Nga Hoxhë Justinian Topulli
Një nga taktikat që përdoret për të delegjitimuar një kauzë të drejtë, është dekurajimi i njerëzve përmes diversionit, ndaj synimit gjoja të fshehtë amoral, të kësaj kauze. P.sh. kur dikush flet kundër korrupsionit të një pushteti të caktuar, ky veprim kundërshtohet nga mbrojtësit e këtij pushteti ose skeptikët, duke thënë se qëllimi i ndryshimit nuk është i sinqertë, dhe se pas tij qëndrojnë arsye të tjera. Në këtë rast, shmanget qëllimisht drejtësia ose jo e kauzës, dhe fokusohet vëmendja te qëllimi i veprimit.
A është diçka e drejtë kjo, apo e padrejtë?
Sigurisht që kjo varet nga qëllimi për të cilin flitet, a është ai amoral apo jo? Dhe nga fakti se, a është vërtet ky qëllimi i atyre që ngrenë këtë kauzë, apo jo?
Ajo që vihet re kryesisht në radhët e besimtarëve është se, synimi i fshehtë për të marrë një post të caktuar përbën përgjithësisht një qëllim amoral, ndaj dhe hasim shpesh në kundërshtimin e një kauze të drejtë, nga kundërshtarët e saj ose skeptikët, nisur nga fakti i përbaltjes së qëllimit ose vënies në dyshim të sinqeritetit të kauzës. Mjafton të thuhet se kjo kauzë synon marrjen e posteve drejtuese të këtij institucioni, për të delegjitimuar të vërtetën e shpallur të saj. Pra e vërteta dhe e drejta dalin në plan të dytë, ndërsa nijeti i supozuar i kësaj kauze, që e di vetëm Zoti, dhe është një marrëdhënie individuale e fshehtë mes njeriut dhe Krijuesit, del në plan të parë! Pa e kuptuar besimtarët bëhen përbaltës dhe armiq të një kauze të drejtë, duke u marrë me nijetin e njerëzve, pra me atë që i takon Allahut dhe jo atyre.
Ndeshemi shpesh me pyetjet: Pse tani ky veprim? Përse nuk u bë më parë? Ka diçka të fshehtë këtu… etj. Dhe kjo e fshehtë në shumë raste, sipas kundërshtarëve dhe dyshuesve, është pikërisht synimi për të marrë poste, pra për lavdinë dhe interesin personal të dikujt.Por përveç faktit se këta njerëz e marrin për të mirëqenë këtë synim, edhe kur nuk kanë prova për ta vërtetuar këtë, sepse kjo është çështje nijeti, që e di vetëm Zoti dhe jo gjithmonë është e dukshme apo e kuptueshme nga të tjerët, ata rrallëherë ose ndoshta kurrë nuk i bëjnë pyetje vetes, se a përbën krim dhe a është amorale gjithmonë synimi për të marrë një post të caktuar?Si përgjigjja po, apo jo, të dyja këto qëndrime absolute janë të gabuara nga këndvështrimi islam.
Imam Kurtubiu (rahmet pastë) në komentin e tij të Kuranit, në suren Jusuf, kur komenton ajetin 55, kur Jusufi (alejhi selam) i thotë mbretit: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve).”, ndër të tjera thotë:
“Nëse një njeri e njeh mirë veten e tij se, ai i jep hakun gjykimit ose hisbes (autoriteti i mbikëqyrjes morale dhe fetare) dhe nuk ka të tjerë të aftë dhe të atillë që mund të zënë vendin e tij, atëherë kjo bëhet obligim për të, dhe është detyrë që ai ta marrë këtë post dhe ta kërkojë atë. Ai nxjerr në pah cilësitë e tij, me të cilat e meriton këtë post, që janë dija, aftësia dhe të tjera cilësi, ashtu siç i përmendi Jusufi (alejhi selam). Por nëse ka të atillë, në dijen e tij, që janë të aftë dhe vlejnë për këtë punë më së miri, atëherë më parësore është që ai vetë të mos e kërkojë këtë post. Dhe kjo duke u nisur nga fjala e Profetit (alejhi salatu ue selam) drejtuar AbduRrahman ibn Semures: “Mos e kërko postin e prijësit!”
Po kështu, Shejh Ibn Uthejmini (rahmet pastë) duke e detajuar këtë çështje, në komentin e sures Sad, në ajetin 35, në lutjen e Sulejmanit (alejhi selam): “O Zoti im, më fal dhe më dhuro një pushtet që të mos e ketë askush pas meje!”, thotë:
“Dijetarët nuk janë të një mendimi për sa i përket lejimit të kërkesës për të marrë postin e prijësit, a i lejohet njeriut që të kërkojë post prijësi ose gjykatësi, apo poste të ngjashme drejtuese? Disa kanë thënë se kjo lejohet dhe disa të tjerë se kjo është e ndaluar dhe të tjerë kanë bërë klasifikim sipas rasteve.
Ata që e lejojnë janë argumentuar me historinë e Jusufit, kur ai i tha mbretit të Egjiptit: “Më cakto përgjegjës të depove të vendit, sepse unë jam ruajtës dhe njohës (i mirë i këtyre punëve).” Në këtë rast ai e kërkoi vetë postin, dhe sheriati që ka qenë para nesh, vlen edhe si sheriat për ne, nëse në sheriatin tonë nuk vjen diçka që bie ndesh me të. Po ashtu, ata janë argumentuar me hadithin e Uthman ibn Ebi el-Asit, kur ai i kërkoi Profetit (alejhi salatu ue selam): “Më bëj imam të popullit tim!” dhe ai i tha: “Ti je imami i tyre.” Ata që e ndalojnë janë argumentuar me hadithin e AbduRrahman ibn Semures kur Profeti (alejhi salatu ue selam) i tha atij: “Mos e kërko postin e prijësit, sepse nëse ai të jepet për shkak të kërkesës tënde, ti do të jesh i varur prej tij, dhe nëse të jepet pa e kërkuar, do të ndihmohesh për ta përmbushur atë.”
Profeti (alejhi salatu ue selam) këtu e ndalon kërkimin e postit të prijësit dhe sqaron edhe shkakun, se kush e merr atë përmes kërkesës, do të varet prej tij dhe se Allahu nuk do ta ndihmojë, ndërsa kush e merr atë pa e kërkuar, Allahu do ta ndihmojë në këtë post.
Gjithashtu, janë argumentuar edhe me hadithin ku përmendet një burrë, i cili kërkoi nga i Dërguari i Allahut (alejhi salatu ue selam) të bëhej vali dhe ai i tha: “Ne nuk e emërojmë në këtë post dikë që e kërkon atë.” Kjo tregon se posti nuk kërkohet dhe ai që e kërkon, nuk është prej atyre që e meriton të emërohet.
Dijetarë të tjerë bëjnë dallim mes rasteve duke thënë: Nëse këtë post e kërkon për të rregulluar atë që është prishur, atëherë kjo lejohet, sidomos kur e njeh mirë veten se je i aftë, përndryshe nuk lejohet, sepse t’i ruhesh gabimeve është më parësore.
Ky qëndrim, që bën këtë dallim është edhe qëndrimi i saktë, sepse pajton mes argumenteve. Kështu që nëse njeriu p.sh. vëren se dikush ka marrë një post drejtues, për të cilin ai nuk vlen, qoftë për shkak të fetarisë së tij (të dobët), përgjegjësisë dhe veprimeve (të gabuara) që bën, dhe e njeh veten mirë, se ka aftësi ta mbajë këtë post më së miri, ose së paku më mirë sesa ka qenë, atëherë nuk ka problem ta kërkojë këtë post, sepse synimi i tij në këtë rast është puna dhe përmirësimi dhe jo interesi personal. Por, nëse nuk ekziston një shkak i tillë, apo njeriu e njeh mirë veten se është i dobët dhe nuk mundet ta mbajë këtë post, atëherë të mos e kërkojë dhe nuk i lejohet ta kërkojë.” (Tefsir Ibn Uthejmin, f. 175-7)
Ajo që përforcon më shumë saktësinë e këtij qëndrimi, janë edhe shembujt nga jeta e disa prej sahabëve, pas Profetit (alejhi salatu ue selam), ku kemi raste dhe ambicie të shprehura haptazi për të marrë postin e kalifit. Siç është p.sh. rasti i Husejnit dhe Abdullah ibn Zubejrit (radijAllahu anhuma). Asnjëri prej tyre nuk u kritikua nga sahabët e tjerë, se po bënte një veprim që nuk lejohej. Madje shembulli i nipit të Profetit (alejhi salatu ue selam) është më i qarti në këtë drejtim. Ai bashkë me disa sahabë të tjerë refuzuan t’i jepnin besën Jezidit si kalif, sepse ai nuk e meritonte të ishte në atë post. Husejni (radijAllahu anhu) shkoi përtej kësaj, ai vendosi t’i bashkohej mbështetësve të tij në Kufe, që ishin të gatshëm të luftonin për ta bërë atë Kalif të muslimanëve. Asnjë prej sahabëve që e këshilloi Husejnin të mos shkonte, siç qe Abdullah ibn Umeri, Abdullah ibn Abasi, vëllai i tij Muhamed ibn Hanefije dhe të tjerë, nuk i thanë se nuk lejohet të dëshirohet apo kërkohet posti i kalifit, por ata e këshilluan të mos shkonte në Kufe, sepse njerëzit e saj do ta linin në baltë dhe do ta tradhtonin atë, dhe kështu ndodhi, gjë që u pasua nga ajo histori e trishtuar dhe e dhimbshme, me vrasjen e tij në mënyrë të padrejtë në Kerbela.
Pra, në thelb dëshira dhe kërkesa për të marrë një post që e meriton, kur qëllimi është fisnik, nuk është aspak amorale dhe as thjesht egoizëm personal. Madje kjo sjellje që synon të hulumtojë synimin e kauzës dhe jo vërtetësinë dhe drejtësinë e saj, i ngjan sjelljes së jobesimtarëve, të cilët i paragjykonin profetët pikërisht në nijetin e tyre, se misioni i tyre synonte që ata të bëheshin të pasur ose mbretër! Jo rrallëherë edhe Profeti ynë u përball me një akuzë të tillë. Dhe ndjekësit e tij të sinqertë dhe reformatorët vazhdojnë të përballen me të tilla akuza, gjatë gjithë kohës.
Pra, nga ky shpjegim i detajuar qartësohet se është e pavend që një kauzë e drejtë fetare dhe morale të delegjitimohet dhe përbaltet, duke u nisur nga supozimi dhe hamendja se ajo motivohet për poste dhe pushtet personal, qoftë kjo nga kundërshtarët që kërkojnë të bëjnë diversion ndaj kësaj kauze të drejtë, qoftë nga skeptikët që vetëm ngrenë dyshime.
Është më se legjitime, morale e fetare njëkohësisht, që njerëz të aftë, të ditur, dinjitarë dhe me integritet moral dhe profesional, të kërkojnë poste drejtuese, kur në to qëndrojnë njerëz mediokër dhe të paaftë, ndërkohë që synimi kryesor, qëllimi dhe nijeti nuk është interesi personal për lavdi apo përfitim material, por ndreqja, përmirësimi dhe mbarëvajtja e një institucioni, sa të jetë e mundur. Ndërkohë siç jemi shprehur edhe në një shkrim të mëhershëm, posti është si çdo sfidë dhe sprovë tjetër në këtë botë dhe fakti se ka shumë njerëz që dështojnë në të, dhe me kalimin e kohës prishen dhe korruptohen moralisht, nuk përbën kurrsesi argument se ai nuk duhet marrë nga njerëzit e duhur, madje shpesh ne vuajmë pikërisht nga pasojat e hezitimit dhe mungesës së ambicies për këto poste nga njerëzit e duhur, duke iu lënë rrugën të hapur mediokërve dhe karrieristëve të paaftë, që luftojnë vetëm për lavdinë dhe interesin personal apo klanor.
Natyrisht zgjidhje të përsosur në këtë botë nuk ka, dhe kush kërkon një të tillë synon një idealizëm të gabuar jorealist, por zgjidhja më e mirë në këtë rast është siç na udhëzon mësimi profetik, se zgjedhja e njerëzve të duhur duhet të bëhet përmes një procesi të drejtë dhe transparent, që plotëson kritere morale, fetare, intelektuale e profesionale, dhe bashkësia e besimtarëve është përgjegjëse për zgjedhjen e më të mirit në këtë post, e po kështu humbëse e amanetit të Zotit, kur nuk e përmbush këtë detyrim.
P.s. Për të mos pasur asnjë keqkuptim, dyshim apo hamendësim, më duhet të pohoj se këtë shkrim nuk e kam bërë për interes personal dhe as për të thënë se jam i duhuri, përkundrazi, kauza e drejtë, morale dhe fetare për ndreqjen e KMSH-së, nuk ka asnjë lidhje me ndonjë qëllim personal për të marrë post të lartë drejtues në këtë institucion. Dhe Allahun për këtë e kam Dëshmitar.