0.3 C
Pristina
Friday, December 27, 2024

Në kërkim të punëtorëve

Më të lexuarat



Në kohën kur në Kosovë afërsisht një e treta e popullsisë që është e aftë për punë, por nuk ka një vend pune, shumë kompani ankohen se nuk po mund të gjejnë punëtorë. Problemi më i madh mbetet gjetja e punëtorëve sezonalë, sidomos në agrikulturë, si dhe gjetja e punëtorëve të kualifikuar për kryerjen e punëve më specifike. Sipas shifrave zyrtare, papunësia në Kosovës është rreth 25 për qind. Një biznes që përballet me vështirësi në gjetjen e punëtorëve pa ndonjë kualifikim arsimor, është edhe një fermë që merret me kultivimin e dredhëzave, që gjendet në një fshat malor në Komunën e Prishtinës. Xhema: Punëtorët ikin pas dy-tri ditësh Fermeri Lulzim Xhema ka të kultivuara rreth 60 ari sipërfaqe me dredhëza, në fshatin Dabishevc të Komunës se Prishtinës. Xhema, i cili tashmë është në proces të grumbullimit dhe shitjes së këtij produkti, tregon se çdo sezonë ka mungesë të madhe të punëtorëve. Ai thotë se aktualisht në fermë punojnë katër anëtarë të familjes dhe katër punëtorë nga fshati i tij, por që i nevojiten edhe gjashtë punëtorë. Gjatë ditës, thotë ai, punëtorët duhet të punojnë gjashtë orë, me një rrogë mesatare prej 450 euro në muaj. “Sivjet jam duke punuar vetëm me dredhëza, vitin e kaluar kam punuar edhe me domate. Gjetja e punëtorëve është problem jashtëzakonisht i madh. Kanë ardhur dy-tri ditë dhe kanë shkuar, nuk kanë ardhur të punojnë më. Edhe përkundër pagesës së mirë që u kam ofruar, nuk kanë pranuar të punojnë. Unë nuk kam problem me shitjen e produkteve, sa kam kërkesë nuk po arrij të mbledh dredhëza. Problemin e kam me mungesë të punëtorëve”, thotë Xhema për Radion Evropa e Lirë. Fshati Dabishevc shtrihet në zonën veri-lindore të Kosovës, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Ky fshat, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë të mbajtur në vitin 2011, numëron 108 banorë, me 43 shtëpi. Lulzim Xhema thotë se një nga arsyet e mungesës së punëtorëve është edhe braktisja e fshatit nga banorët lokalë. “Problemi ndoshta mund të jetë se gjendemi në një zonë më të thellë malore, rreth 30 kilometra larg Prishtinës. Madje edhe fshatrat tjerë përreth kanë numër të vogël të banorëve. Një nga vështirësitë për punëtorët ndoshta mund të jetë edhe largësia dhe udhëtimi”, thekson ai. Uka: Problem gjetja e punëtorëve të kualifikuar Derisa në fermën e dredhëzave, për të siguruar një vend pune nuk kërkohet ndonjë kualifikim adekuat, një kompani tjetër ka problem me gjetjen e punëtorëve të kualifikuar, në një industri më specifike. Agon Uka nga kompania “Ikonë Studio”, që merret me prodhimin e videove të ndryshme, filmave, reklamave për tregun brenda dhe jashtë Kosovës, aktualisht ka 110 punëtorë, kurse është në proces të punësimit edhe të 70 punëtorëve. Pozitat e ofruara janë video-editorë. Uka thotë se për këto pozita kanë aplikuar 100 persona, por problem paraqitet kualifikimi dhe përvoja e tyre në fushën e kërkuar. “Nuk jemi shumë të kënaqur, disa kandidatë përmbushin kërkesat tona, por edhe me kandidatët që shohim pak potencial, mundohemi që të mbajmë trajnime paraprakisht, në mënyrë që edhe ata të jenë në gjendje të hyjnë në procesin e rekrutimit”, thekson Uka. Uka thotë se paga mesatare për këto pozita është nga 700 deri në 800 euro. Për këtë, sipas tij, interesimi është i madh, por vështirë plotësohen kriteret e kërkuara. “Një nga kriteret e kërkuara në konkurs është edhe njohja e gjuhës angleze, për shkak të komunikimit të vazhdueshëm që duhet të kenë me klientët ndërkombëtarë, të cilëve u kryejmë shërbime dhe ky është njëri nga problemet që ekziston. Mund të jetë një person që ka përvojë shumë të mirë në montazh, por kur vjen puna te komunikimi, është problem”, thotë Uka. Në Bashkimin e Sindikatave të Pavarura të Kosovës, pranojnë se ka qytetarë të papunë e që nuk dëshirojnë të punojnë në sektorin privat, konkretisht në sektorin e bujqësisë. Avni Ajdini, kryetar në këtë sindikatë, thekson se në këtë sektor në disa raste pronarët nuk e respektojnë orarin e punës prej 40 orësh në javë. “Kështu që paga që ata paraqesin në muaj është jashtëzakonisht e vogël në krahasim me orët e punës që realizojnë. Ky sektor vazhdimisht është përballur me probleme të ndryshe, pasi numri i vogël i inspektorëve në nivel vendi, në një mënyrë ka lejuar shkeljen e të drejtave të punëtorëve nga pronarët”, tha Ajdini. Që prej përfundimit të luftës, Kosova është përballur me shkallë të lartë të papunësisë. Sipas të dhënave të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, 24.6 për qind ose mbi 120 mijë persona janë të papunë. Ndërkaq, të punësuar janë rreth 370 mijë persona. Pagat neto të shumicës së të punësuarve sillen nga 400 deri në 500 euro në muaj.
/rel/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit