3.4 C
Pristina
Wednesday, November 27, 2024

Çmenduria dhe degjenerimi i sondazheve

Më të lexuarat

Nga Ergys Mërtiri

Në mungesë të një gare të vërtetë politike me debate mbi qeverisjen apo programet elektorale, mediat kanë nisur tashmë një betejë të pakuptimtë sondazhesh, me të dhëna dhe rezultate shpesh të çuditshme. Duke përjashtuar IPR Marketing, e cila tashmë ka një traditë të sondimit të opinionit para zgjedhjeve, një armatë operatorësh janë sulur të prodhojnë grafikë e tabela nga më absurdet dhe madje shpesh edhe qesharake.

Ka televizione që transmetojnë, deri në dy herë në javë, në prime time, analiza “gjetjesh” të tilla, duke shpërdoruar në mënyrën dramatike hapësirën televizive. Rezultatet, jo vetëm që janë të pabesueshëm nga një perspektivë analitike e logjike, por shpesh janë kontradiktore midis tyre, çfarë i bën totalisht të pabesueshme e joprofesionale.

Përse bëhet e gjithë kjo?

Në fakt, për nga vetë rezultatet që nxjerrin (më saktë, fabrikojnë), kuptohet se interesi këtu nuk është aspak tek nevoja për të zbuluar paraprakisht orientimin e votes dhe kurioziteti për të parashikuar votuesin nuk e justifikon gjithë këtë histeri. I vetmi shpjegim qendron në faktin se, nëpërmjet këtyre lojërave mediatike, sondazhet po përdoren për të ndikuar në rezultat. Sondazhi, nuk është thjesht një instrument për të njohur një realitet, por mbi të gjitha për të prodhuar realitetin që duam. Nëpërmjet fabrikimit të të dhënave, ne mund të nxisim votuesit drejt prirjeve të caktuara, qoftë edhe vetëm duke afektuar sjelljen e popullatës në dekurajimin e votuesve kundërshtarë dhe inkurajimin e atyre përkrahës.

Parashikimi në shkencat shoqërore, nuk është si në ato natyrore. Ai është agjent veprues dhe ndikon në ndryshimin e sjelljes së popullatës ku ky parashikim publikohet. Parashikimi pra nuk është neutral, por ndikon mbi ngjarjet që parashikon, gjë që e bën situatën paradoksale: Ti parashikon atë çfarë, pikërisht nëpërmjet parashikimit, je duke e shkaktuar.

Duke qenë kështu, a është e mundur që një pushtet kaq i mbushur me propagandë, ta lerë pa përdorur një armë të tillë elektorale? Vetë shtimi marramendës i këtyre sondazheve në këtë prag fushate ka për qëllim të prodhojë idenë se qeveria është e fortë dhe për këtë arsye ajo do të fitojë doemos, ndërkohë që opozita është e dobët dhe e destinuar të humbasë.

Ky në fakt është një perceptim të cilin qeveria ka kohë që mundohet ta prodhojë nëpërmjet propagandës dhe spineve analitike nëpër media. Duke qenë pa program, pa ide, pa moral dhe pa asnjë rezultat pozitiv në qeverisje, madje përkundrazi, e ngopur me korrupsion, kapje të shtetit, inkriminim e skandale të panumërta, ajo kërkon ta ndikojë publikun duke imponuar sistemin e saj të vlerave.

Në këtë mënyrë ajo kërkon që forcat politike të mos vlerësohen mbi rezultate, por në terma të fuqisë. Sipas kësaj mendësie, qeveria do të fitojë dhe duhet të fitojë sepse ajo është e fortë, ndërsa opozitës i takon të humbasë, pasi është e dobët. Dobësia apo forca, në këtë rast, nuk përcaktohen nga ndonjë vlerë konkrete, por nga perceptimi mediatik, mbi mbështetjen që publiku i jep njërës apo tjetrës palë. Pikërisht, për prodhimin e këtij perceptimi, përdoren edhe sondazhet.

Në fakt, forca e qeverisë qendron vetm tek fuqitë e saj manipuluese, të cilat vijnë pikërisht nga korruptueshmëria dhe niveli i lidhjeve klienteliste që ajo ka krijuar. Duke monopolizuar fuqinë ekonomike dhe tregun e medias, ajo ka në duar instrumente (sigurisht korruptivë) për të mbytur publikun me propagandë. Por duhet thënë se, në këto kushte, fuqia e saj politike buron pikërisht nga dobësia e saj morale, e cila është edhe arsyeja përse ajo mund dhe duhet të humbasë.

Për këto arsye, publikut i duhet të heqë dorë nga spektakli banal i sondazheve të instrumentalizuara, të cilët janë hartuar për ta zhvendosur vëmendjen e tij në sfera që i interesojnë pushtetit. Debati duhet të orientohet drejt programeve dhe realitetit politik në vend, si të vetmet qasje që na ndihmojnë të bëjmë zgjedhjet e duhura politike.

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit