Ministria e Shëndetësisë të enjten ka filluar shpërndarjen e automjeteve të ndihmës së shpejtë për Qendrat Kryesore të Mjekësisë Familjare.
Këtë lajm e ka bërë të ditur Ministria e Shëndetësisë përmes një postimi në Facebook.
Komunat përfituese të këtyre autoambulancave janë: Prishtina, Gjakova, Mitrovica dhe Gjilani.
Blerja e këtyre automjeteve, sipas kësaj ministrie, është mundësuar nga huamarrja e Bankës Botërore e prokuruar nga UNOPS (Zyra e Kombeve të Bashkuara për Shërbimet e Projekte).
“Vlera financiare e këtyre autoambulancave të tipit: Advanced Life Support, arrijnë shumën prej 347 mijë e 490 euro dhe ato do të ndihmojnë në avancimin e shërbimeve emergjente shëndetësore dhe do të lehtësojnë transportin e pacientëve nga niveli parësor i kujdesit shëndetësor në nivelet e tjera, në kushte më të avancuara dhe më të sigurta”, thuhet në njoftimin e kësaj ministrie.