3 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

SHBA-ja e njofton Rusinë se nuk do t’i ribashkohet Traktatit të Qiejve të Hapur

Më të lexuarat

Shtetet e Bashkuara e kanë njoftuar Rusinë se nuk do t’i bashkohen përsëri një pakti për kontrollin e armëve. Traktati i Qiejve të Hapur lejon fluturimet vëzhguese ajrore mbi zonat ushtarake të vendeve pjesëmarrëse.

Departamenti i shtetit tha se Traktati i Qiejve të Hapur “është minuar për shkak të shkeljeve nga ana e Rusisë”.

Rusia mohon akuzat dhe pritet që Moska gjithashtu të tërhiqet këtë vit nga traktati. Ministria e Jashtme ruse konfirmoi se ishte informuar për vendimin nga ana e SHBA-së.

Më shumë se 30 vende marrin pjesë në traktatin i cili hyri në fuqi në vitin 2002.

Administrata e Biden kishte qenë duke rishikuar mundësitë për t’iu ribashkuar traktatit, por njoftimi tregon se marrëveshja tani ka përfunduar zyrtarisht.

Uashingtoni u tërhoq nga traktati në kohën e ish-presidentit, Donald Trump. Në përgjigje të njoftimit të administratës Trump vitin e kaluar, Rusia tha se ka në plan të largohet nga marrëveshja dhe muajin maj ligjvënësit votuan për të braktisur traktatin. Dhoma e sipërme e parlamentit të Rusisë pritet të miratojë projekt-ligjin e tërheqjes në qershor.

Midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara mbetet vetëm një traktat i madh në fuqi, ai për kontrollin e armëve midis dy fuqive. Traktati New Start (Fillimi i Ri) kufizon vendosjen e kokave strategjike bërthamore dhe sistemeve të shpërndarjes.

Njoftimi vjen gjithashtu në kohën kur presidenti amerikan, Joe Biden dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, po përgatiten për mbajtjen e një samiti në Gjenevë të Zvicrës, më 16 qershor.

“Sjellja e Rusisë, përfshirë veprimet e saj të fundit në lidhje me Ukrainën, tregojnë se ajo nuk është më një partner i përkushtuar në ndërtimin e besimit “, tha Departamenti i Shtetit.

Aleatët evropianë të SHBA-së mbështetën ruajtjen e traktatit, i cili lejon vendet të mbledhin informacion mbi forcat ushtarake në mënyrë që të rrisin transparencën dhe të ndërtojnë besimin e ndërsjellë.

Për të qëndruar në marrëveshje, Rusia kishte kërkuar garancë se anëtarët e NATO-s nuk do të dorëzonin në Shtetet e Bashkuara të dhënat e mbledhura gjatë fluturimeve të vëzhgimit mbi Rusinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit