0.8 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Presidenti Biden do të presë kancelaren Merkel të enjten në Shtëpinë e Bardhë

Më të lexuarat

Presidenti amerikan Joe Biden do të presë për një takim kancelaren gjermane Angela Merkel të enjten e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë për të afirmuar lidhjet “e thella dhe të qëndrueshme” mes aleatëve të NATO-s duke trajtuar në të njëtën kohë disa mosmarrëveshje, njoftoi të premten Shtëpia e Bardhë.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Jen Psaki tha se të dy udhëheqësit do të diskutojnë për sulmet e kibernetike që kanë goditur kompanitë në Shtetet e Bashkuara dhe në të gjithë botën, si dhe për gazsjellësin Nord Stream 2 që do të furnizojë Gjermaninë me gaz natyror nga Rusia, të cilin Uashingtoni e kundërshton.

Zonja Psaki tha se ajo do të ishte një “vizitë zyrtare pune” që synon nxitjen e partneritetit midis dy vendeve dhe identifikimin e rrugëve për të forcuar më tej bashkëpunimin.

Kjo do të jetë vizita e parë e kancelares Merkel në Uashington që kur presidenti Biden mori detyrën në janar. Kancelarja Merkel, tani në mandatin e saj të katërt, ka thënë se do të tërhiqet pas zgjedhjeve kombëtare gjermane në shtator.

Zëdhënësja Psaki tha se presidenti Biden vazhdon ta shoh gazsjellësin prej 11 miliardë dollarësh Nord Stream 2 si një “marrëveshje të keqe”, por nuk pranoi të thoshte nëse mund të arrihej një marrëveshje për të shmangur rifillimin e sanksioneve amerikane të pezulluara përkohësisht ndaj Nord Stream 2 AG, kompania gjermane që qëndron pas këtij tubacioni dhe shefit ekzekutiv të tij.

Në muajin maj Departamenti amerikan i Shtetit arriti në përfundimin se kompania dhe drejtuesi ekzekutiv Matthias Warnig, një aleat i Presidentit rus Vladimir Putin, janë angazhuar në një veprimtari të sanksionueshme. Por Sekretari i Shtetit Antony Blinken hoqi dorë menjëherë nga këto sanksione, duke thënë se një lëvizje e tillë ishte në interesin kombëtar të Shteteve të Bashkuara.

Presidenti Biden ka thënë se ai dëshiron të përmirësojë lidhjet me Gjermaninë, një aleate e nevojshme për të ndihmuar në trajtimin e çështjeve më të gjera përfshirë ndryshimin e klimës, rimëkëmbjen ekonomike dhe marrëdhëniet me Iranin dhe Kinën.

Zyrtarët gjermanë thonë se shpresojnë ta zgjidhin çështjen deri në gusht dhe se takimi Biden-Merkel mund të sigurojë një moment të rëndësishëm për arritjen e një marrëveshjeje.

Berlini dhe Uashingtoni kanë gjithashtu mosmarrëveshje lidhur me heqjen dorë përkohësisht nga të drejtat e pronës intelektuale për vaksinat që po shqyrtohet nga anëtarët e Organizatës Botërore të Tregtisë për të ndihmuar në dhënien fund të pandemisë COVID-19. Uashingtoni mbështet heqjen dorë përkohësish nga këto të drejta, por Gjermania është kundër.

I pyetur nëse Bideni do të kërkonte të bindte Merkelin për të mbështetur heqjen dorë nga patentat, zonja Psaki tha se presidenti ishte një “mbështetës i fortë” i një veprimi të tillë, por se kjo ishte vetëm një nga disa mjete që mund të përdoren për të rritur nivelin e vaksinimeve COVID-19 në të gjithë botën.

Burimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit