Koreja e Veriut minimizoi të martën mundësinë e bisedimeve me Shtetet e Bashkuara, disa ditë pasi që udhëheqësi i saj Kim Jong Un, la të nënkuptohet një mundësi e tillë.
Kim Yo Jong, motra me ndikim e udhëheqësit të Koresë së Veriut, tha në një deklaratë se Shtetet e Bashkuara duket të kenë pritje “të gabuara” lidhur me komentet e fundit të vëllait të saj.
“Duket se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, po e interpretojnë situatën në një mënyrë të tillë që të kërkojnë ngushëllim për vete. Pritja, të cilën ata zgjodhën të krijojnë në mënyrë të gabuar, do t’i zhysë ata në një zhgënjim më të madh”, tha aji në një deklaratë të transmetuar nga Agjencia Shtetërore Koreane e Lajmeve.
Në një takim të partisë javën e kaluar në Phenian, Kim Jong Un tha se vendi i tij duhet të jetë i përgatitur për të “bisedimet dhe përballjen”.
Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, i tha të dielën programit të lajmeve të rrjetit televiziv ABC “This Week”, se komentet e Kimit ishin një “sinjal interesant” por ai donte shenja më të qarta nga Pheniani. Ai përsëriti gjithashtu se Uashingtoni dëshiron të rifillojë negociatat e drejtpërdrejta për programin bërthamor të Koresë së Veriut.
Administrata e presidentit amerikan, Joe Biden, përfundoi rishikimin e politikës ndaj Koresë së Veriut muajin e kaluar, duke thënë se ishte e hapur për bisedime, por këmbëngulë që Koreja e Veriut duhet të heqë dorë nga armët bërthamore.
Gjatë një vizite këtë javë në Seul, Sung Kim, i dërguari amerikan për Korenë e Veriut, tha se ai shpreson që Koreja e Veriut të përgjigjet pozitivisht për t’u takuar “në çdo kohë, kudo dhe pa parakushte”.
I dërguari amerikan po takohet këtë javë me homologët e tij të Koresë së Jugut dhe Japonisë, për të portretizuar një qëndrim të bashkuar mbi çështjen e Koresë së Veriut.
Pavarësisht nga vrulli i aktivitetit diplomatik, deklarata e Kim Yo Jong lë të kuptohet se ka pasur pak përparim në rinisjen e bisedimeve, thonë disa analistë.
“Ne kemi qenë duke pritur për sinjalet vijuese nga Pheniani pas deklaratave të fundit të Kim Jong Unit për të ndihmuar në sqarimin e asaj çfarë është thënë. Deklarata e Kim Yo Jong fillon ta bëjë këtë. Ndërsa ajo nuk e mbyll plotësisht idenë se diplomacia mund të rifillojë, ajo duket se sugjeron se nuk ka gjasa tani për tani”, tha Jenny Town, një specialist për Korenë në Qendrën Stimson me seli në Uashington.
Koreja e Veriut ka bojkotuar bisedimet me Shtetet e Bashkuara që nga viti 2019. Në një takim me Kim Jong Unin në shkurt të atij viti, ish presidenti Donald Trump refuzoi një ofertë sipas së cilës Pheniani do të shpërbënte një kompleks bërthamor të rëndësishëm në këmbim të heqjes së shumicës së sanksioneve nga Uashingtoni.
Që atëherë, pandemia e koronavirusit përmbysi gjithçka. Koreja e Veriut hyri në një bllokadë të rëndë në janar të vitit 2020, duke ndërprerë pothuajse të gjitha kontaktet me botën e jashtme dhe madje duke ndaluar tregtinë me Kinën.
Në një takim me udhëheqësit e lartë, Kim Jong Un javën e kaluar zyrtarisht pranoi se vendi i tij po përballet me një situatë ushqimore “të tensionuar”.
Disa raporte të mediave të huaja, duke cituar burime brenda Koresë së Veriut, flasin për rritje masive të çmimeve dhe mungesa të ushqimit. Sidoqoftë, konfirmimi i rrëfimeve të tilla është i vështirë pasi që shumica e të huajve, përfshirë punëtorët e ndihmës dhe diplomatët, janë larguar nga vendi gjatë pandemisë.
“Kim ndjen nevojën për të trajtuar vuajtjet e brendshme duke thirrur mbledhje të profilit të lartë të qeverisë më shpesh sesa babai dhe gjyshi i tij. Këto takime janë kryesisht teatër politik për të mbuluar dështimet e planifikimit ekonomik dhe kontrollin shtypës shoqëror”, tha Leif-Eric Easley, profesor në Universitetin Ewha në Seul.
Koreja e Veriut këmbëngul para botës së jashtme se nuk ka gjetur raste të të prekurve nga koronavirusi brenda kufijve të saj – një pohim pothuajse i pamundur që është diskutuar gjerësisht nga ekspertët. Një shpërthim i madh i pandemisë mund të jetë shkatërrues për Korenë e Veriut, një vend i varfër që nuk ka infrastrukturë të përshtatshme shëndetësore dhe furnizime mjekësore./VOA