Eurokomisari për zgjerim, Oliver Varheji nesër do ta vizitojë Maqedoninë e Veriut me rastin e arritjes së vaksinave të para kundër Kovid-19, të ndara dhe të financuara nga BE-ja. Së bashku me Varhejin në Shkup do të vijë edhe ministrja austriake për Evropën dhe Kushtetutën, Karoline Edshtadler.
Sipas paralajmërimit, eurokomisari për zgjerim do të takohet me kryeministrin Zoran Zaev në Qeveri, pas çka, së bashku me Edshtadler dhe ministrin e Shëndetësisë Venko Filipçe, do ta vizitojnë pikën e vaksinimit në A1 QS “Boris Trajkovski”.
Pas vizitës në pikën e vaksinimit, siç kumtoi Delegacioni i BE-së në Shkup, do të vijojnë deklarata për mediat nga kryeministri Zaev, ministrja Edshtadler dhe eurokomisari Varheji.
Komisioni Evropian dhe Austria më datën 20 të muajit të kaluar njoftuan se gjithsej 651,000 doza të vaksinave “Fajzer” do të dorëzohen në rajon, në baza javore, nga fillimi i majit deri në gusht. Prej tyre, 119,123 vaksina do të jenë për Maqedoninë e Veriut.
Vaksinat financohen nga pakoja në vlerë prej 70 milion eurove e miratuar nga KE-ja në dhjetor të vitit të kaluar për të ndihmuar në mbulimin e kostos së vaksinave të siguruara përmes marrëveshjeve të përparuara të prokurimit të BE për partnerët e Ballkanit Perëndimor. Austria ka lehtësuar ndarjen e këtyre vaksinave të financuara nga BE përmes marrëveshjeve ligjore me prodhuesin dhe me secilin partner nga Ballkani Perëndimor.
“BE-ja tregon solidaritet dhe kujdes lidhur me vendet e Ballkanit Perëndimor nga vetë fillimi i pandemisë. Për Maqedoninë e Veriut, Be-ja ka siguruar rreth 230 milionë euro për furnizime urgjente mjekësore dhe si mbështetje në lehtësimin e pasojave socio-ekonomike nga pandemia”, qëndron në kumtesën e Delegacionit të BE-së në Shkup.
zhurnal.mk/