0.7 C
Pristina
Sunday, November 17, 2024

Overdoza e islamofobisë në Kosovë

Më të lexuarat

Nën reflekse të vërteta pavloviane, disa në Kosovë (nga pas u shkoi edhe ndonjë në Shqipëri), raportuan se arkëmorti i babait të futbollistit të kombëtares Mërgim Mavraj ishte mbuluar me flamur arab. U tha gjithashtu se në varrim morën pjesë dhe disa imamë radikalë. Rasti ishte tipik pavlovian, sepse arkëmorti i të ndjerit qe i mbulur me një sixhade të përdorur me sa dukej prej tij në të gjallë për të kryer ritet fetare. Nuk ka gjë më të largët me një flamur arab sesa një sixhade, kjo është e qartë.
 
Media në Kosovë reagoi në këtë mënyrë sepse ajo priste një flamur arab, ose, të paktën, po shihte për një tillë, dhe kësisoj ajo e bashkëshoqëroi sixhaden me të në një proces të ngjashëm me eksperimentet e famshme të Pavlovit. Kosova për fat të keq ka disa kohë që vuan nga një islamofobi e rëndë. Përkufizimet mbi islamofobinë janë të larmishme, por ato bashkohen në një pikë. Në literaturën perëndimore, ajo përfshin një spektër ligjërimi dhe veprimi nga diskriminimi deri tek shfaqja e opinioneve se “Islami ka vlera jo të përbashkëta me kulturën tonë, se është inferior ndaj kulturës perëndimore, etj.”
 
Ministri britanik i Punëve të Brendshme, Jack Straw, që më pas ka shërbyer dhe si ministër i Punëve të Jashtme, publikoi në vitin 1997 raportin Runnymede Trust për të drejtat e njeriut, dhe tha se, “shfaqja e opinioneve se Islami ka vlera jo të përbashkëta me kulturën tonë, se është inferior ndaj kulturës perëndimore, është islamofobi, dhe është e dënueshme”. Në Kosovë,  gazetarë të rëndësishëm, politikanë, studiues, etj., ka kohë që qartazi kanë tejkaluar çdo përkufizim sado të gjerë të islamofobisë. Ata flasin me atë lehtësi që lojtarët e basketbollit pështyjnë fara.
 
Do të ishte e tepërt dhe e pamundur të përmendeshin rastet thuajse të përditshme të kësaj gjendjeje dëshpëruese; megjithatë, për të krijuar një ide mbi realitetin përcëllues të saj, po sjellim vetëm ca syresh. Gazetarja Arbana Xharra pak kohë  më parë sulmonte ad hominem kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës, pa u kujdesur fare për etikën elementare, dhe duke përgjithësuar gjithçka bash si në ligjërimet tipike totalitare. Dihet që në ligjërimet totalitare përgjithësimi bëhet për ta zhveshur diskurin nga logjika. Ajo shkruan: “Kur është fjala për çështjet fetare, ata manipulojnë me mijëra besimtarë, të cilët besojnë se qëllimi i tyre është për të drejtat fetare, por, në fakt, ato janë vetëm lëvizje politike. Bashkë me Tërnavën, edhe Fuad Ramiqi, sikurse Ferid Agani, kërkuan shaminë nëpër shkolla. Hipokrizia qëndron në faktin se as gruaja e Aganit, e as vajza e Ramiqit, nuk kanë mbulesë.”
 
Pra, gazetarja i quan ata hipokritë, manipulues, që nuk i kanë gratë e tyre me shami. Se ç’hyjnë gratë e të tjerëve në debate publike, kjo i përket vetëm gazetares. Në një debat diskutohen pikëpamjet dhe idetë, e jo cilësitë personale, as gratë, as nënat, as pamja e njerëzve. Në një reagim tjetër, gazetarja e irrituar ngaqë disa të rinj ndanin fletushka me shënime fetare, shkruan në facebook, “…le t’i ndalojë dikush këta qelbësira që përpiqen t’u shplajnë trutë njerëzve në Kosovë.” Islamofobia është gjëja më e pakët që gjendet në këtë gjuhë. Aty ka urrejtje dhe mediokritet.
 
Një tjetër gazetar i njohur në Kosovë, Enver Robelli, shprehet:  “Shefqet Krasniqi e të tjerë kanë nxitur urrejtje, kanë gënjyer, kanë manipuluar, janë jargëzuar…duke keqinterpretuar fenë islame… Partia e emisarit të Rusisë, Salep Sulltanit, i futi së pari në Kuvendin e Kosovës fashistët me ngjyrë jeshile. Pastaj partia e Hashim Thaçit bëri koalicion me këtë bandë, dhe kështu u bë e mundshme që në parlament të hyjë një deputete me shami dhe pa tru…” Ky nuk e ka problem t’i quajë të tjerët bandë, fashistë, apo deputete me shami dhe pa tru.
 
Gjithë shkrimi i tij është një piskamë urrejtjeje, dhe, pa dyshim, fyerjeje. Deputetja Alma Lama shprehet në një polemikë me Lutfi Hazirin, një zyrtar i lartë i LDK-së: “Lutfi Haziri ka bërë një gabim shumë të madh. Shamia është e arabëve, nuk u duhet shqiptarëve.” Ajo është shprehur në një rast tjetër: “Po na ndotni ambientin. Islami është fe e shekullit të shtatë.” Për Alma Lamën, e cila duhet thënë se dallohet për përdorimin e vazhdueshëm të një gjuhe të tillë, islamofobia dhe urrejtja tejkalojnë edhe padijen e thellë. Baton Haxhiu, një tjetër gazetar i njohur, shkruan: “Jeni të ligë (për politikanët), sepse bërtisni për Europën dhe bashkëpunoni me fetarët, bërtisni për të drejtat dhe liritë e njeriut dhe kërkoni t’i vendosni femrës një ‘shëmti’ (e ka fjalën për shaminë; F.Z.) mbi bukurinë e femrës.”
 
Ardian Gjini, deputet i AAK-së, shprehet se, “Feja është vjetërsirë, dhe se ne nuk mund t’i kthehemi asaj dhe të lemë pas shkencën.” Në po të njëjtën linjë arsyetimi është edhe Blerand Latifi (ish-këshilltar i kryeministrit). Kosova mund të ketë, dhe pa dyshim ka, probleme me ligjërimin e disa hoxhallarëve, të cilët në mjaft raste bëjnë si filozofë, historianë, biologë, apo edhe muzikologë. Shumë herë ata lëshojnë broçkulla që do të çudisnin edhe nxënësit mesatarë të shkollave të mesme. Në raste të tjera, ka syresh që kanë një kuptim të kufizuar të Islamit, apo dhe një kuptim të keqkuptuar të tij.
 
Nuk ka raste në historinë e njerëzimit, veç totalitarizmave naziste dhe komuniste, kur zgjidhjet jepen duke sulmuar një klasë apo një kategori të tërë. Studiuesi i përkorë, Arbër Fetiu, ka shpjeguar në mënyrë brilante se si në Kosovë po imponohet përdhunshëm një ide e padëgjuar kund mbi radikalizmin islam, se si kjo gjetje tipike kosovare po hyn në kokat e shumicës së atyre që pretendojnë se mbrojnë laicizmin dhe demokracinë. Arbër Fetiu thotë se gjithandej po quhet radikal ai që kërkon mbajtjen e shamisë, apo ai që mban mjekër. Ai sjell në një ese të rrallë qëndrimet e Arbana Xharrës, Dafina Zharkës, Adem Demaçit, Enver Hoxhajt, etj.
 
Fetiu shkruan: “‘Radikalizmi islamik’ në Kosovë del përtej definicioneve më të kujdesshme që i bëhen atij në qarqet akademike, dhe shndërrohet në një ‘shenjim të zbrazët’ (‘empty signifier’), në një term i cili mund të mbushet me përfytyrime nga më të çuditshmet, dhe me të cilin mund të akuzohet potencialisht secili qytetar i Kosovës në momentin kur ai nuk ka përputhshmëri me përfytyrimin që i bëhet termit nga disa funksionarë të lartë të shtetit, nga disa opinionistë, e nga figura të tjera të opinonit publik.” Është koha që t’i jepet fund kësaj sjelljeje qesharake, të mbushur plot injorancë, por edhe mjaft të rrezikshme.
 
Islamofobia bën pikërisht të kundërtën e asaj që ata dhe ne duam, e asaj që i duhet Kosovës dhe njerëzve të atij vendi të shumëvuajtur. Islamofobia është ara ku mbillet radikalizmi, apo edhe terrorizmi. Filozofi francez Thibault Collin shkroi në Le Monde pas sulmit në gazetën Charlie Hebdo se ISIS-i po pret që ne t’ia hedhim në krahë myslimanët, duke i sharë, duke e quajtur fenë e tyre të vjetër dhe arabe. Por, ne francezët, tha ai, nuk do ta bëjmë këtë, ata janë vëllezërit tanë. Edhe shkrimtari fitues i çmimit Nobel, Le Clesio, u shpreh po në Le Monde: “Nuk ka Francë pa myslimanët! Duhet t’i bëjmë të ndjehen francezë, duhet t’ua respektojmë besimin. Jo islamofobisë!”
 
Islamofobia është racizëm, është e ngjashme me antisemitizmin. Drejtori i Qendrës për Kërkime mbi Antisemitizmin në Berlin, Volgang Benz, thotë se ka ngjashmëri të frikshme mes stigmatizimit që u bëhej hebrenjve dhe atij që u bëhet myslimanëve dhe fesë së tyre. Ndërsa Stephan Kramer, sekretari i përgjithshëm i Këshillit Qendror të Hebrenjve, shprehet se duhet detyrimisht të shpjegohet e vërteta për Islamin dhe qytetërimin, e jo të ngjallet urrejtje. Heiner Bielefeld, i Institutit për të Drejtat e Njeriut në Gjermani, një autoritet botëror, thotë se gjithkush është i lirë të diskutojë çështjet fetare, edhe me nerv.
 
Kufiri është i paprekshëm tek fyerja, sharja, dhe margjinalizimi. Eshtë e vështirë t’ua kërkosh këtë qasje atyre që vepruan me refleksin pavlovian në rastin e përcjelljes në botën tjetër të babait të futbollistit Mavraj, pasi ata kanë humbur fuqinë e arsyetimit dhe aftësinë për të konceptualizuar. Kjo, së paku, mund t’u kërkohet studiuesve dhe profesorëve të Universitetit të Prishtinës, shkrimtarëve apo artistëve, sigurisht, të gjithë gazetarëve dhe të tërë atyre që dinë ta duan Kosovën. Islamofobia nuk e do Kosovën, përkundrazi, e urren atë!

Fitim Zekthi /Tesheshi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit