Kryeministri iraken, Mustafa al-Qadimi pezulloi Ministrin e Shëndetësisë, Hassan al-Tamimi pas një zjarri në një spital në Bagdad, në të cilin më shumë se 80 njerëz humbën jetën, tha qeveria në një deklaratë sot.
Al-Qadimi kishte shkarkuar më parë drejtorin e përgjithshëm të departamentit shëndetësor të Bagdadit në rajonin Al-Rusafa, ku ndodhet spitali.
Ai gjithashtu shkarkoi drejtorin e spitalit “Ibn Hatib” dhe drejtorin e departamentit të mirëmbajtjes, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
Zjarri shpërtheu në njësinë e kujdesit intensiv, ku kishte pacientë që po trajtoheshin për coronavirusin. Me atë rast, 82 njerëz u vranë dhe 110 u plagosën.
Raportet e para tregojnë se zjarri në spitalin “Ibn Hatib” ishte shkaktuar nga shpërthimi i bombolës së oksigjenit të shtunën vonë. /Telegrafi/