4.7 C
Pristina
Monday, December 23, 2024

Rruga drejt realitetit – Pritshmëria

Më të lexuarat

“Ne tani jemi aty ku na kanë sjellë mendimet tona… dhe nesër do të jemi atje ku do të na çojnë mendimet tona.”

Xhejms Alen (James Allen)

 

Në mes të natës, kur të gjithë ishin në gjumë, papritur ra zilja e telefonit. Suada u zgjua nga gjumi e tmerruar dhe filloi të qante e të thoshte: “Kjo telefonatë patjetër që ka të bëjë me babanë tim, ku do të më lajmërojnë se ai ka vdekur… Kjo telefonatë sigurisht që vjen me lajme të kobshme… Nuk mund ta hap këtë telefonatë”… dhe filloi të qante me ngashërim. Të gjithë u zgjuan e po pyesnin se ç’po ndodhte. Më në fund, bashkëshorti i saj e hapi telefonin dhe mori vesh se i kishin rënë numrit gabim.

Tani… a të ka ndodhur të përjetosh një eksperiencë të tillë?

Çfarë ndodh nëse do të ishe duke ngarë makinën rrugës për në punë, dhe papritur vëren se makina e policisë po vijon të njëjtën rrugë, pas teje? Çfarë do të presësh të ndodhë?. Pasi bën njëqind llogari dhe ndoshta të rritet tensioni i gjakut, vëren pastaj se makina e policisë kalon përbri teje dhe vazhdon rrugën e saj për diku tjetër.

Çfarë ndodh nëse kur mbërrin në vendin e punës, një nga kolegët e tu të lajmëron se shefiyt i punës kërkon të të takojë urgjent? Cila është pritshmëria jote në këtë rast? Ndoshta ti parashikon se do të të heq nga puna, ndërsa në fakt, ai po të kërkon për të të falënderuar për punën e djeshme ose do të të ftojë për darkë.

Në njërën nga ligjëratat e mia, i pyeta pjesë marrësit e pranishëm aty se cila është ajo gjë që ju shkon në mendje për të parën here, sapo ju zgjon zilja e telefonit në mes të natës? Përgjigjja e një pjese prej tyre ishte: “Patjetër që mund të ketë vdekur babai”, ndërsa pjesa tjetër djalin tim mund ta kenë arrestuar dhe po mbahet në polici”; ndërsa njëra nga zonjat tha: “ime bijë është në fund të periudhës së shtatzënisë dhe ndoshta i ka ndodhur ndonjë gjë e dhimbshme”… Në atë ligjëratë, gjendeshin të pranishëm më shumë se pesëqind vetë, dhe as njëri prej tyre nuk tha se mendonte se ajo mund të ishte një telefonatë e gabuar ose ndoshta mbartte ndonjë lajm të gëzueshëm.

Një herë isha me pushime në shtetin e Majamit, në Amerikë, dhe me mua ishin edhe bashkëshortja ime, bashkë me dy vajzat tona. Gjatë pushimeve, gjëja që nuk më shqitej nga mendja ishte se hajdutët do të na e vidhnin shtëpinë tonë në Montreal. Pushimet zgjatën katër ditë dhe më pas, u kthyem. A e di se çfarë ndodhi?… Po,vërtet hajdutët kishin hyrë dhe e kishin plaçkitur shtëpinë tonë!!

Ka njerëz që janë ekspertë në të menduar për çdo gjë të keqe, të dhimbshme, dhe gjithmonë parashikojnë se kështu do të ndodhë patjetër. Siç thoshte shkrimtari romak: “Çfarë ndodh, nëse qielli bie sipër nesh?”

Është me rëndësi ta dish se mund të jesh i mbushur me entuziazëm dhe energji, të kesh aftësi të shumta, dhe të gjitha këto t’i vësh në zbatim, si nga ana mendore, ashtu dhe vepruese, por, nëse nuk shpreson suksesin, do të dështosh. Nëse ka diçka të përbashkët që i karakterizon të gjithë njerëzit e suksesshëm, ajo është pritshmëria e tyre për më të mirën nga jeta. Në çfarëdo rrethanash, ata shpresojnë dhe presin për sukses, më shumë se tjetër… Pritshmëria është pikërisht si makina asgjë që të çon atje ku ti dëshiron të shkosh, dhe siç thoshte Konfuçi: “Ajo në të cilën gjendesh ti sot, është rezultat i gjithë mendimeve të tua.”

Tani po të drejtoj këtë pyetje: “A beson në telepati? A të ka rastisur që të kesh qenë duke menduar për një person dhe në të njëjtin moment, të qëllojë që ai person të të marrë në telefon? Ose, a të ka ndodhur të mendosh se do të ndodhë një gjë e caktuar, dhe pastaj kjo gjë të ndodhë vërtet, si për shembull të gjesh vend për të parkuar makinën në një vend tepër të ngarkuar me trafik?

Nëse të ka ndodhur kjo, atëherë pra ti ke përjetuar atë që quhet “Ligji i parashikimeve”, dhe ky ligj thotë: “Gjithçka që ti e parashikon me bindje të plotë, do të të ndodhë vërtet në jetë.”

Nëpërmjet shkencës së metafizikës, ne e dimë se: “Truri është si një magnet, që tërheq drejt vetes njerëzit, situatat dhe rrethanat, për rastet e mendimeve të ngjashme”… Kur mendojmë në mënyrë pozitive, tërhiqen drejt nesh situatat pozitive, dhe e kundërta ndodh kur mendojmë në mënyrë negative, ku ne tërhiqemi patjetër nga situatat negative. Për këtë, Horaci, thoshte: “Ne në përgjithësi arrijmë të marrim atë që parashikojmë”.

Njëri nga shokët e mi punonte drejtor i një hoteli të madh, dhe papritur e humbi punën e tij. Kur e pyeta se si kishin rrjedhur ngjarjet, përgjigjja e tij ishte: “Unë e prisja një gjë të tillë, por ishte thjesht çështje kohe për mua”.. Edhe unë personalisht, e parashikoja të isha drejtor i përgjithshëm, dhe ngaqë ndieja një bindje të fortë për këtë, kjo gjë ndodhi vërtet.

Më ka ndodhur një herë, që një nga shokët mi më thotë se çdo ditë atij i dhembte koka e në orën katër pasdite, fiks. Unë i kërkova që të takoheshim një ditë, në orën tre e gjysmë pas dite, dhe prita të shikoj se çfarë do t’i ndodhte. Pas pesë minutash që u takuam, ai filloi të thoshte:

E ndiej se dhimbja e kokës po fillon të më sulmojë… Vërtet e ndiej se do të fillojë të më dhembë në çdo moment. Kjo më ndodh çdo ditë, në të njëjtën mënyrë dhe në të njëjtën kohë.”!!!

Ka njerëz që thonë: “Si të pres të ndodhë ndonjë gjë e mirë në këtë jetë?! Punoj dhe lodhem shumë çdo ditë… Kam pesë fëmijë që presin nga unë. Kam probleme në punë dhe në shtëpi, deri aty sa nuk mund t’i paguaj të gjitha detyrimet mujore. Mund të quhem me fat, nëse arrij t’i ruaj këto mirësi që kam, dhe pas gjithë kësaj, pret prej meje të parashikoj gjëra të mira shtesë…? Ti patjetër që tallesh.”

Natyrisht, secili prej nesh mund të mendojë me të njëjtën logjikë. Madje mund të shkruash një libër rreth gjithë asaj që ndodh gabim në këtë jetë dhe që na shkakton probleme, e të komentojmë se sa e padrejtë është kjo jetë. Por, në të njëjtën kohë që një pjesë e njerëzve ankohen për fatin e tyre të keq dhe për vështirësitë që vuajnë në këtë jetë, në të njëjtên kohë, ka njerëz të tjerë që jetojnë ëndrrat e tyre dhe që kanë pritshmëri për sukses të vazhdueshëm, dhe të cilët vërtet ia arrijnë ta marrin suksesin… Duhet të mendosh qoftë edhe për një moment të vetëm, rreth atyre njerëzve të suksesshëm, të cilët u përballën me pengesa të mëdha, por që pritën me patjetër suksesin, dhe vërtet ia arritën ta kenë atë. Arsyeja pse një pjesë e njerëzve e jetojnë jetën në një mënyrë të mjerueshme, është për shkak të pritshmërive të tyre negative, se gjëra jo të mira do t’u ndodhin në jetë. Dhe vërtet, ajo të cilën e ndjellin vetë, është ajo të cilën e korrin në këtë jetë.

Doktor Norman Vincent Peale, në librin e tij “Fuqia e të menduarit pozitiv”, thotë: “Ne mund të kemi pritshmërinë më të mirë per veten tonë, pavarësisht rrethanave të vështira, por realiteti mahnitës është se kur ne kërkojmë dhe presim diçka të mirë, zakonisht, e gjejmë atë.

Në librin e tij “Kënaqesia e punës”, Dr. De nis Waitley thotë: “Pritshmëritë negative sjellin fat të keq.”

Njerëzit e mjerueshëm, përqendrohen vetëm në dështim dhe në pikat e tyre të dobëta, ndërsa njerëzit e lumtur, ata fokusohen në pikat e tyre të forta dhe në aftësitë e tyre krijuese, kështu që, cilat do qofshin pritshmëritë e tua, negative apo pozitive, ato do të përcaktoj në të ardhmen tënde. Një fjalë e urtë thotë: “Ne shkaktojmë që të formohet dhe të akumulohet pengesa e pluhurave përpara nesh, pastaj ankohemi se nuk mund të shikojmë”… Jemi ne ata që ia lejojmë vetes të kemi pritshmëri dështimi, dhe kur e marrim atë për të cilën kemi pritshmëri, ankohemi dhe fajësojmë fatin tonë të keq… Prandaj, kur ti e programon trurin tënd me pritshmëri pozitive, ti do të fillosh rrugëtimin tënd për përdorimin e aftësive të tua reale që ke, dhe do të kesh mundësi t’i realizosh ëndrrat e tua. Mendo pak fjalët e doktor Mustafa Mahmud, kur thotë në librin e tii “Mendja dhe trupi”: “Në rrugën e suksesit, ne përballemi me ato që parashikojmë.”

Subkoshienca, ose nënvetëdija, nuk bën dallim mes të vërtetës dhe të pavërtetës, dhe nuk i logjikon gjërat. Ajo bën gjëra që ti vetë ia dikton. Nëse ti i thua vetes sate: “Unë mund ta bëj atë gjë”, ose nëse i thua “Unë nuk mund ta bëj atë gjë”, ajo që ti i thua nënvetëdijes tënde, ajo gjë do të ndodhë në të vërtetë.

Ja tani një plan se si të arrish në pritshmëri pozitive:

  1. Kur e ndjen se je duke i thënë vetes gjëra negative, duhet të dallosh menjëherë këtë, dhe ta urdhërosh nënvetëdijen tënde t’i anulojë ato mendime negative.
  2. Duhet t’i ndryshosh mendimet negativet në mendime pozitive, dhe nëse e dëgjon veten tënde duke thënë: “Unë nuk mund ta bëj atë gjë, dhe unë nuk do të kem sukses”, ti duhet ta ndryshosh këtë mesazh në: “Unë mund ta bëj këtë dhe do të kem sukses, dhe nëse suksesi në këtë punë është i mundur për ndokënd tjetër, është i mundur edhe për mua. Unë patjetër që mund të jem i suksesshëm.”
  3. Vepro menjëherë sipas planit tënd dhe ruaju nga mesazhet dhe treguesit negativë që merr nënvetëdija jote nga shokët e tu, nga familja jote dhe nga ata që të rrethojnë dhe mos lejo askënd që t’i programojë pritshmëritë e tua në mënyrë negative.
  4. Nise ditën me pritshmëri pozitive, dhe thuaji vetes “Unë mendoj se kjo ditë do të jetë e shkëlqyer, me lejen e Zotit”.. Të jesh i bindur se diçka e re do të të ndodhë.
  5. Mendo për mirë! Mendo më të mirën për njerëzit, më të mirën e ndodhive dhe më të mirën për jetën!

 

Duke filluar që sot, ngrite nivelin e pritsh mërive të tua, dhe ji gjithmonë optimist.! Si jo, kur Helen Keller, letrarja e madhe, e cila nuk shikonte, as dëgjonte, thoshte: “Optimiz mi është ai besim që të shpie në sukses”. Dhe mos harro Hadithin e ndritur që thotë: “Shpresoni për mirë, që ta gjeni.”

Fokusoje energjinë tënde në rezultatet pozitive, dhe do t’i arrish, me lejen e Zotit!

Dhe kujto gjithmonë:

Jetoje çdo çast sikur të ishte çasti i fundit i jetës sate…!

Jeto me besim! Jeto me shpresë!

Jeto me dashuri! Jeto me përpjekje

dhe çmoje vlerën e jetës!

 

 

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit