në Pozharevc, me shkopinj, shqelma e grushte, ka vdekur nga gjakderdhja e brendshme. Ndërsa Nexhdeti, ndonëse më i ri se unë, e meriton ta shpallim hero të të burgosurve politikë, të paktën të Burgut të Pozharevcit. Nexhdeti, edhe pse ka qenë i plagosur në Masakrën e Dubravës, shokun e dhomës, Sinanin (i cili po ashtu ka qenë i plagosur rëndë), e ndihmonte të pastrohej pasi nevojat fiziologjike i kryente pa kontroll. Për fat, në këtë pavijon ujë kishim”.
Kur kanë hyrë në pavijon, gjendja ishte e tmerrshme, sepse më parë ishte çerdhe e pëllumbave. Me javë të tëra të burgosurit s’kanë mundur ta pastrojnë. Por, prapë Nexhdeti ka qenë ai që nuk kishte fare përtesë e, siç thotë Bejta, me moralin maksimal të qëndrimit.
“Edhe pse pa detergjent, vetëm me ujë ia lante Sinanit rrobat. Të brendshmet Sinanit ne secili ia jepnim me rend. U lidhëm shumë me njëri-tjetrin, sa që edhe vëlla është fjalë e vogël”.
Në këtë pavijon kanë qëndruar tetë muaj. Të burgosurit e moshuar i hiqnin nga aty duke i vendosur në pavijonin e tipit më të lirë.
“Për t’u pastruar u pastronim jashtë në ambient të hapur. Ishte 21 dhjetori hera e fundit që jemi larë. Është dashur të hyjmë, të lagemi njëherë, të dilnim nga uji e të fërkohemi me sapunë, derisa na vinte rendi për të hyrë prapë në ujë. E, trupi me sapun na u ngrinte nga të ftohtit. Ka pasë raste kur Nexhdetit ia kam hequr akullin në trup. Edhe morrat na vërshuan aty”.
Më 20 shkurt 2000, ata dërgohen në pavijonin numër katër, ku dhomat ishin më të mëdha.
“I kishin dokumentet se kush çfarë shkollimi ka. Më drejtohen mua duke më thënë se do të jem përgjegjësi i dhomës. Më treguan rregullat e tyre që ne duhej t’u përmbaheshim. Në dhomën e fjetjes ishin disa sfungjerë me pesë centimetra trashësi, për dallim nga pavijoni i mëparshëm. Me Nexhdetin shpeshherë kemi fjetur në një krevat, sepse kishim vetëm nga një batanije. Dritarja s’kishte xhama. Më kujtohet kur Nexhdeti, gjatë dimrit, deri lartë i kishte ardhur bora, duke e fryrë e fortë që atje njihet si Koshava. Djali ishte aq i lodhur sa që nuk e kishte ndjerë borën. Prandaj, flinim me dy batanije në një krevat, unë dhe Nexhdeti”.
Organizimi i vëllezërve të burgut
Në Burgun e Pozharevcit thotë se vetëm buka ka qenë me kualitet, ndërsa gjellët as që mund t’i hanin, por detyroheshin t’i hidhnin.
“Guacën për nevoja fiziologjike e kishim në dhomë. Nexhdeti, për shkak të respektit ndaj nesh, gjithmonë ka insistuar që të flinte me kokë të kthyer nga guaca. Ai gjithmonë ka insistuar që gjërat më të rënda t’i merrte përsipër”.
Në pavijonin numër katër, një prej rregullave që e lexuan gardianët ishte se “nëse nuk veprohet sipas rregullave të burgut” dhe nëse unë “nuk raportoj se kush i thyen rregullat”, pasojat do të barten tek Bejta.
“Shumica e njerëzve nuk më njihnin, ndaj kishin frikë prej meje. E ndjeja veten keq. Nuk e zgjatën shumë gardianët dhe dolën jashtë. Sapo dolën, unë i thirra të gjithë dhe e mbajta një fjalim. Aty kishte të moshuar dhe të mitur. I mituri Bujar Kukaj, rreth 16-vjeçar, ishte bashkë me babanë e tij, Ilmi Kukajn nga Drenasi. Ju drejtova duke thënë që këta për të na i përmirësuar kushtet nuk e kanë ndërmend, ndaj duhet të bëhemi bashkë e ta ndihmojmë njëri-tjetrit. Aty i pashë të gjitha fytyrat duke buzëqeshur dhe të relaksuara. Iu drejtova atyre që ishin më të moshuar duke thënë se si të thonë ata do të veprohet, në të mirë të të gjithëve. Megjithatë, ata nuk pranuan, duke m’i lënë mua me të gjitha organizimet”.
Hapi i parë që ndërmorën ishte pastrimi i dhomës. Të burgosurit ishin shumë të lidhur në mes vete, ndaj nuk ndaleshin duke punuar.
“Në një moment mendova: këta njerëz, në këto kushte, pa dëshirën e tyre mund të gabojnë. Të gjithë i kishim vuajtjet tona e mund të ishte dikush me temperament tjetër. Ndaj, e kam formuar një grup për ta ruajtur gjendjen emocionale. Kjo pjesë ka shkuar mirë. Paketat e familjarëve, kur na vinin, gjithmonë i vendosnim në mes dhe i hapnim bashkërisht: kush çka ka dashur ka marr secili nga gjërat e njëri-tjetrit, qoftë veshmbathje, ushqim etj. Kemi qenë të afërt njëri me tjetrin. Ne madje kemi dalë vullnetarë për t’u rrahur në vend të tjetrit. Nëse Nexhdetin e kanë rrahur gardianët paradite, pasdite ka dalë dikush tjetër për të hëngër dajak për të, duke thënë: ‘Unë jam vullnetar që ta paguaj dënimin e tij’. Kjo ndodhte jo njëherë, por shumë herë. Dhe, të gjitha këto ka qenë arma më e fortë kundër serbëve”.
I gjakosur drejtë Beogradit: Në luftë me çmendinë!
Me arsyen për ta dërguar sërish në gjykim, Bejtën e transferuan në Spitalin Ushtarak në Beograd (CZ). Maltretimet atij nuk iu ndanë as gjatë rrugës.
“Në muajin shkurt të vitit 2000, më kanë thënë që të përgatitem për të shkuar në gjyq. Qysh në Mitrovicë mua ma kanë shqiptuar dënimin me 11 vjet burg, si pjesëtar i UÇK, sipas nenit 136.1. Kur dola jashtë burgut, të gjithë u përshëndetën me mua. U mërzitën. Një veturë ‘Lada’ ishte para hyrjes, bashkë me shumë policë. Aty më morën dhe me lidhën. Ma vendosën në zorrën e trashë shkopin e gomës dhe më hedhin në bagazhin e veturës. Nga Pozharevci në Beograd, në atë situatë kam shkuar i shtrirë. Çdo lëvizje pakontrolluar e veturës, për mua ka qenë kulmi i tmerrit dhe i dhimbjeve. E di që vendi i ndalimit ka qenë afër qytetit. Dolën nga vetura dhe më nxorën duke ma hequr shkopin e gomës. Gjaku më rridhte këmbëve dhe prapë s’dija çfarë po ndodhte dhe çfarë do të ndodh me mua. Më dërguan në CZ, por jo në repartin ku kishte të burgosur, por në një repart ku ishin personat me të meta psikike. Tek në hyrje i kam parë njerëzit me uniforma. Nëse s’gaboj, ishte kati i dytë. E kuptova shpejt ku jam, për shkak të grilave. Aty i jam frikësuar vetes mos psikikisht nuk do të mundja ta përballoja gjendjen dhe se do të luaja mendsh. Fati ishte që nuk më mbajtën më shumë se dy net e tri ditë aty. S’kam fjalë për atë vend”.
Shpresa se transferimi i tij i radhës do të jetë për në shtëpinë e tij, atë e mbante gjallë. Por, kështu nuk ndodhi. Ai do të transferohet në Burgun e Kralevës.
“Të nesërmen, mbas dreke, më kanë marrë nga aty më hipën në një veturë të izoluar. Përsëri nuk e dija ku po më dërgonin. Vazhdoi rruga, aq gjatë sa që më shkoi mendja mos do të më dërgojnë në shtëpi. Sepse, kjo ishte ëndrra ime. Më zbritën para dyerve të Burgut të Pozharevcit. Me katër të burgosur të tjerë, duke pritur, hipëm në një veturë. Ishim të lidhur me duar mbrapa. Na dërguan në Kralevë. Ne kishim informata që tmerri më i madh është aty. Por, për çudi, askush nuk na ka prekur”.
Atëherë del drejtori i burgut, i cili urdhëroi t’ju zgjidhen duart. Ai thotë: ‘Askush me dorë s’guxon t’ju prek, vetëm nëse e thyeni rendin shtëpiak’. Pasi e mbaroi fjalimin, erdhën mjekët.
Burgu i Kralevës, si “relaks” ndaj torturave të mëparshme: Ndryshimi i dënimit dhe liria
“Donin të na i identifikonin plagët e trupit, sepse burgu i Pozharevcit mund t’i akuzonte ata për lëndimet që ne veç i kishim. Aty, për herë të parë – pas nëntë muajve – e kam pasë jastëkun, çarçafët dhe televizorin. Na kanë dërguar për t’u pastruar sa herë kemi dashur. Edhe në Kralevë kam qenë bashkë me Nexhdetin. Nga televizori kishim mundësi të merrnim informata të shpejta. Aty mora vesh që opozita e Millosheviqit është Kraleva, sepse serbët e burgut e shanin. Aty tashti vinte në pah shprehja: armiku i armikut tim është miku im. Prandaj, patëm fat që në këtë burg kaluam mirë”.
Edhe pse e kishte dënimin e shqiptuar në Mitrovicë, Bejtës disa herë dërgohet në gjykatore.
“Më dërguan në gjykatë. Nuk e kam pranuar avokatin që të më mbrojë. Kur pyeti avokati pse, i thash: “Je serb, asgjë më i mirë se këta’. Ai këtë deklaratë e kishte prezantuar tek gjykatësit. Unë nuk pranova as përkthyes, meqë nuk u besoja, ndërsa e njihja serbokroatishten. Për një ditë më dënuan me 14 vjet burg. Sa më shumë u dënoje, kur dilje të prisnin civilët. Në momentin që ia thoshin numrin e madh të viteve, të rrihnin në formë hakmarrjeje. Një serb, i cili ka punuar në Vushtrri , më tha: ‘Po të njoh’. Unë, edhe pse e njihja si fytyrë, i thash se nuk e di kush është. Dorën në zemër, ai nuk e la askënd të më afrohej”.
Kur ia shqiptuan dënimin, Bejta kishte qeshur. Ndërsa, shokët e dhomës në burg ishin mërzitur së tepërmi.
“Në mbrëmje vjen një gardian dhe më thërret duke i kërkuar dokumentet. Gardiani thotë që duhej të nënshkruaja një dokument, sepse gjykata e kishte ndryshuar nenin me të cilin isha dënuar. Nga 136.1 ma bëjnë 136.2. Sa kam mundur të kuptoja, me këtë nen maksimumi ka qenë pesë vite dënimi. Më kthejnë edhe njëherë në gjykatë. Edhe herën e dytë i pata disa të rëna, mirëpo jo të mëdha. Herën e tretë jam dënuar me katër vite, me dokumente në dorë, ndërsa herën e fundit jam liruar: 5 gusht 2000. Natën e parë kemi fjetur në Beograd, në Kryqin e Kuq ndërkombëtar, kinse për sigurinë tonë. Prapë nga Beogradi na kthyen në Pozharevc për t’i marrë nja dy-tri të tjerë. Në Merdare e ndjeja veten keq. Policët më thanë: ‘Çka po rri nervoz, a po të dhemb koka kur po na sheh’? Thash se po më dhemb koka. Më shumë se një orë na kanë mbajtur aty, vetëm pse e thash atë fjalë”.
Pasi kalon kufirin me Serbinë, në Merdare, ai takohet me familjen e tij. Edhe sot Bejta nuk mundet ta përshkruaj atë moment.
“Pas një muaji vjen Kryqi i Kuq. I sollën dokumentet e mia. Kur i pash, ishin sikur t’i kisha fut para një ore në gjak, sepse ashtu ishin. Ata e sollën edhe dokumentin e fundit ku askund asgjë nuk përputhej me atë që unë kisha përjetuar”, përfundon rrëfimin e trishtuar dhe plot vuajtje Syleman Bejta, i cili as sot nuk mund ta besojë se si ka mbetur gjallë, se si njeriu bëhet i fortë pas këtyre tmerreve e t’ia dalë të ecën në këmbët e veta. /Elfije Boletini/Telegrafi/