-0.9 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Si t’i jepni vlerë kohës në zyrë në një model hibrid pune

Më të lexuarat

Për shumë punonjës, zyra do të ketë një tjetër peshë në rikthimin e tyre. Shumë kompani po adoptojnë një model pune hibrid, ku punonjësit e kalojnë kohën mes zyrës dhe shtëpisë. Punonjësit dhe drejtuesit duhet ta pranojnë se do të duhet kohë për t’ju përshtatur këtij modeli të ri.

“Nuk duhet të habitemi që kjo është e vështirë dhe pak e çuditshme dhe do të kërkojë një proces të gjatë të menduari” – tha Katy Tynan, analist në Forrester. Ai shtoi se me shumë gjasa, punonjësve do t’u duhen nga 6 – 12 muaj për t’ju përshtatur këtij modeli hibrid.

Më poshtë janë disa këshilla për t’i dhënë vlerë kohës që do të kaloni në zyrë.

Programoni kohën me kujdes

Ndërveprimi ballë për ballë është i rëndësishëm në ndërtimin e marrëdhënieve, por jo të gjithë do të jenë gjithnjë të pranishëm në një mjedis hibrid, për këtë arsye duhet të jeni më dinamik në koordinimin e ditëve në zyrë dhe të programoni mbledhje që të jeni në zyrë në të njëjtën kohë me drejtuesin tuaj apo ndonjë prej kolegëve kur është e nevojshme.

“Përpiquni të komunikoni ballë për ballë me njerëzit me të cilët keni nevojë të zhvilloni marrëdhënie më të thella” – tha Kimberly Cummings, autor i librit “Next Move, Best Move: Transitioning into a Career You’ll Love”.

Ai këshillon të kontaktoni pjesëtarët e ekipit, drejtuesit, mentorët dhe sponsorët për të organizuar një takim ballë për ballë. “Ju nuk do ta shfrytëzoni në maksimum kohën nëse shkoni në zyrë dhe shpresoni që gjërat do të funksionojnë. Ju duhet t’i programoni gjërat” – shprehet Cummings. “Nëse po merreni me një projekt kompleks dhe keni nevojë për brainstorming, si dhe për t’u thelluar mbi të me shefin tuaj, përdoreni kohën për këtë qëllim, apo për biseda profesionale me rëndësi”.

Mos u fokusoni në detyra individuale

Disa punë mund të zgjidhen më lehtë në zyrë. “Shtëpia është vendi ideal për të punuar qetësisht dhe vetëm” – tha Nick Bloom, profesor i ekonomisë në Stanford University. “Të lexosh, të shkruash raporte, email-e, raporte shpenzimesh – gjithë këto gjëra mund të bëhen më mirë në shtëpi”. Ai këshillon që kur të shkoni në punë, të përqendroheni në çështje që kërkojnë bashkëpunimin me të tjerë, – në veçanti me grupe të mëdha – dhe për të krijuar raporte ndërpersonale.

“Është e qartë se për detyrat individuale apo për takimet ballë për ballë të strukturuara, puna nga shtëpia është sigurisht më mirë – tha Bloom. Ajo çfarë nuk funksionon mirë është koha sociale jo e strukturuar”.

Organizoni mbledhjet më të rëndësishme

Disa mbledhje funksionojnë më mirë kur të gjithë janë në të njëjtën dhomë. “Lodhja nga Zoom është diçka reale, truri ynë lodhet në njëfarë mënyre kur bëjmë gjëra në distancë dhe virtuale gjë që nuk do të ndodhte kur gjërat diskutohen ballë për ballë – tha Tynan. Ju mund t’ia lejoni vetes të bëni mbledhje në zyrë dhe jo në shtëpi”. Por ju nuk do të donit të bllokoheshit gjithë ditën në zyrë me mbledhje. Cummings këshillon që ju t’i shfrytëzoni takimet ballë për ballë për të prezantuar një ide të re apo kur përpiqeni të krijoni raporte me njerëz të rinj.

Të kuptoni njerëzit në një dhomë dhe të perceptoni sinjalet joverbale është më e vështirë në mbledhjet virtuale. Mbledhjet më të mëdha në grup funksionojnë më mirë kur tjetrin e keni përballë – sipas Bloom, ndërsa mbledhjet me dy deri në katër persona janë më të përshtatshme në videothirrje.

Mos shkoni në zyrë për t’u fshehur gjithë ditën

“Avantazhi më i madh i të qenët i pranishëm në zyrë është të jesh i gatshëm për takime spontane” – tha Bloom. “Të uleni në mjedise të hapura është gjëja më e mirë që mund të bëni”. Raportet sociale që kishim ndërtuar mes kolegëve me siguri janë zbehur gjatë një viti e gjysmë – përdoreni këtë kohë për të rivendosur këto raporte, ndaluni për pak kohë për të bërë ndonjë bisedë të shkurtër”. “Modeli hibrid nuk është mënyra se si ishin gjërat njëherë e një kohë, për këtë arsye duhet të jemi më të kujdesshëm në programimin e kohës sociale në zyrë”.

/ *Kathryn Vasel, CNN Business

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit