Qeveria e Kosovës në mbledhjen e sotme ka marrë disa vendime.
Kabineti qeveritar, i udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti, miratoi ndarjet buxhetore për zbatimin e disa masave të Pakos për Ringjallje Ekonomike, si dhe projektligje dhe drafte të planeve strategjike të veprimit.
Ekzekutivi miratoi projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit “Projekti emergjent i Kosovës për COVID-19, financim shtesë, në mes të Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim”.
Është miratuar edhe drafti i planit të veprimit për zbatimin e fazës së dytë të prioriteteve politike të dakorduara ndërmjet BE-së dhe Kosovës për Agjendën për Reforma Evropiane.
Qeveria po ashtu ka miratuar ndarjen e pesë milionë eurove për subvencionimin e policave kufitare për mërgimtarët për sivjet.
Në mbledhjen e sotme është miratuar edhe propozimi për përbërjen e Komisionit Qeveritar për njohjen e statusit të ish-të dënuarve dhe ndjekurve politikë.
Është formuar edhe Komisioni Shtetëror për Rini dhe është votuar pro lejimit të blerjes së veprave artistike.