0.7 C
Pristina
Sunday, December 22, 2024

Gabime që kryhen prej disa agjëruesve

Më të lexuarat

Falënderimet i takojnë All-llahut të Madhërishëm, ndërsa përshëndetjet dhe selamet tona janë mbi profetin Muhammed Mustafa, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të jithë ata që pasuan gjurmët e tij.

Një pjesë e agjëruesve bëjnë disa gabime gjatë agjërimit dhe kjo ndodh si mungesë e njohurive rreth fesë së All-llahut të Madhërishëm. Në kuadër të kësaj është edhe mosdija e mosnjohja e duhur e dispozitave të agjërimit dhe realitetit të tij. Shumë prej agjëruesve nuk e dinë se çfarë është e lejuar e çfarë jo në agjërim, çfarë është e obliguar e çfarë jo gjatë agjërimit, çfarë preferohet e çfarë jo të kryhet gjatë agjërimit, çfarë është e papëlqyer e çfarë jo gjatë agjërimit, çfarë urrehet e çfarë jo gjatë agjërimit. Pra, ata nuk e dinë se çfarë e prish, çfarë e dëmton dhe çfarë e dobëson agjërimin.

Nga Profeti (sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem) është vërtetuar të ketë thënë se: “Kujt ia do All-llahu të mirën i jep të kuptuar në fe.” Nga kjo kuptohet se atij që All-llahu i Madhërishëm nuk i jep të kuptuar dhe njohuri rreth fesë së Tij dhe nuk ia mundëson që të pyesë dhe të informohet rreth saj, është prej atyre që All-llahu i Madhërishëm nuk ia do të mirën.
Ndërsa All-llahu i Madhërishëm në një ajet thotë: “Dhe pyesni përkujtuesit nëse nuk dini.” Me “përkujtues” ka për qëllim dijetarët, andaj është obligim i çdo besimtari që dëshiron ta adhurojë All-llahun e Madhërishëm ashtu siç kërkohet prej tij që të pyesë dijetarët, të marrë dije dhe të informohet rreth fesë së tij dhe formës së drejtë të adhurimit dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit të tij.

Disa agjërues bien në mëkate të mëdha që ua prishin atyre agjërimin dhe ua humbin shpërblimin e namazit të natës, por ndoshta edhe nuk e dinë. Prej këtyre mëkateve është edhe përgojimi, për të cilin kemi folur në mësimin se si agjëron gjuha. Po ashtu, edhe thashethemet, fyerjet, ofendimet, sharjet, mallkimet etj., janë prej mëkateve të gjuhës.

Prej gabimeve që bëhen gjatë agjërimit është edhe të tepruarit në ushqim. Ne shohim se si besimtarët e shtojnë tej mase sasinë e ushqimit, llojllojshmërinë e tij, cilësinë e tij dhe nuk kursejnë fare në çmimin e tij si në iftare dhe në syfyre ku prej këtij ushqimi nuk konsumohet vetëm se një sasi e vogël e pjesa më e madhe hidhet, derdhet, dhe nuk shfrytëzohet për herën tjetër. E gjithë kjo është në kundërshtim me udhëzimet që na ka dhënë Islami, ndërsa në lidhje me këtë All-llahu i Madhërishëm na thotë: “Hani e pini e mos e teproni se me të vërtetë Ai nuk i do ata që e teprojnë.” Andaj çdo gjë që është mbi nevojën e njeriut dhe është sasi shtesë nga ajo që do të konsumojë apo që ka mundësi të konsumojë është prej të tepruarit të ndaluar në Islam.
E gjithë kjo nuk e kënaq All-llahun e Madhërishëm dhe eshtë pjesë e asaj që kuptohet nga fjala e All-llahut ku thotë se “Dhe jepi cdo të afërmi të drejtën që i takon, edhe të varfërit, edhe atij në kurbet, po mos shpenzo tepër e pa rrugë. Ata që shpenzojnë tepër (mastrafxhinjtë) janë vëllezër (në veprim) të jajve, e djalli është përbuzës i madh i Zotit të Tij.” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Dhe ata që nëse shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk e lënë mangët e që mes tyre veprojnë.”

Tregjet dhe dyqanet gjatë Ramazanit janë të stërmbushura me blerës që blejnë pije dhe ushqime sa do të ishte e mjaftueshme për dhjetra familje.
Kemi shumë familje që nuk mund të gjejnë as një copëz buke që të ushqehen, familje që për shtrojë kanë dheun e për mbulojë qiellin, ndërsa besimtarët duhet t’u nënshtrohen trajtimeve mjekësore për shkak të ushqimit të tepruar.

Prej qëllimeve të agjërimit është që njeriu ta pastrojë stomakun e tij nga mbetjet e tepërta të ushqimit dhe kjo arrihet me të pakësuar ushqimin, por a thua si mund ta arrijnë ata që e teprojnë edhe më shumë gjatë muajit të Ramazanit?

Shumë prej agjëruesve i kalojnë ditët e tyre duke fjetur, e një pjesë e tyre zgjohen vetëm për të falur namazin dhe kthehen sërish të flenë, por këta realisht nuk kanë agjëruar. E të tjerët i shohim se si e kalojnë natën në defrime, në lojra dhe pranë televizoneve, duke mos pushuar asnjë çast nga të ushqyerit, duke qenë në pakujdesi të madhe nga të përmendurit dhe adhurimet ndaj All-llahut të Madhërishëm. E si mund të themi se kanë agjëruar?
Gjumi nuk e shton jetën e as pagjumësia nuk e shikurse atë.
Prej urtësive të agjërimit është që agjëruesit ta ndiejne dhimbjen e urisë për të kënaqur All-llahun e Madhërishëm si dhe vështirësinë e etjes në rrugën e All-llahut të Madhërishëm. Ndërsa ai që e kalon gjithë ditën e agjërimit duke fjetur si mund ta arrijë një gjë të tillë?

Po ashtu, kemi prej agjëruesve që e kalojnë kohën e tyre duke luajtuar me lojra të ndryshme, e që më së paku mund të jenë të papëlqyera, ata mundohen që përmes këtyre gjërave të kalojnë kohën, të vrasin ditën e tyre në mënyrë që të mos e ndiejnë vështirësinë e agjërimit. All-llahu i Madhërishëm thotë: “A menduan njerëzit se Ne i krijuam ata duke u dëfryer dhe se ata nuk do të kthehen tek Ne.” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “Hiqu atyre që e marrin fenë (në vend që ta respektojnë) për lojë e dëfrim dhe i ka mashtruar jeta e kësaj bote. Ti përkujto me të (Kur’anin) që të mos bierë njeriu viktimë e asaj që ka vepruar, e që s’ka mbrojtës as ndërmjetësues për të pos All-llahut. Madje ai (njeri) edhe nëse jep, çdo lloj shpagimi nuk i pranohet. Të tillët janë ata që ranë viktimë e asaj që punuan. Ata, për shkak se mohuan, për pije kanë ujë të vluar e dënim të idhët.”

Po ashtu, kemi prej agjëruesve që e kalojnë gjithë natën e tyre në gjëra të kota dhe nuk janë në gjendje të gjejnë kohë që, së paku, të falin nga dy rekate namaz për hir të All-llahut të Madhërishëm në errësirën e natës duke u vetmuar me Krijuesin e tyre. Prej gabimeve më të ulëta dhe më të pacipa është mos dalja në Xhami e agjëruesve, ata për arsyet më të kota dhe me te pavlera nuk u bashkohen radhëve të falësve në xhami në mënyrë që të falin namazin së bashku. Gjithashtu, kemi prej agjëruesve që, gjatë apo jashtë Ramazanit, nuk kanë fare lidhje me Kur’anin, as për së afërmi e as për së largu, e ata mund të lexojnë shumë dhe të kalojnë shumë kohë në mes të librave apo duke lexuar, por këtë e bëjnë për çdo gjë tjetër përveç Kur’anit, librit dhe fjalës së All-llahut të Madhërishëm. E gjithë kjo është shenjë e dyfytyrësisë, shenjë e vdekjes së zemrave të tyre dhe e sëmundjes së shpirtrave të tyre.

Po ashtu, kemi prej agjëruesve që nuk janë në gjendje të japin asnjë qindarkë lëmoshë, shtëpitë e tyre janë të mbyllura për agjëruesit, sofrat e tyre privohen nga të ushqyerit e agjëruesve, ndërsa duart e tyre janë mbytur nga koprracia dhe dhënia për hir të All-llahut të Madhërishëm. Në lidhje me këtë, All-llahu i Madhërishëm thotë: “E ajo që është tek ju do të humbasë e ajo që është tek All-llahu do të mbetet.” Ndërsa në një ajet tjetër thotë: “E çka do të jepni për veten tuaj nga të mirat do ta gjeni tek All-llahu.”

Prej agjëruesve kemi që nuk kujdesen fare për faljen e namazit të teravive dhe këtë e justifikojnë me mjaftueshmërinë e faljes së namazeve obligative, ndërsa në çështjet e kësaj bote ai nuk mjaftohet me gjëra të pakta, nuk mjaftohet me gjërat obligative, por ai kërkon që të plotësojë nevojat e tij deri në përsosmëri.

“E kur të vish në Ditën e Gjykimit si i vetëm.

E të shohësh vendet që kanë zënë të tjerët.

Do të pendohesh rëndë për veten tënde,

dhe për atë që humbe në këtë botë të mashtruar.”

Po ashtu, kemi prej agjëruesve që lodhin familjarët e tyre duke i angazhuar në ushqime të tepërta dhe në përgatitjen e ushqimeve më të rënda, gjë që i privon ata nga adhurimi dhe përkushtimi ndaj All-llahut të Madhërishëm. E sikur t’u lejonin të përgatisnin ushqime të lehta dhe aq sa është e mjaftuar padyshim se do të gjenin kohë që të adhuronin All-llahun e Madhërishëm, të lexonin Kur’anin dhe të ishin më të përkushtuar ndaj muajit të Ramazanit.

O All-llah, na furnizo e mos na pakëso, na dhuro e mos na privo, na ndero e mos na nënçmo, na fal dhe na mëshiro!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit