2 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

FUNDI/ Shakon s’do e dëgjojmë më: a ka vend për dhimbje?

Më të lexuarat

Në komentin e finales Itali – Angli nga Wembley në Londër, komentatori Dritan Shakohoxha, duke njoftuar se dyshja Bonucci dhe Chielini kishin ndeshjen e fundit të karrierës, njëherësh njoftoi se dhe ai do kishte komentin e tij të fundit në karrierë.

Nuk është e nevojshme të bëhet një test i ndjeshmërisë publike nëse te to haset ndopak dhimbje a dëshpërim që zëri i Shakohoxhës (ose Shakos siç i thonë ndryshe), nuk do jehojë më pas ekranit me sytë drejt asaj çfarë luhet në fushat e blerta. Si të ishte e si mos ishte, nuk ndryshon asgjë.

Që nga koha e Anton Mazrekut, Ismet Bellovës, Vladimir Grillos, apo dhe Ahmet Shqarit, vështirë se mund të veçosh, prej atyre komentatorëve sportivë të pas 90-ës, të cilët janë dhe pasues të emrave të mësipërm, ndokënd që, për cilësi të veçanta, unike, simpatike e tërheqëse gjithashtu, të të imponohet dhe si personalitet mikrofoni gjithashtu.

Nuk e dimë se ç’vetëklasifikim i bën vetes Shako në këtë lëmë të ushtruar në gati tre dekada, apo nëse ka merakun për të ditur se ç’shije apo ç’gjurmë ka lënë te futbollndjekësit shqiptarë ndër vite, por ca sensorë të ndjeshmërisë publike nuk e klasifikojnë si “mjeshtër” komentimi.

E para, pa zë për këtë specialitet. Komentatori sportiv është dhe folës televiziv në kuptimin klasik. Dhe një folës duhet të ketë një zë kualitativ. Shako s’e gëzon këtë atribut nga Zoti.

Vijmë te artikulimi; është një kaos total. Fjalitë e paplota, të ç’akorduara, copë-copë, me pauaza ekstreme, ishin tregues se ky talent hem i mungonte e hem s’u kultivua kurrë për t’u zbuluar nëse ekzistonte i fjetur.

Pastaj vijmë te notat, muzika e artikulimit; një stonim total, me kantilena qesharake, me kreshendo dhe dekreshendo të bezdisshme vokali, si ato te paraqitjet profane dhe naive në konkurrimet e adoleshentëve për show talentesh në këngë.

Dhe në fund kultura, ajo kulturë që duhet të shpërfaqë një komentator sportiv sa i përket fushës ku vepron. Shako e kishte shumë pak në nevojën për të patur shumë. Me Shakon ti s’kulturoheshe kur e dëgjoje.

Thjesht: ai ishte një komentator por jo personalitet komentimi!

Do kujtohet si emër por jo si sqimë në komentim! /tesheshi.com/                 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit