-3.2 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Manipulimi i Serbisë në Kosovë: Kush i fshehu kufomat?

Më të lexuarat

Zyrtarët e Beogradit dhe policët që zhvendosën me qindra trupa shqiptarësh të vrarë nga Kosova në Serbi dhe i fshehën ata në varre masive nuk janë ndjekur kurrë penalisht në vendin e tyre.

Më 4 prill 1999, një peshkatar nga fshati lindor serb i Tekijas bëri një zbulim makabër në lumin Danub – një kamion frigorifer i hedhur në ujëra kishte dalë në sipërfaqe. Kamioni nuk kishte targa, vetëm një logo që tregonte se i përkiste thertores “PIK Progress Export” nga qyteti i Prizrenit, Kosovë.

Një zhytës u dërgua nën ujë për ta parë, raportoi se në ndenjësen e shoferit nuk kishte asnjë njeri dhe se në pedalen e gazit ishte vendosur një gur. Tekniku i skenës së krimit Bosko ‘Bole’ Radojkovic nga qyteti i Kladovos dhe eprori i tij Milan Stevanovic të dy fillimisht menduan se bëhej fjalë për ndonjë lloj aksidenti.

Por kur Radojkovic hetoi më tej, ai zbuloi ngarkesën e frikshme të kamionit – jo kafshë të therura, por mbetje të dekompozuara trupash njerëzish.

“Në një pikë zhytësi më tha: ‘Bole, diçka që ngjan si këmbë njeriu po del jashtë. Çfarë të bëj?,” i tregoi ai policisë serbe në vitin 2001.

Brenda në kamion ishin trupat e 86 shqiptarëve të vrarë nga forcat serbe gjatë fushatës ushtarake të presidentit Sllobodan Millosheviç në Kosovë në vitin 1999. Ata ishin hedhur në Danub në ç‘ka duket të ishte një përpjekje për të mbuluar krimin.

Policia vendase dhe oficerët e sigurimit të shtetit fillimisht u përpoqën ta vazhdonin ta mbulonin këtë krim duke lyer përsëri pjesë të kamionit dhe duke i vendosur atij targa serbe. “Unë sugjerova të përgatisnim një histori për publikun, se ata ishin trupa kurdësh dhe se kamioni kishte dalë jashtë rrugës pasi një ushtar kishte qëlluar me armë,” tha Radojkovic.

Dy ditë më vonë, problemi iu referua një autoriteti më të lartë. Një shef më i lartë policie në qytetin e Borit, Caslav Golubovic, i telefonoi kreut të Departamentit të Sigurisë Publike të Ministrisë së Brendshme serbe, Vlastimir Djordjevic. Djordjevic e urdhëroi atë t’ia mbante të fshehtë këtë incident publikut dhe t’i dërgonte trupat në Beograd.

“Largimi i trupave supozohej të bëhej gjatë natës që të mos binte në sy,” tregoi Golubovic për policinë.

Operacioni sekret filloi atë natë, ndërsa Radojkovic, kolegët e tij dhe punonjësit e shërbimit morën 30 trupa dhe i ngarkuan ata në një kamion.

“Midis trupave ishte edhe ai i një djali të moshës 5-6 vjeçare, një vajzë 7-8 vjeçe, si edhe trupi i një djali 18 apo 20 vjeçar me duart e lidhura pas shpine dhe një plagë të shkaktuar nga një armë zjarri,” rikujtoi Radojkovic.

Ata po vepronin nën urdhrat e Ministrisë së Brendshme serbe – “sepse asgjë s’mund të bëhej pa Ministrinë e Brendshme”, tha për BIRN Milan Stevanovic, shefi i departamentit të krimit në policisë në Kladovo.

Kamioni u çua në Beograd herët në mëngjes dhe iu dorëzua shërbimeve të sigurimit të shtetit. Ditën e nesërme një tjetër kamion u ngarkua me “53 trupa si edhe tri koka të prera nga trupat e tyre”, tha Radojkovic. Ai u çua në një qendër stërvitore policore në Batajnicë, rrethinë e Beogradit.

Sipas Stefanovicit, kamioni frigoriferik në të cilin u gjetën trupat, u çua në qendrën stërvitore policore në Petrovo Selo, pranë Kladovos, ku u hodh në erë.

“Bëra atë që duhej të bëja. Bëmë atë që na urdhëruan të bënim, jo vetëm unë, por të gjithë ne, përfshirë edhe punonjësit e mbledhjes së plehrave të komunës që u angazhuan aty,” tha ai.

Një total prej 744 trupash u zbuluan dy vjet më vonë në varre masive në qendrën stërvitore policore në Batajnicë. 75 të tjerë u gjetën në një qendër stërvitore policore në Petrovo Selo dhe 84 në liqenin Perucac në Serbinë perëndimore, ndërsa 54 të tjerë u zhvarrosën vitin e kaluar nga një gurore pranë Rashkës në jug – të gjithë viktima të ofensivave ushtarake të Millosheviçit në Kosovë.

Ata vinin nga fshatra si Izbicë, skenë e një prej masakrave më të këqija të luftës në mars të vitit 1999. Babai i moshuar i Demush Xhemajli ishte një ndër dhjetra shqiptarët që u vranë në Izbicë. “O Zot i madh! Ata nuk kursyen asnjë. Imagjinojeni pak këtë! Vranë një të moshuar që ishte invalid. Patericat e tij u gjetën pranë trupit të tij,” rikujton Xhemajli.

Fshatarët e mbetur i varrosën shpejt trupat e të afërmve dhe fqinjëve të tyre dhe u larguan nga Kosova drejt Shqipërisë për t’i shpëtuar ofensivës serbe. Por kur ata u kthyen pasi lufta kishte mbaruar, trupat ishin zhdukur.

Vetëm në vitin 2001 Xhemajli zbuloi se ata ishin zhvendosur nga forcat serbe dhe ishin rivarrosur në mënyrë të fshehtë në Petrovo Selo. “Kjo ishte si të na i kishin vrarë përsëri,” tha ai.

Dalin në pah dëshmi rrënqethëse

 

Presidenti jugosllav Sllobodan Millosheviç organizon një takim me zyrtarë të lartë të policisë dhe gjeneralë ushtrie më vitin 1999. Foto: Srdjan Iliq.

Shefi i Departamentit të Sigurisë Publike Vlastimir Djordjevic u dënua me 18 vjet burg nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në Hagë për vrasjen dhe persekutimin e shqiptarëve të Kosovës, si edhe përfshirjen e tij në mënyrë të drejtpërdrejtë në mbulimin e krimit.

Djordjevic u dënua si pjesë e ‘një sipërmarrje të përbashkët kriminale’ që ishte përgjegjëse për krime të ndryshme gjatë luftës së Kosovës – njësoj si edhe tri zyrtarë të tjerë të lartë që u burgosën gjithashtu nga Gjykata e Hagës vitin e kaluar. Edhe ata u zbulua se kishin qenë pjesë në operacionin e fshehjes së zhvendosjes së trupave.

Gjyqet e Gjykatës së Hagës ndihmuan në zbulimin e metodave brutale të përdorura nga regjimi i Millosheviçit për të fshehur mizoritë e forcave të tij gjatë luftës në Kosovë. Por shumë prej atyre që u identifikuan gjithashtu nga Gjykata Ndërkombëtare si pjesë e sipërmarrjes së përbashkët kriminale me Millosheviçin nuk janë ndjekur penalisht dhe jetojnë të lirë në Serbi. Asnjë nga ata të përfshirë në mënyrë të drejtpëdrejtë në zhvendosjen dhe rivarrimin e trupave nuk është ndjekur kurrë penalisht për këtë gjë.

Lajmet për varret masive në Batajnicë filluan të shfaqeshin pas rrëzimit të Millosheviçit. Në vitin 2001, lideri i rrëzuar tashmë kërkohej nga gjykata ndërkombëtare e krimeve të luftës, por pjesa më e madhe e serbëve e kundërshtuan idenë e dërgimit të tij në Hagë për të dalë në gjyq, kështu që qeveria e sapozgjedhur demokratike dha informacione për të ndihmuar në çështjen e saj për ekstradim.

Një nga të parët që foli në gjyqin e Millosheviçit ishte Ali Djogaj, një punonjës i shërbimit të grumbullimit të plehrave në qytetin e Prizrenit në Kosovë. Djogaj tha se shefi i tij e kishte takuar atë një mbrëmje në prill të vitit 1999 dhe e kishte çuar atë dhe disa punonjës të tjerë pranë një fushe qitjeje aty pranë, ku ai pa një grup oficerësh policie të veshur me uniforma, dy eskavatorë dhe tri kamionë.

Në errësirë, eskavatorët gërmuan për nxjerrjen e trupave dhe shefi i tij i tha punonjësve t’i ngarkonin trupat në kamionët që po prisnin. “Eskavatori përdorte kovën e tij për të marrë disa trupa njëherësh, dy ose tre të tillë. Ai i shkarkonte trupat pranë derës së kamionëve dhe katër prej nesh më pas i fusnim ata në kamionët frigoriferikë,” tha Djogaj më vonë në një deklaratë për prokurorët serbë në vitin 2005.

Djogaj tha se trupat dukeshin sikur kishin javë që dekompozoheshin nën dhe. Pasi i ngarkuan nëpër kamionë, oficerët e policisë mbyllën dyert dhe i larguan që aty.

Disa të tjerë që ishin të përfshirë në largimin e trupave të të vrarëve nga Kosova në Serbi dëshmuan gjithashtu në gjyqin e Millosheviçit në Hagë, kryesisht si dëshmitarë anonimë të mbrojtur. Bodizar Protic, një ish-shofer në Ministrinë e Brendshme të Serbisë, ishte i pari që vendosi të jepte fakte haptazi në gjyqin e tri zyrtarëve të lartë të Beogradit që u burgosën vitin e kaluar.

Protic dëshmoi se oficeri i tij epror i tha se kishte folur me asistentin e ministrit të brendshëm Petar Zekovic për “një detyrë që ishte shumë e rëndësishme dhe që ishte në interes të shtetit”, dhe i kërkoi atij t’i gjente një kamion.

Detyra ishte t’i çonin trupat që kishin dalë në sipërfaqe të lumit Danub në Tekija në Batajnicë më 7 prill 1999. Protic tha se ky ishte vetëm i pari nga disa misione të tilla të ngjashme.

Një kamion i dytë i mbushur me trupa të vrarë u dërgua nga qyteti Janjevë i Kosovës në qendrën stërvitore policore në Petrovo Selo dhe një i tretë nga Mitrovica u dërgua përsëri në Petrovo Selo. Herën e katërt dhe të fundit, Protic tha se ai kishte transportuar trupa nga Prishtina në Batajnicë.

“Sa herë që nisesha, të gjitha udhëzimet i merrja nga gjenerali Petar Zekovic,” dëshmoi ai. “Kishte gjithmonë urdhra verbale që përmbanin udhëzime në lidhje me si dhe ku duhej ta merrja kamionin, cili do të ishte kamioni dhe ku duhej të shkoja për të marrë trupat.”

Spastrimi i terrenit

 

Kamioni frigorifer me 86 trupa të vdekurish në lumin Danub në prill 1999. Foto: Ministria e Brendshme Serbe.

Pasi një gazetë serbe e quajtur “Timok Crime Revië” publikoi detaje të tjera në maj të vitit 2001 në lidhje me operacionin e fshehjes së trupave, i cili mbante emrin e koduar “Dubina 2” nga urdhëruesit e tij, Ministria e Brendshme ngriti një grup pune që mori në pyetje rreth 30 persona që ishin të përfshirë në mënyrë të drejtpërdrejtë.“Ministri i brendshëm Vlajko Stojiljkovic dhe shefi i Departamentit të Sigurimit Publik, gjenerali Vlastimir Djordjevic, deklaruan se e gjithë çështja ishte një sekret shtetëror dhe nisën operacionin “Dubina 2” për t’u marrë me të,” shpjegoi në një konferencë për shtyp më 25 maj të atij viti kapiteni Dragan Karleusa, kreu i grupit të punës.

Kur trupat mbërritën në qendrën stërvitore policore në Batajnicë, ata u hodhën nëpër gropa në një fushë stërvitjeje dhe u dogjën.

“Sapo mbërrinte kamioni me trupat, eskavatori hapte një gropë, trupat lyheshin me naftë, mbuloheshin me goma dhe u vihej zjarri. Pasi trupat digjeshin, dy ose tre orë më vonë, gropat mbuloheshin,” tregoi për grupin e punës Dusko Nenadovic, një anëtar i Njësisë Speciale të Anti-Terorrizmit i cili ishte i përfshirë në rivarrimin e trupave.

“E dija që gjithçka ishte ‘një sekret shtetëror’ dhe nëse dikush hapte gojën e tregonte, i fluturonte koka,” tha ai.

Hetimi i grupit të punës përcaktoi lidhje të drejtpërdrejta midis fshehjes së krimit dhe zyrtarëve të Ministrisë së Brendshme. Ai zbuloi gjithashtu se kishte një plan paraprak për “të spastruar terrenin” pas masakrave nga forcat serbe në Kosovë që ishte rënë dakord në nivelin më të lartë dhe kishte për qëllim fshehjen e provave të mëdha nga Gjykata e Hagës.

“Takimi i parë në lidhje me këtë u realizua në zyrën e presidentit të asaj kohe, zotit Millosheviç. Mbledhja u realizua në muajin mars të vitit 1999,” dëshmoi Karleusa më vonë në gjyqin e Millosheviçit.

“Sipas informacioneve që morëm, përveç z.Millosheviç, në takim mori pjesë edhe kreu i sigurimit publik të asaj kohe, z.Vlastimir Djordjevic, si edhe gjenerali Radomir Markovic, ministri i asaj kohe Vlajko Stojiljkovic dhe disa persona të tjerë,” tha ai.

Gjenerali Markovic konfirmoi atë që u diskutua: “Në fund të takimit, Vlastimir Djordjevic ngriti çështjen e largimit të trupave të shqiptarëve të Kosovës në mënyrë për të larguar të gjitha viktimat e mundshme civile që mund të ishin subjekt i një hetimi nga ana e Gjykatës së Hagës ,” tha ai në vitin 2001.

“Ministri i Brendshëm Vlajko Stojiljkovic i dha urdhër për kryerjen kësaj drejtpërdrejtë gjeneralit të policisë Dragan Ilic dhe Vlastimir Djordjevicit,” shtoi Markovic, i cili aktualisht është duke vuajtur një dënim me 40 vjet burg për vrasjen e ish-presidentit serb Ivan Stambolic dhe krime të tjera.

“Ilic më tha se koloneli Goran Radosavljevic e ndihmoi shumë me njerëzit e tij, të cilët ndihmuan atë drejtpërsëdrejti për të realizuar këtë detyrë. Mbaj mend që Ilic u ankua për mënyrën se si ishte bërë kjo, metodat që ishin përdorur dhe se përmendi si ishte gjetur një kamion frigoriferik në lumin Danub, gjë e cila ishte rezultat i organizimit të keq të Djordjevicit,” tha ai.

Djordjevic ka mohuar të ketë marrë ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë nga Millosheviçi për të kryer operacionin e spastrimit, por gjatë gjyqit të tij në Hagë, ai pranoi se mori pjesë në të.

“Po, isha i përfshirë kur kamionët me trupat po vinin në Batajnicë, por s’e dija se kur ishin kryer krimet. Nuk u përballa me ata që u përpoqën të maskonin dhe fshihnin krimet dhe nuk mora ndonjë masë për të gjetur personat përgjegjës për krime lufte, gjë të cilën duhej ta kisha bërë,” tha ai në gjykatë.

Ndërkohë, ministri i brendshëm Stojiljkovic vrau veten në vitin 2002 pasi u akuzua nga Gjykata e Hagës.

Një komplot i sponsorizuar nga shteti

Fred Abrahams, një këshilltar i lartë i Human Rights Watch, i cili ka dokumentuar gjerësisht krimet e luftës në Kosovë, beson se fshehja e kësaj paraqet dëshmi të qartë të mizorive të sponsorizuara nga shteti serb.

“Nuk mund të argumentoni se ka pasur një krim të rëndomtë, kur trupat e të vdekurve më pas janë zhvendosur vazhdimisht,” tha Abrahams për BIRN.

“Zhvendosja e qindra trupave nuk është e lehtë. Duhet të kesh mjete transporti, marrëveshje me forcat e sigurisë… Ky është një model; një provë e qartë se kjo ishte një përpjekje e organizuar dhe e qëllimshme për të fshehur krimin,” tha ai.

Filip Svarm, redaktor i revistës serbe të lajmeve “Vreme”, tha se ishte e qartë që Ministria e Brendshme e Serbisë po përpiqej të shkatërronte prova të cilat mund ta kishin ndihmuar Gjykatën e Hagës të ndiqte penalisht Millosheviçin dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

“Pjesa më e madhe e atyre njerëzve ishin vrarë nga forcat policore dhe më pas vetë policia zhdukur gjurmët e vetë krimeve të tyre,” tha Svarm për BIRN.

Disa ish-luftëtarë serbë janë ndjekur penalisht në Beograd për masakrat në fshatrat e Kosovës në vitin 1999, por jo për zhvendosjen e mëvonshme sekrete të trupave të viktimave.

Mustafa Radoniqi, një avokat i krimeve të luftës i cili ka përfaqësuar të afërm të viktimave të Kosovës, pohoi se prokuroria e Beogradit është përpjekur të shmangë inkriminimin e figurave të tjera të larta të Ministrisë së Brendshme duke mos e përfshirë fshehjen e zhvendosjes së trupave në paditë e saj.

“Prokuroria po mbulonte provat,” tha Radoniqi për BIRN.

BIRN i kërkoi komente në lidhje me këtë prokurorisë, por s’mori asnjë përgjigje.

 

Të akuzuarit mohojnë gjithçka

 

Hetimi policor nxori në dritë emrat e më shumë se 20 personave të përfshirë në fshehjen e krimit – si zyrtarë të ulët ashtu edhe të lartë. Por pjesa më e madhe e zyrtarëve të akuzuar për përfshirje kanë këmbëngulur se janë të pafajshëm.

Ish-asistenti i ministrit të brendshëm Petar Zekovic është përmendur nga disa dëshmitarë si personi që koordinoi operacionin për zhvendosjen e kufomave nga Kosova në Batajnicë. Zekovic tha për BIRN se ai ishte i pafajshëm, por nuk deshi të komentonte më tej akuzat. Ai aktualisht po gjykohet për dyshime për abuzim me fondet publike gjatë epokës së Millosheviçit.

Slobodan Borisavljevic, ish-kreu i zyrës së shefit të Departamentit të Sigurimit Publik Vlastimir Djordjevic, ishte ai që merrej me pagesën e njerëzve të përfshirë në zhvendosjen e trupave. Në një deklaratë të dhënë në polici në vitin 2001, ai tha se paratë i merrte nga Djordjevici.

Borisavljevic është aktualisht një zyrtar i lartë në Ministrinë e Brendshme të Serbisë dhe gjatë vitit 2006 ishte kreu i njësisë së saj të hetimit për krime lufte. Ai tha gjithashtu për BIRN se nuk ka marrë pjesë në operacion, por nuk dëshiroi të komentonte më tej. Edhe ai nuk është paditur për fshehjen e zhvendosjes së trupave.

 

Zhvarrosje ne vitin 2014 në një varr masiv viktimash lufte të Kosovës pranë Rashkës në Serbi.

Prokuroria Serbe e Krimeve të Luftës

Rivarrimet e trupave të zhvarrosur nga varret masive në Serbi kanë vazhduar këtë vit dhe kërkimet për varre të tjera sekrete masive nga lufta në Kosovë nuk kanë mbaruar ende.

Por pavarësisht se në vendimin e Gjykatës së Hagës, i cili dënonte Vlastimir Djordjevicin, janë përmendur si anëtarë të ‘një sipërmarrjeje të përbashkët kriminale’ serbe në Kosovë, dy zyrtarë të tjerë të lartë të policisë që mendohet se morën pjesë në operacionin sekret në vitin 1999 nuk e kanë vërtetuar kurrë në gjykatë pafajësinë e tyre.

Ish-gjenerali i policisë Dragan Ilic, i cili shërbeu si kreu i njësisë hetimore penale në Serbi në vitet 1990, u përmend nga disa dëshmitarë gjatë gjyqit të Djordjevicit si një nga njerëzit kyç të përfshirë në fshehjen e ngjarjes.

Dokumentet kanë përcaktuar se Ilic, i cili ishte kreu i njësisë hetimore penale, kërkoi 10,000 dinarë jugosllavë (rreth 900 dollarë në atë kohë) për “shpenzimet operacionale” për operacionin, një kërkesë e miratuar nga Djordjevici, ndërsa edhe punëtorët që merreshin me mbledhjen e mbeturinave dhe zhytësi në Tekija gjithashtu u paguan për punën e tyre. Ilic tashmë ka dalë në pension dhe jeton në Beograd.

Ish-asistenti i ministrit të brendshëm Obrad Stevanovic, një bashkëpunëtor i ngushtë i Millosheviçit dhe ish-komandant i Njësisë Speciale Policore famëkeqe të Serbisë, tani është profesor në një akademi policore në Beograd, ku u jep mësime mbi terrorizmin oficerëve të rinj.

Stevanovic gjithashtu ka mohuar çfarëdolloj përfshirjeje në operacionin sekret, edhe pse ditari që ai ka mbajtur gjatë kohës së luftës ishte një prej provave kryesore në gjyqin e Millosheviçit.

Në një pjesë të ditarit ku ritregon një takim me Millosheviçin në lidhje me atë që do të bënin me trupat e shqiptarëve të vrarë në Kosovë, Stevanovici shkroi: “Pa trupa, s’ka krim”.

Gjashtëmbëdhjetë vjet më vonë, Stevanovici gjithashtu s’është ndjekur kurrë penalisht në Serbi. /Gazeta Jeta në Kosovë/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit