Othman ibn Afani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue selem) ka thënë: “Më i miri prej jush është ai që e mëson Kuranin dhe ua mëson të tjerëve.”
(E shënon Buhariu, numër 5027)
Komenti:
Ky hadith tregon për rëndësinë e mësimit të Kuranit për vete dhe mësimin e tij të tjerëve. I Dërguari (sal-lallahu alejhi ue selem) na tregon se ata që e mësojnë Kuranin për vete dhe ata që ua mësojnë atë të tjerëve janë njerëzit më të mirë, më me vlerë dhe më të dëlirë.
Kur tabiini i çmuar, Ebu Abdurrahman Sulemiu, ua tregoi njerëzve këtë hadith (e ky vetë këtë hadith e përcjell nga Othman ibn Afani), tha: “Ky hadith ka bërë të ulem në karrigen që jam sot.” Ka për qëllim se ai është ulur duke ua mësuar e dëgjuar Kuranin të tjerëve përgjatë dhjetë vjetëve, duke synuar të përfshihet në këtë vlerë e mirësi të përmendur në këtë hadith fisnik.
Bazuar në këtë, çdo musliman dhe muslimane duket t’i kushtojë vëmendje dhe rëndësi mësimit, përvetësimit dhe përsosjes së Kuranit, e më pas të marrë pjesë në mësimin e tij të tjerëve.
Ndër çështjet më të dobishme dhe më të mira është pjesëmarrja në hallkat e mësimit përmendsh të Kuranit nëpër xhami, shkolla e institute, me qëllim që të mësojë. E, ai që e bën këtë, është në mirësi, dritë dhe udhëzim.
Libri: “Dyzet hadithë për fëmijë”
Autor: Muhamed ibn Sulejman el Muhema