3.4 C
Pristina
Saturday, November 16, 2024

Gjykimi për përvetësimin e mbi 1 milion eurove, ish-kryeshefi i AKPPM thotë se nuk është e mundur që ka aprovuar qindra mijëra euro avance

Më të lexuarat

Prishtinë – Ish-kryeshefi i Agjencisë së Kosovës për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPPM), Arianit Jakupi ka thënë se nuk është e mundur që ai të ketë aprovuar avance në vlera prej 200 deri 300 mijë euro për udhëtime zyrtare. Një deklaratë të tillë, Jakupi e dha ndonëse e pranoi se nuk i kujtohet me saktësi një gjë e tillë.

Një deklaratë të tillë, Jakupi e ka dhënë të hënën në gjykimin ndaj dy ish-vartësve të tij,  zyrtarëve të AKPPM, Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi – Ahmeti.

Sojeva po akuzohet për veprën penale të përvetësimit në detyrë, kurse Gashi – Ahmeti po akuzohet se në bashkëkryerje me Sojevën, kanë kryer veprën penale, hyrje në sistemet kompjuterike.

Prokuroria Speciale e akuzon Sojevën se i kishte përvetësuar mbi një milion euro, në emër të avanceve për udhëtime të ndryshme zyrtare, raporton “Betimi për Drejtësi”.

“A ju kujtohet që ju keni bo lejimin e afro 200 mijë euro për udhëtime zyrtare”, ishte pyetja e prokurorit Haki Gecaj me dëshmitarin që tha se nuk i kujtohet, ndonëse siç tha, është pro avancimit të stafit mirëpo kjo sipas tij është një shumë, shumë e madhe.

“Nuk më kujtohet saktë mirëpo nuk ka mundur të ketë kaq shumë pasi që ka qenë edhe një parim se një person i cili shkon në udhëtim zyrtar është dashur ta pres radhën”, tha dëshmitari duke shtuar se secili zyrtar ka pasur nga një udhëtim zyrtar.

“Gjatë vitit 2015 në bazë të transaksioneve bankare janë tërhequr rreth 300 mijë euro për avanse, a është e mundur kjo, a ju kujtohet që ju keni dhanë aq shumë aprovime”, ishte pyetja e prokurorit me dëshmitarin që tha se nuk e di me saktësi por që nuk është e mundur që ka aprovuar aq shumë mjete.

Ai tha se është i bindur se në vitin 2015 ka pasur me pak aprovime sesa në vitin 2014, të paktën për periudhën janar – shtator sa ai ka qenë kryeshef.

“Shuma prej 365 mijë euro po më duket e pamundshme sepse në agjenci ka procedura të cilat janë të parapara të kryhen me atë buxhet prej mallrave dhe shërbimeve e që në asnjë rast nuk kemi pasur ndonjë ankesë se ndonjë kompanie AKPPM i ka mbetur borxh”, tha dëshmitari Jakupi.

Jakupi tha se nuk e kishte ditur se kishte pasur kaq shumë mjete të dhëna nga institucioni që ai drejtonte për avanse dhe udhëtime zyrtare.

Ai tha se nuk i kujtohet të ketë pasur dhe aq shumë kërkesa.

“A jeni të njoftum se në vitin 2014 nuk ka dokumentacion fare për 99 mijë e 415 euro për tërheqje të avanseve nuk ka fare dokumentacion të ruajtur”, ishte pyetja e prokurorit Haki Gecaj në të cilën dëshmitari tha se nuk ka qenë i njoftuar.

Jakupi tha se dokumentacionet është dashur të ruhen mirëpo kjo nuk ishte bërë.

“A ju kujtohet në vitin 2015 a ka qenë në AKPPM personi Jeton Shala”, ishte pyetja e prokurorit Gecaj me dëshmitarin që u përgjigj se pas shtatorit 2015 i kishte dorëzuar detyrën pasardhësit të tij, Jeton Shala.

Meqenëse ekzistonte një formular i datës 15 mars 2015, kohë kur kryeshefi ekzekutiv i AKPPM kishte qenë dëshmitari, prokurori i dha në shiqim këtë formular dëshmitarit Jakaupi.

Lidhur me këtë, dëshmitari tha se më 15 mars 2015 kryeshef ekzekutiv i AKPPM-së kishte qenë ai, mirëpo shtoi se nuk e dinë se si në këtë formular figuron emri dhe nënshkrimi i pasardhësit të tij i cili ka pranuar detyrën pas shtatorit 2015.

Gjatë dëshmisë së tij, Jakupi tha se kompetent në menaxhimin e buxhetit të AKPPM-së, varësisht nga procedura kanë qenë të përcaktuara se si është bërë kalimi i një lënde nga zyrtarët e divizioneve përmes drejtorit të departamentit e deri te kryeshefi ekzekutiv.

“Do të thotë nëse flasim për procedurat e brendshme në rast të ndonjë aprovimi përveç drejtorit të departamentit është nënshkruar edhe nga kryeshefi ekzekutiv, kurse pagesat  e jashtme kryesisht janë bërë në mënyrë të drejtpërdrejtë në buxhet”, tha dëshmitari.

Ai tha se në kuadër të AKPPM-së, Departamenti për Administratë Financa dhe Buxhet me strukturat përkatëse është marr men menaxhimin e buxhetit.

Dëshmitari Jakupi deklaroi se ndarja e zyrtarëve të këtij departamenti ka qenë në zotues, shpenzues dhe certifikues, të cilët sipas tij kanë qenë persona të ndryshëm.

Sipas dëshmitarit, zyrtarët kanë pasur për obligim t’i përgatisin raporte kryeshefit ekzekutiv dhe të njëjtat kanë qenë të përjavshme, mujore, gjashtëmujore dhe njëvjeçare.

Në pyetjen e prokurorit Gecaj, se a mund të tregoj se si ka qenë procedura për marrje të avanceve për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së, dëshmitari tha se ka qenë një procedurë e veçantë e cila është dashur të ndiqet.

“Ka pasur një procedurë e cila ka filluar me kërkesën e një zyrtari për trajnim në një fushë specifike jashtë vendit dhe kjo kërkesë është aprovuar fillimisht nga drejtori i departamentit përkatës dhe pastaj me arsyeshmëri të plotë është aprovuar edhe nga unë si kryeshef i agjencisë”, tha ai.

Dëshmitari Jakupi deklaroi se gjatë kohës kur ai ka menaxhuar këtë institucion një herë është paraqitur problem në mbledhjen e menaxhmentit të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Më është thënë nga drejtori i Departamentit për Buxhet dhe Financa të Ministrisë se në AKPPM se ka disa avanse të pambyllura. Pasi jam kthyer në agjenci kam kërkuar nga drejtori i Departamentit për Buxhet dhe Financa i AKPPM-së mbylljen e avanseve në mënyrë ligjore”, tha dëshmitari.

Dëshmitari tutje deklaroi se procedura pas kthimit nga udhëtimi zyrtarë, është ajo që duhet të sjellen dëshmitë e shpenzimeve të rrugës, fjetjes dhe shpenzimeve të tjera të cilat duhet t’i arsyetoj te zyrtari i financave ku e ka marr atë avans dhe të bëj kthimin e mjeteve të mbetura të atij udhëtimi.

Jakupi deklaroi se me punën e avanseve ka qenë i ngarkuar zyrtari, Mendim Sojeva duke shtuar se nuk e di a ka qenë në të gjitha rastet mirëpo në 99% të tyre tha se ka qenë Sojeva.

Në pyetjen e prokurorit se a është dashur të ruhet dokumentacioni financiar, posaçërisht këto që kanë të bëjnë me tërheqjen e avanseve për udhëtime zyrtare, dëshmitari tha se është dashur të ruhet.

“Nuk më kujtohen saktë vitet, por për së paku 5 vite është dashur të ruhen’ shtoi dëshmitari.

“A ka pas vend për me u rujt dokumentacioni?”, ishte pyetja e prokurorit në të cilën dëshmitari tha se kushtet janë të mangëta sa i përket hapësirës, mirëpo dokumentacioni është dashur të ruhet sipas ligjit.

Në pyetjet e mbrojtësit të të akuzuarit Sojeva, avokatit Ali Beka se a kishte qenë i zgjedhur apo i emëruar dëshmitari tha se kishte qenë i emëruar nga ish ministri Ferid Agani.

Në pyetjet e avokatit pati vërejtje prokurori i cili kërkoi që avokati të bëj pyetje të tërthorta për çka trupi gjykues mori aktvendim me të cilin aprovoi kundërshtimin e prokurorit dhe kërkoi nga avokati që të bëj pyetje të tërthorta.

Avokati kërkoi nga dëshmitari të dijë se për sa kohë mund të qëndrojë ushtrues detyre por prokurori sërish pati vërtetje në mënyrën e parashtrimit të pyetjeve.

Gjykata sërish ndaloi pyetjen e avokatit me rekomandimin që të parashtroj pyetje të tërthorta.

Lidhur me afatin për ushtrimin e kësaj pozite, dëshmitari deklaroi se vendimi për emërim nuk ka pasur afat të caktuar për përfundim të mandatit.

“Dhe ka pasur procedurë, konkurs i cili është anuluar në procedurë dhe pastaj ka qenë konkursi tjetër deri sa është zgjedhur kryeshefi i ri duke pasur parasysh që në mes të kësaj periudhe është ndërruar edhe ministri i shëndetësisë”, tha ai.

Në pyetjen e avokatit Beka se a kishte parë që ka deficit apo suficit në buxhet, dëshmitari tha se ka pasur suficit, kurse në vitin 2014 tha se nëse ka pasur suficit ka qenë shumë i vogël kurse në itin 2015 tha se nuk është në dijeni pasi që nuk kishte qëndruar deri në  përfundim të atij viti.

“A ju kujtohet juve sa keni udhëtuar jashtë dhe sa keni marr avanse për udhëtime”, ishte pyetja e avokatit Beka, në të cilën dëshmitari tha se po.

Në rimarrje në pyetje nga prokurori Gecaj se a kishte aprovuar ndonjë avans brenda Kosovës, dëshmitari tha se nuk i kujtohet.

Lidhur me pyetjen e prokurorit se me cilin zyrtar është barazuar në rast të teprimit të mjeteve, dëshmitari tha se me tani të akuzuarin Mendim Sojeva.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Suzana Çerkini se a i kujtohet dëshmitarit se sa kërkesa përafërsisht ka aprovuar, dëshmitari u përgjigj se nuk i kujtohet.

“Në raporte financiare nuk është evidentuar asnjë rast që ka pasur mospërputhje lidhur me avanset që do të ngrite shqetësime për mua si kryeshef”, tha i akuzuari duke shtuar se nuk ka pasur asnjë raport vërejtje apo rekomandim ne raportet e auditimit.

Në pyetjen e anëtares së trupit gjykues, gjykatëses Violeta Namani, se a ka pasur kërkesa të shpeshta për avanse, dëshmitari tha se nuk kishin qenë të shpeshta.

Ndryshe dëshmitari paraprakisht deklaroi  se mbetet në tërësi pranë deklarimeve të dhëna më parë.

Ai tha se kishte punuar në AKPPM në pozitën e anëtarit të komisionit për ankesa në periudhën nëntor 2011 deri më shtator 2013.

Nga muaji shtator 2013 ai tha se ishte emëruar në pozitën e u.d të kryeshefit ekzekutiv të këtij institucionit deri në shtator 2015.

Në nisje të këtij shqyrtimi, palët dhanë edhe fjalën e tyre hyrëse. Prokurori Haki Gecaj në fjalën e tij hyrëse tha se prokuroria ka vërtetuar përtej dyshimit të bazuar se të akuzuarit janë kryerës të veprave penale me të cilat i ngarkon prokuroria.

“PSRK duke vepruar konform dispozitave të Kodit të Procedurës Penale ka zbatuar hetimet dhe ka ardhur në përfundim përtej dyshimit të bazuar se të pandehurit Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi – Ahmeti kanë kryer veprat penale për të cilat akuzohen”, tha prokurori në fjalën e tij hyrëse.

Sipas tij, shkaktimi i dëmit vërtetohet me provat të cilat janë propozuar të administrohen në këtë shqyrtim gjyqësor.

“Edhe pse i akuzuari nuk e pranon veprën penale unë jam i sigurt që në fund të këtij shqyrtimi gjyqësor, trupi gjykues do të bindet se i akuzuari Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi – Ahmeti janë kryerës së kësaj vepre penale”, tha prokurori Gecaj.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Bedri Krasniqi në fjalën e tij hyrëse tha se avokatura shtetërore e mbështet aktakuzën e prokurorisë speciale të Kosovës të ngritur ndaj të akuzuarëve Mendim Sojeva dhe Ganimete Gashi.

“Kjo është një çështjen mbase komlekse, është një hierarki e personave zyrtarë i cili hap nuk mund të kalohet”, tha avokati Beka në fjalën e tij hyrëse.

Sipas tij, është absurde që të konsiderohet se kjo çështje penale mund të vërtetohet përmes dëshmitarit.

Ai tha se rezervon të drejtën për të propozuar super ekspertizë financiare, ekspertizë të grafologjisë, ekspertizë të IT-së si dhe për dëshmitarë do të propozoj që të ftohen auditorët e brendshëm por edhe auditorët e jashtëm.

“Sepse në mënyrën qysh konsiderohet sipas aktakuzës se janë përvetësuar këto mjete përveç nëse i pandehuri ose ka aftësi të jashtëzakonshme siç thom unë dhe të supermenit, apo edhe të neone hipnotizuesi kish me mujt me arrit në mënyrë që padiktueshëm me i përvetësu këto mjete”, tha ai.

Mbrojtësi i të akuzuarës Ganimete Gashi – Ahmeti, avokati Sevdali Zejnullahu në fjalën e tij hyrëse tha se kjo çështje penale mbështetet në prova të cilat nuk provojnë se e mbrojtura e tij është kryerëse e kësaj vepre penale.

“Konsideroj se me bindje të thellë nga ajo që kam analizuar nga shkresat e lëndës trupi gjykues do ta këtë rastin të bindet që akuza ndaj të mbrojturës sime është akuzë që mbështetet në prova të pambështetshme dhe me kualitet të dobët provues”, tha ai.

Seanca e radhës u caktua të mbahet më 2 korrik 2021, ora 9:00.

Ndryshe, me këtë lëndë kishte qenë fillimisht i ngarkuar gjykatësi Valon Kurtaj, i cili edhe e kishte mbajtur seancën fillestare me 6 nëntor 2020, ku dy të akuzuarit ishin deklaruar të pafajshëm.

Por, pas avancimit të gjykatësit Ismaili nga Departamenti i Krimeve të Rënda në Departamentin Special, ky rast ishte ndarë tek ai.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 6 tetor 2020, i akuzuari Mendim Sojeva po akuzohet se në cilësinë e udhëheqësit të divizionit për buxhet dhe financa në AKPPM, në periudhën prej vitit 2014 e deri në mars 2018, kishte përvetësuar paratë e tërhequra në emër të avancave për udhëtime zyrtare të zyrtarëve të AKPPM-së.

Sipas PSRK-së, këto avance i ishin besuar të akuzuarit Sojeva në menaxhim sipas pozitës së tij, ku shumën e përgjithshme prej 1,355,441.14 euro, të tërhequra nga zyrtari i Ministrisë së Shëndetësisë (MSh), Fatmir Kajtazi, e të cilat i kishte pranuar i akuzuari Sojeva, duke nënshkruar në fletë tërheqje me rastin e pranimit për shumën 1,221,501.14 euro, por për të cilat nuk ka dëshmi se ishin respektuar procedurat për tërheqje.

Në aktakuzë përmenden shuma të ndryshme të parave. Për disa prej tyre thuhet se ekziston dokumentacion i kompletuar, ndërsa për disa të tjera jo, ku vetëm në vitin 2017, sipas prokurorisë, në emër të 40 zyrtarëve të AKPPM-së, ishin tërhequr 290,430.00 euro, të cilët zyrtarë e kishin mohuar se i kishin pranuar këto shuma dhe se nuk ka dëshmi për pranim nga ana e tyre në emër të MSh-së.

E gjithë kjo shumë e avanceve, sipas PSRK-së, ishin zotuar në Sistemin Informativ të Financave të Kosovës (SIMFK) me ID të përdoruesve Shkelzen Sadriu në vlerë 1,238,764.00 euro, me ID të përdoruesit Naime Shahini-Feta shuma prej 173,305.00 euro, të cilët zyrtar kishin mohuar se kishin bërë këto shuma të zotimeve, duke dyshuar në të akuzuarin Sojeva, i cili sipas tyre i kishte keqpërdorur passwordat e tyre.

Po ashtu, në aktakuzë thuhet se regjistrimi i shpenzimeve për avancet në SIMFK ishte bërë me ID të Dhurata Alihajdaraj – Veseli, shuma prej 553,269.00 euro, me ID të Thesarit, Ibadete Shala shuma prej 156,750.00 euro dhe Bali Morina shuma prej 20,850.00 euro, të cilët kishin mohuar se kishin bërë regjistrim të shpenzimeve të avancave duke e akuzuar të akuzuarin për keqpërdorim të passwordeve të tyre.

Sipas aktakuzës, aprovimi i tërheqjes ishte bërë nga zyrtari kryesor financiar në MSh, Musa Rexhaj dhe ushtruesi i detyrës së zyrtarit kryesor financiar Hajzer Dobra, kurse nga e gjithë shuma e tërhequr, të përdoruesit të të akuzuarit Sojeva ishin certifikuar 779,289.00 euro, për të cilat në AKPPM, nuk ekziston dokumentacion për arsyetimin e tyre.

Nga shuma prej 1,355,441.14 euro, të tërhequra në emër të avanseve, për 133,940.00 euro, ekziston dokumentacion i kompletuar dhe gjysmë i kompletuar, kurse për avanset e tërhequra në vlerë prej 1,221,501.14 euro përveç fletë tërheqjeve të siguruara nga AKPPM dhe NLB, e të nënshkruara nga i akuzuari se i kishte pranuar, në AKPPM nuk ekziston asnjë dokumentacion se ato avance ishin miratuar apo aprovuar nga menaxhmenti apo se cili zyrtar i kishte pranuar.

Kjo shumë e paarsyetuar si dëshmi, sipas PSRK-së ishte përvetësuar nga i akuzuari Sojeva i cili i kishte pranuar ato para, duke i shkaktuar dëm buxhetit të AKPPM-së – Republikës së Kosovës.

Po ashtu, sipas PSRK-së, Sojeva në cilësinë e zyrtarit certifikues për qasje në SIMFK dhe Ganimete Gashi-Ahmeti si zyrtare shpenzuese për qasje në këtë sistem, nga 7 shkurti e deri me 12 shkurt 2018, përmes web shfletuesit “Internet Explorer”, kishin hyrë në këtë sistem me password të personave zyrtar të Ministrisë së Financave, kishin mbyllur avancet duke bërë regjistrimet si shpenzim dhe certifikim të avanceve për udhëtime zyrtare të tërhequra nga banka të emër të zyrtarëve të AKPPM-së me user të Bali Morina.

Kështu, të njëjtit pretendohet se kishin regjistruar kupona shpenzimi në vlerë 20,850.00 euro, ndërsa në emër të Ibadete Shalës kishin regjistruar si shpenzim i avanceve për udhëtime zyrtare 72 kupona në vlerë 154,736.84 euro, në shumë të përgjithshme 175,586.84 euro, me user të të akuzuarit Sojeva, duke u munduar të arsyetojnë këtë shumë të avanceve të tërhequra nga Banka NLB, në emër të zyrtarëve të AKPPM-së.

Për këto veprime, Sojeva po ngarkohet me veprat penale “Përvetësimi në detyrë”, dhe në bashkëkryerje më të akuzuarën Ganimete Gashi – Ahmeti edhe për veprën penale “Hyrje në sistemet kompjuterike”./BetimipërDrejtësi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit