-1.3 C
Pristina
Monday, November 25, 2024

Biznesmeni më i Pasur i Rumanisë Dënohet me Burg për Korrupsion

Më të lexuarat

Ioan Niculae, një biznesmen miliarder, u dërgua në burg pasi u gjet fajtor për financimin e politikës në shkëmbim të favoreve nga qeveria.
 
Gjykata e Lartë e Rumanisë dënoi të enjten biznesmenin super të pasur Ioan Niculae me dy vjet  e gjashtë muaj burg pasi kishte financuar ilegalisht një nga kandidatët kryesorë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2009.
 
Gjykata tha se Niculae pagoi 150 mijë euro te një anëtar i partisë Social Demokrate, në atë kohë në opozitë, para zgjedhjeve presidenciale, në këmbim të ndikimit në qeveri. Gjykata urdhëroi Niculae të paguajë një shumë të tillë në formë gjobe.
 
Zyrtari i partisë që mori ryshfetin, Gheorghe Bunea Stanciu, u dënua me tre vjet burg.
 
Niculae, 60 vjeç, mbështeti kandidatin e kësaj partie Mircea Geoana në garën presidenciale, por kandidati i tij humbi në balotazh.
 
Niculae vlerësohet se ka një pasuri prej 1.1 miliardë eurosh sipas listës së Forbes. Investimet e tij janë më së shumti në energji, bujqësi, tregti, prona të paluajtëshme dhe futboll.
 
Ndërkohë, një gjykatë në Bukuresht urdhëroi arrestimin e ish ministrit të financave Darius Valcov, si dhe të një kryebashkiaku të qytetit të Kostancës, Radu Mazare, në dy çështje të tjera korrupsioni.
 
Valcov akuzohet se mori 2 milionë euro për t’i dhënë një kontratë punimesh publike një biznesmeni ndërsa qe kryebashkiak i Slatinës në vitin 2009. Ai dha dorëheqjen më 15 mars dhe ka qenë në arrest shtëpiak që nga ajo kohë.
 
Kryebashkiaku Mazare, i cili është sakaq famëkeq për sjelljen e tij eksentrike, akuzohet se ka marrë 9 milionë euro ryshfet në këmbim të lejeve si dhe për të lënë një biznesmen të fitonte kontrata për riparimin e qytetit. Që të dy janë anëtarë të Partisë Social Demokrate.kohaislame
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit