Të dhënat e GSMA u prezantuan në Mobile World Congress. Vendet udhëheqëse janë Koreja, SHBA dhe Kina
Në vitin 2025 do të jenë 1.8 miliardë njerëzit në botë, të lidhur me 5G, e barabartë me 21% të lidhjeve mobile totale (këtu përjashtohet Internet of Things). Vendet udhëheqëse do të jenë rajoni më i zhvilluar i Azi-Paqësorit, me 53% të lidhjeve, ndjekur nga Amerika e Veriut (51%) dhe Kina (48%). Europa renditet vetëm e katërta, me 35% të lidhjeve 5G në botë. Në praktikë, në fund të vitit 2025, 5G do të përfaqësojë më shumë se një të pestën e lidhjeve mobile në botë dhe dy në pesë persona do të jenë të lidhur me rrjet 5G.
Këto të dhëna zbulohen nga raporti global i GSMA“The mobile economy 2021”, i publikuar me rastin e hapjes së Mobile World Congress në Barcelonë. 4G mbetet teknologjia referuese. Në vitin 2025 do të përfaqësojë ende 57% të lidhjeve mobile në botë. Në vitin 2020, kjo shifër ishte 56%.
Industria mobile i ka dhënë një kontribut të rëndësishëm në vitin 2020 PBB botërore, prej 4.4 trilionë dollarësh, ose 5.5% të PBB totale. Kjo shifër do të rritet në 4.8 trilionë dollarë në 2025. Operatorët e rrjeteve në botë kanë arritur në total të ardhura më shumë se 1 trilion dollarë në 2020, të cilat do të rriten në 1.15 trilionë dollarë në 2025.
51% e njerëzve në botë kanë një lidhje me internet
Në fund të 2020, numërohen 4 miliardë lidhje me internet me cilëndo teknologji (51% e popullsisë në botë). Në 2025 do të jenë 5 miliardë, ose 60% e popullsisë në botë. Mbetet një pjesë e madhe njerëzish të cilët, edhe pse në vendin e tyre janë të zhvilluara infrastrukturat e internetit me brez të gjerë, nuk përdorin shërbime online (“usagegap”); një pjesë më e vogël, por gjithsesi e rëndësishme nuk ka asnjë rrjet mbulimi (“coveragegap”).
Në vitin 2020, përdoruesit unikë të shërbimeve mobile arritën në 5.2 miliardë (67% e popullsisë në botë). Ky numër do ta shkojë në 5.7 miliardë në 2025.
Lidhjet nga smartphone përfaqësojnë 48% të totalit në 2020 dhe do të arrijnë në 81% në 2025. Lidhjet nga SIM (duke përjashtuar gjithnjë lidhjet IoT) janë 8.1 miliardë, d.m.th. e kalojnë numrin total të popullsisë në botë (depërtimi prej 103%); ato do të arrijnë në 8.8 miliardë në 2025 (107%).
Roli i 5G, përtej pandemisë
Raporti i realizuar nga GSMA Intelligence, shoqëria e kërkimit ‘in-house’ të GSMA, thekson se në vitin e pandemisë, lidhjet e internetit ishin të rëndësishme, duke i mbajtur njerëzit në kontakt, për të punuar, për të studiuar dhe për të pasur akses në shërbime të çdo lloji, nga ato shëndetësore te tregtia online.
Ndërsa bota po del dalëngadalë nga kriza e Covid-19, lidhjet e internetit mbeten të rëndësishme për të mbështetur rimëkëmbjen e ekonomive dhe për t’i bërë ato më të forta t’u rezistojnë krizave të ardhshme. Në këtë kuptim, raporti thekson rolin e 5G në transformimin dixhital të industrive që mundësohen nga IoT.
Pandemia nuk e ngadalësoi përhapjen e shërbimeve komerciale 5G; përkundrazi, përhapja e shërbimeve 5G në Amerikën Latine dhe Afrikën Subsahariane në 2020 bëri që teknologjia të jetë e disponueshme në të gjitha rajonet në botë.
Viti 2023 do të jetë kulmi për 4G, më pas do të jetë koha e 5G
Në tregjet më të zhvilluara për përhapjen e 5G, ose më saktë në Kinë, Korenë e Jugut dhe në SHBA, 4G ka arritur depërtimin maksimal dhe, në disa raste, ka humbur abonentë në favor të teknologjisë së re të lëvizshme. Por në shumë vende të tjera, mbi të gjitha në ato në zhvillim, 4G luan një rol të rëndësishëm dhe vijon të rritet, duke u mbështetur për më shumë tek infrastruktura ekzistuese, pasi kompanitë e telekomunikacionit po investojnë tashmë vetëm në rrjete 5G.
Kulmi i 4G do të regjistrohet në 2023, me thuajse 60% të lidhjeve në botë. Më pas5G do të nisë të pushtojë edhe tregjet në zhvillim.
/ Corriere Comunicazioni