5.2 C
Pristina
Sunday, December 29, 2024

SHBA: Varianti Delta dhe rihapja e shkollave

Më të lexuarat

Nxënësit në mbarë Shtetet e Bashkuara po kthehen në mjediset shkollore për fillimin e vitit të ri mësimor, në një kohë kur numri i infektimeve me variantin Delta është shtuar.

Ekspertët thonë se fëmijët duket se janë më të rrezikuar nga ky variant. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Daria Dieguts na sjell shqetësimet e prindërve, të cilët duan të dinë si të mbrojnë fëmijët, sidomos ata që janë nën moshën e lejuar për vaksinime.

Që kur pandemia goditi Shtetet e Bashkuara, mbi 36 milionë amerikanë janë infektuar, rreth 4 milionë prej tyre fëmijë, sipas Akademisë Amerikane të Pediatrisë. Pas një qetësie relative për disa muaj, varianti delta po shkakton rritje të re infeksionesh, ndërkohë që fillon së shpejti viti shkollor.

“Askush nën moshën 12 vjeç nuk është vaksinuar. Kjo nënkupton se kemi një popullatë shumë të prekshme nga virusi. Një tjetër faktor është se amerikanët hoqën maskat që në fillim të verës. Kur heq maskën, heq protokollet mbrojtëse dhe fillon të mblidhesh me të tjerë. Kjo krijon mundësi të mjaftueshme për virusin që të përhapet”, thotë Dr. William Rszka i Universitetit të Vermontit.

Ekspertët thonë se situata është më e rëndë në jug të vendit, ku përqindjet e vaksinimeve kanë qenë të ulëta dhe varianti delta po përhapet shumë shpejt.

Gjithashtu një numër guvernatorësh nga shtete si Florida, Teksasi dhe Arizona kanë bllokuar urdhrat për vënin e maskës me detyrim, megjithëse ka njoftime që shumë seksione arsimore po i sfidojnë këto vendime.

“Nëse fillon shkolla pa kërkuar me detyrim maskat, nga shtatori deri në dhjetor pjesa më e madhe e fëmijëve në shkolla do të infektohen. I tillë është ky virus; ky variant është më ngjitës se ai i vjetshmi”, thotë Dr. Danny Benjamin i Universitetit Duke.

Dr. Danny Benjamin, pediatër me specialitet sëmundjet infektive në Universitetin Duke, ka marrë pjesë në tre studime mbi rolin që luajnë maskat për të mbrojtur fëmijët nga infektimi me koronavirus në shkollë.

“Studiuam mbi një milion fëmijë dhe të rritur këtë pranverë, fëmijë që rrinin pranë njëri-tjetrit në autobusin e shkollës, ndiqnin mësimet pa ndërprerje në mjedise shkollore. Rezultoi që mundësia e një fëmije për të infektuar dikë tjetër në shkollë ishte më e ulët se 1% falë maskave”, thotë Dr. Benjamin.

Por ata që kundërshtojnë urdhrat për të vënë maska me detyrim argumentojnë se këto vendime shkelin të drejtat individuale, pasi secili duhet të zgjedhë vetë në këtë rast. Ka shumë që shprehim mungesë besimi tek qeveria dhe deklaratat e zyrtarëve se vaksinat nuk janë të rrezikshme.

Ndërkaq, ekspertët thonë se shtimi i ritmeve të imunizimit është çelësi për ta vënë nën kontroll virusin.

“Nëse vaksinojmë komunitetin, shkollat nuk do të jenë në rrezik. Po ashtu, çdo i rritur që ka fëmijë në shkollë apo punon në shkollë duhet të jetë vaksinuar. Nëse jo, shumë turp t’u vijë. Kur të hapen shkollat, duhet të përpiqemi të vaksinojmë të gjithë fëmijët nga 12 vjeç e sipër, pasi shumë nuk janë vaksinuar”, thotë Dr. William Shchanffner i Universitetit Vanderbilt.

Shpejtësia me të cilën përhapet varianti delta, e ka bërë Akademinë Amerikane të Pediatrisë të nxisë autoritetet rregullatore të miratojnë përdorimin e vaksinave kundër COVID-it për të imunizuar edhe fëmijët nga mosha 5 vjeç. Pritet që miratimi të jepet brenda pak muajsh. /voa

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit