-0.4 C
Pristina
Saturday, November 23, 2024

Kujtimet tona gjatë Ramazanit

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që pasuan gjurmët e tij.

Prej kujtimeve tona më të mira, si muslimanë që jemi, padyshim që është shpallja e Kur’anit. Shpallja e këtij Libri të shenjtë dhe udhërrëfyës për ne është bërë gjatë këtij muaji. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Muaji i Ramazanit në të cilin u zbrit Kur’ani, udhëzues për njerëzit, sqarues i këtij udhëzimi dhe ndarës (mes të vërtetës dhe të pavërtetës).”

Libri ynë, Kur’ani, u shpall në këtë muaj, andaj kujtimi i tij mbetet kujtimi më i mirë dhe koha e ditët e tij në këtë botë do të mbesin të pashlyera. Kur’ani u shpall tek një komunitet analfabet, që me lejen e All-llahut të Madhërishëm do t’i nxjerrë nga errësira në dritë.
Çdoherë kur të vijë muaji i Ramazanit do e përkujtojmë këtë mirësi kaq të madhe me të cilën na ka nderuar All-llahu i Madhërishëm duke e shpallur atë tek Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem). Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “Nuk i vjen devijimi nga duart e tij, e as nga prapa tij, ai është i zbritur nga i Urti dhe i Lavdëruari.

Në Ramazan, me lejen e All-llahut të Madhërishëm, fituam, triumfuam dhe mposhtëm të pavërtetën dhe mosbesimin në betejën e madhe të Bedrit.

Në këtë muaj, Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) së bashku me shokët e tij, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, triumfoi dhe fitoi. Këtë na e përshkruan All-llahu i Madhërishëm: “E All-llahu ju triumfoi juve në Bedër kur ju ishit të pakët, andaj keni frikë All-llahun që të shpëtoni.”
Në këtë muaj fitoi Islami ndaj mosbesimit, u lartësua fjala “La ilahe il-la All-llah, Muhammed resulAll-llah”, në këtë muaj u mposht mosbesimi dhe ateizmi. Në ditën kur u takuan dy grupet, ashtu siç na e përshkruan edhe All-llahu i Madhërishëm në Kur’an, kur thotë se: “Ajo që ju goditi juve ditën e ballafaqimit të dy grupeve (besimtarë dhe idhujtarë), ishte me lejen e All-llahut, për t’u dalluar besimtarët e sinqertë.”

Beteja e Bedrit ishte në ditën e 17-të të këtij muaji, andaj gjithmonë kur vjen kjo ditë e përkujtojmë këtë beteje të madhe dhe këtë fitore të begatshme që ndodhi me lejen e All-llahut të Madhërishëm.

Po ashtu, në këtë muaj ishte edhe dita e çlirimit, dita e çlirimit të Mekës, për të cilën All-llahu i Madhërishëm thotë: “Ne ty të dhamë (vendosëm për) një fitore të sigurt.”
Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) hapi zemrat me Kur’an dhe hapi Mekën me besim gjatë Ramazanit, andaj në këtë muaj janë bashkur dy triumfe shumë të mëdha. Në këtë muaj fitoi besimi, u lartësua Kur’ani dhe triumfuan pasuesit e All-llahut të Madhërishëm. Betejat e mëdha të muslimanëve ishin gjatë Ramazanit dhe fitoret e tyre të paharruara kishin ndodhur po gjatë këtij muaji.

Prej kujtimeve të bukura që kemi gjatë muajit shenjtë të Ramazanit është edhe ardhja e Xhibrilit (alejhis-selam) tek Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) shumë shpesh gjatë këtij muaji, ngase ata së bashku lexonin Kur’anin, mësonin urtësitë e tij, mendonin rreth dispozitave të tij dhe meditonin rreth madhështisë së tij. Ata së bashku e përkujtonin Kur’anin, e përvetësonin hifzin e tij dhe së bashku adhuronin All-llahun e Madhërishëm me një adhurim të devotshëm, të përkushtuar dhe mjaft të bukur siç u takonte atyre.

Prej kujtimeve tona që kemi gjatë këtij muaji është edhe uniteti i gjeneratës së parë në namazin e teravive. Ata faleshin pas një prijësi, dëgjonin leximin e tij dhe adhuronin All-llahun e Madhërishëm me frikë-respekt ndaj Tij. Netët e tyre ishin të gjata, por ata i shkurtonin ato me namaz, e nëse i shikoje do t’i gjeje duke qarë dhe duke u përkuluar para All-llahut të Madhërishëm, do t’i gjeje në mes rukuve dhe sexhdeve të tyre. E sikur t’i shihje ata do të kuptoje se sa të përkushtuar Shin në adhurime dhe se sa të angazhuar ishin në përpjekje _ër të fituar kënaqësinë e All-llahut të Madhërishëm.

Ata do t’i gjeje me zemra të frikësuara, me lëkura të rrëqethura dhe me sy të mbytur në lotë nga frika ndaj All-llahut të Madhërishëm.

Prej kujtimeve tona gjatë këtij muaji është edhe hapja e dyerve të Xhennetit dhe mbyllja e dyerve të Xhehenemit, prangosja e djajve dhe mbrojta nga cytjet e tyre, andaj prej gjërave të bukura që kujton besimtari në këtë muaj është edhe ndjenja se ai është i mëshiruar në këto ditë të begatshme dhe se është i mbrojtur dhe i ruajtur nga cytjet dhe vesveset e djajve gjatë këtij muaji të madhërishëm.

Kujtim tjetër është se çdo agjërues ka dy gëzime gjatë këtij muaji, njërën e ka kur është duke bërë iftar, ndërsa tjetrën e ka kur të takojë All-llahun e Madhërishëm, andaj çdoherë kur të vijë ky muaj do të vijnë me të edhe këto dy gëzime që do t’ia shtojnë lumturinë dhe vullnetin për adhurime.

Prej kujtimeve të bukura që kemi gjatë këtij muaji është edhe të kujtuarit se ky muaj është muaj i faljes së mëkateve në mes tij dhe muajit të kaluar të Ramazanit, andaj kur besimtari e di që gjatë këtij muaji do të jetë i falur dhe i pastruar nga mëkatet, ashtu siç na ka treguar Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem), padyshim që do të ndihet i lumtur.

Muaji Ramazanit është muaji i mëshirës për të varfërit, ngase atyre u shtohet shpresa se do të gjejnë ushqime dhe furnizime të tjera prej të pasurve, sepse zemrat e besimtarëve zbuten në këtë muaj dhe e ndiejnë nevojën e solidarizimit me skamnorët, andaj gjejmë dhe shohim se si të varfërit dhe skamnorët i gëzohen ardhjes së këtij muaji.

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë se: “Me të vërtetë në Xhennet është një derë që quhet Rejan prej së cilës do të hyjnë agjëruesit e nëse hyjnë do të mbyllet dhe pas tyre nuk do të hyjë më askush.” Dera Rejan ka një vend të veçantë tek agjëruesit gjatë muajit të Ramazanit, ngase ata e shpresojnë nderin që të jenë prej hyrësve të kësaj dere.

O All-llah, o i Madhërishëm, na e mundëso të shijojmë edhe shumë ditë të Ramazanit, ta shijojmë këtë muaj edhe për shumë vite, duke na mundësuar që këtë shijim ta shoqërojmë edhe me pendim dhe kërkim falje!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit