3 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Ramazani fton në ruajtjen e kohës

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

Sa të shpejta janë orët, çastet, netët, ditët dhe vitet, të cilat kalojnë nga jeta e njeriut.

“Çdo rrahje e zemrës i thotë njeriut

se kjo botë është vetëm disa çaste.

Andaj bëj një të mirë si përkujtim

ngase përkujtimi është një jetë tjetër.”

All-llahu i Madhërishëm e përshkruan përgjigjen në Ditën e Gjykimit të atyre që ishin të zhytur në dëfrime dhe në humbje të kohës, duke thënë se: “Ai thotë: “E sa vjet keni kaluar në tokë?” Ata thonë: “Kemi qëndruar një ditë ose një pjesë të ditës, pyeti ata që dinë numërimin!” Ai thotë: “Mirë e keni, sikur ta dinit, njëmend pak keni qëndruar!” A menduat se Ne ju krijuam kot dhe se ju nuk do ktheheni te
Ne? I Lartë është All-llahu, Sunduesi i vërtetë, nuk ka zot tjetër pos Tij, Zot i Arshit bujar.”

Një prej të devotshmëve ka thënë: “Jeta është e shkurtër, andaj mos e shkurto edhe më shumë me pakujdesi.” Kjo është shumë e vërtetë ngase pakujdesia e shkurton kohën duke mos e shfrytëzuar atë dhe duke i kaluar ditët e netët pa ndonjë dobi dhe pa asnjë përfitim në rrugën e All-llahut të Madhërishëm.

Është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sellem) të ketë thënë: “Dy mirësi shumë prej njerëzve janë të pakujdesshëm ndaj tyre, koha e lirë dhe shëndeti.”

Shumë prej njerëzve janë mirë me shëndet dhe kanë kohë të lirë, por ajo iu kalon pa ndonjë angazhim apo përfitim në rrugën e All-llahut të Madhërishëm, andaj është humbje e saj.

Po ashtu, është vërtetuar nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) të ketë thënë: “Nuk kanë për të lëvizur nga vendi këmbët e njerëzve derisa të mos pyeten për katër gjëra…. (E në mesin e tyre ka përmendur edhe “kohën se si e kanë shpenzuar”).” Koha apo jeta është një thesar shumë i çmuar. Në rast se shpenzohet në rrugën e All-llahut të Madhërishëm do të gjenden frytet e tij në ditën kur nuk do të bëjë punë as fëmija e as pasuria përveç atyre që dalin para All-llahut të Madhërishëm me zemër të pastër. E nëse e shpenzon atë në të kundërtën e kësaj, pra e shpenzon në gjëra të kota, në dëfrime dhe kënaqësi të kësaj bote do të pendohet si asnjëherë më parë, por kjo nuk do t’i bëjë më dobi pasi do të jetë shumë vonë. Prej asaj që do të thonë do të jenë edhe fjalët e tyre: “Ah, mjerë për humbëm kohën!”
Dita dhe nata janë dy faza kohore që mund ta shpien njeriun në lumturi të përhershme dhe të përjetshme apo mund tá shpien në vuajtje të përhershme dhe të përjetshme, prandaj duhet të kemi kujdes se si do t’i shfrytëzojmë ditët dhe netët tona, sepse do të vijë koha kur do të pendohemi, por pa asnjë dobi.

Të parët tanë prej të devotshmëve ishin shumë të kujdesshëm në ruajtjen e kohës saqë ata kanë tregime dhe ndodhi shumë interesante rreth kësaj çështjeje. Ka pasur prej tyre që në pritje të vdekjes lexonin Kur’anin, siç ishte rasti i Xhunejd Ibn Muhammedit, e kur u pyet se a edhe në këto çaste po e mundonte veten deri në këtë masë, ai tha: “E kush është më meritor që të mundohet dhe të angazhohet me adhurime se vetja ime?”

Po ashtu, kemi rastin e Esved Ibn Jezid Et-Tabi’ij falej në pjesën më të madhe të natës. Disa prej shokëve i kishin thënë se: “Përse nuk po qetësohesh pakëz?” E ai u tha: “Duke kërkuar pushimin dhe qetësim jam.” Domethënë që kishte për kënaqësinë në botën tjetër.
Sufjan Eth-Thevriu një ditë ishte ulur në xhaminë Qabesë në Mekë dhe po bisedonte me disa njerëz kur papritur u ngrit duke thënë: “Jemi ulur këtu dhe po bisedojmë, ndërsa dita po e bën punën e saj. Do të thotë po ecën dhe ne nuk jemi shfrytëzuar atë.”
Ka pasur prej të parëve që kohën e ndanin në orë, një orë për namaz, lexim të Kur’anit, kërkim të dijes, kërkim të riskut, përkujtim ndaj All-llahut, meditim, familjes, gjumit dhe assesi në programin e tyre nuk mund të gjeje kohë të ndarë për dëfrime dhe kohë të humbur kot.

Më vonë njerëzit i kaploi humbja e kohës, përveç atyre që janë mëshiruar nga All-llahu i Madhërishëm, gjumi i tepërt, papunësia, përtacia, të tepruarit në dëfrime dhe gjëra të lejuara, ndenjet e padobishme, takimet që, edhe pse nuk janë drejtpërdrejt të ndaluara, të shpien drejt haramit dhe bëhen shkak për të.

Prej gjërave që më së miri e rregullojnë kohën dhe e ndihmojnë shfrytëzimin e saj në formë të duhur është namazi. Në lidhje me këtë All-llahu i Madhërishëm thotë: “Me të vërtetë namazi është për besimtarët në kohë të prerë.”

Pas namazit të sabahut është koha e leximit të Kur’anit, e përmendjes së All-llahut të Madhërishëm dhe meditimit. Kjo zgjat deri në lindjen e diellit e pastaj fillon koha e punës, angazhimit, kërkimit të diturisë, kërkimit të pasurisë dhe lëvizjes në tokë. Kjo zgjat deri në namazin e drekës. Pas namazit të drekës është kohë shumë e përshtatshme, në veçanti për studentët, që të merren me leximin e librave të ndryshëm dhe pas namazit të ikindisë është koha e përqëndrimit në bibliotekë dhe leximit të materialit të kërkuar për profesionin e secilit e kjo zgjat deri në kohën e akshamit ku më pas fillon koha e takimeve dhe vizitave tek vëllezërit dhe të afërmit e më vonë pas namazit të jacisë është koha e ndenjes me familjen
dhe e gjumit në mënyrë që më vonë të mund të ngrihen për namaz nate. Dita e Enjte’ është ditë pushimi dhe duhet që njeriu të përkushtohet ndaj familjes dhe të dalë shëtitje. Të merret me aktivitete që janë në dobi dhe në të mirë të familjes së tij, ndërsa dita e xhuma është ditë e adhurimit dhe përkushamit ndaj All-llahut të Madhërishëm, andaj besimtari duhet të pustrohet, të vishet bukur, të rregullohet dhe të bëhet gati për shkuarjen në namazin e xhumasë.

Muaji i Ramazanit është një muaj në të cilin njeriu mund ta rregullojë orarin e tij dhe mund të shfrytëzojë shumë më mirë kohën e tij për të kryer vepra që shpien drejt kënaqësisë së All-llahut të Madhërishëm dhe mirësive të Tij.

Agjëruesi gjatë kohës së Ramazanit është më i lirë dhe ka më shumë kohë që të merret me adhurime dhe me përkushtim ndaj All-llahut të Madhërishëm, ngase ai është i kursyer nga shpenzimi i kohës dhe angazhimi i tij në përgatitjen e ushqimit dhe ngrënien e tij e që zakonisht merr kohë të gjatë, andaj këtë kohë mund ta shfrytëzojë në punë të mira, në adhurime dhe në përkushtim ndaj All-llahut të Madhërishëm.

Shumë prej njerëzve nuk e dinë saktësisht se çfarë do të thotë të agjërosh dhe nuk e kuptojnë sa dhe si duhet esencën e agjërimit, andaj dhe i kalojnë ditët e tyre në gjumë, zbavitje, dëfrime dhe në punë të kota e netët e tyre i kalojnë në udhëtime dhe në shëtitje lart e poshtë pa ndonjë dobi apo arsye.
Kjo ka të bëjë me disa vende arabe ku ditë pushimi është dita e enjte dhe e xhuma në vend të ditës së shtunë dhe të diel. (Shënim i përkthyesit).

“O ti që kalon orët e jetës tënde të pakthyeshme,

Dhe që për kalimin e tyre nuk mund të ketë kompensim.

Kalove jetën tënde pa bërë asgjë.

Duke e ditur se është koha kur duhej punuar,

sepse do të vijë koha kur do të ndihesh i privuar.’

O All-llah i Madhërishëm, na ruaj neve kohën tonë, na bëj të vendosur në jetën tonë dhe na shfrytëzo në punë të mira, o All-llah i Madhërishëm!

Aid el-Karni

“30 Mësimet për agjëruesit”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit