3.4 C
Pristina
Wednesday, December 18, 2024

Gjithçka që duhet të dini rreth certifikatave për COVID-19 të BE-së

Më të lexuarat

Institucionet e Bashkimit Evropian më 20 maj më në fund u pajtuan për të ashtuquajturat “pasaporta” COVID-19 për të lehtësuar udhëtimin. Zyrtarisht e njohur si “certifikata digjitale COVID-19 e BE-së”, ky dokument ka për qëllim të lehtësojë kufizimet për udhëtime në mesin e 27 shteteve anëtare të bllokut, para sezonit të pushimeve verore.

Për çka u pajtua BE-ja?

Certifikata digjitale do të jetë e vlefshme në një nga këto tri mënyra: përmes vaksinimit të plotë, përmes testit PCR të kryer brenda 72 orëve apo testit që dëshmon prezencën e antitrupave, të bërë brenda gjashtë muajve. Pasi që çështjet shëndetësore janë më shumë kompetencë kombëtare sesa e BE-së, disa shtete gjithashtu kanë thënë se do të pranojnë edhe testet antigjen, të bëra gjatë 24 orëve. Edhe nëse një person është plotësisht i vaksinuar, atij ose asaj mund t’i kërkohet që të kryejë test me metodën PCR para udhëtimit, pasi që ende është e paqartë nëse personat e vaksinuar janë bartës të virusit.

A do të mundësojë kjo largimin e karantinave dhe masave të tjera gjatë udhëtimeve brenda shteteve anëtare të BE-së?

Përgjigja në këtë pyetje, në mënyrë ideale është po, por kjo nuk është e garantuar. Kjo, në fakt, është një prej pikave mospajtuese ndërmjet Parlamentit Evropian, që argumentoi se certifikata do të duhej ta lironte një udhëtar nga testimet shtesë dhe karantinat dhe vendeve anëtare të Këshillit, që ende kanë shqetësime lidhur me rritjen e udhëtimeve, varianteve të reja dhe për një valë të katërt të pandemisë pas stinës së verës. Në fund, u arrit një lloj kompromisi, ku shtetet anëtare duhet që të mos vendosin masa shtesë, përveç nëse ato janë të nevojshme për të ruajtur shëndetin publik. Nëse një shtet vendos karantinë, këtë vendim duhet ta mbështesë në të dhënat epidemiologjike nga Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) dhe 48 orë para vendimit të njoftojë Brukselin dhe shtetet anëtare. Prandaj, do të jetë e nevojshme që njerëzit të shikojnë lajmet e fundit para se të vendosin që të udhëtojnë.

A kishte mospajtime të tjera?

Po. Parlamenti Evropian u zemërua që testet PCR nuk janë në dispozicion, nuk janë më të lira ose falas. Nga ky institucion i BE-së thanë se ky test është diskriminues ndaj qytetarëve të BE-së që ende nuk janë vaksinuar ose nuk duan të vaksinohen, ose ndaj fëmijëve, që nuk pritet të vaksinohen para nisjes së sezonit të pushimeve verore. Shtetet anëtare, megjithatë, nuk ishin të gatshme që të shpenzojnë më shumë para që këto teste të jenë falas. Prandaj, u pajtuan që Komisioni Evropian do të zotohet që të japë të paktën 100 milionë për të blerë teste PCR. Këto para do të jepen përmes Instrumentit të Mbështetjes Emergjente, që veçse është i themeluar. Megjithatë, pavarësisht se do të ndahen këto mjete, kjo nuk do të nënkuptojë që testet do të jenë falas, por që në një të ardhme, testet PCR do të jenë më të lira.

Cilat vaksina janë në përdorim?

Të katër vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA) janë: Pfizer/BioNTech, Moderna, AstraZeneca dhe Johnson&Johnson. Shtetet anëtare të BE-së gjithashtu mund të pranojnë personat e vaksinuar me vaksinat që janë të listuara për përdorim emergjent nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, ku përveç katër vaksinave “perëndimore”, përfshihet edhe vaksina kineze Sinopharm dhe në një të ardhme të afërt, me gjasë do të jetë edhe vaksina Sinocav. Po ashtu ka mundësi që të pranohet edhe vaksina e prodhuar në Rusi, Sputnik V, me kërkesë të Budapestit, se shtetet anëtare janë të lira që të pranojnë certifikata të vaksinimit të lëshuara për vaksinat e tjera të COVID-19, për të cilat ka autorizim për përdorin në një shtet anëtar të bllokut evropian.

Kur do të hyjë në fuqi përdorimi i certifikatave?

Më 1 korrik, por do të ketë një afat kohor prej gjashtë javësh për lëshimin e certifikatave për shtetet anëtare që iu duhet kohë shtesë. Komiteti i Lirive Civile i Parlamentit Evropian, do të votojë tekstin më 26 maj dhe më 7-10 maj, Parlamenti Evropian do të bëjë po të njëjtën gjë. Në të njëjtën kohë që PE-ja do të votojë për certifikatat, pritet që edhe Këshilli, zyrtarisht të miratojë certifikatat, përmes shumicës së kualifikuar.

Si mund të pajisjesh me certifikatë?

Kjo gjë varet nga shtetet e BE-së, por me gjasë do të jetë në kompetencë të autoriteteve kombëtare shëndetësore, që do të lëshojë certifikata të tilla. Kjo çështje funksionin në mënyrë retroaktive dhe të gjithë ata shtetas të BE-së, që para 1 korrikut vaksinohen plotësisht, do ta kenë të lehtë që të pajisjen me një certifikatë të tillë. Kjo certifikatë do të lëshohet pa para dhe do të jetë në formë të shtypur dhe format digjital dhe do të ketë validitet deri në një vit. Certifikata do të ketë një QR-kod me informacione, të tilla si emri, data e lindjes, shteti që e ka lëshuar këtë dokument, lloji i vaksinës (ose dëshmia për ndonjë imunitet) dhe kur mbajtësi i kësaj certifikate është vaksinuar.

Por, çfarë do të ndodhë me njerëzit nga shtetet jashtë BE-së që duan të kalojnë pushimet verore në një prej shteteve të bllokut evropian?

Certifikata e vaksinimit të BE-së duhet të jetë në përputhje me certifikatat e tjera të vaksinimit të shteteve jashtë BE-së dhe për këtë çështje është duke punuar OBSH-ja. “Çelësat” për kodet QR mund të shkëmbehen shumë lehtë. Por, një lajm edhe më i madh erdhi më 20 maj, kur Këshilli amendamentoi rekomandimin për kufizimin e udhëtimeve për shtetet e treta. Kufizimet për udhëtimet jothelbësore do të hiqen për qytetarët e shteteve të treta, nëse numri i rasteve me COVID-19 në 100 mijë banorë është 75 ose më pak gjatë 14 ditëve të fundit. Kjo konsiderohet si lehtësim i rregullave, pasi më herët Këshilli kërkonte që numri i rasteve të ishte 25. Ky lajm do të thotë se në javët në vazhdim, më shumë shtete, ku me gjasë, Japonia, Shtetet e Bashkuara dhe Britania do të futen në këtë listë. Këshilli gjithashtu ka miratuar udhëtimet për udhëtarët nga shtetet e treta, që kanë marrë vaksina të miratuara nga EMA apo nga OBSH-ja, 14 ditë para se të arrijnë në ndonjërin nga shtetet e BE-së.

Përgatiti: Mimoza Sadiku

[email protected] (Rikard Jozwiak)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit