-1.6 C
Pristina
Saturday, December 28, 2024

Ekonomia Islame dhe vendi i Institucionit Suprem të Auditimit

Më të lexuarat

Ekonomia Islame dhe vendi i Institucionit Suprem te Auditimit
 
 
Muhammad Ekrem Khan
 
Subjekti i këtij shkrimi mund të duket paksa jo i zakonshëm për ekonomistët. Në një botë ku globalizimi, privatizimi, teknologjia e informacionit dhe problemet e ambientit zënë temat kryesore të konferencave, në rastin më të mirë përmendja e institucionit të auditimit është vetëm një tangente e temës kryesore. Në këtë material roli i Institucionit Suprem të Auditimit (SAI) në konceptimin e ekonomisë islame të shek. 21 është aq vital, në mos më shumë, sa edhe institucionet e tjera ekonomike. Së pari më duhet të sqaroj disa terma. Termi ‘institucion suprem auditimi’ është emër i përgjithshëm i organit më të lartë përgjegjës për kontrollin shtetëror të një vendi. Vende të ndryshme e emërtojnë atë me emra te ndryshëm si Zyra e Kontrollorit të Pergjithshëm, Audituesi i Pergjithshëm, Kontrollori dhe Audituesi i Përgjithshëm, Gjykatë Llogarish, Gjykatë Auditimi, Dhomë Kontrolli, etj. Për të shmangur konfuzionin emri i përgjithshëm që perdoret gjerësisht në botë është Institucion Suprem Auditimi (SAI). Teza ime kryesore këtu është se në një ekonomi islame të shek. të 21 duhet një Institucion Suprem Auditimi i organizuar mirë. Një numër i madh lidhjesh ekonomike kërkojne një sistem të pavarur mbikqyrje që ushtrohet nga SAI. Jemi në pragun e shek. të 21-të. Ka patur shumë diskutime gjatë shek.20 mbi konceptin dhe strukturën e ekonomisë islame. Nëqoftëse analizojmë literaturën mbi Rilindjes Islame të botuar gjatë gjysmës së dytë të shekullit XX; shumica i përket islamit dhe ekonomisë. Asnjë nga vendet myslimane nuk mund të bëjë progres të rëndësishëm në krijimin e një ekonomie islame në kuptimin e vërtetë. Për këtë arsye është inkurajuese të thuhet se kurrë nuk ka pasur në të kaluarën një klimë më të favorshme për sistemin ekonomik islam sesa në ditët e sotme. Një numër ideshë ekonomike që kane qënë zera të vetmuar të ekonomisteve islame po fitojne popullaritet.
 
 
 
Konturet e ekonomise islame ne shek. e XXI-të
Kur’ani dhe Syneti nuk përmendin termat “ekonomia islame”. Në këtë kuptim koncepti ekonomi islame është një zhvillim i kohëve të fundit në fjalorin Islamik. Megjithatë në Kuran dhe Synet, ka një sërë urdhëratash që trajtojnë aspektet ekonomike të jetës njerëzore. Për ta thënë me pak fjalë, ekonomia islame është ajo ekonomi që zbaton këto mësime në jetën publike dhe lehtëson individët t’i praktikojnë ato në jetën private. Mësimet që merren me jetën ekonomike janë pak, meqënëse i lënë hapësirë të gjerë ligjeve njerëzore, mendimit te pavarur dhe intepretimit nisur nga kërkesat e çdo brezi dhe periudhe. Kështu që nuk mund të ketë një formë standarte të ekonomise islame. Ajo ndryshon bazuar në kushtet e secilit brez. Muslimanët e çdo epoke duhet të gjejnë formën e ekonomisë duke u bazuar në kërkesat e tyre. Gjëja e vetme thelbësore është zbatimi i mësimeve bazë me qëllim arritjen e objektivave të Tiara’s (makasid el –Sheria’ah). Në jetën publike, objektivat e Sheri’atit mund të përmblidhen në krijimin e një shoqërie ku vlerat e lirisë, besimit reciprok, këshillimit, dhënies llogari, drejtësisë, mirëqënies publike, interesave publike, transparencës në politikë, sundimi i ligjit dhe eliminimi i padrejtësisë, korrupsionit dhe mashtrimit janë më të lartat. Ne jetën private, Sheriati mëson thjeshtësinë, maturinë, vetëmohimin, mëshirën, vëllazërinë dhe bujarinë. Këto norma dhe vlera japin një kuader të përgjithshëm për ekonomine islame. Njerëzit në çdo epoke janë të lirë t’i zbatojne ato ne politikat dhe institucionet përkatese. Kjo nuk nënkupton se në një ekonomi islame gjithësecili është i mbrujtur me këto vlera. Në fakt këto janë ideale që ekonomia islame duhet të realizojë.
Ndërsa pershkruajnë konturet e ekonomise islame, shpesh ekonomistët myslimane më shumë kanë kaluar në idealizëm se sa kanë qenë realiste. Ata kanë përvetësuar te gjitha llojet e nocioneve romantike mbi besimin, ndershmerinë, integritetin, dashurinë, mëshirën, vllazninë dhe durimin e qytetarve në një shtet islamik, duke e ditur fare mirë se kjo është një botë e përkohshme dhe këto kategori nuk janë asgjë tjetër veçse shpresa të vagta. Natyrisht ka patur shume kritika të ashpra, por të drejta mbi këto hipoteza. Edhe nëqoftëse i mënjanojmë këto hipoteza dhe supozojme një ekonomi islame në botën e sotme, ka pak tipare dalluese që e bëjnë atë islamike. Përveç kësaj nuk ka shumë kuptim të diskutohet koncepti i ekonomisë islame. Nuk është objekt i këtij shkrimi të riprodhojë literaturën e kësaj teme, ku konturet e ekonomisë islame janë përshkruar gjërësisht. Mjafton të themi se në shekullin që po vjen, nëqoftëse ndonjë vend aspiron ta transformojë ekonominë mbështetur në besimin islam, së paku duhet të bëjë ndryshimet e mëposhtme:
Heqja e interesit nga të gjitha llojet e transaksioneve financiare.
Futja e sistemit të zekat dhe ushrit. Fuqizimi i sistemit me një sistem të përshtatshëm sigurimi social për zvogëlimin e pabarazise në të ardhurat, që ka ardhur si rrjedhojë e mosfunksionimit të sistemit të zekatit gjatë shekujve.
• Zbatimi i ligjeve të Islamit mbi pronën dhe trashëgiminë.
• Fillimin e një reforme të përshtatshme të tokës duke kufizuar masën e zotërimit të tokës dhe rregulluar sistemin e qiramarrjes.
• Përpunimin e një kuadri ligjor për rregullimin e tregut të lirë.
• Krijimin e institucioneve për disiplinimin e monopoleve të sektorit publik dhe privat si dhe për rregullimin e korporatave të biznesit që furnizojnë me mallra dhe bëjnë shërbime sociale e publike. 
• Nxjerrja e ligjeve të nevojshme dhe krijimi i institucioneve për mbrojtjen e ambientit.
• Futjen e sistemit të el-hisbës (dhënies llogari) dhe të kuadrit ligjor për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve.
• Adaptimi i një politike monetare dhe fiskale për stabilizimin e çmimeve
• Krijimi i një shoqërie civile që i detyron funksionarët publikë të zbatojnë normat e etikës islame dhe interesit të përgjithshëm.
 
 
 
Domosdoshmeria për një model islamik të SAI-t
Përse nevojitet një SAI i tipit të përshkruar në këtë material për një ekonomi islame të shek.21? A mund të bëjë ekonomia islame pa një SAI të tillë? Në shek.21 ekonomia islame do të ketë shumë detyrime. Ajo duhet të mbetet ekonomike dhe eficiente. Ajo duhet të jetë konkuruese në një ambient me dinamizëm të lartë. Asaj i duhet të tregoje një shkallë të lartë intolerance ndaj korrupsionit, shpenzimeve te tepërta, drejtimit të keq, ndotjes së ambientit dhe vonesave burokratike. Prandaj është e nevojshme të krijohen institucione dhe sisteme, të cilat e shtyjne atë drejt nje mekanizmi të shpejtë dhe me eficience të lartë. Duhet patur siguri që nuk e humb vizionin e nevojave te ngutshme globale. SAI është nje institucion i natyrshem per t’i patur këto garanci. 
Ekonomia islame në shek. 21 kërkon një SAI dinamik për të mbështetur shtetin ne ushtrimin e funksioneve të mëposhtme:
• Një sistem planifikimi, monitorimi dhe vlerësimi të ndryshimeve
• Një mekanizëm që të matë punën e kryer nga qeveria, korporatat, organet lokale dhe OJQ-të të përfshira në procesin e ndryshimeve
• Një sistem paralajmërues dhe nje mekanizëm efektiv për të luftuar kundër mashtrimit, korrupsionit dhe abuzimit të burimeve
• Një vlerësim të pavarur të organizatave rregulatore për të matur nivelin në të cilën ata kane arritur objektivat në mbrojtjen e interesit të përgjithshëm 
• Një mekanizëm të fuqishëm për t’u siguruar se të gjitha palët në kontrata të ndryshme kanë zbatuar angazhimet e tyre
• Një sistem për matjen dhe raportimin në zvoglimin e pabarazise në te ardhurat dhe gjendjen e treguesve të zhvillimit njerzor
• Një rishikim të pavarur të stabilitetit makroekonomik dhe aftësise paguese të ekonomisë
• Vlerësim të politikave dhe programeve për ambientin të qeverise dhe rolit te sektorit privat 
Në fushat e lartpërmendura institucioni suprem i auditimit ka rolin e vet. 
Historik i shkurter i Auditimit Shtetëror
Shumica e institucioneve supreme te auditimit siç i gjejmë sot përreth globit u zhvilluan ne shek.20, megjithatë kontrolli shtetëror ka ekzistuar në botë që në kohët e lashta. P.sh. Vasilios P. Filios tregon se ka evidence të kontrollit në Nineveh që në vitin 300 p.e.s. Për ngjashmëri ka disa pika reference të kontrollit të llogarive në Bibël. Megjithatë në histori shume pak është dokumentuar kontrolli shtetëror, dhe përsëri myslimanët kanë qenë pionierët e zhvillimit të këtij institucioni. Duke u larguar pak nga tema, përsa i takon kësaj dëshirojmë të përmendim disa nga ngjarjet me më rëndësi.
Koncepti i dhënies llogari dhe transparences të sunduesve gjendet në hadithet e Profetit Muhamed (SAAS), ku ai në mënyrë të qartë e bëri dallimin mes pronës private dhe pronës publike. Ai herë pas herë i kërkonte nëpunësve dhe mbledhësve të të ardhurave të jepnin llogari për të ardhurat dhe shpenzimet e tyre. I pari nga katër kalifët e përpunoi më tej këtë traditë, i cili do të kërkonte llogari më të hollësishme prej guvernatorëve dhe mbledhësve të të ardhurave. Deklarimet e tyre paraqiteshin në publik dhe guvernatorët ose mbledhësit e të ardhurave viheshin para një kontrolli (verifikimi të hollsishëm) të fortë. Më pas Umajad-ët dhe Abasid-ët zhvilluan konceptin e Divan-it. Ata kishin nje numër te madh nëpunësish të ndarë në departamente, por Beitul-Mal, Divan el-Kharaxh dhe Divan el-Nafakat merreshin kryesisht me probleme financiare. Ata i kishin dhënë urdhër zyrave të merreshin me mbajtjen e llogarive, ku secila prej tyre ishte e njohur si Divan el-Hisab. Kishte një agjensi qendrore të njohur si Divan el-Azimah, e cila ishte përgjegjëse për auditimin e pavarur të llogarive të pergatitura nga Divan el-Hisab mbi bazën e të dhënave të paraqitura nga Divan el-Kharaxh, Butul-Emual dhe Divan-el-Nafakat. Në disa qeveri, departamentet ekzekutive ishin të bashkëlidhura me Divan el-Azimah, (më tepër i ngjasonte auditimit te brendshëm sot) dhe institucioni suprem i auditimit ishte i njohur si Divan Zimemul Azimah. Sistemi ishte i tille saqë për zyrtarët e qeverisë shpesh, ishte një provim i vështirë marrja e aprovimit nga zyra e auditimit. Nëpunësi kryesor për mbajtjen e llogarive në çdo rast duhet të ishte drejtor i departamentit ekzekutiv. Kjo ishte periudha kur koncepti i mëparshëm i kalifatit u zëvendsua nga monarkia. Në shume raste monarkët kishin të drejta të pakufizuara mbi financat. Pavarësisht nga gjithë kjo, kontrolli kishte një rol aq sa përmbante juridiksioni i nëpunësve qeveritarë.
Me rënien e Perandorisë Islame ranë gjithashtu edhe keto institucione. Është linjë e gabuar në historinë e sotme të auditimit, që krijimin e kontrollit e projekton në Europën e periudhës mesjetare. Mbreti ishte sunduesi më i fuqishëm dhe nuk përgjigjej para kurrkujt. Të gjitha paratë e shtetit konsideroheshin pronë e tij private.
Auditimi qeveritar është i lidhur se pari me auditimin e shpenzimeve. Ai u zhvillua në formën e sotme kryesisht si rezultat i luftës për pushtet midis parlamentit dhe degëve ekzekutive të qeverisë. Me rënien e feudalizmit presioni i publikut mbi mbretërit dhe princët u rrit dhe ata qenë të detyruar të keshilloheshin me taksapaguesit për vendosjen e taksave. Nën kërcënimin e luftës civile ndaj Mbreti Xhon ne Angli u shpall Manja Karta (Magna Carta – 1215). Ky dokument u bë një letër e madhe e lirive civile në Angli dhe u pranua nga brezat e mëvonshëm si një pikë referimi në procesin e sovranitetit të popullit. Ajo e detyronte mbretin te këshillohej me “këshillin e përbashkët të mbretërise” për taksat. Auditimi publik mbi shpenzimet e shtetit del shumë më vonë. Beteja për të patur kontroll parlamentar mbi shpenzimet vazhdoi me shekuj. Ajo arriti kulmin me revolucionin e 1688 dhe Deklaratën e të Drejtave në Francë. Por edhe atëhëre kur Parlamenti mori kontrollin e shpenzimeve ai ishte në formën që të gjitha zërat nga të ardhurat e shtetit duhet të ishin të specifikuara sipas destinancioneve. Më vonë Revolucioni i 1789 në Francë çoi ne heqjen e monarkisë dhe fisnikerisë, kështu parlamenti mori kontrollin e plotë të shpenzimeve shtetrore. Këto zhvillime patën ndikime të mëdha në pjesët e tjera të botës. Për shembull, në SH.B.A., në debatin midis Aleksandër Hamiltonit dhe Tomas Xhefersonit, fitorja e bëri Kongresin të caktonte kompetencat e tij mbi shpenzimet dhe të ardhurat. 
Institucioni i auditimit shtetëror evoloi përkrah këtyre zhvillimeve. Legjislativi kërkonte një verifikim të pavarur të llogarive dhe veprimeve të ezekutivit për të vleresuar se ai kishte qendruar brenda kufijve te autorizuar. Kështu që auditimi shtetëror u zhvillua si një armë e legjislativit. Në vitin 1866 në Angli u ngrit për herë të parë një zyrë auditimi për të kontrolluar llogaritë e qeverisë krahasuar me planin e buxhetit. Nga kjo zyrë, Kontrollorit të Përgjithshëm iu dha pak pavarësi. Ai caktohej nga ekzekutivi, por me t’u caktuar mund të lëvizej vetëm nga Parlamenti. Supozohej qe Kontrollori i Përgjithshëm të luante një rol jetik në procesin e transparencës. Parlamenti autorizonte ekzekutivin të mblidhte taksat dhe të bënte shpenzime. Kontrollori i Përgjithshëm autorizohente audituesit të merren me llogarite dhe t’i raportojnë Parlamentit mbi mbledhjen dhe shpenzimin e parave nga ekzekutivi.
Me zhvillimin e demokracisë roli i auditimit u njoh si jetik ne funksionimin e qeverisë. Fuqitë koloniale e futën këtë institucion në formën e tanishme në të gjitha vendet ku sunduan. Bashkë me këtë institucion, këto vende trashëguan gjithashtu rolet tradicionale dhe kuadrin e tij bazë.
 
 
 
Transparenca
Në shek. e 21-të ekonomia islame duhet të rrisë vlerat e transparencës me operacionet e saj. Shteti i parë Islam nen Profetin Muhamed dhe të katër kalifve i organizoi punët në mënyrën më transparente. Shumica e vendimeve merreshin ne xhami. Fondet publike shpërndaheshin në xhami për publikun. Mënyra e jetesës së sunduesve ishte tepër e thjeshtë dhe ndonjë sinjalizim për shpërdorim i nënshtrohej transparencës së menjëherëshme. Pasi Shteti Islam nisi të transformohej në format e monarkive, sunduesit filluan të mbajnë sekret ndaj publikut të zakonshëm, çështjet e shtetit. Për shekuj sunduesit, si myslimanë ashtu edhe jomyslimanë, kanë gëzuar frytet e këtij sekreti. Ata kanë mbajtur me sukses, larg syve të publikut, çështjet e shtetit. Me ardhjen e demokracisë, kërkesa për informim rreth politikës dhe vendimeve të qeverisë u bë e drejtë e posaçme e parlamentit. Pavarësisht nga kjo, qeveritë nëpërmjet makinacioneve kanë fshehur me sukses shumë informacione të rëndësishme nga përfaqësuesit e popullit. Por në ditët e sotme kjo gjendje po ndryshon me shpejtësi. Mekanizmat e fshehjes së informacionit janë të ndryshme. Buxheti, raportet dhe llogaritë e qeverisë normalisht publikohen në mënyrë të atillë që një person joteknicien nuk mund të marrë vesh shumë prej tyre. Bile edhe ekspertët teknikë gjejnë sasi të madha informacioni tepër të ngatërruar. Shek. i 21-të do të kërkojë që qeveritë të japin më shumë informacion mbi operacionet e tyre. SAI-t mund të luajnë një rol efektiv në garancinë se informacioni i dhënë nga qeveria është i përshtatshëm, i vërtetë dhe i ndershëm. Fokusi i verifikimeve nga SAI do të jetë si më poshtë:
Në fushën e administrimit fiskal, SAI mund të raportojë nëse qeveria ka bërë publike të gjithë dokumentacionin dhe informacionin e nevojshëm, kështu që çdo taksë e kërkuar nga individët ose korporatat të jetë transparente. 
SAI mund të raportojë që mardhëniet midis qeverisë dhe korporatave të jenë transparente. Në disa raste korporatat ndërmarin veprimtari që normalisht duhet të kryhet nga qeveria dhe anasjelltas. P.sh. Kompania Jugore e Kanalizimeve (Pakistan) financoi ndërtimin e një stadiumi të sporteve në provincën Sindh sipas urdherit verbal te Kryeministrit te atëhershëm. Në të njëjtën mënyrë, Enti i Zhvillimit te Kryeqytetit ne Pakistan ndërtoi nje pishine vaterpoli në shtëpinë e Kryeministrit. Këto fenomene u konstatuan në raportet e Kontrollorit të Pergjithshëm. 
SAI mund të raportojë mbi përdorimin e fondeve ekstra-buxhetore. Shumë qeveri krijojnë fonde për qëllime të posaçme, disa prej tyre pothuaj i legjitimojnë dhe nuk ia paraqesin legjislativit për t’i miratuar. Në Pakistan, qeveria mban një kapitull të veçantë buxheti përsa i takon shpenzimeve të mbrojtjes. Po ashtu ajo shet asetet (e sektorit të mbrojtjes) nëpërmjet privatizimit, por veprimet nuk pasqyrohen në librat e kontabilitetit. Një shembull tjetër është mbitaksa e ikre-s, e cila aplikohet te të gjitha importet për të krijuar burime për sektorin e arsimit. Por nuk ka informacion të hapur si përdoren këto fonde. Bile edhe pjesë të fondeve të zekatit regjistrohen në formën e fondeve rezerve dhe pastaj merren hua nga qeveria pa miratim nga legjislativi. Megjithëse këto fonde krijohen për të plotësuar nevoja specifike, duke qënë se nuk ka sistem mbikqyrje, qeveria shpesh i përdor ato për qëllime të tjera. Megjithëse këto destinacione mund të jenë të ligjshme, duhet të ekzistojë një sistem për t’i bërë ato transparente.
 
 
 
Korrupsioni dhe mashtrimi
Kohët e fundit ka një shtim të literaturës për korrupsionin. Duket sikur papritur bota e kuptoi se korrupsioni është i papërmbajtshëm si ne vendet e zhvilluara ashtu edhe në vendet në zhvillim. Me përjashtim te SH.B.A., shumica e vendeve të zhvilluara i bëjnë zbritje takse korporatave të tyre për ryshfetet që paguajnë për të fituar kontrata ndërkombëtare. Kjo tregon shkallën e tolerancës ndaj korrupsionit. Nje vëzhgim i bërë ne 69 vende per 3600 firma, të paraqitur ne Raportin e Zhvillimit Botëror të vitit 1997 tregon për përhapjen e korrupsionit në botë. Sipas këtij studimi 40 % e sipërmarrsve raportuan se kishin dhënë ryshfet për të mbaruar punë. 
Një nga prioritetet kryesore të ekonomisë islame është të çrrënjosë korrupsionin dhe mashtrimin. Është për të ardhur keq kur sheh që sot disa nga vendet islamike kritikohen për pandershmëri dhe mashtrim të lartë. Megjithëse korrupsioni dhe mashtrimi janë probleme shumë komplekse prandaj është e domosdoshme një përpjekje në shumë fronte për t’i luftuar, edhe këtu SAI mund të luaje një rol efektiv në minimizimin e këtyre rreziqeve. 
SAI mund të raportojë mbi situatën e një konflikti potencial të interesave. Një nga burimet e korrupsionit është mungesa ose zbatimi joefektiv i kuadrit ligjor përkatës ndaj tyre. Shembujt tregojnë se mjekët çojnë pacientët nga spitalet në klinikat e tyre private ose ku pacientët private kurohen në spitale duke përdorur paisje dhe burime shtetërore. Të tjerë shembuj flasin për zyrtare shtetërorë që lejohen të kryejnë shërbime private duke vazhduar në punën shtetërore. Kështu SAI duhet të informojë legjislativin mbi përmirësimin e situatave të tilla të konfliktit të interesave. 
Nje numër i madh vendesh myslimane po ecin në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shumë prej tyre varen nga borxhet e jashtme. Pa diskutuar për kontributin e ndihmave të huaja në zhvillim, një konstatim i përgjithshëm del se ajo ka hapur rrugë të shumta për korrupsion dhe mashtrim midis përfituesve. Borxhet e huaja janë para të fituara pa veshtirësi dhe për fatin e keq të vendeve të varfëra përdoruesit e fundit i shpërdorojnë këto pa teklif. Një vend ideal islam nuk mund të kontraktoje këtë lloj ndihme të huaj. Meqënëse duhet shumë kohë që një ekonomi myslimane të futet realisht në një fazë të tillë, çrrënjosja e korrupsionit dhe mashtrimit që vjen nga ndihmat e huaja duhet të jetë prioriteti më i lartë i tyre. 
Qeveria duhet të katë mardhënie mirëbesimi me popullin e vet. Ajo administron një sasi të madhe fondesh publike të qytetarve të saj plotësisht mbi baza besimi. Shembuj të shumtë tregojnë se qeveri të papërgjegjshme keqpërdorin tinëz fondet në dispozicion dhe tradhëtojnë besimin e popullit. Askush nuk mund t’i mbrojë interesat e popullit ndaj këtij mashtrimi qeveritar. Një shembull shumë i qarte është ngrirja e llogarive të qytetarëve pakistanezë në valutë të huaj nga Qeveria e Pakistanit. Këto llogari kishin një vlerë prej 11.630 miliard $. Qeveritë pasardhëse i kanë përdorur këto fonde për trillet e tyre pa ndonjë autorizim ose leverdi. Askush nuk ka patur dijeni për këtë mashtrim qeveritar. SAI mund të mbrojë interesat e popullit duke informuar mbi administrimin e mjeteve likudite të qeverisë. Megjithatë në një Ekonomi Islame kemi shpresë dhe deshirën që qeveria të mos futet në mashtrime të tilla, sidoqë eksperienca e historisë njerëzore tregon se ka pak hapësirë për këtë idealizëm.
 
 
 
Auditimi i Drejtimit (Performances)
Ekonomia globale është një vend i konfliktit dhe konkurencës së pamëshirshme. Me hapjen e kufijve, nuk është më e mundur që një vend të qëndrojë në inefiçiencën e tij. Gara ndërkombëtare i detyron të prapambeturit të nxitojnë ose të eliminohen. Kështu që ekonomitë e vendeve të veçanta duhet t’i kushtojnë kujdes efiçiencës se tyre. Auditimi i drejtimit është një ndër teknikat që ndihmon në efiçiencën e ekonomive. Auditimi i drejtimit është një kërkesë e re në sferën e kontrollit. Tradicionalisht kontrolli përqëndrohej në saktësinë dhe rregullshmërinë e regjistrimeve dhe llogarive financiare. Ai verifikonte kontrollet e brendshme dhe shprehte opinion në se llogarite financiare paraqisnin saktë dhe drejtë aktivitetin e subjektit që auditohej. Në sferën e auditimit qeveritar, metoda tradicionale verifikonte gjithashtu zbatimin e ligjeve dhe vendimeve si dhe drejtësine e vendimeve financiare. Kjo metodë mbizotëroi për shekuj deri në vitet shtatëdhjetë të shekullit të XXtë. Në këtë periudhë legjislativet e disa vendeve të përparuara industriale filluan të bënin pyetjen “e bezdisshme”: a e kemi nxjerrë vlerën e parave te harxhuara? SAI-t e këtyre vendeve nuk kishin një përgjigje të gatshme. Kjo i detyronte ata të thelloheshin. Si pasojë lindi disiplina e auditimit te drejtimit (Performancës).
Auditimi i drejtimit përqëndrohet ne ekonomicitetin e prokurimit të mallrave dhe të shërbimeve, eficiencen e përdorimit të burimeve dhe efektivitetin e rezultateve të arritura. Objektivi i auditimit të drejtimit është të verifikojë nëse burimet janë mirëadministruar dhe nxjerrjen e pergjegjësisë për veprimet e padrejta dhe të metat për të cilat gjithashtu duhet dhënë llogari. Gradualisht teknikat dhe metoda e tij kanë evoluar dhe tani për këtë lloj auditimi ka një kuadër të përgjithshëm të pranuar nga të gjithë. Auditimi i drejtimit, deri diku perkufizohet ndryshe në vende të ndryshme. Auditimi i drejtimit mbetet termi më i përhapur. Çfarëdo emri që të marrë, fokusi mbetet te tri E-të që janë ekonomi, efiçiencë dhe efektivitet. 
Ne këtë fushë SAI-t kanë qënë në pararojë. Kontrollorët e sektorit privat po perpiqen të familiarizohen me auditimin e drejtimit. Mendojmë se në shek.e 21-të është e nevojshme që vendet islamike ta praktikojne ate në një shkallë të gjërë. Kjo vjen nga nevojat ekonomike për të ecur përpara në ekonominë botërore. Nga perspektiva islamike del se auditimi i drejtimit duhet të rikonceptohet. Vlerësimi i kursimit, drejtësise dhe etikës dominojnë si në auditimin e drejtimit ashtu edhe në analizen islamike të problemeve ekonomike. Ngjashëm, idea e ruajtjes se burimeve dhe shmangia e shpërdorimeve, shenjë dalluese në auditimin e drejtimit është gjithashtu normë e rëndësishme ne Islam. Mendojmë se SAI-t e vendeve islamike duhet ta adaptojnë auditimin e drejtimit me shumë përparësi. Kjo do të tregojë kulturë në shoqëri, ku administratorët publike japin llogari për përgjegjësinë që u është besuar. Ata gjithashtu mbajnë përgjegjësi për vendimet që kanë marrë përsa i takon ekonomisë, eficiences dhe efektivitetit.
Megjithese auditimi i drejtimit nuk është akoma shumë popullor në sektorin privat, mendojmë se për ekonomine islame gjen zbatime me rëndësi. Bankat islamike që mbajnë fonde publike si trustet dhe partnerët e biznesit duhet të jenë subjekt i auditimit të drejtimit. Ekonomia islame do të ketë nevojë të instalojë këtë sistem auditimi në mënyrë që publiku të garantohet se administratorët e parave të tyre janë duke vepruar me kursim dhe etikë. Publiku ka nevojë të informohet nëpërmjet auditimit te drejtimit të bankave se fitimi ose humbja që ndajnë sëbashku është në fakt fitimi që mund të ishte fituar dhe që fondet e tyre nuk qënë subjekt i vendimeve për investime të padobishme. Ata dëshirojnë të binden se shpenzimet e operacioneve bankare me të cilat është rënduar fitimi të jenë të ligjshme dhe reale.
Ka edhe një tjetër zbatim të rëndësishëm të auditimit të drejtimit në ekonominë islame. Sipërmarrësit që marrin fonde nga bankat islamike duhet të pjesëtojnë fitimin ose humbjen me bankat. Bankat kanë nevojë të informohen nëse këta sipërmarrës i kanë marrë të gjitha vendimet nisur nga ekonomiciteti dhe efiçienca si dhe të vqrtetojnë se investimet janë efektive. Ata dëshirojnë të binden se librat kontabël të sipërmarrësve paraqesin fitim ose humbje reale. Në mungesë të auditimit të drejtimit, nuk ka rrugë se si bankat të mund të marrin një garanci të tillë. Në të vërtetë, auditimi i drejtimit do të jetë shtylle kryesore në Ekonomine Islame të shek. 21-të. 
Qeveritë paraqesin politika dhe programe të ndryshme me objektivin e quajtur “reformë”. Privatizimi, kontraktimet dhe lënia e kryerjes së shumë shërbimeve OJQ-ve janë disa shembuj. Në shumicën e rasteve ata nuk verifikojnë nëse ‘reformat’ kanë qenë të suksesshme. SAI-t mund të raportojnë mbi efektivitetin e reformave qeveritare. 
Në shekullin e ri, konceptet e reja të administrimit publik do t’i detyrojnë qeveritë të adoptojnë politika të bazuara më shume në kërkesat e klientëve. Kjo do të përfshijë programe të tilla si sistemet e trajtimit të ankesave, përshtatshmëria e fazave për shërbime të ndryshme, disponibiliteti i informacionit në Internet dhe mediat e reja, sa këto shërbime janë të nevojshme etj. Aq më e theksuar kjo është për Ekonomitë Islame ku presupozohet që qeveria të jetë “shërbëtore” e popullit dhe jo “sunduesi” i tij. Qeverisja nga katër kalifët e parë është një dëshmi e plotë e kësaj norme. SAI mund të raportojë mbi aftësinë e qeverive në arritjen e objektivit: shërbim sa më të mirë klientit.
 
 
 
Vlerësimi i mekanizmave rregullatore 
Me zgjerimin e privatizimit është arritur konkluzioni se një sistem i fuqishëm rregullues është thelbësor për mbrojtjen e interesave të konsumatorëve. Privatizim nuk do të thotë largim i qeverisë, megjithëse minimizohet roli ekonomik i saj. Ajo do të thotë, një qeveri e fortë me kompetencat e duhura rregullatore. Qeveria duhet të ngrejë organe rregulluese në të gjitha sektoret ku bëhet privatizimi. Këto organe rregulluese duhet të jenë të pavarura, profesionale dhe transparente. Ato duhet të kenë objektiva të qarta dhe autoritet të mjaftueshem për të zbatuar rregullimet. Sistemi rregullues duhet të mbrojë konsumatorët nga shfrytëzimi, të nxisin eficiencën dhe të luftojnë kundër ndërthurjes së subvencionimeve dhe diskriminimit të konkuruesve. Ai duhet të garantojë një vijë starti për të gjithë lojtarët që janë garë. Investitoret duhet të inkurajohen nga prezenca e organeve rregulluese dhe gjithashtu të kenë frike prej tyre. Ekonomia Islame që ka një angazhim të lartë drejt maslaha-s, nuk mund të jetë indiferente ndaj kësaj detyre. Thelbi i mekanizmit të tregut në Ekonomine Islame është inkurajimi i konkurences dhe pengimi i monopoleve. Faktikisht institucioni el-hisbe luajti këtë rol në historinë e hershme Islame. Ne ditët tona, Ekonomia Islame duhet të ngrejë organe të ndryshme rregulluese. Por thjesht krijimi i organeve rregulluese nuk i shërben qëllimit. Gjithashtu duhet të krijohet siguria se këto organe kryejnë mire detyrën dhe i realizojnë detyrat e tyre. Për këtë qëllim SAI duhet të ushtrojë kontrolle periodike në organet rregulluese. SAI duhet të raportojë mbi efektivitetin e mekanizmave rregullues. Ky duhet të jetë roli i SAI-t në shekullin e ri.
 
 
Përshtatur nga: 
Sali AGAJ (CPA)
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit