1.3 C
Pristina
Friday, November 15, 2024

Gjermania paralajmëron: Ka nisur gara për armatimin me IA

Më të lexuarat

Më shpejt, më inteligjent dhe më efikas: Bota po hyn në një epokë të re të të bërit luftë, një botë në të cilën inteligjenca artificiale (IA) ka rol qendror. Por pa kontroll IA mund të kthehet në rrezik.

Një garë armatimesh në sfondin e inteligjencës artificiale ndërkohë ka nisur. Ky është paralajmërimi i hapur i ministrit të Jashtëm gjerman, Heiko Maas. “Ndodhemi në valën e këtij zhvillimi”, thotë ai duke u prononcuar për një dokumentar të ri të Deutsche Welle-s me temë: “Future Wars – and How to Prevent Them”. “Ky është realiteti, me të cilin kemi të bëjmë”, thotë Maas.

Një realitet, që është në qendër të luftës për dominim botëror. “Kjo është një garë, që shtrihet në sektorin ushtarak dhe civil”, shpjegon Amandeep Singh Gill, ish-kryetar i grupit të ekspertëve të OKB-së për sistemet autonome të armatimit.null

Fuqitë e mëdha në garë

Edhe një raport aktual i Komisionit të Sigurisë të SHBA-së për Inteligjencën Artificiale tregon, se sa e rëndësishme është kjo temë për qeveritë në mbarë botën. Në të bëhet fjalë për „një paradigmë të re të të luftuarit, në të cilën përballja është algoritmet kundër algoritmeve”. Bëhet thirrje për investime masive „për të qenë vazhdimisht më inovator se kundërshtari”.

Plani i fundit pesëvjeçar i Kinës vendos në qendër hulumtimin dhe zhvillimin, ndërsa Ushtria Popullore armatoset për një të ardhme, sikurse e quan ajo „të luftës së bazuar tek inteligjenca”.null

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin tha në vitin 2017: „Kush do të kryesojë gjithmonë në këtë fushë, do të bëhet sundimtari i botës.” Por nuk janë vetëm fuqitë e mëdha, që ndërveprojnë në këtë drejtim. Edhe në nivelet më të ulëta të renditjes së pushtetit kjo epokë e re është një realitet i stërvitur në luftë.

Në fund të vitit 2020, në kohën që bota u përfshi nga pandemia e koronavirusit, kulmuan në një luftë tensionet që zienin nën rrogoz mes Azerbajxhanit dhe Armenisë. Ky u duk si një konflikt rajonal nga librat shkollorë: Të dyja vendet luftonin për rajonin e Nagorni Karabahut. Por për ata, që ishin të vëmendshëm, kjo ishte një pikëkthese në mënyrën e të bërit luftë.

“Aspekti vërtetë i rëndësishëm në konfliktin e Nagorni-Karabahut sipas mendimit tim ishte përdorimi i “Loitering Munition”, të ashtuquajturit „dronë kamikaz”, shpjegon Ulrike Franke, eksperte për luftën me dron në “European Council on Foreign Relations”.

Bombat, që qarkullojnë në qiell

Modelet e përparuara të Loitering Munition janë në një shkallë të lartë të afta të veprojnë në mënyrë autonome. Pas nisjes ato fluturojnë në një territor të përcaktuar, ku qarkullojnë mbi të dhe vrojtojnë për objektiva – tipike si sistemet e mbrojtjes nga ajri.

Sapo ato zbulojnë një objektiv të tillë, fluturojnë drejt tij dhe e shkatërrojnë atë duke depërtuar brenda tij përmes goditjes me bordin e ngarkuar me lëndë shpërthyese. Ndaj dhe ato emërtohen si „dronë kamikaz”.

“Këto armë janë përdorur edhe më parë në një farë mënyre, por kësaj here përdorimi i tyre arriti një tjetër dimension”, thotë Franke. “U bë e dukshme, se sa e vështirë është qër t’u kundërvihesh këtyre sistemeve.”

Hetimet e “Center for Strategic and International Studies” në Uashington D.C. kanë treguar, se Loitering Munition i Azerbajxhanit ishte dukshëm më superior – me mbi 200 njësi në katër forma dizajnimi zhvilluar me teknologji të lartë izraelite. Ndërsa Armenia dispononte vetëm një model vendas. Të tjera ushtri e kanë vrojtuar me vëmendje këtë. “Që pas konfliktit të Nagorni-Karabahut ka pasur interes të shtuar ndaj këtij sistemi armatimesh”, vë në dukje Franke. “Ne konstatojmë, që më shumë ushtri në mbarë botën blejnë ose duan të blejnë Loitering Munition.”

Luftëra blic me dron?

Ky është vetëm fillimi. Në të ardhmen teknologjitë e komanduara prej inteligjencës artificiale mund të vihen ushtarakisht në masë në përdorim – shumë dron veprojnë bashkarisht si një tërësi vrasëse.

“Në këtë mënyrë p.sh. mund të asgjësohet një sistem i mbrojtjes nga ajri. Prej një sasie dhe mase të madhe të dronëve ky sistem mund të mposhtej”, thotë Martijn Rasser nga Think Tank “Center for a New American Security”. Ndaj sipas tij, nuk është e habitshme, që „shumë vende janë të interesuar për armë të tilla”. Një numër i madh dronësh që ndërveprojnë i bëjnë të mundshme përplasjet ushtarake, të cilat janë shumë të shpejta dhe komplekse e njerëzit nuk mund t’i ndjekin. Kjo e nxit edhe më tej dinamikën e garës së armatimit.

Ulrike Franke beson, se „mund të ndodhë që disa dronë të duhet të fitojnë një lloj mase autonomie, të paktën në aspektin e mbrojtjes. Sepse njerëzit nuk do të ishin në gjendje, që të komportohen shpejt me sulmet autonome.” Faktori i shpejtësisë është kritik dhe madje mund të çojë në luftë, që mund të duket sikur shpërthen nga hiçi e gjatë së cilës sistemet autonome reagojnë në një spirale ndaj njeri-tjetrit. “Në zhargonin e kësaj fushe bëhet fjalë për „luftra blic”, ve në dukje Franke, “një konflikt ushtarak padashje.”

“Ndal robotëve vrasës”

Bonnie Docherty do ta pengojë një zhvillim të tillë. Docentja e Harvard Law School qendron pas fushatës “Campaign to Stop Killer Robots” (“fushata ndal robotëve vrasës”). Kjo është një aleancë organizatash joqeveritare (OJQ), që kërkojnë një marrëveshje ndërkombëtare për ndalimin e armëve vrasëse autonome. “Kjo marrëveshje duhet të detyrojë ruajtjen e kontrollit të arsyeshëm njerëzor ndaj ushtrimit të dhunës”, thotë Docherty në bisedë për Deutsche Welle-n. “Kjo marrëveshje duhet të përfshijë të gjitha armët që operojnë në mënyrë autonome, përzgjedhin objektivat dhe hapin zjarr ndaj tyre duke vepruar mbi bazën e të dhënave të sensorëve dhe jo të njeriut.”

Fokusi i kësaj fushate konsiston tek „Konventa për Armët e Caktuara Konvencionale” të OKB-së. Kjo marrëveshje që ka hyrë në fuqi më 1983 synon të kontrollojë armët, që „shkaktojnë vuajtje të panevojshme dhe të pajustifikueshme”. Çështja e armëve autonome ka qenë vazhdimisht gjatë viteve të fundit në rend të ditës mes vendeve anëtare në Gjenevë. Por në këtë drejtim ecet shumë ngadalë. Procesi ka bërë të formulohen “parimet orientuese”, që ndër të tjera parashikojnë, që armët autonome u nënshtrohen të drejtave të njeriut dhe që njeriu mban përgjegjësinë përfundimtare për përdorimin e tyre. Por kjo mund të krijojë bazën për diskutime të mëtejshme.

Docherty druan, që procesi i orientuar nga konsesusi i Gjenevës ka mbetur në vend numëro dhe frenohet prej atyre, që nuk kanë interes të vendosin rregulla të forta ndaj sistemeve të armatimeve autonome. “Rusia deri tani ka refuzuar me këmbëngulje”, thotë juristja eksperte e armatimeve. Por edhe „disa shtete të tjera, që zhvillojnë sisteme armësh autonome, si Izraeli, SHBA-ja, Britania e Madhe dhe të tjerë, nuk e mbështesin një marrëveshje të re”.

Koha për rikonceptim?

Docherty kërkon një qasje të re, në rast se nuk ka rezultat raundi i ardhshëm i bisedimeve në Gjenevë, që duhet të zhvillohet brenda këtij viti. Ideja e saj është „një proces i pavarur, që të drejtohet nga shtetet, që e trajtojnë këtë temë vërtetë me seriozitet dhe janë të gatshëm të zhvillojnë standarde të forta rregulluese”.

Por shumë janë skeptikë ndaj kësaj ideje. Ministri i Jashtëm gjernam Heiko Maas e mbështet fort thirrjen për ndalimin e sistemeve autonome të armatimit, por ai nuk e mbështet nismën “Campaign to Stop Killer Robots”. “Në indtervistë për Deutsche Welle-n Maas thekson, se nuk është parimisht kundër thelbit të kësaj nisme. Por Gjermania do, që në të të përfshihen pikërisht vendet e fuqishme ushtarakisht, të cilat janë në gjendje t’i zhvillojnë dhe t’i venë në përdorim sistemet e armatimeve autonome.

Sidoqoftë, sipas Maas, duhet që objektivi të jetë një marrëveshje. „Pikërisht sikurse e kemi arritur marrëveshjen për armët bërthamore përgjatë disa dekadave, duhet të arrijmë edhe në marrëveshje ndërkombëtare për teknologjitë e reja të armatimit”, thotë ai. Në këtë marrëveshje duhet të theksohet, se „zhvillime të caktuara ndonëse janë të mundshme teknikisht, nuk janë të përgjegjshme dhe duhet të ndalohen në nivel ndërkombëtar”.

Ç‘duhet bërë tani?

Deri tani nuk ka konsensus. Sipas ekspertes Franke më e mira që mund të shpresojë bota është që të përcaktojë norma se si të përdoren teknologjitë. “Të bihet dakord p.sh. që aftësi të caktuara të përdoren vetëm për mbrojtje ose vetëm kundër makinerive e jo kundër njerëzve, ose që ato të përdoren vetëm në kontekste të caktuara”, shpjegon ajo. Por edhe kjo do të ishte një sfidë: „Të biesh dakord për këtë dhe ta zbatosh atë është shumë më e vështirë nga disa marrëveshje të mëparshme për kontrollin e armatimeve.” Por ndërkohë që diplomatët mundohen t’u shmangen këtyre çështjeve, teknologjia po përparon./DW

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit